7-9

04/02/2009 at 09:51 Leave a comment

7-9*

 

Terri është mbreti i Tiranës. Që nga Lapraka deri në Sauk, që nga Kombinati deri në Kinostudio. Terr! Njëlloj si mendimi që nuk kalon hiç ndër mendjet e atyre që mbjellin errësirën. Shtatori i uli disi temperaturat, solli edhe shirat e para për të cilat patjetër kryeministria do të marrë meritat e rënies. Solli edhe debatet e para pa dalë fare nga stereotipi “qeni që leh nuk të kafshon”, dhe mediat nxituan të gjitha të nxjerrin në ekran kacafytjet e para plot fryte nga politika: “parlamenti duhet të rifillonte punën në datën 3 apo në 10 shtator?”

 

Debati nxitet nga reporterë që kërkojnë të mbushin minutat e marra përsipër, mbushet me boshësinë e fryrë të politikanëve shqiptarë, përcillet në ekranet e fikur dhe ndiqet gjithë dëshpërim vetëm në orët e vona të natës, kur energjia e kthyer në luks, i çon shqiptarët në parajsë 30 minutëshin e shpresës.

 

Përpos gjithë ditës me diell, të nxirë nga mungesa e energjisë dhe tymi i flakëve që doli mbi Shqipëri, intervali 7 – 9 është fenomeni më i ri që ka lindur në këto vise.

 

Tirana dyndet nga turma njerëzish që dalin si të trembur nga banesat sapo muzgu fillon të bjerë mbi qytetin-smog. Duke kapërcyer togjet e plehrave të bërë nga vetë ata, gropat e ndërtimeve pa fund të hapura nga të zgjedhurit që me duart e tyre i kanë votuar, me sytë drejt qiellit për të parë se mos hëna është më bujare se KESH-i në ndriçim, turmat me shqiptarë të lodhur, të qeshur, me strese, pa mundime, të gjithë të veshur si për festë karnavalesh, drejtohen nëpër baret e pafund të Tiranës.

 

Asnjë karrige bosh në asnjë nga lokalet buzë rruge. Lapraka është po aq e populluar sa Blloku, Blloku është po aq i zi sa Kombinati dhe Kombinati është po aq i zhurmshëm nga gjeneratorët sa edhe rruga “Myslym Shyri”, “Skënderbej” apo “Zhan d’Ark”. Blerësit që kanë paguar 1800 euro/m2 për shtëpinë e tyre “luksoze” pranë Radio-Televizionit janë ulur në të njëjtën tavolinë me ndërtuesit e vilave ilegale në Paskuqan, ku nga zaptimi i “tokës së askujt”, shitja e bën të ardhurin më të pasur se blerësi i larë ose jo. Asnjëra folezë nuk i mban brenda. Armiku i përbashkët “dritë” i ka nxjerrë jashtë mureve të ndërtuara apo të zaptuara.

 

Pas vitesh të tëra ecejake në krenaritë imagjinare, të dy palët ulen aty për të shfryrë për energjinë. Për mungesën totale të saj. Të lodhur! Të ezaururar nga pritja! Por më shumë se kaq, në fytyrat e shqiptarëve të kësaj fillim-vjeshte, shihet trishtimi i mbjellë me kujdes dhe këmbëngulje nga njëri sistem në tjetrin.

 

Diktatori i dikurshëm i vuri vetes synim të ndërtonte “njeriun e ri” në kopenë që vuri nën këmbë. Liderët e tanishëm e kanë para syve njeriun e ri të epokës së tyre, të gdhendur me mjeshtëri, pa bujë, pa aksione me goditje të përqendruar. Njeriu i ri del çdo natë nga shtëpia në orarin e hekurt të KESH-it; 7-9!

 

Të gjithë takojnë veten në çmeritjen e fytyrës së tjetrit dhe nuk e dallojnë atë. Një angleze e çuditur nga ndryshimet që po vërente tek vetja vendos të largohet nga Shqipëria për të kuptuar se ç’ndodhte me psikologjinë e saj në intervalin e mallkuar. “Sapo fiken dritat, një shkëputje ndodh në logjikën time. Duhet ta gjej ç’farë është”- rrëfen plot habi dhe shqetësim për fenomenin që kurrë nuk e ka hasur në vitet e saj. Kurse 800 mijë banorët e Tiranës rrinë aty, të shastisur, në zhurmën shurdhuese të gjeneratorëve të lokaleve ku kthejnë kafen e tyre të detyruar.

 

7 me 9! Jeta drejtohet nga KESH, diktohet nga ai. Oraret e tjera të ndërprerjes variojnë nëpër zona. 10.00-15.00, 13.00 – 18.00, 15.00 – 21.00…kurse zia e mbrëmjes është racion i pandryshueshëm për gjithkënd dhe kudo. Të gjithë e veshim, e jetojmë, e lejojmë të na mbysë në burgun e saj në mënyrë rigoroze. Nga ora 7.00 deri në orën 9.00 të mbrëmjes, Shqipëria jeton një tjetër kohë. Qytetarët e saj pasivë, me nervin e shuar të kërkesës apo përgjegjësisë për të kuptuar se energjia nuk është më luks, pinë kafen e ngushëllimit për të kaluar vdekjen e ndriçimit, që nuk harron të përsëritet çdo natë.

 

Në ringjalljen e tij, ekranet pushtohen nga kokat e stërmëdha politike, rënduar nga shqetësimi i madh për rishkrimin e historisë, riparjen e letërsisë, ribërjen e shkencës dhe rinovimin e mandatit të tyre.

 

Më mirë të ishte mandatë sesa mandat! Mandatë më e madhe se ajo që ka kapluar mendjen e mpirë të shqiptarëve, bashkëjetues me errësirën në moshën e internetit.

7-9. Asnjë studim mbi efektet psikologjike të ndikimit të skllavërisë moderne të mendjes nuk do të kishte rezultate më të sakta sesa eksperimenti që po kryhet këto vite të arta në Shqipëri. Nga ora 7 deri në orën 9, çdo mbrëmje në Shqipëri rishkruhet historia! Errësira mbretëron më bindëse se kurrë!

 

Tirane, Shtator 07

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Informim teatral mbi një TEC 8 Mars i tjetërsuar

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2009
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

%d bloggers like this: