Pas politikës, nuk besojmë më as tek shoqëria civile

26/02/2009 at 15:35 2 comments

Shqiptarët nuk kanë besim as tek partitë politike, as tek shoqëria civile, as tek media e as tek qeveria. Ama ata kanë besim të plotë tek NATO, në BE dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ky ishte thelbi i sondazhit që u prezantua këtë javë në Tiranë nga “Ballkan Monitor”, bërë në Shqipëri nga organizata e ritakuar “Gallup”.

 

Sondazhet kanë tashmë një ngërç të vetin besimi dhe janë në mes të kritikave për makiavelizëm e shpërdorim të besimit të opinionit publik, por raporti i 2008-ës i sjellë për të gjithë Ballkanin kishte brenda elemente besueshmërie edhe jashtë shkallës së tij të gabueshmërisë (si gjithmonë e llogaritur në +/-3%.

 

Përpos skepticizmit ballkanas për rolin stabilizues të Kosovës apo “Jo”-në e fortë serbe për njohjen e pavarësisë së saj, sondazhi vërtitej konstant në të gjitha pyetjet për kënaqësitë për nivelin e jetesës, zhvillimin e vendit, migracionin apo lëvizshmërinë e lirë. Tek korrupsioni Shqipëria akoma ishte e veçantë, me kurbën më të lartë të pakënaqësisë së luftës ndaj tij, po aq sa me pranimin se gjatë vitit të kaluar, plot 32% të qytetarëve shqiptarë iu është kërkuar (ose pritur prej tyre), që të paguajnë ryshfet për shërbime nga zyrtarë, nëpunës civilë, apo mbi të gjitha, nga mjekë ose infermierë.

 

Përfundimet mbi këtë pikë, po as sa edhe mungesa e besueshmërisë se korrupsioni vërtet mund të luftohet, i kanë çuar përpunuesit e të dhënave të sondazhit në përfundimin se “ky fenomen është rrënjosur aq thellë, saqë tashmë rrezikon të shihet si një mënyrë jetese”.

Pesimizmi në çrrënjosjen e disa fenomeneve që po bëhen pjesë e përditshmërisë shihej qartë edhe në përqindjen e lartë të njerëzve që kanë deklaruar se jo vetëm që nuk janë të kënaqur nga jeta dhe zhvillimi në vend, (gati 40%), por janë shprehur të pashpresë edhe për rrugën që po merr Shqipëria për më tutje. 73% e shqiptarëve mendojnë se në tërësi puna e qeverisë varion nga mjaftueshëm në dobët, kurse 75% e tyre nuk kanë besim as tek kjo qeveri, as tek ajo që mund ta zëvendësojë atë nga krahu i majtë.

 

Besimi tek partitë politike është ai që ndodhet më në krizë, me gati 95% të të intervistuarve që luhaten midis pak dhe aspak besimi në to.

 

Këto janë dëgjuar e perceptuar edhe më parë, por lajmi i keq i këtij sondazhi ishte besueshmëria e publikut tek Organizata Jo Fitim-prerëse dhe shoqëria civile në Shqipëri. Teksa në të gjithë rajonin shoqëria civile shihej me besim të madh po aq sa kisha, ushtria apo institucionet ndërkombëtare, në Shqipëri besimi tek shoqëria civile ekziston vetëm tek  8% e njerëzve.

 

Kjo është një shuplakë e fortë për aktivistët që e shohin tani veten të renditur në vend të parafundit të besueshmërisë publike sipas këtij sondazhi, vetëm një vend sipër partive politikë që nuk gëzojnë as 4% të besimit publik.

 

Shqiptarët kanë renditur si më të besueshme NATO-n, Institucionet e BE-së, OKB-në, Kishën dhe organizatat fetare, ama janë treguar skeptikë të shprehin besimin e tyre ndaj medias, ushtrisë, policisë, gjykatave, e nuk janë treguar aspak besues ndaj qeverisë, shoqërisë civile dhe partive politike.

 

Mesazhi është i qartë. Miksimi që kanë bërë njerëzit e shoqërisë civile me politikën dhe anasjelltas, përzierja e njerëzve të politikës në disa nisma të shoqërisë civile, e ka çorientuar besimin e mezi-krijueshëm tek publiku shqiptar.

 

Nga ana tjetër, besimi dhe shpresat e mëdha në NATO dhe në BE janë më tepër reflektim i mbi-ngopjes nga politikat e ditës dhe mungesa e qartësisë për këto organizma, më tepër sesa reagim pozitiv ndaj performancës së tyre të panjohur.

 

Me BE-në shqiptarët nënkuptojnë vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve. Dhe ka gjasa që me heqjen e sistemit të vizave, askush të mos kërkojë më të flitet apo të futet në BE-në e taksave dhe sanksioneve pa fund, në BE-në e rendit ligjor dhe konkurrencës që zhduk monopolet, në BE-në e tregut të lirë dhe të rregullave të forta. Por, mjafton termi BE, së bashku me llokumin NATO, (aq mirë të shitur nga qeveria e aq pak të zbërthyer nga media), që publiku shqiptar të shndërrohet në adhurues të institucioneve të tilla.

 

Realisht ato mund të përkthehen shumë mirë edhe “pritshmëritë e vërteta të shqiptarëve”, që as shoqëria e këtushme civile, as media, as qeveria e as partitë politike, nuk janë në gjendje që t’i garantojnë dot.

 

E në mungesë të  kësaj garancie, ndër të gjithë ballkanasit, shqiptarët kanë qenë ata që kanë përmendur më shpesh fjalën “lëvizje e lirë” dhe kanë thënë se alternativën më të mirë akoma e shohin jashtë vendit të tyre.

 

Optimizmi për ecurinë ekonomikë të vendit nuk është i njëjtë me atë që shfaq qeveria, ama as dëshira për të lënë përgjithmonë Shqipërinë nuk është i përgjigjet frikës që shfaqin euroskeptikët për liberalizmin e plotë të vizave. Më shumë se 70% e shqiptarëve të intervistuar janë shprehur se nuk do të kishin interes të largoheshin nga Shqipëria, kurse pjesa e mbetur kryesisht donte të lëvizte për studime apo për vizita të shkurtra tek familjarët.

 

Pra, disa perceptime kanë ndryshuar pozitivisht; të tjera jo. Shqiptarët e shohin gjithmonë e më shumë të mundshme jetesën në vendin e tyre, por akoma kanë probleme madhore në besueshmërinë ndaj qeverisjes dhe politikës në përgjithësi.

 

Si më sipër, lajmi më i keq më duket futja në këtë grup e shoqërisë civile, që së bashku me median, kanë humbur tashmë rolin ndryshues, të pavarur dhe pozitiv që janë supozuar të kenë në sytë e publikut.

 

A është i besueshëm sondazhi? Mënyra e funksionimit të medias dhe kriza e fondeve, aktiviteteve dhe besueshmërisë tek media dhe tek shoqëria civile duket sikur e ka të vështirë ta hedhë poshtë atë.

 

Përfundimet janë lehtë të neglizhueshme, po më tepër se kaq, janë një apel interesant për reflektim.

 

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Epidemia rajonale Shanset e integrimit në BE të Rusisë, Ukrainës, Moldavisë

2 Comments Add your own

  • 1. errorful  |  26/02/2009 at 18:19

    Sa e shpejte paske qene, apo e kishe gati?
    Skam kohe ta lexoj tani, por kjo ishte e madhe :


  • 2. errorful  |  26/02/2009 at 18:21

    “Organizata Jo Fitim-prerëse” dmth ishte e madhe🙂
    se me iku pa dashje komenti me siper.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2009
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

%d bloggers like this: