Të shoh në sy, Kosovë!*

17/02/2009 at 11:55 4 comments

Drejt, në syrin tënd zhbirues, që s’tutet, as ulet, as dridhet. Në sy të shoh, Kosovë. Në sy!

 

Dhe më ngul drithërimat qartësia e asaj që shoh drejt në sytë e tu. Mëvetësinë, bindjen për ta pasur, këmbënguljen për ta arritur, të drejtën për ta merituar. Dhe më dhembin sytë e mi, Kosovë. Sytë e mi shqiptarë, që nuk e panë kaq drejt vuajtjen tënde; as pastrimin tënd etnik; as rrugën tënde të pashembullt 9-vjeçare për ta arritur standardet që në Tiranë nuk po dinë të arrijnë dot; as këmbënguljen tënde të palëkundur nga asnjë lloj presioni, lëmoshe apo gënjeshtre.

 

Të shoh në sy, Kosovë, dhe më vjen për të qarë. Për të vuajtur më vjen, që ndjenja ime e gëzimi për ty më është mbuluar nga manipulimet prej të cilave nuk kam imunitet. Guximi yt për të marrë atë që meriton më tremb, sepse më pyesin “a din ti, Kosovë, të ndërtosh shtet? A mundesh ti, Kosovë, të kuptosh fjalën “demokraci”? A din ti, Kosovë, të jetosh në komunitet?” …Unë i ul sytë e para, Kosovë. I ul poshtë krejt, se nuk e kam aq të fortë besimin tek origjina ime; as tek të drejtat e mia që përditë m’i tregojnë të ndryshme; as tek kultura ime, që shumë kam lënë të ma përziejnë; as tek idealet e mia, që nuk di nën ç’qiell presin të damkosen a të lulëzojnë.

 

Unë ika nga Shqipëria në ’97-ën, Kosovë. Së bashku me mijëra të tjerë që eksoduan, e me të tjera mijëra që shkuan poshtë dheut për të mos parë çmenduritë sipër tij. Kurse ti i mblodhe të gjithë shqiptarët e tu një vit më vonë, me anije, aviona e mushka, me armë në krah e pa kompromis në kokë. T’i pritëm të dëbuarit e tu, Kosovë, por nuk iu bashkë-ngjitëm Bacës, as Ramushit, as Hashimit, as Vetonit, as Imbrahimit. As në Recak, as në Rambuje, as në Prishtinë! E pamë të vërtetën tënde me sytë e botës, Kosovë; edhe pse me gjysma fjalësh përkthenim vetë për ty në Morinë.

 

Por s’ta kaluam cakun, Kosovë. Prandaj i ul sot sytë e mi.

 

“Mëvetësinë ta njoh me kushte”-të thashë. Po ti e kurseje zërin për atje ku do të dëgjohej. Kushtësitë e mia ishin sy-poshtë.

 

Por në 17 Shkurt ma shkule nga kraharori ndjenjën që meskiniteti dhe sytë e tretë më bënin të shihja për ty. Festova në Vlorën e Ismailit dhe qava bashkë me Isë Boletinin. Ia mora këngës labe për ty; dhe nuk doja fare të frenohesha e kërkoja llogari për ndjesitë e mia të vrullshme kuqezi. Ngrita dolli për pavarësinë tënde në Tiranë, e ri-gjetura Kosovë. Dhe përjetova njëlloj si në Fier, në Lushnjë, në Durrës, në Shkodër, në Gostivar, në Shkup, në Tetovë, Romë, Londër, Boston, New York, Gjenevë….kudo ku kishte një shqiptar.

 

Gëzova; dhe ngrita kokën të të shoh drejt në sy!

 

Mezi i shihja sytë e tu, me kokën lart dhe vështrimin drejt, ashtu siç e mbaje edhe në Recak, edhe në Rambuje, edhe në Hagë. Nuk e kapja dot vështrimin tënd që sheh vetëm drejt. Vështrim gjigant, mbartur në pa-përulësinë e ish-komandantit që para se të mësonte të “negocionte” për termat, i mësoi terma-nxjerrësit se ç’do të thotë “të mos heqësh dorë nga ideali”.

 

Kam frikë nga vështrimi yt, Kosovë. Është i gjallë, i qartë, i largët, i drejtë, dhe është disa kokë sipër meje. Ty s’t’u drodh qerpiku. As me shprehjet e ngrira në kokat e prera në 99-ën, as në politikën e zvarritjes vrasëse deri në 2008-ën. Ti pe drejt! Shumë drejt, Kosovë! Prandaj më tremb, më tkurr, më shpërfill vështrimi yt. Por unë vazhdoj, vazhdoj të të shoh në sy, sepse dua të di deri ku shkon ai vështrimi yt; se këtu poshtë, nga Shqipëria ime, ende nuk duket dot gjë.

 

Asgjë nuk shoh. Shtati, përshtatja, asimilimi, përulja, hapja rrugë, bindja pa fjalë, kompromisi pa skrupull, etja për pak më shumë gjatësi, m’i kanë shkulur fare ato  rrënjët që ushqejnë virtytet që mban ende gjallë ti, Kosovë. Ato virtyte që guxoj të t’i quaj edhe tribale, se kështu më kanë mësuar të parët dhe  ndërkombëtarët. Të njëjtët të cilëve ti u mësove se mëvetësia ka lindur para diplomacisë. Po, po. Të njëjtët që më kërkojnë Himarën e më mohojnë Çamërinë. Të njëjtët që më thonë “orientale”, e që rrugën për tek gjuha ime fare nuk e dinë. Të njëjtët që më përbuzin e më duan, se pa përbuzjen ndaj meje, nesër më nuk gdhijnë!

 

Ti i sfidove, Kosovë. Ata, bashkë më mua, perëndimoren pa tribu. Qytetaren e salloneve të mëdha me gota gjaku pa shije. Zbërthyesen e demokracisë, tamam këtu ku ka 18 vjet që meritokracia është ulur këmbëkryq në orgjitë me kalbëzimet perëndimore.

 

Të shoh në sy, Kosovë. Dhe ti bën bash mirë që ma shpërfill vështrimin. Më në fund, e meritoj.

*Shkruar me 17 Shkurt 2008.

Entry filed under: Shqiptarizëm. Tags: .

Në emër të mëvetësisë Shqipëria, nga NATO drejt BE-së

4 Comments Add your own

  • 1. J.  |  18/02/2009 at 16:09

    Shkrim i bukur. Po për më shumë një shuplakë për disa analistë që gjetën pikërisht 17 Shkurtin e vjetshëm për të analizuar tribalizmin kosovar.

  • 2. errorful  |  19/02/2009 at 12:41

    Pergezime si fillim🙂
    Shkruar me zemer dhe reflekton nje pasterti feminore neper rreshta.
    Stay that way, sepse kjo ben differencen nga te tjeret qe shkruajne lart e poshte dhe qe jane bere really boring.

    Por nqs me lejon, mua mi vret pak syte veta e dyte ne te cilen i je drejtuar kosoves, dhe shpeshtesia e perdorur.Ka me shume theks emocional sesa duhet, dhe kjo mund ta beje lexuesin ti largohet thelbit dhe ta zhysi ne emocion, ose ta largoje fare nga shkrimi, sepse lexuesi shqiptar eshte pak i lodhur nga format thirrore 🙂 🙂

    Nejse, ishte thjesht nje veretje e vogel per te prishur syrin e keq🙂

    Looking forward to your next piece🙂

  • 3. edliragjoni  |  19/02/2009 at 17:23

    Faleminderit te dyve.
    Jam e sigurte se do te te dukej ndryshe po te ta lexonte me ze te larte ndonje ekspert i fjales se folur.

    Me vjen mire qe e shkel padurimin tend per te lexuar pjese te gjata. Ketu une do vazhdoj te jem e njejte edhe per ca kohe. Prandaj edhe u mundova me kete blog; te them gjate ato qe s’i shpreh dot shkurt. : )

  • 4. Man Poga  |  01/03/2009 at 20:48

    Shume e ndjerë, e zjarrte, e vertetë. Ah sikur ta kisha me vete me 17 Shkurt 2008, ne Prishtinë. Të ngrihesha ne nje foltore e të lexoja me të madhe..Të shoh në sy, Kosovë..drejt, në syrin tënd zhbirues, që s’tutet, as ulet, as dridhet.

    Edlira!

    Ky shkrim eshte me shume se shkrim gazetaresk, është: vetëthirrja për te parë në sy (të gjithe shqiptarët) të vertetën..atë të vertet që të gjithë iu tuten..

    Nderime.

    M. POGA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2009
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

%d bloggers like this: