Shqipëria, nga NATO drejt BE-së

19/02/2009 at 17:19 5 comments

Të gjitha vendet anëtarë të NATO-s janë dakord që Shqipëria të bëhet pjesë e Traktatit për Atlantikun e Veriut. Kjo u vërtetua nga ratifikimi i ftesës zyrtare për anëtarësimin e Shqipërisë prej secilit prej vendeve që janë aktualisht në këtë organizatë. E përpara se të kujtohemi që ka ngelur akoma pa dorëzuar raporti i Tiranës zyrtare në Uashington para se Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota, është koha e duhur që të shfaqet pak pozitivizëm.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE është pika më fortë e bashkimit të interesave të kaheve të ndryshme politike në Shqipëri. Gjithashtu, një përqindje shumë e lartë e popullsisë, rreth 95 %, janë pro integrimit të Shqipërisë në kato dy struktura. A do të thotë kjo së shqiptarët janë mendje-hapur, apo thjesht nuk janë të mirë-informuar? Në kontekstin e frymës pozitive, mundësia e parë duket ajo e duhura për t’u pranuar.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në të vërtetë të mirën më të madhe e sjell më pas. Nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera para nesh (Bullgaria dhe Rumania), anëtarësimi në NATO është sinjali më i fortë që tregon derën e hapur të BE-së. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, teksa edhe marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE-në do t’i referohet patjetër ndryshimeve dhe arsyeve që e çuan NATO-n në pranimin e Shqipërisë brenda organizmit të vet.

Dëshira shqiptare për të qenë pjesë e organizatës ushtarake të Atlantikut të Veriut daton që në 1992-in, kur Shqipëria ishte i pari vend post-komunist që shprehu publikisht synimin e saj të anëtarësimit dhe tendencën e fortë pro-perëndimore. Anëtarësimi në NATO gjithmonë është konsideruar si një garanci për një demokraci të stabilizuar, rritje ekonomike dhe investime të huaja. Por mbi të gjitha, anëtarësimi në NATO është patjetër rruga e sigurt që të çon në BE.

Shqipëria ka sot më shumë arsye të besojë në meritën e saj për të qenë pjesë e traktatit të Atlantikut të Veriut. Edhe pse me një ekonomi dhe ushtri modeste, vendi ka luajtur një rol kyç stabilizimi për rajonin, me prova konkrete dhënë gjatë luftës në Kosovë dhe trazirave në Maqedoni. Vërtet ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve, ama pa ndikimin pozitiv të Shqipërisë, rajoni nuk do të ishte aq i qetë dhe i stabilizuar sa është tani. Po sikur Shqipëria të luante kokëfortë e pa arsye me kartat e destabilitetit, sa i paqtë do të ishte Ballkani? Roli stabilizues në rajon, për hir të së vërtetës, nuk duhet nënvleftësuar.

Shqipëria gëzon me të drejtë mbështetjen e hapur të SHBA-së për në NATO, sepse i është përgjigjur pozitivisht ftesës për bashkëpunim në operacionet ushtarake në Kosovë, Irak, Bosnjë apo Afganistan. Nga ana tjetër, SHBA mund të shohë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO një rrezik më pak në Ballkanin e synuar për influencë ruse, kurse Bashkimi Evropian nuk do të kishte asnjë interes ta linte të trazuar gadishullin që duket sikur nuk i përket me trazirat e përhershme të tij.

Sa për mbushjen ose jo të reformave, do të ishte e tepërt të pretendohej se janë vërtet ato që e bënë të mundur ratifikimin dhe anëtarësimin e afërt. Me gjithë problemet institucionale dhe ligjore, ushtria shqiptare vërtet ka bërë disa hapa përpara drejt modernizimit të saj; buxheti për ushtrinë po ashtu është rritur në 2% sipas standardeve të kërkuara nga Traktati, ama karta e vërtetë që siguron anëtarësimin është ajo gjeopolitike.

Nato nuk është vetëm një organizatë ushtarake. Ajo është edhe një organizëm politike që do ta përmirësojë ndjeshëm imazhin e Shqipërisë, sigurinë brenda saj dhe natyrshmërinë për të ecur drejt bashkimit me vendet e Perëndimit. Sot Shqipëria nuk konsumon me siguri, por është kthyer në një gjeneruese të vërtetë për të. Prandaj ratifikimi dhe anëtarësimi i afërt ndodh sot, dhe jo disa vite më parë, kur krismat lëviznin lirisht nëpër vend. Anëtarësimi në NATO do t’i japë mundësinë Shqipërisë të shfaqë një fytyrë tjetër të saj, një siguri më shumë, e një frikë më pak për euro-skeptikët që kanë frikë nga futja e Shqipërisë në BE.

Vërtet kemi akoma shumë për të bërë në problemet me minoritetet, me korrupsionin, luftën e brendshme politike, sistemin e shkretë gjyqësor, sistemin elektoral dhe ekonominë problematike, ama përpjekjet, e mbi të gjitha, vullneti politik asnjëherë nuk ka munguar që të gjitha këto të kapërcehen në të mirë të vendit. Me gjithë problemet e funksionimit të saj, Shqipërisë asnjëherë nuk i është vënë në dyshim demokracia.

Standardet janë akoma larg atyre që kërkon BE, por me anëtarësimin në NATO lupa ndaj

problemeve tona do të hiqet. Do të ngelet akoma shqetësimi i madh evropian për nivelin tonë të varfërisë ekonomike, por për BE-në ajo vjen e fundit në radhë, krahasuar me korrupsionin famëkeq, funksionimin e dobët të shtetit ligjor dhe mungesën e pavarësisë së sistemit gjyqësor, për të cilin u bënë copa duke na kritikuar në çdo raport.

Përveç lojës së shifrave në rritjen ekonomike, Shqipëria vazhdon të vuajë problemin e papunësisë (vend që nuk prodhon pothuajse asgjë), Brukseli ka pranuar progres në luftën kundër krimit të organizuar, ka marrë parasysh me dyshim përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit, fuqizimin e administratës publike, po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet që kanë të bëjnë me gjyqësorin, ka ndikuar në perceptimin pozitiv të publikut ndaj reformave të qeverisë, ka njohur përmirësimin e klimës së biznesit dhe ka parë me pozitivitet planet ambicioze shqiptare për rritjen e investimeve të huaja në vend.

Shqipëria shihet po ashtu si një vend me situatë makroekonomike të stabilizuar, me një rritje ekonomike të qëndrueshme (për t’u parë pas krizës globale), dhe me potenciale të mëdha investimesh të huaja në energji, infrastrukturë dhe në turizëm. Të gjithë këta janë tregues pozitivë për gjendjen aktuale të Shqipërisë dhe legjitimojnë ambicien e saj për lehtësira të përshpejtuara dhe anëtarësim jo fort të largët në BE.

Megjithatë, Bashkimi Europian për momentin ka problemet e veta funksionale, që nuk e lejojnë të fokusohet tek politika e zgjerimit në vitet e ardhshme. Pa u ratifikuar traktati i Lisbonës dhe pa marrë një profil më të qartë e më efektiv të institucioneve të saj, BE nuk mund të tregohet krejt papritur krahëhapur ndaj Shqipërisë. Ama anëtarësimi i saj në NATO është treguesi më i fortë se rruga për në BE është tashmë shumë më e avancuar.

Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO bëhet sigurisht nën qëllimin për të zgjeruar stabilitetin në një zonë me potenciale të përhershme konfliktesh. Por, futja e vendeve të rajonit në NATO jo vetëm gjeneron siguri, por bëhet edhe strehë e reformave të thella demokratike e ekonomie të lirë.

Që nga krijimi i saj në 1949, NATO është zgjeruar nga 12 anëtarë themelues në 26 vende anëtare sot. Zgjerimi saj vazhdon të bëhet në bazë të nenit 10 të Traktatit të Uashingtonit, që thekson se anëtarësimi i ofrohet çdo shteti evropian që është në gjendje të respektojë principet e Traktatit dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut Verior. Kushtet kryesore kërkojnë që vendet aspiruese të kenë integritet ushtarak, ekonomik, politik dhe demokratik që çojnë në siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm jo vetëm në Evropë.

Po cilat kanë qenë hapat e suksesshëm që çuan në këtë afrim pozitiv?

Marrëdhëniet e deritanishme të Shqipërisë me NATO-n kanë qenë të përqendruara kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe reformat për sigurinë. Bashkëpunime ka pasur po ashtu në reformat institucionale dhe demokratizimin e sferave ku përqendrohet Traktati i Atlantikut Verior. Shqipëria u bë pjesë e Partneritetit për Paqen në vitin 1994; pjesë e Planit të Anëtarësimit në vitin 1999; mori ftesën zyrtare në samitin e Bukureshtit në Prill 2008; mori pëlqimin e anëtarëve me nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit në 9 Korrik 2008 dhe përfundoi procesi i ratifikimit nga parlamentet e të gjitha vendeve në datën 18 Shkurt 2009.

Sipas deklaratave të ardhura nga zyrtarët e NATOs dhe nga Ministria jonë e brendshme, gjatë kësaj periudhe një vjeçare para-anëtarësimi, Shqipëria është përfshirë maksimalisht në një sërë aktivitetesh të Organizatës, që ka vazhduar po ashtu t’i japë mbështetje dhe ndihmë shumë-anëshe edhe nëpërmjet Planit të Anëtarësimit. Përveç reformave në ushtri dhe në mbrojtje, bashkëpunimi ka vazhduar me të njëjtin intensitet edhe në operacionet e udhëhequra nga NATO, në të cilat Shqipëria ka filluar të kontribuojë që në vitin 2003, me dërgimin e trupave shqiptare në Afganistan, apo edhe më herët, në 1996-ën në Bosnjë-Hercegovinë.

Në kuadër të Planit të Anëtarësimit, Shqipëria ka hartuar edhe planin reformues dhe afate kohore për t’i bërë ato në çështje kyçe si politika, ushtria, mbrojtja apo siguria. Prioritetet sigurisht që edhe pas anëtarësimit do të vazhdojnë të jenë arritja e standardeve, mbështetja për të luftuar të përhershmin problem të korrupsionit dhe atë në reduktim të krimit të organizuar, reformat në drejtësi, përmirësimi i mëtejshëm i administratës publike dhe promovimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. NATO vazhdon të jetë e pranishme në hartimin reformave, njëjtësisht sa edhe në ndjekjen e zbatimit të tyre.

E me një mbikëqyrje dhe ecuri të tillë, rruga e Shqipërisë nën ombrellën e NATO-s bëhet më e afërt dhe më e sigurt për në Bashkimin Evropian. Gjenerimi i sigurisë do të çojë patjetër më shpejt nga c’mendojnë skeptikët në një strehëz të gatshme për t’iu bashkuar edhe politikisht e për t’u inkurajuar ekonomikisht nga organizmat drejt të cilave Shqipëria aspiron në unanimitet të plotë.

Entry filed under: Analize, BE. Tags: .

Të shoh në sy, Kosovë!* ”Çështja shqiptare” e parë nga lart *

5 Comments Add your own

  • 1. errorful  |  20/02/2009 at 14:50

    Shkrim i lemuar🙂 ku nuk pengohesh e rrezohesh askund. Vetem se eshte shume i gjate. Prandaj, nuk e lexova rresht per rresht, por skishte nevoje, se ishte shume i qarte. Gjuha shume e thjeshte dhe e pangatrrueshme. Thank you.
    Pa shume furca, me pelqen normaliteti tek pena jote dhe tek menyra e te menduarit. Eshte ajo qe me mungon me teper nder shkruesit dhe llapaqenet qe na vrasin syte dhe na hane veshet.
    Ska asgje “jashte te zakonshmes” ne ato qe ti shkruan (apo flet😛😛 ) por pikerisht kjo eshte pika e forte.
    You know how to be normal in a very decent way !!!!
    We need good examples of normal people, and especially normal female people🙂

  • 2. edliragjoni  |  21/02/2009 at 13:19

    Duhet ta dish se e vleresoj shume durimin tend per te me lexuar, se e di sa te veshtire e ke te merresh me rreshta te gjate : )

  • 3. Une ai  |  21/02/2009 at 20:59

    Në kuadër të Planit të Anëtarësimit, Shqipëria ka hartuar edhe planin reformues dhe afate kohore për t’i bërë ato në çështje kyçe si politika, ushtria, mbrojtja apo siguria. Prioritetet sigurisht që edhe pas anëtarësimit do të vazhdojnë të jenë arritja e standardeve, mbështetja për të luftuar të përhershmin problem të korrupsionit dhe atë në reduktim të krimit të organizuar, reformat në drejtësi, përmirësimi i mëtejshëm i administratës publike dhe promovimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. NATO vazhdon të jetë e pranishme në hartimin reformave, njëjtësisht sa edhe në ndjekjen e zbatimit të tyre.
    ——–
    Thua ti, por une pyes po niveli i demokracise dhe vota ku jane ?

  • 4. edliragjoni  |  23/02/2009 at 11:59

    Niveli i demokracise (respektimi i saj, shteti ligjor dhe te drejtat e njeriut) si edhe votimi sipas standardeve te percaktuara, jane baze ne kriteret e Kopenhagenit, kushte te pakundershtueshme per t’u anetaresuar ne BE.
    Shqiperia jep llogari nje me nje per to ne raportet e saj te MSA-se. Aty edhe riformaton prioritetet ne baze te atyre kritereve.

    NATO ka te tjera historira. Per me teper, NATO eshte pikesepari organizme politike DHE ushtarake. Ekonomia vjen ca me poshte per te e ato kriteret qe ka ne thelb BE-ja, vijne edhe ndonje vije tjeter me pas. Turqia ka probleme madhore per shembull me respektimin e te drejtave te njeriut, ama NATO e anashkalon kete pike, sepse interesi i saj ne Turqi eshte i ndryshem nga ai i rregullatorit te demokracise sipas standarteve votuese apo respektuese.

    Kjo nuk do te thote ASPAK qe NATO nuk kerkon repsketimin e demokracise apo votes….thjesht ne kriteret e saj renditja eshte ca me ndryshe nga ajo e BE-se, ku keto dy kritere jane gur themeli.

    P.s. domain shume interesant :/

  • 5. Vjollca  |  24/02/2009 at 16:30

    Edlira tani sa lexova kete artikull tendin>Bravo te lumte dora dhe mendja ,jam e sigurte se se shpejti do ti nxjerresh ne pension politikanet tane te medhenj.
    Suksese..
    Vjollca

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2009
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

%d bloggers like this: