Publikut, televizionin që i takon

29/04/2010 at 17:13 Leave a comment

Qysh prej vitit 1920, kur u krijua British Broadcasting Corporation, BBC, roli i transmetuesve publikë është në qendër të vëmendjes mediatike, pavarësisht “kërcënimeve” të ardhura nga zhvillimet e tjera në media. Sot jemi shikues dhe dëgjues të mediave komerciale, dinamike, të mbytura nga reklamat dhe autoreklamat, të varura nga të ardhurat e nga politika, të mediave me teknologji aq të avancuar saqë e transmetojnë lajmin para se ai të ndodhë; ama jemi edhe ne dëshmitarët e një situate të trishtë ku për arsimin, çështjet sociale, bujqësinë, planifikimin familjar, shëndetësinë, të drejtat e fëmijëve, të njeriut, mjedisin apo komunitetin, në mënyrë infomativo-edukuese, nuk flet askush, përveç televizion publik. Nuk është rasti i Shqipërisë. Televizion publik ka në të katër anët e globit; problemet dhe vështirësitë janë të ngjashme. Vetëm avantazhet ndryshojnë, si në rastin e modelit që duan të ndjekin të gjithë, BBC-në.

Identiteti i televizionit publik

Thjesht fare, televizioni publik quhet kështu sepse financimi i tij bëhet me fonde publike. Të paktën ky është përcaktimi që i bëhet në gjuhën e medias transmetuesve publikë. Synimi është që fondet e paguara nga publiku të përdoren për informimin, edukimin apo argëtimin e tij. E në dallim nga mediat private, këto elemente duhet të vijnë të plota, të sakta dhe të pandikuara nga komercializmi. Politika dhe profesionalizmi nuk kanë c’bëjnë në këtë grup.

Pra, televizioni publik duhet të financohet nga fonde publike dhe t’i shërbejë po publikut. Bukur. Atëherë, përse lind nevoja e diskutimeve për mbylljen tërësore dhe rifillimin nga zeroja në vitin e 50-të të Televizionit Publik Shqiptar? Përpos të tjerave, edhe për një arsye të thjeshtë; shumë mbyllje duhen bërë e nevoja për rifillim nga e para në këtë vend nuk ka fund. Po përse të mbyllet kur mund të reformohet?

Diskutimi do ishte i kotë po të mos niseshim nga një pikë e përbashkët arsyetimi që lejon të kuptosh se nevoja për median publike është e njëjtë si në vendet e tjera, me gjithë format e ndryshme të saj. Në disa vende, transmetuesit publikë dominohen nga një organizatë e vetme (siç është BBC në Angli apo ABC në Australi), në të tjera vende ka disa organizata që e marrin përsipër transmetimin publik sipas ndarjeve gjeografike apo gjuhësore, e me radhë.

Televizionet e dikurshme publike që dominonin tregun ia kanë lënë tashmë vendin konkurrencës së televizioneve private, që përveç komercializmit që iu garanton sigurinë financiare (dhe varësi të tjera), janë shumë hapa përpara edhe sepse mundohen të ndjekin dinamizmin dhe ritmin e shpejtë të ndryshimeve në të gjitha aspektet e jetës; politike, shoqërore, ekonomike. Pra, televizionet private nuk rrinë as në pritje, as në zbatim urdhrash, por janë iniciatore të sipërmarrjeve që televizionet publike nuk e kanë mundësinë ta bëjnë me të njëjtën shpejtësi. 

Ama sigurisht televizionet publike kanë disa karakteristika që i dallojnë nga ato private. Programet e tyre zakonisht kanë për qëllim të përmirësojnë shkallën e njohurive të shoqërisë që nga informimi e deri tek programacioni argëtues, kulturor apo edukativ. Pra, teksa mediat private synojnë të transmetojnë programe komerciale që tërheqin audiencë të gjerë dhe reklama të shumta për të maksimizuar përfitimet, teksa për ta media është biznes, televizionet publike përkundrazi, kanë tërësisht qëllim të kundërt; informimin, edukimin dhe përçimin e vlerave kulturore vendase, që në mediat private, pak ose aspak gjejnë vend. Prandaj edhe reklamat në televizionet publike në botë nuk gjenden shpesh.

Mediat publike duhet të kenë shtrirje tërësore gjeografike brenda vendit që operojnë, dhe ky është një kusht për të gjitha ato që e quajnë veten mjet mediatik publik. Programi i tyre duhet të përfshijë dhe mbulojë interesat e të gjitha shtresave e sidomos të minoriteteve e grupeve të veçanta në një vend. Dhe për shumicën, ky është një shqetësim, sepse është e kundërta e pupulizmit. Ama nën këndvështrimin e balancës, transmetimi gjithë-përfshirës është korrekt dhe unik në televizionet publike.

Programet me natyrë promovimi dhe ruajtje të identiteti kombëtar janë gjithashtu karakteristikë e televizioneve kombëtarë. Dhe këto programe duhet të krijohen, shkruhen, filmohen e montohen brenda vendit. Kjo e gjitha ka një kosto shpesh më të lartë sesa thjesht të blesh një seri dokumentarësh të prodhuar jashtë e ta përkthesh në shqip, për të qenë në rregull me kërkesën ligjore për minutazhin e gjuhës mëmë në programacion. Mediat private rrallë e marrin mundimin të bëjnë cikël emisionet për vlera të veçanta kulturore apo identifikuese të një kombi, kurse televizionet publike e kanë detyrim këtë pjesë të kushtueshme.

Media publike ka edhe një handikap tjetër; edhe në ato më të pavarurat në botë, sërish ekziston rreziku i perceptimit të medias publike si mbrojtëse e interesave të partisë në pushtet. Edhe nëse kjo nuk është e hapur dhe e dukshme, sigurisht që është e kuptueshme nga gjuha e lehtë që përdoret kundër qeverive.

Kjo varësi mund të çlirohet deri në një farë mase në momentin kur entet transmetuese publike krijojnë sistemi financimi alternative, siç është për shembull vjelja e taksës së aparatit, që në fakt nuk duhet të kalojë në asnjë lloj buxheti tjetër përveç atij të medias publike. Donacionet janë gjithashtu një mundësi, por ato vijnë me rrezikun për të krijuar varësi të reja, veçanërisht në vendet me demokraci në zhvillim.

Në rastet e tyre, media publike e ka më kollaj të bjerë në gjumë dhe ta luajë shumë vakët rolin e saj primar informues e edukativ duke pasur në qendër publikun, sepse realisht ajo kontrollohet fort nga “punëdhënësi” i saj, qeveria. Ama në situatën kur televizionet publike përfshirë atë shqiptarin, pretendojnë të kenë pjesën e tyre të madhe në ndarjen e audiencës dhe përfitimet që ajo mbart, atëherë duhet bërë disa ndryshime. Ndër të parat në radhë është konkurrueshmëria, e cila duhet të bazohet në cilësinë, rëndësinë dhe shikueshmërinë e programeve, dhe jo në numrin e tyre. Pra mund të xhirohen e transmetohen shumë programe në ditë apo në javë, por se sa cilësore janë ato dhe a mund të konkurrojnë dinamizmin e mediave private, është një tjetër çështje. Por edhe këtu ka vend për diskutim se ç’kuptohet me fjalën cilësi dhe si matet ajo.

Mediat publike duhet të operojnë në bazë të udhëzuesve që nxisin programet me interes publik, e jo ligje që i pengojnë atë. Në Britaninë e Madhe për shembull, mediat “qeverisen” me atë të udhëzuesve që përcaktojnë qartë çfarë duhet e çfarë nuk duhet transmetuar, e mbështetja më e sigurt e zbatimit të tyre janë gjobat e mëdha që i shoqërojnë në raste shkeljesh.

Avantazhet dhe dizavantazhet

Media publike nuk varet nga reklamat dhe bizneset për mbijetesën financiare, dhe kjo i jep një lirshmëri në bërjen e programeve që nuk synojnë audienca masive, pra të prodhojnë programe me interes publik, dokumentare dhe programe informative, edukuese e argëtuese pa qenë agresive në imponim.

Mos-ndjekja në kohë e ritmit të ndryshimeve është një minus për televizionet publike; ama mund të shihet edhe si një aset, sepse me kohën që merr për të reaguar ndaj ndryshimeve, mediat publike bëjnë edhe një trajtim dhe analizë më të thellë e më të gjithanshme të problemit krahasuar me mediat private, që në thelb kanë masivizimin dhe shpejtësinë.

Mediat publike i shërbejnë në këtë mënyrë edhe anës kulturore me vlerë për shoqërinë, edhe pse financiarisht, por edhe në aspektin e audiencës, shpërblimi nuk është i madh.

Një tjetër avantazh ka të bëjë me rolin e ndërmjetësuesit të politikave kulturore që luajnë mediumet publike. (për shembull, CBC në Kanada punëson kryesisht gazetarë që i flasin të dyja gjuhët zyrtare të vendit (anglisht dhe frëngjisht), por edhe përkthyes për ata që nuk janë në gjendje të prodhojnë në të dyja gjuhët. Në Angli, BBC promovon dukshëm shumëllojshmërinë dhe multi-kulturalizmin, duke nxjerrë në ekran prezantues apo komentues që vijnë nga shumë-llojshmëri origjinash etnike.

Kritikët e mediave publike mund të kenë të drejtë kur thonë se politika e mbështetjes dhe transmetimeve kulturore mund të jetë imponuese për pjesën tjetër të shikuesve, megjithatë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për “vlerat kulturore” që (nuk) përcjellin mediat private.(formatet e spektakleve “reale”).

Përse ky trajtim i përgjithshëm? Sepse po të merrej në shqyrtim vetëm Televizioni Publik Shqiptar, shkrimi do të paragjykohej që në nisje, autorja do të kundërshtohej pa shkruar akoma dhe kundërshtitë, cilado që të jetë teza, do të ishin subjektive, (siç është vetë TVSH-ja sot, bashkë me audiencën e saj unike apo atë që ndan me televizionet e tjera).

Roli i TVSH-së nuk është rast i izoluar në botë. Ritmet e ngadalta për ta nxitur rolin e tij mund të jenë të tilla, por dilemat dhe beteja me median private, është universale.

Ndryshimi në rastin e Shqipërisë qëndron tek personalizmi që i bëhet çështjes, mungesa e guximit për të pranuar nevojën për ndryshim dhe rrënjosja e një mendësie që funksionon në mënyrë automatike brenda mureve të tij. Në kohë të caktuara këtë provë e kalojnë njerëz të caktuar. Prandaj prej vitesh s’ndryshon pothuajse asgjë, ashtu siç asgjë nuk është rastësore. Ama e vërteta është që kemi nevojë për televizionin publik, ashtu siç kemi nevojë që ai të ndryshojë e të shkëputet nga politika me të gjitha gjymtyrët e saj. Thellësisht.

About these ads

Entry filed under: Media. Tags: .

Eksperimentet sheshit Larg duart nga Kushtetuesja

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: