Dritë-hije në çelje

04/02/2009 at 10:38 Leave a comment

Shkeli, vodhi, vrau, theu, plagosi, breshëri, akuzë, krizë, terr, kronikë….të zeza të gjitha.

 

Nuk dihet më nëse media varet nga këto tip lajmesh, apo këto lajme janë i vetmi informacion i gjetshëm për median. Fryma e transmetimit të anës negative të ngjarjeve është bërë pjesë e pandarë, po aq sa është bërë edhe pjesë e bezdisshme e informimit publik. Të gjithë duken të lodhur para ekranit teksa i kushtohen minuta të tëra himni kobeve të ditës, po ashtu siç edhe rrudhin fytyrën kur shfletojnë faqe pas faqeje anën e zezë të së përditshmes shqiptare dokumentuar pa mungesa në mbi 20 të përditshme.

 

Fryma e errët kronikore depërton madje e heshtur dhe injektohet edhe në këndvështrimin që imponon për shkak të përsëritjeve të vazhdueshme dhe shpesh të papërgjegjshme. Lajmet e kronikës asnjëherë nuk publikohen thjesht si ngjarje, por përdoren si karremi kryesor për të peshkuar skupin e krijuar pa asnjë prapamendim për pasojën që mund të sjellë.

 

Vështirë të gjesh informacion të pa-modifikuar qoftë edhe për një aksident me makinë. Edhe nëse nuk përbën lajm, përplasja e dy makinave shitet se s’bën si e tillë, madje me tituj të tillë “bombastike” si “shpejtësia ha të tjera kokë”.

 

Për ç’farë mund të nevojiten metaforat në një raportim si ky? Po sigurisht që kanë për t’u marrë me të tilla xhevahire nxitëse faqet dhe minutat mediatike, sepse analizë ngopjes me lugë të florinjtë nuk i bëhet dot.

 

Shifrat nuk ballafaqohen, ashtu sikundër kalendarët e aktiviteteve nuk ndiqen edhe pasi janë shpërndarë me ceremoni në mbledhje qeverie. Planet paraqiten gjithmonë, kurse raportet për rezultatet e tyre nuk ndjekin dot shembull të njëjtë. Kronika e zezë është tema e vetme e sigurt, sepse ajo është e vdekur. Gjithmonë për rastet e ezauruara. Për procese që janë në zhvillim, as e zeza, as e bardha kronikë nuk kanë ngjyrë për të shkruar.

 

Informimi në Shqipëri është i orientuar nga lajmet e kobshme sepse ato janë më të lehtat për t’u gjetur si lajm, dhe njëkohësisht më të shpejtat për t’u përhapur si një sëmundje e keqe ngjitëse. Lajmi i mirë mezi e gjen rrugën në gjithë këtë mynxyrë kobesh të pasqyruar gjithandej, e edhe kur arrin nëpër redaksia, shpesh as që konsiderohet të jetë lajm.

 

Pse gjithë kjo frymë negative? Shpesh duket kaq spontane sa nuk të lë të mendosh se negativizmi është një strategji e para-menduar nga media. Thjesht është një fast food mediatik që mbush komodshëm hapësirat.

 

Dhe kjo nuk do të ishte shumë problem nëse informacioni do të transmetohej i thatë. Por veshja e tij me lloj – lloj metaforash dhe shitja në kryetituj sikur të ishte kryevepra më e madhe e ditës në vend, i bëjnë ngjarjet edhe më të kobshme seç janë.

 

Një farë periudhe fillim-vitin e kaluar, pikërisht ky lloj transmetimi mediatik sikur nxiste njëri-pas tjetrit mendime dhe veprime tragjike për adoleshentë që kishin prirje për një besim fetar. Po ashtu, togfjalëshi i mallkuar “shtohet dhuna në familje” është ushqyesi më i keq i indinjatës dhe pasojave momentale të saj në familjen e brishtë, të varfër, të paqëndrueshme apo problematike shqiptare.

 

Shumë pak ndodh që fenomenet të trajtohen në vend që të shpallen si skupe. Akoma më pak ka ndodhur që të jetë ftuar në studio një psikolog, këshillues apo sociolog që të trajtojë fenomenet. Këto nuk kanë aspak rëndësi përballë titujve bombastikë dhe shkatërrues të çdo mëngjesi. Kështu nis dita informative në Shqipëri. Mbase edhe për të shmangur pamundësitë e analizave të mirëfillta ekonomike, politike, sociale, arsimore, financiare apo jetike që ka vendi.

 

Të flasësh pa ndërprerje për integrim në BE, në NATO e në strukturat e saj euroatlantike, për arritjet e qeverisë dhe për kronikën e zezë, sigurisht që nuk do të ngelet vend për çuditë e kursit valutor, pensionet e gënjeshtërta, kohën e internetit, lojën e numrave, blerjet e ligjeve, blerjen e heshtjes, monopolizimet bankare, telefonike, energjetike apo çfarëdo tjetër që është më e zezë sesa kronika vetë.

 

Të gjitha shmangen për të mos u marrë drejtpërdrejt me to. Prandaj “shkeli, vodhi, vrau, theu, plagosi, breshëri, akuzë e krizë”janë fjalë të dashura e të ndeshura dendur në media, sepse i përkasin klasës së cilës mund t’i adresohen, në princip dhe në liri. Negativizmi është për ta, iu shpërndahet, del dhe përfundon prej tyre, shtresës që vret e pret (jo dru).

 

Zia epidemike e medias është edhe e imponuar po aq sa është imponuese. Nëse transparenca do të ndriçonte më shumë që nga burimi, do të pasqyrohej patjetër edhe në hapësirat mediatike. E duke qenë se për momentin pozitivizmi nuk është në strategjinë e paqenë kombëtare të komunikimit, negativizmi ngelet mjeti i vetëm për t’iu bërë të ditur të gjallëve se mes tyre vazhdon të ketë reduktim (jo vetëm fizik).

 

Këtë vit, sërish kanë çelur mimozat në Dajt!

Entry filed under: Media. Tags: .

Deklasimi mediatik i arsimit Triumfi virtual i kritikës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2009
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

%d bloggers like this: