Shanset e integrimit në BE të Rusisë, Ukrainës, Moldavisë

01/03/2009 at 15:23 Leave a comment

Bashkimi Europian ka ndjekur një proces të gjatë e të vështirë integrimi për të gjitha vendet që kanë synuar të bëhen pjesë e tij që pas krijimit më traktatin e Parisit në 1951 si “Unioni për qymyrin dhe çelikun”.

Me kalimin e viteve, zhvillimin e ngjarjeve historike, ekonomike, politike e shoqërore, Bashkimi Europian u shndërrua në vatrën mikpritëse të të gjitha shteteve që ndanin vlera dhe principe të njëjta për demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, ekonominë dhe tregun e lirë, parimet e konkurrencës së ndershme, bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë, traditave, kulturave e parimeve për një jetë rend ligjor ku sundon e drejta.

Në kuadër të këtyre politikave, Bashkimi Europian numëron sot 27 anëtarë dhe ka një përqasje inkurajuese, edhe pse të matur me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por, Bashkimi Europian nuk lë jashtë vëmendjes edhe aspiratat e shteteve të tjera, që në një mënyrë apo në një tjetër, duan ta shohin veten pjesë të këtij Bashkimi.

Mes politikës së vështirë të zgjerimit që duhet të luajë, BE gjendet shpesh në vështirësi për të anashkaluar entuziazmin e tepërt apo heshtjen stoike që shfaqin për anëtarësim në të në mënyra të ndryshme Rusia, Ukraina dhe Moldavia.

Bashkimi Evropian i ka përfshirë këto vende në disa programe të përbashkëta bashkëpunimi, por përqasja për integrimin është individuale dhe do të trajtohet më poshtë për secilin vend.

Rusia dhe Bashkimi Europian

A ka të ardhme ideja e integrimit të Rusisë në BE? Si janë ndërtuar marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Europian? A janë këto marrëdhënie të karakterizuara nga një orientim drejt integrimit, apo bëhet fjalë thjesht për një bashkëpunim ndër-qeveritar në fusha të ndryshme ?


Historia europiane e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e në vazhdim mund të konsiderohet si një proces integrimi i një numri të madh vendesh në këtë bashkim, ku ato marrin përsipër të respektojnë vlerat e përbashkëta, normat, ligjet, politikat dhe vendimmarrjen e përbashkët, institucionet dhe bashkëpunimin në shumë fusha që më përpara kanë qenë nën përgjegjësinë e shteteve individuale.

Prandaj edhe shumica e reformave ekonomike dhe sociale që shpjegojnë në thelb procesin e integrimit, si edhe modelet e vendeve që kanë aderuara në kohë të ndryshme në BE, flasin për shembujt tipikë se si duhet të jetë një integrim.


Kurse në rastin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe bashkimit Europian, këto praktika teorike gjejnë përdorim të rrallë për të ilustruar, shpjeguar apo parashikuar zhvillimin e saj. Është e sigurt se Bashkimi Europian dhe Rusia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në disa fusha veprimi, me gjithë ulje-ngritjet në marrëdhëniet mes tyre; megjithatë, është po kaq e qartë se pa vendosur elemente mbi-kombëtare ( supranational elements), integrimi si ëndërr merr fund shumë shpejt. Prej tij mund të ngelë vetëm ndonjë bashkëpunim sipërfaqësor ndërqeveritar.


A janë interesat ekonomike dhe politike të BE-së dhe Rusisë të të ngjashme aq sa të mundësojnë integrimin? A e vlerësojnë të dyja palët pluralizmin politik si një të drejtë themelore të demokracisë? A kanë ngjashmëri elitat e të dy vendeve? Te gjitha këto pyetje i kanë shpjeguar me detaje analistët europianë, dhe në një tabelë më poshtë do të sjell edhe mendimet e tyre për mundësitë e integrimit rus parë nga disa këndvështrime, si ai funksionalist dhe neofunkstionalist.


Sipas ekspertëve europianë, integrimi duhet parë si një proces gradual, jo si fundi i një rruge që bëhet për pak ditë. Mënyra që ka ndjekur BE me të gjithë vendet para anëtarësimit, është kërkesa që këto vende të plotësojnë kriteret në disa fusha, duke filluar nga ato më urgjentet; demokracia dhe të drejtat e njeriut. Dhe kjo rrugë bashkëpunimi me Rusinë në një farë mënyrë ka filluar. Bashkëpunimi është shtrirë tashmë në disa aspekte ekonomike ( si p.sh. energjia), megjithatë, shpesh bisedimet dhe negociatat me Rusinë kanë qenë të vështira; e disa prej tyre kanë përfunduar edhe pa asnjë rezultat.


Megjithatë, marrëdhëniet e Moskës me Brukselin duket se nuk po ndjekin shembullin klasik të funksionalizmit, ku procesi i thellimit të bashkëpunimit funksional motivon integrimin politik. (në rastin e marrëdhënieve me Rusinë, ai do të ishte një mbi-shtet (supranational) që funksionon në bazë të vendimmarrjes dhe besnikërisë. Integrimi i Rusisë në Be nuk duket të ketë ndonjë shenjë në horizont; të paktën jo deri sa të dyja palët të bien dakord për mënyrën e tyre të bashkëpunimit mbi-shtetëror.


Sa për marrëdhëniet e sotme më BE- Rusi, ato kanë më shumë tiparet e një bashkëpunimi ndërqeveritar (tradicional apo neo-realist).


Në maj të vitit të kaluar, Bashkimi Europian organizoi në Finlandë një konferencë të rëndësishme për të përcaktuar të ardhmen e saj në lidhje me Rusinë. Konferenca emërtohej në mënyrë domethënëse: “Integrim apo fragmentizim? Drejtimi i ardhshëm i marrëdhënieve ruso-europiane”. Në përfundim të kësaj konference, ku në mënyrë domethënëse një vend të veçantë zinte komisionari i zgjerimit të BE-së, Olli Rhen, përfundimi kryesor ishte ai i nevojës Europiane për të pasur një politikë të përbashkët për Rusinë. Kurse Rusia nga ana e saj po i shfaq interesat e saj në një mënyrë më strategjike. Moska është duke pritur që Bashkimi Europian të ndalë së emërtuar Rusinë si “politikë-ndarëse” dhe t’i tregojë asaj synimet e saj të vërteta.


Me ndërprerjen e gazit që kalonte nga Ukraina për në Europë; me presionin e madh ndaj Ukrainës për të mos bërë asnjë përçapje drejt NATO-s, me izolimin që i bëri Gjeorgjisë dhe luftën që i hapi asaj, me aneksimin ideologjik dhe varësinë që i ka krijuar Bjellorusisë, me kërcënimet ndaj Moldavisë nëpërmjet Transnistria e me të gjitha politikat e saj dominues në të gjitha republikat ish sovjetike që kërkojnë t’i kthejnë përfundimisht krahët asaj, Rusia ka treguar se ka dëshirë ta lënë të pacenuar në mbretërinë e saj.


Prandaj edhe integrimi Rus në BE është më tepër një kartë politike që luhet me kujdes nga të dyja palët. Por bashkëpunimi ndërqeveritar dhe disa politika të përbashkëta do të vazhdojnë, për sa kohë Moska do të jetë e bindur se Brukseli nuk shkel në kallo me politikat përafruese të tij.


Me poshtë është një tabelë që shpjegon më qartë perspektivën ruse për integrim në BE, parë në disa askete kryesore:

Teoritë e integrimit dhe marrëdhëniet BE – Rusi

Sipas Christer Pursiainen 2008

Përqasja

Fokusi dhe hipotezat

Prospekti për integrimin BE – Rusi

Federalizmi

Integrimi presupozon krijimin e institucioneve supranacionale, dhe palët janë të supozuara që të heqin dorë në mënyrë vullnetare nda disa pjesë të sovranitetit dhe autonomisë së tyre.

Shumë i ulët: As Be, as Rusia nuk janë për momentin të gatshme të lejojnë krijimin e institucioneve supa-nacionale që të qeverisin ndonjë fushë të tyre të bashkëpunimit.

Funksionalizmi

Integrim si rezultat i një nevoje teknike për bashkëpunim në nivel ekspertësh, që nga ana e saj krijon qendra të reja pushteti për të lehtësuar bashkëpunimin.

E mundur, por akoma nuk duket në horizont: bashkëpunimi tashme eksiton në shumë fusha funksionale, si p.sh. energjia apo transporti, por si më sipër, nuk pranohen institucione që do të mbikëqyrnin vendimmarrjen, sovranitetin apo autonominë e secilës palë në këtë pikë.

Neo-funksionalizmi

Kushtet paraprake: Interesa të përbashkëta ekonomike, ngjashmëri të sistemeve ekonomike, ndërvarësi, pluralizëm politik, ngjashmëri në grupet elitare.

Faza e fillimit: Nis tek fusha më në nevojë dhe më urgjente

Vullneti politik: Liderët politikë duhet të shohin përtej interesave të ngushte nacionale dhe të synojnë vendosjen e ekonomisë së vendit në një plan supranacional.

E mundur, por jo së afërmi Kushtet paraprake pothuajse mungojnë; bashkëpunimi institucional ekziston, por nuk ka gjasa e as vullnet politik rus që të tolerojë në vendimmarrjen kombëtare për hir të politikave ndërshtetërore apo super-nacionale.

As efekti i përhapjes së reformave nuk duket se ka për të ngjarë, e aq më tepër, jo në mënyrë automatike.

Ndërqeverisja

Vendimet e qeverisë për disa aspekte të integrimit shpjegohen më qartë duke u bazuar në presupozimin se negociuesit e saj po sillen në funksion të interesave të shtetit.

Shumë i ulët: Si BE ashtu edhe Rusia synojnë një bashkëpunim ndërqeveritar, pa qenë asnjëra e gatshme të lëshojë pe në vendimmarrje apo të tolerojë në autonomi dhe sovranitet.

Liberalizmi i ekonomisë

Theksi vihet tek rritja e ekonomisë dhe mirëqenia që vjen nga liberalizmi i tregut në procesin e integrimit. Shkalla e integrimit matet shumë mirë nga funksionimi i tregut të lirë, i doganave dhe tregut të përbashkët.

Po ecën shumë ngadalë dhe jep sinjale përziera: Common Economic Space (CES) ka elemente të tregut të lirë, por nuk i përfshin doganat e as nuk plotëson kriteret e një tregu të përbashkët.

Përafrimi ligjor

Adoptimi, përafrimi apo harmonizimi i sistemit ligjor dhe legjislacionit ndihmon në stabilizimin e ekonomisë dhe përforcimin e shtetit të së drejtës. Po ashtu, në aspektin ekonomik, i hap rrugën konkurrencës së ndershme, lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, spitalit dhe njerëzve. Të gjitha këto e përshpejtojnë integrimin.

Duke ecur shumë ngadalë dhe pa vullnetin e duhur politik: Përafrimi legjislacionit kërkon mekanizmat reja ligjore, që Rusia nuk është e gatshme t’i ofrojë. Aktualisht nuk ka ndonjë mënyrë sistematike bashkëpunimi dhe Rusia nuk ka shfaqur interes për të mirëpritur fazën përgatitore për përafrimin e legjislacionit me BE-në.

Rajonalizimi trans-nacional

Theksi për marrëdhëniet ndërkombëtare po bëhet gjithmonë e më shumë një çështje e prekshme për nivelet e ulëta në politikë, jo më vetëm midis shteteve. E ndërsa sovraniteti i shteteve mund të mos zhduket tërësisht, kufijtë hapen për turistët, udhëtarët, emigrantët, tregun e punës, informacionin, etj, duke lënë kështu hapësirë për aktivitete me natyrë ndërkombëtare dhe globale.

E mundur, por kërkon kohë: Globalizmi dhe njëjtësimi i sistemeve si ai i arsimit p.sh. po e ndryshojnë këndvështrim skeptik të shteteve dhe po i sjellin ata më afër. Një zhvillim ndërkombëtar apo global ardhur nga komunitetet mund të sfidojë marrëdhëniet zyrtare mes BE-së dhe Rusisë. Në mënyrë të tërthortë, kjo i jep formë bashkëpunimit të mëtejshëm dhe mund të ndikojë në politikat zyrtare afatgjata për të dyja palët.


Shanset e Ukrainës dhe ftohtësia e Bashkimit Europian ndaj saj

Ukraina ka treguar vazhdimisht interes të hapur dhe dëshirë të madhe për t’u pranuar dhe integruar në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, Brukseli është përgjigjur me të njëjtën masë “ftohtësie”, duke mbajtur peng edhe premtimin për ta parë ndonjëherë Ukrainën në gjirin e BE-së. Madje politika e fundit e Bashkimit Europian është ajo e anashkalimit të çështjes Ukrainase, duke mos e përmendur fare të ardhmen e marrëdhënieve të saj me BE-në. Arsyeja më kryesore është pikërisht zemërimi që ngjall tek Rusia çdo afrim i ish republikës së saj me perëndimin, jo vetëm me BE-në, por edhe me NATO-n.

Bashkimi Europian ka zhvilluar disa takime të rëndësishme dhe ka organizuar edhe samite të veçanta për të trajtuar bashkëpunimin mes tij dhe Ukrainës; por ato janë shoqëruara gjithmonë nga frika e hapur se Ukraina mund të shndërrohet në pikën e parë të përpalljes së ndonjë konflikti (diplomatik apo politik) midis Rusisë dhe Perëndimit.

Bashkimi Europian i ka ofruar Ukrainës të ri-shohë procedurat e vizave dhe lëvizjes së qytetarëve të saj në pjesën tjetër të Europës, por ama të gjitha shpresat e tjera të Kievit për një dritë jeshile integrimi me qëllim për t’i bërë presion edhe Rusisë, janë hedhur vazhdimisht poshtë nga Bashkimi Europian. Mesazhi për lehtësimin e vizave ishte i qartë “Ky është maksimumi që BE mund të bëjë për ju” – i tha delegacionit ukrainas në samitin e Parisit presidentit francez, Nikolas Sarkozy.

Pritet që gjatë këtij viti, BE dhe Ukraina të nënshkruajnë një dokument simbolik që do të qartësojë më shumë marrëdhëniet mes tyre. Por, Bashkimi Europian është i ngadaltë dhe i kujdesshëm në deklaratat ndaj Kievit, që e sheh në një mungesë stabiliteti politik dhe beteje të vazhdueshme mes presidentit Viktor Yushchenko dhe kryeministres së vendit, Yuliya Tymoshenko.

Qeveria ukrainase ka pasur debate të vazhdueshme për pushtetin, për politikën e jashtme, për marrëdhëniet me Moskën, për mungesën e theksuar të sovranitetit politik në çështjen e Gjeorgjisë, për afrimet e shpeshta të Timoshenkos me Kremlinin, për akuzat e shpeshta të Yushchenkos ndaj kujto që është kundër perëndimit, etj.

Mungesa e stabilitetit politik ka rritur gjithmonë oponencën ndaj Ukrainës në Bashkimin Europian. Kundërshtimet për të përforcuar lidhjet midis Brukselti dhe Kievit janë shtuar edhe nga mungesa totale e qëndrushemërisë politike në vend, ku u zhvilluan gjashtë zgjedhje parlamentare në katër vjet e parë të presidencës së Yushchenkos.

Nga Bashkimi Europian, kundërshtimet më të hapura për anëtarësimin e Ukrainës vijnë nga Gjermania dhe Holanda. Kurse mbështetja për të vjen nga vendet e Europës qëndrore (të futura në BE në Maj 2004), si edhe nga Mbretëria e Bashkuar, që aplikon një politikë të moderuar ndaj Ukrainës.

Britania e ka shprehur qëndrimin e saj pro integrimit të Ukrainës në BE edhe në mes të krizës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, atëherë kur Kievi nuk mbante asnjë qëndrim zyrtar kundër sulmeve ruse në rajon.

Zyrtarët ukrainas janë munduar fort që ta bindin BE-në të japë sinjale pozitive për mundësitë e integrimit të Ukrainës në BE, por heshtja inkurajuese e Brukselit për një integrim të plotë, po bëhet gjithmonë e më shumë stoike. “Bashkimi Europian duhet ta pranojë Ukrainën në gjirin e vet e t’i japë kështu një sinjal të fortë Rusisë se ne jemi pjesë e Euopës së bashkuar” – deklaroi me tone lutëse ish ministri i jashtëm ukrainas, Gryshchenko në samitin e Parisit vitin e kaluar. Por, sërish reagimi inkurjues europian mungoi edhe aty.

Sulmet dhe sjellja ruse ndaj Gjeorgjisë vitin e kaluar luajti një rol vendimtar në orientimin përfundimisht pro-perëndimor të politikës së jashtme të Ukrainës.

Ukraina shihet si një shtet që mund t’i sjellë BE-së po aq probleme sa madhësia e shtrirjes së saj gjeografike dhe numri i lartë u popullsisë. Po ashtu, Ukraina ka një minoritet të theksuar rus (17% e popullsisë); flota ruse në Detin e Zi është e vendosur në një port ukrainas me marrëveshje mes palëve, Krimeja me popullsinë e saj etno-ruse gjendet gjithashtu në Ukrainë, dhe Moska është tërësisht kundër cdi ideje për afrimin e Ukrainës me Perëndimin, veçanërisht me anëtarësimin e saj apo të Gjeorgjisë në NATO.

Nga ana e saj, edhe Ukraina ka mbajtur qëndrime ndonjëherë të dyzuara për anëtarësim të plotë në strukturat e perëndimit, nëse kjo do t’i kushtonte shkëputjen e marrëdhënieve me Rusinë. Ukraina është e detyruar tashmë të besojë më shumë në procesin e saj te “eurpianizimit”, pa e ditur ende nëse një ditë Europa do të pranojë ta shohë brenda saj. Megjithatë, entuziazmi i politikës së jashtme ukrainase dhe dëshira e saj për integrim në BE nuk i është përgjigjur me të njëjtin ritëm zhvillimit të reformave politike dhe ekonomike në vend. Po ashtu, politika e brendshme e Kievit shihet me shumë skepticizëm nga BE-ja, e cila akoma nuk ka krijuar besim në pavarësinë, mirëfunksionimin dhe efikasitetit e institucioneve ukrainase.

Integrimi në Bashkimin Europian është kthyer në një ideologji në Ukrainë, që tashmë edhe është lodhur nga pritja për të marrë një sinjal pozitiv nga Brukseli. Kjo është shprehur edhe në pakënaqësitë e shpeshta ukrainase ndaj politikave afruese për Ballkanin Perëndimor, që Kievi e quan “akoma të pazhvilluar mjaftueshëm për të qenë i përkëdheluri i politikave të zgjerimit të BE-së”. PO ashtu, Ukraina ankohet për standartde të dyfishta anëtarësimi, teksa krahason se Ballkanit perëndimor i është bërë ftesa nëpërmjet MSA-ve dhe iu është kërkuar të plotësojnë standardet për hapin e mëtejshëm, kurse Ukrainës i është kërkuar që në fillim të plotësojë standardet, pastaj të pretendojnë për një MSA.

Sipas raporteve të BE-së, Ukraina ka një shkallë të lartë mungese njohurie për mënyrën se si funksionon Bashkimi Europian, e kjo sjell edhe padurimin e madh dhe pakënaqësitë e shprehura për ngadalësinë me të cilën e ka marrë Brukseli konsideratën për Kievin. Ukraina mjaftohet me idenë se gjeografikisht i përket Europës dhe se rreziku rus është avatnazhi i saj. Por, jo vetëm që këto nuk merren parasysh nga BE-ja, por edhe madhëisia e vendit dhe numri i lartë i popullsisë, që dikur Ukraina besonte se i kishte arsye pozitive, rezultuan se janë pika ndaj së cilës tregohen më skeptikë europianët. 40 milionë banorët e saj shihen si një rrezik i madh vale emigrimi dhe gjeneruese e probleme sociale e të sigurisë në BE.

Që prej Majit 2004, Ukraina po përfiton asistencë nëpërmjet programit “për fqinjësinë e mirë” të BE-së dhe shanset e saj për anëtarësim, akoma janë të njëanshme, pra shihen si të mundura vetëm nga Kievi.

Ukraina është akoma larg plotësimit të standardeve europiane, dhe madje edhe ka hequr disa herë dorë nga përafrimi i legjislacionit me BE-në, veçanërisht kur ajo i ter shpresat për anëtarësim, teksa Brukseli refuzon të japë sinjale pozitive.

Në përfundim, duket se Ukraina dhe Bashkimi Europian janë akoma shumë larg pikës së përbashkimit, që siç u tha edhe më lart, shihet në perspektiva të ndryshme nga secila palë.

Moldavia, sa afër, aq edhe larg Bashkimit Europian.

Sipas statistikave evropiane, Moldavia është vendi më i varfër i Europës dhe gjithashtu i vetmi vend ku në pushtet është Partia Komuniste. Moldavia ka qenë gjithmonë me një këmbë në Moskë e me sytë në Bruksel, por tregoi një orientim më të fortë drejt perëndimit, kur pas presionit të tij, në Dhjetor 2003 ajo refuzoi planin rus për shkëputjen nga territori i saj rajonit të Transnistrias.

Menjëherë pas refuzimit zyrtar të planeve të Moskës për këtë zonë që përdoret si magazinë ushtarake dhe gjeneron probleme për stabilitetin moldav, Bashkimi Evropian dha sinjalet e para të forcimit të bashkëpunimit me Chisinaun. Në Maj 2004 Bashkimi Europian nënshkroi me Moldavinë “Planin e veprimit” që do ta çonte këtë vend më afër integrimit në strukturat evropiane.

1- Në fakt, bashkë-punimi euro-moldav ka filluar që me nënshkrimin e Marrëveshjes për Partneritet dhe Bashkëpunim (PCA) në vitin 1998. Në bazë të kësaj marrëveshje, Moldavia merrte përsipër të rregullonte legjislacionin që do t’i mundësonte arritjen e një sërë objektivave të përbashkëta, si edhe të ndërmerrte veprime konkrete që kishin të bënin me:

– Bashkëpunim ekonomik dhe tregtar (liberalizimin e tregtisë përtej vendeve me zgjedhje, eliminimin e kufizimeve sasiore, harmonizimin e legjislacionit për menaxhimin e mallrave, shërbimeve, punës dhe kapitalit, si edhe konkurrencën dhe pronësinë intelektuale).

-   Bashkëpunim në fushën e shkencë, energjisë, mjedisit, transportit, shërbimeve postare dhe telekomunikacionit, si edhe në një sërë fushash të tjera, si arsimi dhe bashkëpunimi kultoror e social.

Dialog politik për çështjet e punëve të brendshme, rajonale apo edhe institucionale; vëzhgim i principeve të demokracisë, respektimin për të drejtat e njeriut dhe më kryesorja, stabilitetin politik në rajon, veçanërisht përsa i përket Transnistrias .

- Vëmendje iu kushtua gjithashtu bashkëpunimit për eliminimin e fenomenit të pastrimit të parave, luftën ndaj korrupsionit dhe asaj ndaj trafiqeve të drogës.

2.- Më pas Moldavia u bë pjesë e programit të fqinjësisë së mirë për Europën (European neighbourhood), duke filluar që nga Marsi ni vitit 2003.

3.- Në 2006 kjo u shndërrua në European Neighbourhood and Partnership Instrument.

4.- Ne periudhën Mars – Tetor 2003 Komisioni Europian delegoi një grup vëzhguesish që përgatitën një raport, në përfundim të të cilit, BE hartoi një Strategji Bashkëpunimi me Moldavinë. Kjo strategji dhe plani i saj i veprimit u nënshkruan në Maj 2004.

5.- Marrëveshja hyri në fuqi në 22 Shkurt 2005. Kurse në 4 Dhjetor 2006 Komisioni Europian ndërmori iniciativën për “Përforcimin e politikave europiane për fqinjësinë”.

Avantazhet e anëtarësimit të Moldavisë në BE

Zgjerimi i BE-së me 10 anëtarë në 1 Maj 2004 solli një ndryshim historik për BE-në, si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik e gjeografik. Këto ndryshime të reja sollën edhe të tjera perspektiva për Moldavinë ndaj BE-së. Zgjerimi e bëri Moldavinë vend fqinj të BE-së, dhe e detyroi këtë të fundit t’i shihte më me prioritet ngjarjet në Chissinau. Brukseli ofroi përforcim të bashkëpunimit ekzistues me synimin për të nxitur një sërë masash për integrimin ekonomik, dhe njëkohësisht, për të thelluar bashkëpunimin politik me Moldavinë. Synimi është që të promovohen stabiliteti, siguria dhe mirë-qënia në këtë vend.

Partneriteti mes BE-së dhe Moldavisë është i një natyre strategjike. Objektivat që BE i ka vënë Chissinaut janë vërtet ambicioze dhe kërkojnë shumë kohë për t’u arritur. Megjithatë, Moldavisë i është dhënë mundësia që të përshpejtojë me mbikëqyrjen e BE-së reformat që do ta çonin atë në marrëdhënie më intensive me BE-në përsa i përket politikës, sigurisë, ekonomisë dhe kulturës. Asaj i kërkohet përmirësim në bashkëpunimin ndër-kufitar dhe marrje përsipër e përgjegjësive për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve. Pika kyçe e këtij bashkëpunimi vazhdon të përqendrohet në rajonin problematik të Transnistrias.

Bashkimi Europian pretendon se zhvillimet e mëtejshme do të varen nga përkushtimi që do të tregojë Moldavia ndaj vlerave të përbashkëta, si edhe nga aftësia e saj për të zbatuar prioritetet për të cilat është rënë dakord mes palëve.

Monitorimi i Moldavisë dhe progresi i raportit për këtë vend maten duke pasur parasysh Planin e Veprimit që bën pjesë në “Dokumentin e Strategjisë” hartuar nga BE për marrdhëniet me këtë vend. Ky është një dokument politik që synon të plotësojë detyrimet e parashikuara në fazën kur BE dhe Moldavia bashkëpunonin në Marrëveshjen e Partneritetit dhe Bashkëpunimit. (PCA).

Ashtu si MSA-ja me vendet e Ballkanit Perëndimor, ky plan veprimi kërkon në mënyrë domethënëse përafrimin e legjislacionit moldav me normat dhe standardet e BE-së. Nëpërmjet këtij përafrimi, pikësëpari synohet adoptimi dhe zbatimi i ligjeve për ekonominë dhe tregtinë, investimet dhe rritjen ekonomike, kohezionin social, reduktimin e varfërisë, mbrojtjen e mjedisit, etj, duke kontribuar kështu në objektiva afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm.

Perspektivat e partneritetit

Për momentin, Bashkimi Europian e sheh akoma Moldavinë si një parter në zhvillim, pa i dhënë akoma mundësinë të shohë në një të ardhme të afërt përtej këtij partneriteti. Sidoqoftë, si një vend që përfiton nga programi i fqinjësisë së mirë, Bashkimi Europian sheh tek Moldavia disa perspektiva, më kryesoret midis të cilave janë:

  • Perspektiva për të shkuar përtej bashkëpunimit, duke synuar deri në një farë mase integrimin në disa aspekte kryesore politike dhe ekonomike ne Europë.
  • Përforcim i mundësisë për të intensifikuar bashkëpunimin politik, duke krijuar mekanizma të reja për dialogun politik në vend.
  • Vazhdim i bashkëpunimit me BE-në për të zgjidhur çështjen e konfliktit për rajonin e Transnistrias, duke vënë çdo instrument në dispozicion të BE-së dhe OSBE-së. Vetë bashkimi Europian është treguar i gatshëm të konsiderojë mënyra se si ta përforcojë këtë angazhim.
  • Bashkëpunim më i ngushtë në kuadër të programit për fqinjësinë e mirë, veçanërisht për çështjet ndërkufitare, ku Moldavia, pas zgjerimit të BE-së, po merr edhe fondet më të mëdha dhënë asaj.
  • Mundësi për pjesëmarrje më të lartë në disa programe që promovojnë kulturën, arsimin, mjedisin, shkencën, etj.
  • Thellim të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.
  • Mundësi për ri-konsiderimin e lehtësimit të vizave.

Arsyet kundër – Pse BE heziton.

Në planin e saj të veprimit, BE ka hartuar një sërë masash, e sipas raporteve të progresit, Moldavia akoma është larg plotësimit të tyre. Disa nga arsyet përse BE mendon se akoma nuk janë arritur e ku Moldavia duhet të përqendrohet në përpjekjet e saj janë:

  • Angazhim i qëndrueshëm ndaj konfliktit të Transnistrias;
  • Fuqizim të mëtejshëm të institucioneve dhe garanci për stabilitetin politik, demokracinë, shtetin e së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet evropiane.
  • Respektim i lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.
  • Përforcim i mëtejshëm i kapaciteteve administrative dhe gjyqësore.
  • Reduktim i varfërisë, përforcim i sektorit privat, rritje ekonomike dhe qëndrueshmëri fiskale.
  • Përmirësim të klimës së investimeve përmes reformave të duhura strukturore, që duhet të garantojnë kushte jo-diskriminuese, transparente dhe të parashikueshme për bizneset, si edhe të jenë instrument për luftën ndaj korrupsionit.
  • Progres ndaj një sistemi eficent ndërkufitar, veçanërisht në rajonin e Transnistrias;
  • Bashkëpunim me BE-në për të pranuar Autonomous Trade Preferences, duke siguruara kështu kontroll efektiv për origjinën e mallrave që vijnë nga Moldavia.
  • Përqëndrim më të fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar (veçanërisht në trafikimin e qenieve njerëzore), si dhe ndaj korrupsionit.
  • Menaxhim më të mirë të valëve të emigrimit, përfshirë edhe marrëveshjet e ripranimit të emigrantëve me të gjitha shtetet e BE-së.

Pika kyçe ngelet sigurisht dialogu politik dhe reformat për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. BE kërkon forcimin dhe efektivitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë dhe shtetin ligjor. Kryefjala në këtë pikë ngelet zgjidhja e çështjes se Transnistrias, për të cilën BE pretendon reforma kushtetuese dhe legjislative në përputhje me standardet e saj.

Funksionimi demokratik i parlamentit është po ashtu një kërkesë në pritje për zbatim. Kjo përshin edhe ndryshimin e ligjit për imunitetin e deputetëve, organzimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vënien në zbatim të rekomandimeve të bëra nga OSBE/ ODHIR në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Vazhdim në reformat administrative dhe përforcimin e pushtetit lokal.

Përforcim i shtetit ligjor, duke rritur eficencën dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe organet e mbrojtura me ligj, si edhe respektimin e vendimeve të gjykatës kushtetuese.

Komiteti i Bashkëpunimit mes parlamentit europian dhe atij moldav takohen dy herë në vit, në Bruksel dhe në Chissinau. Komisioneri i zgjerimit Olli Rehn, ashtu si i mëparshmi, Guenter Verheugen, vazhdon ta quajë Moldavinë një “vend europian” dhe “pjesë e Europës që me gjithë vështirësitë e saj, ka perspektiva të dukshme për në Europën e Bashkuar”

Bashkimi Europian është shprehur gjithashtu nëpërmjet komisionerit të saj për zgjerimin se interesi i BE-së ndaj Moldavisë është i ndryshëm nga ai ndaj Ukrainës, Rusisë apo Bjellorusisë. Por ama rruga e Moldavisë drejt BE-së është vërtet shumë e gjatë, sepse deri katër vjet më parë, BE-ja e ka konsideruar Moldavinë në rrezik konstant për të qenë një shtet i dështuar, për shkak të korrupsionit në çdo qelizë të vendit, të një ekonomie që dominohet nga krimi i organizuar dhe të një mungese të theksuar stabilitetit politik që rrjedh nga konflikti 18 vjeçar i Transniester–as për shkëputje. Ky rajon është ashtu gjeneruesi më i madh i trafikimit të drogave dhe qenieve njerëzore, fenomene që Bashkimi Europian po përpiqet të nxisë Moldavinë t’i parandalojë me çdo kusht.

About these ads

Entry filed under: Analize, BE. Tags: .

Pas politikës, nuk besojmë më as tek shoqëria civile Krim dhe ndëshkim

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2009
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: