Krim dhe ndëshkim

04/03/2009 at 17:18 2 comments

Lajmet për krimin në median shqiptare zënë vendin kryesor, kurse me statistikat e të ndëshkuarve për krime nuk gjendet asnjë fije hapësire apo interesi në media. Kjo ka të bëjë me natyrën e lajmeve “fast food” që dinë të prodhojnë mediat tona, po edhe me mungesën e eksperiencës së çuarjes së një çështjeje deri në fund (që nga momenti i vrasjes, kapja e autorit, dënimi i tij, vuajtja në burg, ndryshimet e tij nëse ka, etj).

Të gjitha këto më erdhën ndër mend nga shqetësimet e ngritura rishtas blogosferës mediatike, ku shqetësimi për transmetimin e tepërt, të papërgjegjshëm, të pakontrolluar, të pa-edituar dhe pa asnjë synim apo etikë, përqendrohej në konstatime sporadike për lajmet nga kronika e zezë.

Më erdhi si rrjedhojë në mend një shkrim i bërë në një tjetër moment të ngjashëm, kur krimi kishte uzurpuar faqet e para dhe lajmet kryesore.

Asokohe, një burrë vrau të shoqen me një copë hekur, që për të rritur tirazhet dhe shitjen, mediat i dhanë emrin “bajonetë”.

Ngjarja më shtyu të gërmoj më tepër në historinë e atëhershme dhe në shkaqet që çuan në të. Çifti kishte 11 fëmijë, 5 të burrit vrasës, një i gruas viktimë dhe 5 të tjerë të përbashkët. Përbërja heterogjene familjare, martesat e prishura dhe të përsëritura të çiftit, jeta relativisht e re në rrethinat e kryeqytetit, mentaliteti i çimentosur në prejardhje dhe mungesa e plotë e përgjegjësisë për të kuptuar të gjitha aspektet e mësipërme, janë disa nga më të përgjithshmit dhe evidentët faktorë që çuan kryefamiljarin tek alkooli dhe pasojat e pakontrollueshme të tij.

Vrasja e së shoqes ishte një “ushqim” helmatisës për mediat, që me përpikërinë e zakonshme dhe shumë të zellshme, nuk harruan të mbushin faqe të tëra me shpështjellime boshe e ripërsëritje të mërzitshme fjalish.

Sigurisht e drejta për botim dhe informim është thelbësore, por mënyra se si shitet, të shtyn në skepticizëm. Përse të quhet “bajonetë” në kryetitull një copë hekuri që nuk është i tillë? A është kaq shumë i rëndësishëm tirazhi i gazetës dhe shitja e kopjeve të saj, sa të flaket pa asnjë përgjegjësi në kosh etika, morali, përgjegjësia dhe pasojat e lajmeve të tilla, të keqpërdorura për skup?

Sa më shumë vrasje të ndodhin, aq më shumë dhe gjerë pasqyrohen ato në shtyp. Me fjalë e gjetje të reja të shqipes. Tërheqëse madje, për ata që janë në prag të krimeve. Dhe një shtesë e vogël nga faqet e gazetave, ndoshta edhe i shtyn vrasësit ta shohin veten si heronj që mbushin faqet e para. Mendësia e tyre nuk pritet të shkojë me larg, teksa nuk arrijnë të gjykojnë veprimet e tyre. Po, përse të nxiten ata?

Është dhimbse të shohësh se në Shqipëri çdo organ mediatik ka “gazetarë të kronikës së zezë”. Vetë ky përcaktim është bumerangu më tronditës që tregon praninë e frikshme të krimit të çfarëdollojshëm në vend. Përderisa i kushtohen faqe, minuta, redaksi, ekipe të veçanta pasqyrimit të tij të përditshëm, do të thotë se pranë derës është dhe po aty nxitet qoftë edhe pa dashje, duke i lënë vend mes nesh.

Nga vjen kjo nxitje, kjo përhapje e shëmtuar e veprimeve fatale?

Njëra nga të përditshmet kishte renditur madje edhe rastet e ngjashme të vrasjeve në familje, faqosur bukur dhe renditur shëmtuar mu në mes të faqes së tërë. Një i lëkundur mendor apo një tjetër i nënshtruar pijes mund të marrë edhe një laps në dorë e të rrethosë më të mirën metodë vrasje nga ato që të tjerë kishin bërë para tij. E për të mos u harruar, gazeta i kishte risjellë shpallshëm në radhët e saj.

Një burrë kishte vrarë gruan se dyshonte për tradhti. Një tjetër qëllon të shoqen në sy të pesë fëmijëve të vegjël. Burri përfundon në burg, gruaja në varr, pesë fëmijët sot enden rrugëve pa asnjë përkrahje.

Një ish-bashkëshort “i turpëruar” vret të shoqen dhe vjehrrin sepse ajo kishte kërkuar divorcin. Një grua dërgoi në atë botë burrin sepse i akuzoi djalin t’i kishte vjedhur 3 mijë lekë!!! Një baba vret fëmijën sepse nuk beson se është i tiji….Ç’po ndodh? Çfarë është e gjithë kjo?

A kemi nevojë vetëm të dimë faktet? Këto fakte të shëmtuara që vijnë çdo ditë të ngjashme?

Vështirë të gjendet pak hapësirë për të shpjeguar arsyet e kësaj katrahure mendore.

Një vëzhgim i thjeshtë të bën të kuptosh se shumica dërrmuese e krimeve kanë ndodhur në familjet e ardhura rishtas në kryeqytet. Familje që janë në lëvizje. Në kërkesë për të ndryshuar jetën e tyre mjerane derisa nisen drejt shpresës e gjejnë ngurtësimin.

Teksa zaptojnë rrethinat e shëmtojnë urbanistikën me ndërtimet tipike pa kriter, ata ndihen po aq rigorozisht të përçmuar, të nënvleftësuar, të përçarë, të përbuzur, të paftuar dhe të pa-pranueshëm prej shoqërisë “së qytetëruar”.

Të gjitha këto i detyrojnë familjet e brishta dhe fare të paqëndrueshme të ndjehen të izoluara nga pjesa tjetër e komunitetit dhe të vazhdojnë të kultivojnë mendësinë e tyre patriarkale të epërsisë. Në vend që të luftohet dhe zhduket kjo e keqe zi-ndjellëse, të ardhurit e shohin t’ju nxitet edhe më tej nga shpërfillja që hasin shoqëri, në jetë, në shtet, në ekzistencën e tyre. Nuk e panë t’jua luftojë kush atë ves. Përkundrazi! E perceptojnë si lavd teksa shohin t’ju kushtohet vëmendje në ekran apo në shtyp.

Dhe ata pikërisht për këtë duket se kanë më shumë nevojë; Për vëmendje.

E vetmja mënyrë që kanë gjetur, (edhe pse jo të ndërgjegjshëm për të), rezulton të jetë çlirimi i pasigurive të vetvetes, që shprehjen më të mirë, duket se e gjen tek vrasja.

Anomali mendore shtyrë nga kushtet social-ekonomike, mbështetur nga pasqyrimi i pakontrolluar, shpërfillur nga përkujdesja psikike, braktisur nga afrimi institucional, konsoliduar nga liria pa kriter e të vepruarit, shpallur pa asnjë përgjegjësi nga media.

Tek e fundit, kryetitujt gjithmonë vendosen vetëm kur ndodhin krimet, dhe jo kur ndëshkohen ato. Në mendjet e ngushta dhe gati shpërthyese të vrasësve të ardhshëm, kjo mund vetëm të nxisë mendësinë e tij.

Nëse në faqet e kronikës kryetitujt do të ishin “NDESHKOHET me burg të përjetshëm vrasësi i bashkëshortes”, fëmijës, burrit, gruas, vëllait, kunatës…etj, përcjellja do të sillte FRENIM të mendësisë vrasëse. Media ka mundësinë dhe përgjegjësinë e madhe të orientimit dhe përpunimit të opinionit. Influenca e saj është edhe psikologjikisht madhore.

Sipas psikologëve, kthimi i vëmendjes dhe rëndësisë tek ndëshkimet trondit thellë të lëkundurit krim-bërës dhe i shtyn ata të mendojnë qoftë edhe një sekondë më shumë para se të veprojnë.

Nëse ndëshkimi trajtohet si lajm kryesor dhe veprimtaria krim-bërëse pasqyrohet vetëm në mënyrë sporadike, me pak radhë informuese në fund të faqeve, mundësia e transformimit të opinionit është e pashmangshme, e dobishme dhe shumë vendimtare.

Familjet tek të cilat ndodhin krimet janë në mënyrë tipike bashkësi ku nuk njihet apo ofrohet dashuri. Ku nuk ka afrimitet, buzëqeshje, shëtitje, përkëdhelje prindërore. Ku nuk ka stabilitet ekonomik. As shpresë për përmirësim. Ku nuk ka burim të ardhurash, mundësi punësimi, tavolinë të mbushur plot.

Mbi të gjitha, në to nuk ka diversitet komunitar. Janë të përçmuar, të nënvleftësuar e të papranuar në jetën “mondane” të pluhurit kryeqytetas. Refuzimi është njëri nga shkatërruesit më efektivë të ekuilibrit mendor dhe emocional. Familjet ku ndodhin në masë krimet e kanë ndeshur shpesh, hapur dhe gjithë neveri refuzimin në jetën e tyre lëvizëse.

Nëse aty ku jetonin natyra iu kishte refuzuar diellin, kanuni dashurinë, patriarkalizmi respektin dhe padija koherencën, sot këtyre familjeve shoqëria po ju mohon integritetin, praninë, ekzistencën…dhe tërthorazi publikon, diskuton, shet, por nuk fshikullon krimin.

Të jetosh në mënyrë të vazhdueshme i refuzuar, të ndjehesh i diktuar, i censuruar, i padëshiruar, i përbuzur….dhe të gjesh lavdi nëpërmjet veprimeve çnjerëzore që të shtyjnë të çlirohesh prej tyre, është një shkatërrim i vërtetë i etalonëve njerëzorë.

Nëse kjo nuk luftohet dot vetëm dhe shpejt, të paktën le të mos nxitet për hir të disa kopjeve më shumë!

Entry filed under: Analize. Tags: .

Shanset e integrimit në BE të Rusisë, Ukrainës, Moldavisë Imoraliteti zhvlerësues i Pangos

2 Comments Add your own

  • 1. errorful  |  04/03/2009 at 20:13

    Do kisha pak dyshim per lidhjen me zhvendosjen e familjeve rreth qyteteve te medha. Qendron absolutisht, por ama nuk ndodh krimi vetem ne familjet e zhvendosura. Gjithesesi shkrimi yt nuk eshte se merret me analizen e e holle te shkaqeve qe cojne ne krim dhe dhune, keshtu qe eshte OK.
    Je shkronjesja ime e preferuar e gjinise femerore ne memedhe🙂
    Te kam ke bookmarks dhe imagjino qe ti lexoj rreshtat nje jo nje po😛 (se standarti im eshte nje po, tre jo🙂 )
    Por, po ta pashe emrin neper revista femrash te vrava😛

  • 2. edliragjoni  |  05/03/2009 at 19:12

    Po c’te shkruaj ne revista femrash, dear friend? Te tregoj se sa e veshtire eshte qe nje femer te merret seriozisht? Apo te them se duhet pesefishi i mundimit te nje mashkulli per t’u konfirmuar ne cdo pune qe shkoj. E per me teper, si femer duhet te perpiqesh perdite se je e afte ta meritosh postin profesionalisht; kurse si mashkull, mjafton te krijojne nje here besim, dhe me kaq merret stafeta.

    Le qe kush me therret mua ne revista femrash? Une s’merrem as me buqekuqera apo kozmetike firmato, e as nuk shquhem per ndjekje mode, jete nate apo frekuentuese ne ambjente VIP-ash ku shkon gjithe BBF-ja (jo vetem ajo muzikore).

    Faleminderit qe me lexon. Shume interesant ai standardi yt i leximit nje fjali po, tre jo. jam kurioze, si del nje shkrim i imi i lexuar ne kete menyre😀

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2009
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: