Konflikti i moisive moderne

22/01/2009 at 17:38 Leave a comment

Në momentet kritike të krizave, sulmeve e bombardimeve në konfliktin e stërzgjatur izraelito – palestinez, arabët shohin televizionin e tyre më të madh; Al Jazeera. Edhe në sulmet e fundit, ky kanal jepte pamje që televizionet perëndimore zgjedhin të mos i transmetojnë. Megjithatë, të dhënat nuk mund të fshihen. Në sulmet e fundit izraelite në Gaza numri i të vdekurve kaloi mbi 1200, kurse të plagosurit mbi 2500. Prej tyre, 290 u vranë vetëm ditën e parë të sulmeve dhe një mijë në një sulm të vetëm të shtunën më 10 Janar të këtij viti.

 

Konflikti modern e ka rrënjën tek “frika” izraelite nga Hamasi pro-islamik që ka fituar zgjedhjet e fundit në Palestinë, por që nuk njihet si palë nga ndërkombëtarët. Me synimin për të parandaluar sulmet e tij, Izraeli godet i pari, për të treguar forcën dhe dominimin në këtë tokë që nuk ka njohur paqe qëkurse aty u krijua shteti i Izraelit në 1948, e për më tepër që me aneksimet e Rripit të Gazës dhe të West Bank në luftën Arabo-Izrelite në 1967-ën. Bashkë me jetët e njerëzve, në rripin e Gazës që po ndahet nga muri modern izraelit, tragjedia njerëzore prek përditë jetën politike, sociale, kulturore e ekonomike e mbi të gjitha territoriale të të dy vendeve në luftën e përjetshme.

Izraeli pretendon se ka të drejtë të mbrojë veten. Sado ironike të duket kjo deklaratë, ajo vjen pikërisht nga vendi që ka një ndër ushtritë më të mira në botë dhe me pasuritë më të mëdha ushtarake, përfshirë armët bërthamore. Prandaj duket qesharak pretendimi për të sulmuar e për t’i paraprirë rrezikut nga Hamasi, që drejton një popullsi të burgosur, mënyra e vetme e të cilëve për të luftuar është vendosja në brez e bombave shtëpiake për të bërë kamikazin. (raportimet zyrtare thonë megjithatë se militantët e Hamasit nuk kanë bërë asnjë vetëvrasje që prej vitit 2005)

Në këtë fushatë “parandalimi”, Izraeli ka vrarë deri në një mijë palestinezë në ditë, kurse ushtarët e vrarë të tokës së shenjtë numërohen me gishta. Po a kanë rëndësi këta numra?

A po shqetësohet Izraeli se po shkelka të drejtat ndërkombëtare?

Mesa duket jo, përderisa sulmet vazhdojnë të përsëriten.

Bashkimi Europian, ashtu si Shtetet e Bashkuara, zyrtarisht mjaftohen me shprehje të tilla si “shprehim shqetësim”; “ I bëjmë thirrje Izraelit t’i ndalojë sulmet”, e kështu me radhë. Por, thirrje konkrete nuk bëhen. Vetë arabët janë si zakonisht të zënë me përplasjet mes tyre, nuk janë në gjendje të kenë edhe ata një opinion të fortë mbi sulmet e vazhdueshme.

Sulmet e fundit, sipas medias izraelite u bënë pas përgatitjeve të kujdesshme, mbledhjes së informacionit sekret për Hamasin, diskutime, përshkrime operacionesh etj. Pra, sulmet janë të mirë-përgatitura. Dhe sërish konflikti nuk ka fund.

Dëshmia e një mjeku palestinez flet më shumë se cdo nen e se cdo ligj lufte apo paqeje. “Në klinikën time në Gaza kanë mbërritur mbi 500 të plagosur. Me c’duken nga plagët, shumica prej tyre janë klinikisht të vdekur. Qindra të tjerë janë deformuar kaq keq nga plagosjet, saqë mendoj se do të ishte më mirë për ta sikur të kishin vdekur. Nuk kemi më asnjë krevat të lirë në klinikën Qarara. Gjithandej nëpër korridore shikon pjesë trupi të copëtuara e të hedhura me nxitim. Të plagosurit ulërijnë me dhimbje që shkojnë deri në agoni. Por tashmë nuk kemi më as qetësues për dhimbjet. Muri është bërë i pakalueshëm. Prandaj na duhet të vendosim se cilët të plagosur të mjekojmë, e cilët jo. Në këto momente do të dëshiroja më mirë të isha vrarë edhe vetë nga bombat izraelite. Nuk di ç’të bëj e vrapoj për të bërë diçka. Gjithçka, vetëm të mund të përballoj këtë tragjedi të ndyrë njerëzore”

Derisa shtetet dhe kombet arabe të bëhen bllok për ta thënë së bashku fjalën e tyre politikisht për t’i dhënë fund sulmeve, e vetmja gjë që do ndryshojë është numri i viktimave. Sa për Shtetet e Bashkuara, edhe nëse Izraeli rrafshon gjysmën e Gazës, sërish ka për të thënë se ishte faji i palestinezëve, kurse Europa do të vazhdojë të shprehë “shqetësim të thellë”. A do të ndryshojë ndonjëherë situate në Gaza? Vetëm nëse palestinezët heqin dorë prej saj, po.

 

Po cilat janë evenimentet që e kanë sjellë deri këtu konfliktin në rripin e Gazës? C’mund të bëhet për ta ndalur atë? Këto pyetje kërkojnë përgjigje komplekse.

 

Në armëpushimet e shpeshta mes tyre, Izraeli dhe Hamasi  vazhdimisht“premtojnë” se:

1.     Israeli do të ulë në mënyrë drastike bllokimin ushtarak në Gaza.

2.     Israeli do të përgjysmojë vendosjet ushtarake në Gaza

3.     Hamasi do të përgjysmojë goditjet me gurë kundër izraelit.

Por, Izraeli nuk i respektoi pikat, veçanërisht atë të bllokimit të murit. Si rezultat, për muaj të tërë palestinezët ngelën pa ushqim, pa karburant, pa ndihmë financiare, pa ujë, pa elektricitet, pa medikamente, ndihmë mjekësore, etj. Sulmet e fundit mund të quhen hapur “sulm ndaj civilëve në Gaza”.

Në një nga vizitat e saj të fundit në Gaza, ish Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Znj. Mary Robinson tha në një intervistë për BBC-së se ajo ishte “terrorizuar nga kushtet në Gaza dhe nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar ndaj një vendi ku shkeleshin kaq hapur dhe kaq shokueshëm një numër masiv i të drejtave të njeriut”

Edhe sipas përfaqësuesve të OKB-së në Gaza, Izraeli po ushtron ndëshkim fizik e mendor ndaj popullsisë që e ka izoluar me murin e tij “mbrojtës”. Situata sipas tyre është një dizastër humanitare. Nga ana e tij, Izraeli ka refuzuar të lejojë diplomatet Europianë të shkojnë në Gaza, e nuk ka lejuar as gazetarët të filmojnë në territore të veçanta përgjatë murit.

Masa më e fundit e marrë nga Izraeli është se nuk ka lejuar të futen në Gaza monedha të asnjë lloji, pra synon edhe ndërprerjen e aktiviteteve bankare. Asnjë shoqëri nuk mund të mbijetojë pa aktivitet financiar dhe rrjedhje të parasë, prandaj kjo masë e marrë është një tjetër ide e zgjuar e Izraelit për të paralizuar jetesën në Gaza.

Synimi i Izraelit është pushtimi i territorit të Gazës, duke pretenduar se kjo është e vetmja mënyrë të eliminojnë sulmet me gurë ndaj ushtarëve izraelitë që mbrojnë murin. Izraeli ishte i pari që theu armëpushimin e brishtë gjashtë mujor vendosur vitin e kaluar, kur vrau gjashtë palestinezë më pretendimin se “po përgatisnin komplot kundër izraelitëve”. Realisht, shteti izraelit, siç e deklaroi edhe në shtypin e vet, kishte kohë që përgatitej për sulmet dhe s’ka hequr dorë asnjëherë nga aneksimi i Gazës.

Duke pretenduar se flasin “në të mirë të paqes”, grupet Hamas dhe Fatah duket se pranojnë negocime për kufij dhe të drejta të vendosura ndërkombëtarisht. Përfaqësuesit e tyre janë shprehur se ata “pranojnë ekzistencën e një shteti palestinez sipas kufijve të vitit 1967. Kjo është mënyra e tërthortë për të pranuar se Hamasi do të njohë shtetin e Izraelit”

Megjithatë, Hamasi nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga asnjë shtet i huaj, duke forcuar kështu idenë se perëndimi nuk ka për të pranuar bisedime me një grup “fondamentalist”. 

Që prej vitit 2002, shtetet Arabe gjithashtu janë shprehur se janë të gatshëm ta njohin shtetin e Izraelit në shkëmbim të përfundimit dhe rikthimit të tokave të pushtuara nga ai në luftën arabo-izraelite në vitin 1967.

Por Izraeli nuk dëgjon nga ai krah e vazhdoi për javë të tëra së fundmi sulmet  e tij këmbëngulëse në Gaza. Akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut, shteti izraelit i përgjigjet me shfajësimin se përpara se të shkatërrojë ndërtesat, dërgon mesazh duke hedhur gurë, që paralajmërojnë se për tre minuta, ajo ndërtesë do të bombardohet. Me kaq, sipas tyre justifikohet mos-dhunimi i të drejtës së jetës. Ama Izraeli po shkakton “ndëshkim kolektiv” për Hamasin, që është rreptësisht i ndaluar në të drejtën ndërkombëtare.

Ka numër kontradiktor për përqindjen e civilëve të vrarë. OKB deklaron 25%, kurse OJF-të për të drejtat e njeriut deklarojnë për 85%. Njerëzit mblidhen grumbull nëpër ndërtesa publike pasi shtëpitë e tyre shkatërrohen. Në tre raste, avionët izraelitë kanë qëlluar pikërisht mbi këto ndërtesa duke vrarë një numër të madh të pa-strehësh.

Si e shkaktoi Izraeli këtë katastrofë humanitare në Gaza?

Profesori i Universitetiti të Oxfrodit, Avi Shlaim ka qenë vetë ushtar në Izrael dhe nuk e vë fare në dyshim legjitimitetin e shtetit të tij. Por ai tregohet i ashpër në gjykimin e bashkë-kombasve për tragjedinë që kanë hapur në Gaza.

E vetmja mënyrë për të kuptuar luftën e pakuptimtë në Gaza, është të njohësh kontekstin historik të saj.  Themelimi i shtetit të Izraelit me bekimin e Mbretërisë së Bashkuar në Maj 1948 solli një padrejtësi të pa-kapërdishme për popullin palestinez.

Pika e vetme ku mund të tolerojnë palestinezët për ekzistencën e shtetit Izraelit, është ajo e kufijve të tij para pushtimit të West Bank dhe rripit të Gazës në vitin 1967. Ajo ishte një luftë e hapur për zgjerim territori. Synimi ishte që të krijohej një shtet i madh izraelit me kontroll të përhershëm ushtarak, ekonomik dhe politik mbi territoret palestineze. Rezultatet i dimë të gjithë; konflikt pa fund dhe i egër ushtarak për pushtim në kohët moderne.

Profesor Shlaim i quan sulmet “kolonizatore në Gaza si veprime imorale, ilegale dhe shkatërruese të paqes”. Izraeli po ushtron pushtimin me dhunë në një territori ku jetojnë vetëm 8 mijë izraelitë e 1.4 milionë palestinezë të varfër deri në skamje. Megjithatë, hebrenjtë kontrollojnë 40% të territorit dhe mbikëqyrin burimet e ujit e të të gjitha të ardhurave ekonomike, duke e bërë kështu Gazën të varur tërësisht nga Izraeli.

Në gusht 2005 trupat Izraelite u detyruan të tërhiqen në masë nga Gaza. Kryeministri Ariel Sharon e justifikoi atë tërheqje me dëshirën izraelite për paqe në rajon, por vetëm një vit më pas, Izraeli zgjodhi sërish dëshirën për pushtim ndaj asaj për paqe.

Hebrenjtë kontrollojnë gjithçka nga toka, ajri dhe deti, duke e kthyer Gazën në një burg të madh në hapësirë. Mbi këtë “burg” ushtria izraelite bën prova çnjerëzore duke hedhur bomba, lëshuar alarme falso, duke fluturuar ulët, duke vënë alarme e duke shkaktuar panik në popullsinë e pambrojtur të këtij burgu të hapur e fatkeq.

Izraelit i pëlqen ta përcaktojë veten si një ishull demokracie në një det autoritarizmi në rajon. Ama si shtet, Izraeli nuk ka dhënë asnjë provë se po promovon demokracinë në botën arabe.

Në historinë tragjike të Palestinës, viktimat janë shpallur fajtorë për fatin e tyre të keq. Makina propagandistike e Izraelit në mënyrë konstante ka përhapur idenë se palestinezët janë terroristë, se nuk kanë vullnet për bashkëjetesë me një shtet hebre, se nacionalizmi i tyre është pothuajse antisemitizëm, se Hamasi është një degë e terrorizmit  fanatik dhe se Islamizmi i tyre është kërcënimi më i madh për demokracinë.

Por, e vërteta sipas profesor Shlaimonit është se palestinezët janë njerëz normalë, me ambicie normale, as më të mirë e as më të këqij se njerëzit e tjerë. Ajo c’ka kërkojnë palestinezët është një copë tokë që të jetë toka e tyre dhe ku ata të mund të jetojnë në liri dhe me dinjitet.

Por, sulmet e Izraelit në Gaza kanë si qëllim kryesor aneksimin e rripit dhe shfaqjen e popullsisë si një problem humanitar, duke dashur të shmangin vëmendjen botërore nga aspiratat palestineze për një shtet të pavarur.

Në 10 Shkurt janë parashikuar të mbahen zgjedhjet e ardhshme në Palestinë. Popullsia vendase nuk është më e sigurt për Hamasin. Kurse presidenti amerikan i sapo-larguar e akuzoi hapur Hamasin si shkaktar të gjithë sulmeve, duke e dënuar edhe me veton për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për një armëpushim urgjent në Gaza.  Me politikën e tyre të deritanishme, SHBA janë madje të gatshme t’i japin liri veprimi Izraelit për një pushtim tokësor të Gazës.

Në gjithë këtë histori, Izraeli ka luajtur rolin e viktimës nga agresioni palestinez. Por, realisht të gjithë e dimë se kush është viktima e vërtetë. Lufta biblike mes Davidit dhe Goliatit duket sikur tashmë ka ndërruar kahe. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Hamasi është i pafajshëm në gjithë këtë histori. Sulmet e tyre me gurë apo vetëvrasjet kamikaze kanë shkaktuar më pak viktima se sulmet izraelite, por dëmin psikologjik e kanë bërë më të madh. Numrat e viktimave janë një tjetër çështje, që ka të bëjë edhe me zhvillimin ushtarak të të dy vendeve. Të dhënat janë tragjike; Izraeli ka vrarë 10 herë më shumë palestinezë sesa i janë vrarë ushtarë .Më poshtë është një paraqitje grafike e vrasjeve dhe krahasim midis viktimave nga të dy shtetet.

Zëdhënësit e ushtrisë dhe të shtetit palestinez kanë arritur me sukses të shpërndajnë lajmin se sulmet e tyre nuk prekin civilët dhe se e gjitha bëhet për vetëmbrojtje. Por, shifrat flasin vetë. Sulmet e Izraelit synojnë ta kthejnë popullsinë palestineze kundër udhëheqësve që ata vetë kanë zgjedhur, duke I izoluar e mbajtur të ndërvarur edhe me një mur që është një katastrofë humanitare.

Lufta biblike “sy për sy” po kthehet në një tragjedi moderne. Nuk ka asnjë masë krahasuese mes ushtrisë s Izraelit dhe gurëve palestinezë. Lufta e pashpresë palestineze është shembull i gjallë i viktimizimit dhe martirëve. Izraeli ka një problem të madh me përcaktimin e termit “siguri dhe vetëmbrojtje”, sepse mes tij nuk lejon asnjë grimë sigurie për komunitetin fqinj.

Problemet nuk do të zgjidhen me luftë, por me bisedime me Hamasin, që është treguar shpesh i gatshëm për negociata për një shtet me kufijtë e vitit 1967. Në të tilla rrethana, Hamasi do të pranonte edhe një armëpushim 50 vjeçar, por Izraeli refuzon ta njohë Hamasin si palë ligjore në bisedime. Që prej planit të ligës Arabe në 2002-in, Izraeli vazhdon të refuzojë negociatat, sepse ato përfshijnë koncesione dhe kompromise që hebrenjtë nuk janë të gatshëm t’i pranojnë.

A është faji i drejtuesve të të dy vendeve për këtë betejë të pasosur? Apo është Izraeli duke shkelur të drejtat ndërkombëtare? Sipas ligjeve ndërkombëtare, një shtet i shkel ato kur posedon armë të shkatërrimit në masë, kur praktikon terrorizmin, kur përdor dhunë ndaj personave civilë dhe kur përdor sulme për qëllime politike. Izraeli është duke i bërë të gjitha këto veprime. Kjo feste i bën, prandaj duhet ta vërë në kokë. Qëllimi i vërtetë i Izraelit nuk duket të jetë bashkëjetesa paqësore me palestinezët, por dominimi i plotë ushtarak i tyre. Dhe Izraeli nuk po i mbyll plagët dhe gabimet e të shkuarës; përkundrazi, po hap përditë plagë të reja edhe më të thella se më parë. Sigurisht që politikanët, ashtu si kudo tjetër në botë, janë të lirë të përsërisin gënjeshtrat dhe gabimet e së kaluarës.

Por, nuk janë të detyruar ta bëjnë këtë.

 



[1] Ref. edhe website http://www.ifamericansknew.org/chlidren

 

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Bashkitë mashkullore Arsimi në shënjestër

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2009
M T W T F S S
    Feb »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: