”Çështja shqiptare” e parë nga lart *

23/02/2009 at 12:19 Leave a comment

Përqendrimi i pasurisë dhe pushtetit tek një rreth tmerrësisht i ngushtë njerëzish, nuk ka gjasa të prodhojë stabilitet afatgjatë në Shqipëri”. Ky përfundim shkruhet pas 18 kapitujsh të detajuar mbi çështjen shqiptare nga publicistët britanikë James Pettifer dhe Miranda Vickers në botimin e tyre të fortë “The Albanian Question” (Çështja Shqiptare).

Përveç thirrjes akute për të hequr dorë nga centralizimi dhe për të shtuar përpjekjet për uljen e varfërisë e ngushtimin e mundësive, ky libër i botuar vetëm pak javë në New York dhe Londër sjell një fytyrë të re të Shqipërisë, çështjes, njerëzve dhe të ardhmes së saj. Me një shtjellim shumë të hollë të ndodhive shqiptare që nga 1997 deri më sot, autorët që kanë raportuar vetë nga terreni si në Shqipërinë e kallashnikovëve, ashtu edhe në luftën e Kosovës, shfaqin përgjatë gjithë librit një mbështetje të ekzistencës shqiptare me shumë sesa shqiptarët vetë. Në një skeleton të menduar thellë dhe të kopsitur me shumë kujdes për gjashtë vite me radhe, Pettifer dhe Vickers (që janë njohës shumë të mirë të çështjes shqiptare dhe autorë edhe të librave të tjerë në lidhje me të), sjellin fakte tronditëse dhe të vërteta që të detyrojnë të lexosh fjali dhe paragrafe të tëra më shumë se dy herë. Parë nga këndvështrimi i stërholluar, skeptik, i përmbysur, i arrirë, i kuptuar dhe më në fund edhe i rafinuar i këtyre dy autorëve, është tronditëse të lexosh e zeza mbi të bardhën se në vitin 1999, në Budapest qenka ngritur një grup amerikano-anglez për të formuluar të ardhmen e Serbisë së re, brenda së cilës Kosova do të jetë e detyruar të bëjë pjesë. E gjitha kjo u bëka në emër të “luftës kundër Islamizmit në Ballkan” dhe është përgatitur që të bëhet realitet nëpërmjet një “strategjie komplekse dhe të sofistikuar për ta mbajtur me çdo kusht Kosovën pjesë të Serbisë”.

Sipas autorëve, zemra ku gatuhen konspiracitë kundër Kosovës është Londra me orbitën e saj serbofile brenda qeverisë dhe me dështimin britanik dhe amerikan për të kuptuar qartë natyrën komplekse, fleksibël dhe policentrike të nacionalizmit modern shqiptar. Politika shqiptare sipas Vickers dhe Pettifer është manipuluar rëndë nga shtetet e huaja, dhe vendi ka bërë regres në mënyrë konstante si pasojë e paqartësive të politikave dhe njerëzve që i binden ose jo asaj në Shqipëri.

Akoma më befasuese është të lexosh të publikuar hapur se vendimet e qeverisë serbe (të re apo të vjetër), janë vetëm bartëse të politikave të kontrolluara dhe të orientuara nga francezët dhe britanikët, kurse në Tiranë merren gjithmonë e më pak vendime që prej janarit të vitit 1997, që cilësohet si “viti i fundit i funksionimit të regjimit të Berishës”. A është fjala për të njëjtin Berishë që kërkon rikthimin e “tendencave të tij autoritare” duke kërkuar me çdo kush fitoren në secilën prej komunave e bashkive të Shqipërisë? Kjo nuk do të ishte e vërtetë vetëm nëse ka dy njerëz politikë në Shqipëri që e kanë emrin Sali Berisha.

Nëse frika ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës sipas Pettifer dhe Vickers qëndron tek fobia për avancim të myslimanizmit në Ballkan, tek ideja e gabuar se është Serbia ajo që përbën kyçin e progresit ekonomik në rajon dhe se ambiciet serbe për hegjemoni janë më legjitime sesa ato shqiptare, frika dhe skepticizmi shqiptar ndaj planit të Athisarit do të jenë një bumerang fatkeq për Kosovën. Zgjidhja e statusit përfundimtar të saj do të jetë me sa duket një vendim modern ambasadorësh që nuk jetojnë më në 1913-ën, por në vitin 2007. Kështu quhet në libër edhe konferenca e Rambujesë që përkthyer trashë nga diplomacia dredharake e fuqive të mëdha, emërtohet nga Vickers dhe Pettifer si “kërkesë për të ç’armatosur kosovarët jo vetëm nga armët, por edhe nga ëndrra e tyre për pavarësi”.

Në libër, çështja e Kosovës cilësohet si dhembra e Akilit në luftën e pashprehur për të lejuar hegjemoninë serbe (dhe influencën ruse), apo Kosovën e pavarur dhe serinë e pafund të problemeve që ajo mund të gjenerojë më pas me Çamërinë, shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe idenë e pambështetur për një Shqipëri të madhe(me lëkundje të madhe mbështetje amerikane, kundërshti franceze dhe apati greke apo italiane). Edhe pse këto politika nuk janë mbështetur asnjëherë nga asnjë qeveri shqiptare, skeptizimi perëndimor duket se po mban peng për një kohë të patolerueshme të ardhmen e një kombi të tërë, për interesa që janë ndarë që në vitin e largët 1913.

Në kornizën e bindjes së plotë ndaj kësaj teorie, dy autorët e shtjellimit të çështjes moderne shqiptare, Vickers dhe Pettifer sjellin edhe perceptime të reja për dy figurat kryesore që kanë mbajtur peng apo i kanë hapur rrugë zgjidhjes së kësaj çështjeje: Fatos Nano dhe Sali Berisha. Sipas autorëve britanikë, ndikimi dhe presioni i huaj mbi këta politikanë në periudhat e tyre respektive të ushtrimit të pushtetit, sjellin herë imazhin e hershëm të politikës pro-sllave të Sali Berishës si kryeministër, e herë si mbrojtës të flaktë të çështjes kosovare dhe beniamin të tyre vite më pas, kur ai ishte në opozitë. Nga ana tjetër, qëndrimi dënues ndaj takimit të Nanos me Millosheviçin në Kretë dhe politika e hapur pro-greke e kryeministrit të atëhershëm, kritikohet po me aq zjarr sa mbrohet zgjuarsia e tij për të marrë vendime të mençura politike për të mos e lënë vendin të rrëshqiste sërish në kaos në disa raste që rreziku u paraqit.

Autorët përshkruajnë me një admirim të shprehur dendur nëpër libër maturinë dhe rolin kyç të ish-presidentit Mejdani. Ndërkohë ata ofrojnë një përshkrim pa nota të figurës shumëngjyrëshe të zotit Berisha duke përmendur edhe dhuratat e tij për ish-kryeministrin britanik John Major që Vickers dhe Pettifer pretendojnë se janë vjedhur në Muzeun Historik Kombëtar. Vëmendje të menjëhershme tërheq analiza e bërë për fakset dhe deklaratat çuditërisht të detajuara, të sakta dhe me anglishte të shkëlqyer që janë dërguar nga zyrat e PD-së vetëm 20 minuta pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Po kaq të fuqishme janë përfundimet e nxjerra për influencën e madhe dhe të pakontrolluar greke sa herë që në pushtet është Fatos Nano, apo edhe përcaktimet e referuara ndaj tij si “drug and drinking addicted”, emërtime që i kanë vënë në gojën e Sali Berishës, por i kanë përforcuar edhe në faqe të mëvonshme si referime të bëra ndaj Nanos nga politikanë të tjerë jo-shqiptarë.

Duke i quajtur zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri si zhvillime të bazuara në iluzione, dy autorët e librit “The Albanian Question”, vënë një pikëpyetje të madhe mbi rëndësinë e politikës shqiptare, mbi vërtetësinë e bërësve të saj, dhe mbi ironinë që shpërndahet në prag të zgjedhjeve lokale, që duken si pikë në oqean për ekzistencën dhe vazhdimësinë e kuptueshme të çështjes shqiptare.

Entry filed under: Arkivë, Shqiptarizëm. Tags: .

Shqipëria, nga NATO drejt BE-së Përmbysja e vlerave femërore

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2009
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

%d bloggers like this: