Bashkitë mashkullore

20/01/2009 at 16:34 2 comments

Në 62 Bashki që ka Shqipëria, a e dini se sa prej tyre drejtohen nga femra? ASNJË! Asnjë për be. Në Shqipëri nuk ka asnjë femër që të jetë e denjë, e aftë apo e zonja të drejtojë një Bashki. Kështu thonë statistikat. Jo mini-bashkitë apo komunat. Bashkitë! 

 

Shtysa për të kontrolluar këtë numër më erdhi nga një studim i bërë rishtas në Britaninë e madhe. Aty 35% e bashkive drejtohen nga femra, të tjerat nga meshkuj që në fund të studimit përmblidheshin si “pleq, të përgjumur, dhe meshkuj”. Kjo sepse mosha mesatare e tyre ishte 59 vjeç dhe vinte nga gjinia dominuese në vendimmarrje, pavarësisht nivelit.

 

Në Shqipëri nuk munda t’i mbledh të dhënat për moshën mesatare të kësaj klase, por më iku edhe kurioziteti ta bëj, sepse u stepa që tek e dhëna e parë. Asnjë femër! Pushteti lokal 100% në duar mashkullore.

 

Të harrojmë ç’tregon kjo për barazinë gjinore, diskriminimin apo besueshmërinë tek femra, e të shohim ndikimin që ka udhëheqja tërësisht mashkullore në drejtimin e Bashkive të vendit. Politikat sociale në syrin e meshkujve janë të fundit e vijnë vone në radhë pas ndërtimeve,  infrastrukturës, tenderëve e botës së tërë mashkullore.

 

Britania kishte hallin se diversiteti demografik nuk kishte shumë ndryshim që prej 1997-ës kur në pushtet erdhën laburistët; e në  përgjithësi, bashkitë kanë ngelur në duart e meshkujve të bardhë mbi 55 vjeç. Kurse në Shqipëri duket se janë të gjithë meshkuj, të bardhë po se po e të gjithë nën 55 e 45 madje.

 

Studimi fliste mandej për orët e punës që secili kryetar shpenzonte në zyrë (22.2) dhe pjesën tjetër të punës në komunitete, në terren ose në trajnime. Orët e kafes nuk i kishin numëruar. Puna e kryetarit të Bashkisë atje shihet përfundimisht si e mërzitshme dhe nuk iu rekomandohet karrieristëve të rinj. Në Shqipëri përkundrazi, ka filluar që tani selektimi i njerëzve, planeve, strategjive dhe lobingjeve për t’u bërë kandidat e kryetar bashkë. Ata që shohin se nuk e arrijnë dot deputetllëkun apo Tiranën, i vërsulen bashkive.

 

Pse kaq dominues nga meshkujt drejtimi i institucionit më të lartë të pushtetit lokal? Në një farë mënyre ai lidhet me fushën rezervë të betejës midis partive të mëdha, por realisht është pushteti dhe institucioni që ndodhet më pranë komuniteteve. Teorikisht kështu duhet të jetë. Bashkia duhet të jetë qendër informacioni dhe gjeneruese e përshtypjes së punës e përpjekjeve maksimale për të lehtësuar marrëdhënien e shoqërisë me drejtuesit e zgjedhur të saj.

 

Duhet ta lëmë mënjanë Tiranën, sepse drejtimi i saj është kompleks nga cilado anë ta marrësh, por nëpër rrethe Bashkia shihet si institucioni i vetëm administrativ e shtetëror ku komuniteteti mendon se mund të drejtohet. Pse? Thjesht fare, në Shqipëri nuk ekziston koncepti i takimeve në qendrën shëndetësore, nuk ka institucione apo shoqata që të mbledhin e informojnë publikun për ç’ndodh jashtë shtëpisë së tyre, nuk ka organizime të tjera ku të mund të ndjehen përpjekjet e një force të tretë përveç asaj individuale në jetë dhe qeveritare në ëndërr për të ndikuar në jetën e tyre.

 

Prandaj Bashkia shihet si pika e vetme e kontaktit “ku mund të gjenden veshë e zgjidhje” për problemet e tyre. Si për marrjen e certifikatave, vërtetimeve, licencave të ndryshme e dokumentacioneve pa fund, njerëzit shkojnë në Bashki edhe për denoncuar shqiptarçe, nën zë, jo zyrtarisht shkelje ligjore, përdorim dhune, pakënaqësi komunitare, kërkesa për përmirësimin e pamjes së qytetit ku gjendet kjo bashki, apo të tjera gjëra të ngjashme.

 

Të gjitha këto biseda bëhen korridoreve të ftohta të Bashkive. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se përveç trishtimit të ndërtesave dhe funksionit të tyre, Bashkitë qenkan edhe pronë mashkullore.

 

A do të ishin shërbimet e bashkive ndryshe nëse ato do të drejtoheshin nga femrat? Nuk jam e sigurt, sepse nuk ka eksperiencë krahasuese. Por më vjen ndër mend vetëm vizita që bëmë me një grup profesorësh gjermane vitin e kaluar ne disa shkolla të mesme në vend. Aty ku drejtuesit ishin meshkuj, mbizotëronte fryma për të pasur disiplinë (c’farëdo që të nënkuptojë kjo). Kurse aty ku drejtueset ishin femra, shkollat shndrisnin nga pastërtia, ishin të mbuluara me vazo me lule, nxënësit dukeshin më të çlirët e klasat ishin shumë më të ngrohta e miqësore.

 

A mund të bëhet krahasim i ngjashëm më Bashkitë? Mbase jo. Mbase as ideja nga studimi britanik nuk duhet të më kishte ardhur fare, por m’u duk thellësisht kuptimplotë shifra e drejtuesve 100% meshkuj. Jetojmë në një shoqëri konservatore që nuk e dimë nga përforcohet. Pushteti lokal i gjithi në duart e meshkujve. Kjo tregon më tepër diskriminim, mungesë besimi tek femrat, mungesë eksperience apo mungesë reale femrash për të drejtuar?

 

Unë besoj mungesën e eksperiencës, por edhe mungesën e femrave që mund ta bëjnë mirë punën e drejtueses. U bënë shumë shekuj që vetëm drejtohemi. E mbase ka ardhur e kaluar tashmë koha që edhe femrave t’iu jepet një shans në emër të mundësisë për krahasim.

 

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

A është media shqiptare, ashtu si edhe politika, në një tranzicion të stërgjatur? Konflikti i moisive moderne

2 Comments Add your own

  • 1. edrus  |  20/01/2009 at 21:28

    Përgëzime për blogun!
    Doja t’ju sinjalizoja një faqe që flet rreth të njëjtit problem (por në përmasa dhe kufinj mjaft më të mëdhenj):

    http://www.femalesinfront.eu

  • 2. A.Sh.  |  23/01/2009 at 10:52

    Ja për hajër kjo punë! Mirë e ke bërë. I used to love your nickname, po ty të kam më shumë xhan. Do vij prapë të lexoj, se tani erdha vetëm për qokë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
January 2009
M T W T F S S
    Feb »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: