Të rinjtë e vjetëruar politikisht

19/03/2009 at 15:25 4 comments

Dilemat e votuesve shqiptarë kanë ardhur në rritje, dhe kjo është treguar me zvogëlimin e numrit e zgjedhësve që shkojnë në kutitë e votimit pas çdo date zgjedhore. Dilema ka të bëjë me pasigurinë për të votuar për njërën palë apo për tjetrën, sepse besimi tek partitë politike ka qenë vazhdimisht në rënie. Por kriza më e madhe e besimit vazhdon të jetë ajo tek figurat politike që qarkullojë prej vitesh të tëra ekraneve e jetëve tona.

 

Prandaj, futja e të rinjve në politikë është parë me dashamirësi e është mirëpritur nga publiku. Kjo u pa me funksionimin shumë të mirë të besimit që KOP i dha PD-së në vitin 2005, apo me mbështetjen që fitoi organizata MJAFT në fillimet e saj idealiste.

 

Aktualisht, në periudhën intensive para-zgjedhore, mes emrash politikë e mediatikë që na janë bërë si pjesëtarë të paftuar të familjeve tona çdo natë, Blendi Fevziu merr përsipër të promovojë herë pas here njerëz të rinj, që mund t’i japin tjetër impuls dhe imazh përditshmërisë televizive, ndaj së cilës ankohemi kaq shumë.

 

Dhe gjen një temë shumë për t’u admiruar në Opinion: “Politika dhe të rinjtë”. Në studio,  të rinj përfaqësues nga PD, PS, LSI, G99, MJAFT dhe PR. Kombinim shumë interesant.

Deri sa të fillonte emisioni, po shihja një komedi në njërin prej kanaleve të tjerë, e po qeshja siç nuk kisha bërë prej kohësh. Por në orën 22.00, stafetën e humorit e morën në dorë të rinjtë e Opinionit. Deri në 22.00 qesha me një komedi. Pas kësaj ore, e qeshura, ngërdheshura, më dilte, më ngecte, më kapte për fyti, më shkundte prapë…

 

Fevziut në fillim debati iu duk argëtues. Pastaj filloi të mërzitej nga “pa-bindja” e të rinjve për të folur me radhë e në fund e mbylli emisionin pa hezituar hiç, akoma pa i ardhur fundi. Edhe ma la të qeshurën në mes Fevziu. Po dhimbjen, zhgënjimin dhe shokimin që mora nga diskutimi i atyre të rinjve, ma nguliti mirë në kokë nëpërmjet emisionit të tij.

 

Ai që nisi si një emision promovues e dashamirës ndaj të rinjve që duan të futen në politikë, u shndërrua në skanuesin e pamëshirshëm të një mungese totale kulture debati, aftësie për të dëgjuar, aftësie për të komunikuar, e aq më pak, për të gjeneruar ndonjë ide. Përfaqësuesja e PS-së nuk rreshtte së foluri për një shall e për gjyshen e vet; përfaqësuesja e qeverisë nuk diti të pushojë për asnjë sekondë, qoftë për shallin, qoftë për gjyshen, qoftë për bëmat e shefit të saj në NATO e në BE; përfaqësuesja e LRI-së dha komedinë më qesharake të një UNI të përdalë, ku nuk hiqje dot një vijë ndarëse midis aftësisë për të menduar dhe asaj për të reaguar pa asnjë mendim. Përfaqësuesja e PR-së ishte shembulli fatkeq i delegimit të fjalive standarde shprehur nëpërmjet pamjes stonuese me qenien.

 

Këto femra përbënin 66% të emisionit të Fevziut. Dy meshkujt prezentë në studio folën më me pikatore, sepse koleget femra ishin goxha më të frymëzuara e nuk e mbanin mend ku e kishin butonin e fikjes së fjalës e aktivizimit të arsyes. Shumë të zëna me shpalosjen e ekspozeve “akademike” të vetvetes, me super-arritjet në punë e me mbrojtjen e flaktë të udhëheqësve të tyre shpirtërorë, vajzat e pranishme mirë që s’u dhanë edhe nga një shpullë meshkujve të atyshëm (se në këmbë u ngritën, e Fevziun e surprizuan paq me guximin e tyre të çartur anti-debat).

 

Pra, djemtë folën pak. Por folën mrekullisht në të njëjtën kohë me femrat, pa pushuar as njëri, as tjetri, e si përfundim, morëm vesh vetëm se forumi rinor i Partisë Demokratike ka ngelur shumë i zhgënjyer nga pa-aftësia e Gerti Bogdanit për të përballuar sulmet e çuditshme të Ajola Xoxës. Kurse Arbër Mazniku duhet të marrë urgjent leksione të mëtejshme për kapërcimin e fazës çoroditëse femërore të një debati, e të dijë si të çojë ujë në mullirin e ndonjë ideje (nëse ka).

 

Në pothuajse 100 minutat që ndoqa, dueti Xoxa-Mecani arriti me sukses të mos dëgjojë asgjë nga njëra-tjera ndërkohë që folën njëkohësisht plot 27 minuta. Erisa Xhixho nga LRI na kujtoi plot 5 herë, me një mungesë të përkryer respekti për veten, shikuesit dhe bashkëmoshatarët e saj, se shkalla e indoktrinimit mund të jetë shumë më e lartë nga c’mendojmë të gjithë ne; përfaqësuesja e PR-së e përmbushi detyrën e saj të vitrinës në të tre rastet e vetme që pati mundësi ta hapte gojën; të katër femrat bashkë transmetuan fatkeqësinë e shpresës për përfaqësimin e kësaj gjinie ( qoftë cilësisht, qoftë në mënyrë sasiore). Kurse dy të rinjtë meshkuj përcollën shijen aguridhe të një fryti të këputur ende pa u bërë.  

 

Këto të dhëna shkojnë përtej statistikës. Janë shumë më domethënëse sesa xhevahiret që nxorën nga goja të rinjtë e ftuar në Opinion; e akoma më të dhimbshme se komentet dhe zhgënjimet pa fund që shkaktuan ata tek publiku. Dhe u përfocuan akoma më keq me deklarata që bënë një natë më pas në një emision radiofonik protagonzitet. Nuk kanë arritur akoma të kuptojnë nivelin mjeran të paraqitjes që bënë.

 

Mbase pritshmëritë ndaj tyre ishin shumë të larta. Mbase fillimi është gjithmonë i vështirë e kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Mbase këta të rinj kanë nevojë për më shumë kohë që të fitojnë eksperiencë. Por për të folur së prapthi e për të imituar shëmtuar të vjetrit e politikës, dinin shumë mirë të gjithë. Kurse për të shpalosur idetë e tyre, asnjëri nuk pati kohë t’i jepte rëndësi vetes.

 

Trishtimi më i madh ishte se asnjëri nga ata të rinj nuk trajtoi ndonjë ide. Përveç mburrkave fëminore për profesionalizëm, prejardhje e punë të mira në hava, asnjëri prej tyre nuk debatoi për një çështje juridike, politike, arsimore, vendim-marrjeje, publike, asgjë. Vetëm zënka të ulëta, shumë herë më të ulëta se të udhëheqësve të tyre shpirtërorë.

 

E nëse votuesit shqiptarë sot janë të lodhur nga të vjetrit, me paraqitjen e të rinjve si ajo e bërë këtë fillim-jave, zgjedhësit sërish do të kenë më shumë gjasa të rrinë në shtëpi votimet e ardhshme, sesa ta shpërdorojnë besimin me imituesit mekanikë e fatkeq të një politike shterpë.

 

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Koment. Tags: .

Pritja që të çon në BE Arsim i keqpërdorur

4 Comments Add your own

  • 1. J.  |  21/03/2009 at 16:30

    E pra Eda, pikërisht… të imitonin dinin, të akuzonin gjithashtu, të recitonin përmendsh fjalimet e baballarëve shpirtërorë përkatës, gjithashtu.

    Tani unë nuk kam marrë vesh një gjë: si është e mundur të GJITHË këta, mo po të gjithë… si nuk u përpoqën të shpalosnin mendimet e tyre personale mbi çështje të ndryshme politike?

    Nëse unë do merrja pjesë aty e zëmë, gjëja e parë që do doja të bëja, do ishte të shpalosja mendimet e mia personale mbi tema që më interesojnë. Duke provokuar debat mbi to, për të testuar vërtetësinë dhe bindjet e mia.

    Po një gjë tjetër që më bëri përshtypje… publiku tërësisht i shpërfillur. Ata nuk interesoheshin gati aspak se mund ti ndiqte dhe gjykonte shqiptari i mesëm, ata interesoheshin si do i gjykonte lideri i tyre personal. Kjo është një krizë e tmerrshme e mendimit politik… a thua se e ardhmja e atyre me atë që na dhanë të besojmë, varet nga partia aderuese… tmerrësisht zhgënjyese…

  • 2. edliragjoni  |  22/03/2009 at 16:30

    Po edhe perceptimet dhe zhgenjimet e mia (edhe keto te tuat Jul), zhgenjyese rezultuan : ). Pertej shakase, ne kete shkrim hibrid mes ironise dhe thirrjes (mbase edhe vetes) per te mos rene pre e bisedave pa koke e pa kembe, jam munduar pikerishte te them se mua nuk me shqeteson shume zhgenjimi. As nuk jam antagoniste (larg qofte); por as nuk pajtohem fare me apatine qe percollen ata te rinj; e aq me pak me imazhin qe shperndane edhe per mua, per ty e per keto tjeter qe bie ne kategorine e tyre.

    Duhet qe Fevziu te beje nje tjeter emision me te rinj e te shohim nese konstatimi do te perforcohet apo do te rrezohet.

    Por, me c’kam vene re, kam frike se kjo e dyta eshte veshtire te ndodhe.

  • 3. edlira  |  23/03/2009 at 14:17

    Pershendetje. Dhe une quhem Edlira..

    Jam shume dakort me ju lidhur me ate pjesen e imitimit, me mosbindjen e atyre te rinjve per tu pershtatur ne nje studio dhe per te bere apo me sakte per tu perpjekur te bejne nje mini debat politik.

    Eda keni shume te drejte kur i referoheni atij emisioni si komedi, por qe ne kete rast na beri te shkriheshim se qeshuri. Kam nje bindje qe ata te rinj, pa dashur te fyej askend, jane femije prinderish te pasur, me deshiren e madhe po te madhe fare ama, per tu bere figura mini publike.

    Personalisht kam qene e angazhuar vetem ne biznese private, larg politikes ne kuptimin e mire te fjales. Mgjth mund te them qe pjesa derrmuese e te rinjve shqiptare qe jetojne mbi shpatullat e tyre, i ndiejne me teper pasojat e politikes, pozitive apo negative qofshin ato. Pikerisht ata kane sec te thone. Une deshiroj dhe shpresoj qe keta te rinj punetore me arsimin e duhur dhe te merituar, te injektohen ne brendesi te politikes shqiptare per te percjelle ide te reja por te pjekura.

    Shpresoj te me mirekuptoni.

  • 4. VALBONA  |  24/03/2009 at 20:42

    Kurse une nuk u zhgenjeva fare, eda dhe e di pse? Sepse ai stan ate bulmet ka, dmth ajo politike- politika jone, ata perfaqesues do te kete, mosha pak rendesi ka ne kete mes.
    Nese do te ishin ndryshe ose do te zgjidhnin ta sfidonin politiken, ata te rinj nuk do ishin bashke me ata qe sot e gjithe diten i ngreme e i ulim si fajtoret e vertete te gjendjes se Shqiperise tash 18 vjet. Ata te rinj jane aty me vullnetin e tyre, sepse besojne tek kjo politike. Nuk duhet pritur nga ata te rinj qe te flisnin ndryshe, sepse provat i kane dhene. te gjithe ata me perjashtim te asaj te PR qe dilte per here te pare, kane te pakten 2 vjet te angazhuar ne politike dhe nese do kishin veret ide te reja, do te kishin rene ne sy. Pikerisht fakti qe ata kane dy vjet qe dalin dhe s’kane rene ne sy per ndonje ndryshim, eshte shqetesues dhe jo shfaqja e tyre televizive para nje jave.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2009
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: