Pritja që të çon në BE

12/03/2009 at 18:13 Leave a comment

Shqipëria duhet të presë, thonë zyrtarët e BE-së në Tiranë e në Bruksel. Po ne nuk kemi ç’të humbasim. Sa më shpejt të nisemi, aq më shpejt mbërrijmë, kundërpërgjigjen pushtetarët shqiptarë në prag zgjedhjesh.

 

Cështja e aplikimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është kthyer në një debat intensiv mes palëve të përfshira dhe publikut konfuz.

 

Në retrospektivë, pas rrëzimit të regjimeve totalitare në lindje e jug-lindje të Europës, BE hartoi planin e asocimit me disa prej këtyre vendeve, që më vonë u bënë anëtare të saj në 2004-ën e Bullgaria dhe Rumania në 2007-ën.

 

Kurse në “vatrën ballkanase të zjarrit”, BE-ja duhej të përqendrohej më thellë, sepse thjesht karta e asociimit nuk mjaftonte. Kështu që njerëzit e moçëm të BE-së sajuan edhe “stabilizimin” ngjitur me asociimin. Negociatat për të filluan që në vitin 2000 e u tha se do të nënshkruhej marrëveshja për Shqipërinë që në vitin 2003. Kroacia dhe Maqedonia e morën dritën jeshile të MSA-së, kurse Shqipërisë iu kërkuar një raport për reformat, që me shpejtësinë e dritës, qeveria shqiptare e zbukuroi, e ndriti e e dorëzoi pak muaj më vonë në samitin e Goteborgut. Fill pas tij, në muajt që vijuan, Partia Socialiste u gjet në nevojë pastrimi duarsh e larje figurash, ndërrim qeverish e zotërues lavatricesh, që e kthyen situatën brenda saj një imazh që BE-ja nuk kishte pikën e dëshirës që ta ndiqte.

 

Ndërkaq, raporti i dorëzuar pretendonte se klasa politike shqiptare ishte e aftë të gjeneronte përgjegjësi publike, ushtrim të drejtë, efektiv e transparent të pushtetit, bashkëpunim me palët opozitare, e të tjera përralla të ngjashme. Pas shfaqjeve teatrale brenda PS-së, përgjigja e BE-së ishte: “Ju jeni shumë të mirë. Edhe raportin e keni qarë me lot. Po ne po presim të shohim se ç’do të bëni, jo të besojmë paraprakisht se çfarë keni ndër mend të bëni” (ëe ëould rather see ëhat you ëill do, not ëhat you think you can do).

 

Dhe ajo që ishin në gjendje të bënte politika super e matur dhe efektive shqiptare, solli si rezultat shtyrjen e hapjes së negociatave për MSA-në parashikuar për 2001-in. E çuan në 2003-in dhe si përfundim, marrëveshja mezi u firmos në qershor të 2006-ës.

 

Pastaj filloi kalvari i gjatë i ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare. Me nënshkrimin nga parlamenti grek në Janar, edhe ky kapitull u mbyll. Pra, BE dhe të gjitha vendet e saj janë dakord që Shqipëria të vazhdojë rrugën e reformave për të plotësuar kriteret politike e ekonomike, për të ngritur kapacitetet që duhen për të zbatuar këto kritere, si edhe për të përfunduar përafrimin e legjislacionit me acqui communitaire.

 

Shqipëria i ka qarë me lot të gjitha këto kritere, prandaj vazhdojmë të kemi spektakle për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, gjunjëzim ndaj informalitetit, mbretërim të monopoleve, sofistikim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, personalizim të medias, manipulim të informacionit, probleme të fshehura të punësimit dhe politikave sociale, probleme serioze me thithjen dhe mirë-përdorimin e fondeve,  kaos në arsim, kaos në mjedis, etj. Të gjitha këto janë të përmendur fare qartë në raportin e fundit të progresit dorëzuar qeverisë fund-vitin e kaluar.

 

Por, sipas praktikës rigoroze të qeverisë, ai raport u interpretua siç deshi vetë qeveria.

Deklaratat e fundit të përfaqësuesve diplomatikë e të vetë zyrtarëve të Brukselit, po interpretohen po ashtu sic do qeveria vetë.

 

Me gjithë reskeptin për aftësitë gjuhësore dhe diplomatike të zotit Basha, nuk mund të pretendohet të shpërfillet publiku në mes të ditës e t’i thuhet “Sinjalet e Brukselit janë inkurajuese që ne të aplikojmë patjetër për anëtarësim brenda presidencës ceke”.

 

Zotëri, jo vetëm në rastin e Ministrit të jashtëm cek dhe tubave që ai përmendi të kenë plasur brenda shtëpisë së BE-së, por edhe deklaratat e qarta të ambasadorit anglez, atij spanjol apo edhe atij gjerman kur flasin për mos-plotësim standardesh,  vërtetim se jeni në gjendje të bëni zgjedhje të pa-manipuluara, e  kur thuhet “ëe do not encourgae Albania to go ahead ëith the appplication at this critical moment for the EU”, mesazhi nuk ka si të jetë më i qartë. Thënë ndryshe “Ngadalë, se do rrëzoheni”. Dhe një rrëzim tjetër si ai i vitit 2000 në marrëdhëniet me BE-në nuk e duam ne.

 

Sigurisht që aplikimi për anëtarësim është karta më e mirë politike që ka në dorë sot qeveria Berisha përpara zgjedhjeve. Por, ajo nuk shoqërohet aspak me gatishmërinë për të dëgjuar sinjalet e Brukselit, e aq më pak nuk ka në themel kurajën për të pranuar se Shqipëria është zhytur aq keq në skandale politike e ekonomike, sa është një çartje e papranueshme të pretendosh të ecësh kundër rrymës.

 

Mirë që vetë qeveria bën sikur nuk e dallon këtë rrymë, por edhe pse të gjithë po i bërtasin “kujdes, se je në drejtimin e kundërt”, sërish ministrat e saj, me duar të pastra e të pa-pastra, shpallin gjithë kokëfortësi ngutjen për të aplikuar.

 

Qeveria Berisha kërkon të aplikojë përpara zgjedhjeve, sepse i duhet kjo llokume e paketuar lezetshëm, edhe pse askush nuk e di çfarë shije ka.

 

BE-ja këmbëngul që Shqipëria të aplikojë pas zgjedhjeve, thjesht sepse kërkon të shohë që të paktën një herë në këta gati 20 vjet tranzicion, politika e ka kuptuar se standardet nuk mbahen në xhep apo në sirtar. Dhe standard në zgjedhje do të thotë pasaporta biometrike dhe karta identiteti, thjesht që shteti shqiptar, si vend aspirues për në BE, të ketë minimumi në bankën e tij të të dhënave gjeneralitetet dhe numrin e saktë të shtetasve të tij. Këto kanë shumë rëndësi për Europën. Dhe zgjedhjet me certifikata lindjeje të njerëzve të vdekur në një Shqipëri që para zgjedhjeve na doli me 4.2 milionë njerëz e akoma nuk dihet numri i votuesve, nuk mund të pranohen si “zgjedhje gjithë standarde” nga BE-ja.

 

Loja e BE-së është vërtet “tërhiq e mos këput”, ama edhe përgjigja e Shqipërisë ka qenë gjithaq “prit dhe pak, pa do na shohësh”.

 

A do ta shpërdorojë maxhoranca momentin kur topi është në anën e Shqipërisë, por ama loja drejtohet nga gjyqtarët e BE-së? Gjasat dhe eksperiencat të gjitha tregojnë se po, pra Shqipëria do të nxitojë më shumë se me vrap të aplikojë para qershorit.

 

Më e mira që mund të ndodhë, është që BE-ja ta neglizhojë tërësisht këtë aplikim të parakohshëm e të mos kthejë asnjë përgjigje deri në 2012-ën për shembull. E pasi të ketë konfirmuar se “e ka marrë kërkesën”, Shqipëria kthehet në një vend kandidat, pozicion të cilin mund ta mbajë për tre, pesë, dhjetë apo edhe pesëmbëdhjetë vjet të tjerë.

 

Kurse në rastin më të keq, BE-ja mund të kthejë një përgjigje negative, ashtu si pas Samitit të Goteborgut, e të na thotë një “JO” që do ta kthente procesin e anëtarësimit, ashtu si atë të MSA-së, vite të tëra prapakthim të detyruar.

 

Nuk është aspak e vërtetë ajo që pretendon maxhoranca për shpejtimin për të mos humbur kohë, sepse “sa më shpejt të aplikosh, aq më shpejt arrin”. Turqia ka aplikuar që në vitin 1964 e akoma vazhdon të presë. Sigurisht që rasti i saj është tejet i ndryshëm, ama krahasimi i pritjes është tregues i qartë.

 

Po ashtu, Maqedonia nënshkroi më shpejt MSA-më, por Kroacia mori para saj statusin e vendit kandidat. Mali i zi ka aplikuar dhe Europa akoma nuk ka reaguar, e me radhë.

Shqipëria nuk ka arsye të pretendojë për ndonjë afeksion të tepërt të BE-së, e as nuk është beniamin i saj, (siç ishte Irlanda në fillim të viteve ’90-të).

 

Sinjalet janë vëret të qarta e po jepen në të gjitha mënyrat. Në një panel debati të organizuar në mesjave,përfaqësuesit spanjolë u lodhn duke treguar se c’rrugë të vështirë kishte ndjekur për anëtarësim Britania për shembull, të cilës iu tha dy herë “jo” në këkrkesën e saj për anëtarësim. Apo edhe Spanja ka vuajtur me reformat politke, Portugalia me ato ekonomike. Pastaj tregoi vështirësitë në vite të BE-së, globalizmin, krizën, Ballkanin perëndimor, mbingopjen, lodhjen nga zgjerimi. U lodh shumë, por që në fjalinë e parë u mor vesh se po thoshte ‘seriozisht e keni që mendoni të aplikoni tani”? Prania e disa diplomatëve tëtjerë atje e mbështeste idenë e tij.

 

Europa është lodhur nga zgjerimi, ne jemi lodhur nga pritja dhe nga reformat. Ama akoma Shqipëria nuk ka dhënë maksimumin që të pretendojë me kaq ngut aplikimin.

 

Prandaj, nisur nga të gjitha këto arsye dhe duke pasur parasysh eksperiencën e hidhur të zgjatjes së hapjes së negociatave për MSA-në pikërisht për shkaqe që lidhen me politikën shqiptare dhe pa-aftësinë e saj për të vënë në shina shtetin e së drejtës, aplikimi i parakohshëm për në BE, në kundërshtim të hapur me direktivat që vijnë nga të gjitha anët, do të ishte ilaçi i skaduar që i shkakton alergji ecurisë së Shqipërisë.

 

 

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Sa shumë kërcehet tPango Të rinjtë e vjetëruar politikisht

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2009
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: