Arsimi në shënjestër

26/01/2009 at 12:10 Leave a comment

Nuk është akoma! Por duhet të jetë patjetër. Në shënjestër për ta përkrahur, për t’i dhënë shtysë, për t’i besuar dhe për t’u kujdesur me shumë maturi për të.

 

 

Për momentin,arsimi shihet me shqetësim dhe përkushtim vetëm nga një grusht njerëzish që mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Politikë-bërja në këtë sektor delikat është konfuze, e vonuar, e painformuar dhe e pa shqetësuar aq sa në çdo fushë tjetër. Veçse pasojat e neglizhencës apo sipërfaqësisë arsimore do t’i kenë pasojat më vonë në kohë, më të zgjatura në të dhe më fatale njëkohësisht.

 

Prej vitesh arsimi është në tehun e reformave, por më shumë se kaq, është pre e domosdoshmërisë dhe vonesave të tyre. Me ndryshimet në provimet e maturës shtetërore, me kalimin në sistemin nëntëvjeçar, me rritjen e përpjekjeve për t’i dhënë rëndësi arsimit profesional, me hartimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, me punën kolosale në ndryshimin e një sërë paketash ligjore që kanë të bëjnë me të gjitha hallkat e arsimit, ky sektor duket se është vërtet në një bumerang ndryshimesh.

 

Por, arsimi ka një ngërç të madh që po e gërryen vetë sistemin nga brenda: burimet njerëzore! Në mos shkaku kryesor, stafi arsimor në Shqipëri është padyshim një nga hallkat kyçe në zinxhirin e problemeve në këtë fushë. Përgatitja e stafit dhe investimi i vazhdueshëm në ngritjen e kapaciteteve të tyre shfaqen si dy aspekte kontradiktore në shumicën e rasteve përsa i përket vërtetësisë. Çdo vit e çdo ditë nevojat për të freskuar metodat e mësimdhënies është akute po aq sa nevoja për t’iu përshtatur ritmit të ndryshimeve në arsim në gjithë botën.

 

Iniciativa e viti tw kaluar nga Ministria e Arsimit për ta parë anglishten me prioritet dhe për ta vendosur atë në shkolla duke filluar që nga klasa e tretë është një nismë për t’u përshëndetur, po aq sa është edhe këmbëngulja për konsolidimin e maturës shtetërore apo përmirësimin e arsimit para-universitar, beteja për rektoratet apo ndryshimi i kohëzgjatjes së formimeve akademike.

 

Por thembra e Akilit në arsim ngelen patjetër njerëzit që duhet t’i vënë në jetë të gjitha këto reforma. Duke filluar që nga autorët e teksteve dhe mënyrat se si hartohen, përzgjidhen apo botohen ato. Eksperimentet e pafund me tekstet janë duke krijuar një precedent të pakëndshëm në kontingjentin e nxënësve që dalin të paformuar mirë nga një tekst kaluar në komisione miqësorë apo dhënë në klasë nga mësues të pa familjarizuar e të pa trajnuar përkatësisht.

 

Duke ndjekur me kureshtje disa leksione letërsie në një ekran që në mënyrë sporadike flet për përgatitjen para-universitare, vura re se shpjegimi i një mësueseje mbi të 40-at për një vepër të Shekspirit është i ndryshëm nga ai i një të sapo-diplomuare, dhe akoma më i ndryshëm sesa interpretimi që i bëjnë anglezët vetë shkrimtarit të tyre. Letërsia mund të jetë vërtet subjektive si shembull, por ama problemet më të mëdha në korrigjimin e provimeve të maturës së vitit të kaluar erdhën pikërisht për këtë lëndë. Prej saj u dogjën edhe shumë nxënës që nuk arritën të kapërcejnë vlerësimin subjektiv të këtyre mësueseve që e kanë personale dhe të pa standardizuar metodën e vlerësimit.

 

Më shumë sesa nxënësit, problemin e formimit duken se e mbartin vetë mësuesit.

 

Edhe në rastin e shkencave ekzakte, mësimdhënia është delikate dhe metodika luan një rol parësor. Por, sa është në gjendje Ministria e Arsimit t’i kontrollojë cilësisht të gjitha këto probleme? A i ka ajo burimet e mjaftueshme njerëzore për t’i bërë këto monitorime?

 

Së fundmi sapo është bërë vlerësimi i mësuesve. Sa të besueshme janë përfundimet e tij? Vlerësuesit e mësuesve mund të jenë vetë në nevojë për t’u vlerësuar. Më shumë për metodat dhe standardet e vlerësimit sesa për aftësinë e tyre për ta bërë këtë vlerësim.

 

Flitet shpesh për cilësinë e ulët të mësimdhënies nga persona të pakualifikuar në fushën përkatëse, veçanërisht në shkollat e rretheve apo rrethinave. Problemi i fiktivitetit të notës dhe cilësisë në Universitetet private është gjithashtu një ngërç i madh. Matura shtetërore është një risi që po kapërdihet me shumë vështirësi. Emërimet dhe shkurtimet nëpër shkolla janë po ashtu pika të sulmuara ashpër. Motivimi financiar është i dobët. Mësimdhënia duket të jetë po ashtu. Rrjedhimisht sot dhe nesër shkollat shqiptare nxjerrin kontingjent problematik në formimin akademik.

 

Një tregues i verifikueshëm për këtë është paralelizmi që mund t’i bëhet nevojës për gjuhën angleze dhe nivelit të mjerueshëm të njohjes apo përdorimit të shqipes prej nxënësve te sotëm (apo edhe mësuesve të tyre në shumë raste). Gazetat janë të mbushura plot me artikuj me një shqipe mjerisht të cunguar në gramatikë dhe në fjalor. E njëjta situatë është nëpër librat e botuar pas vitit 1990, ashtu si edhe në gjuhën e folur ekraneve ku që nga politikanët e deri tek eruditët e Universiteteve private, shpalosin me zë të lartë mungesën e rrjedhës logjike të shqipes që duan ta zëvendësojnë me anglisht. Ose, që duan ta mësojnë atë për të shpallur botërisht padituritë e tjera që rrjedhin nga arsimimi i cunguar.

 

Arsimi ka nevojë për reforma, për mbështetje ( edhe për prioritet financiar), por sidomos, ka nevojë për staf të kualifikuar, për standarde e pritshmëri të tjera nga burimet njerëzore që e kanë në dorë fatin e zbatimit të tij.

 

Reformat le të përqendrohen këtu. Në fillim mësuesit, pastaj nxënësit e mirë, rezultatet cilësore apo rritja a përqindjes së popullsisë së mirë-formuar, rrjedhimisht më kompetente dhe dinjitoze në përfaqësimin dhe ushtrimin e vlerave.

 

Investim, përkushtim dhe vëmendje kolosale sot, që të presim cilësi dhe ndryshime në rezultate nesër, kur anglishtes do t’i duhet të kalojë nëpër shqipen që nuk e njohëm dot!

 

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Konflikti i moisive moderne Krom dhe kufoma në Bulqizë*

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2009
M T W T F S S
    Feb »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: