Arsim i keqpërdorur

27/03/2009 at 11:05 1 comment

A mund të themi diçka më konkrete për arsimin? Të gjitha partitë dhe lëvizjet politike thonë se e kanë atë prioritet, por asnjëra nuk shpjegon se si. Kështu ma solli shqetësimin e saj një nga të paktat vajza shqiptare që ka depërtuar atje ku pak prej politikanëve tanë do të kishin shansin të arrinin; në një universitet dhe departament kërkimor në fushën e biologjisë në Zvicër. Të arrish deri atje duhen orë të tëra studimi dhe gatishmëri për të mësuar pa reshtur gjithçka të re. E kjo praktikë është e tepruar, lodhëse dhe e pa-zbatuar prej politikanëve tanë, që dinë gjithçka që në 22 vjeç, e pas saj mund të bëhen deputetë, ministra, kryebashkiakë, kryeqeveritarë, kryediplomatë, kryeredaktorë, kryeuniversitarë  e ç’t’iu dojë tjetër e bardha zemër, pa qenë nevoja të kualifikohen më tej.

 

Kolegen time e kishte kapur paniku me demagogjinë mbi arsimin. Edhe me pa-aftësinë e të gjitha kaheve politike për të fshehur manipulimin sipërfaqësor për të. Edhe mediat, shtova mbi panikun e saj, për pa-aftësinë e tyre për ta parë arsimin si problem real sot e jo si kronikë mbushëse për t’ia lënë në dorë reportereve deklarata-zbardhëse.

 

Arsimi në udhëkryq, arsimi në shënjestër, arsimi quo vadis. Të gjitha shkrimeve që kam bërë më parë me këto tema iu hodha një tjetër sy teksa rrekesha t’i jepja përgjigje shqetësimit të koleges sime në Zvicër.

 

Ajo kishte sjellë në një analizë pjesët e programeve të partive politike para fushatës për të parë se si e kanë trajtuar ato arsimin, duke qenë se të gjitha bërtasin në mes të natës e të ditës se arsimin do ta kenë prioritet.  Partia Demokratike pretendon të kalojë nga „mosha e internetit“ në „një kompjuter për çdo shtëpi“; Partia Socialiste është mjaftuar me konstatimin e gabimeve të rënda që ka bërë në këta katër vjet PD-ja, por e ka mbyllur me aq. Asgjë nuk thuhet se si, ku dhe për çfarë do të kërkojë rritjen e buxhetit për arsimin nëse vjen në pushtet. LSI ishte akoma më e përgjithshme, mjaftuar me një paragraf ku pretendon të rrisë buxhetin, pa sqaruar se ku do ta përdorë atë.

 

Pa marrë flamurin e mbrojtëses së asnjë force politike, por duke i qëndruar përkarshi arsimit që e shoh sot si „plagën që rrjedh edhe pa u ngacmuar“, pashë se thelbi i ngërçit arsimor dhe rrënja ku duhet kërkuar zgjidhja afatgjatë ishte kapur vetëm nga lëvizja G99. Prioriteti i hedhur në program nga të rinjtë e kësaj lëvizje është pikërisht thembra e Akilit në këtë sistem: arsimi profesional. Sigurisht përfundimi i tyre ka ardhur pas konsultash të gjata me njerëz që e njohin fushën; dhe më erdhi mirë që ajo ishe përmendur si objektiv i qartë edhe në pretendimin për rritjen e buxhetit për Arsimin.

 

Dhe është e vërtetë. Që nga viti 1989 buxheti për arsimin ka njohur vetëm ulje. E brenda tij, copa për Arsimin dhe Formimin Profesional ka njohur akoma më shumë reduktime drastike. E nëse qeveria e sotme në pushtet mendon se arritjet më të mëdha i ka në maturën shtetërore apo në liberalizimin e Universiteteve, do të ishte gabim shumë i madh ta lemë të vazhdojë ta besojë këtë.

Beteja e degradimit të arsimit nuk fitohet duke hapur dyert për Universitetet private. E pamundur! Sepse ajo derë po nxen brenda saj gjithkënd që nuk duhet fare të ishte aty. Pse? Sepse në të gjithë botën arsimi akademik universitar bëhet pasi aftësitë dhe prirjet e gjithsecilit janë përcaktuar që në shkollën e mesme. Dhe shkolla e mesme e përgjithshme duhet të jetë filtri ku kalojnë dhe klasifikohen prirjet akademike. Gjithë të tjerët, për të mirën e tyre, të shoqërisë dhe të tregut të punës, duhet të kalojnë në shkollat profesionale.

 

Një nxënëse që nuk ka shfaqur prirje të theksuara në filozofi, por ka talent shumë  të madh në stilimin e flokëve, do t’i bënte mirë vetes dhe të gjithë të tjerëve nëse vendos të shkojë në një shkollë profesionale, e jo të vazhdojë gjimnazin, pastaj edhe ndonjë Universitet privat e të na dalë juriste me pretendime.

 

Liberalizimi i Universiteteve e ka çoroditur tregun e këtyre pretendimeve. Edhe ata pak nxënës që shihin tek vetja aftësinë për t’u përsosur në një profesion ( teknik, ekonomist i thjeshtë, ndërtues, bojaxhi, mekanik apo çfarëdo tjetër), tani mbush xhepin me lekë dhe për tre vjet shndërrohet në jurist, menaxher, financier, gazetar, shkencëtar e ç’t’iu dojë qejfi. Pra, rolet janë ngatërruar shumë keq.

 

Synimi i qeverisë aktuale ishte që gjatë mandatit të parë të saj të regjistroheshin në shkollat profesionale 40% e nxënësve që mbarojnë arsimin e detyruar. Nuk është shifër utopike. Në Danimarkë regjistrohen 56%. Në Gjermani mbi 70% (edhe për shkak të sistemit të saj dual të arsimit). Po pse, më pak të zgjuar se ne të jenë danezët dhe gjermanët që zgjedhin arsimin profesional? Jo. Jo dhe jo. Po pikërisht pse ”shtrijnë këmbët sa kanë jorganin”, të rinjtë e këtyre vendeve zgjedhin shkollën dhe profesionin ku kanë prirje më të theksuara. Kualifikimi që ata marrin i bën shumë më konkurrues dhe kompetentë në tregun e tyre të punës, dhe rrjedhimisht, shërbimet që marrin qytetarët e këtyre vendeve janë edhe më cilësore dhe profesioniste se tonat. Do të jenë patjetër ashtu, përderisa akademiku është akademik dhe tekniku i ashensorit nuk është një ish-bojaxhi që ka në xhep edhe një diplomë politologu e nuk përqendrohet dot në profesionin e tij.

 

Pra, gjërat duhen ndarë mirë. Dhe kjo arrihet duke bërë ndërhyrje e investime të kujdesshme, të matura, serioze e përkushtuese në arsim. Pasojat e katrahurës së sotme arsimore nuk do t’i vuajmë sot, jo. Sepse sot janë akoma në qarkullim nxënësit e studentët e një tjetër mendësie arsimore. Por brezat që janë sot në banga e auditore përballen përditë me konfuzionin e ndryshimit të rregullave, ndryshimin e shpeshtë të sistemit, mësimdhënien që lë shumë për të dëshiruar, meritokracinë e zhdukur, politizimin e arsimit, shndërrimin e tij në biznes, keqpërdorimin e tij, e kushti me radhë.

 

Arsimi është në kaos. Dhe nuk mund të jetë kurrë prioritet që nuk kapërcyeka dot 4% të buxhetit. As nuk mund të shihen ëndrra me sy hapur nëse nuk përqendrohet vëmendja tek ringjallja e arsimit dhe formimit profesional. Kleçka e arsimit qëndron vetëm aty.

 

Shërbimet, tregu i punës, cilësia, të gjitha do të ftillohen vetëm me sistemin, nxitjen dhe përkrahjen e arsimit dhe formimit profesional.

 

Kështu e ndava shqetësimin dhe idetë me kolegen time në Zvicër. Pas një mungese të gjatë në Shqipëri, ajo vazhdon të çuditet përse politikanët nuk shkojnë përtej fjalës “arsim” në demagogjinë e tyre. E thjeshtë! Duhet ta ndjesh brenda vetes dhimbjen e abuzimit me arsimin përpara se të ngresh zërin për të. Liberalizimi ka sjellë një kaos të madh në tregun e punës. Mijëra juristë, ekonomistë e mësues ngelen pa punë, sepse tregu është i mbingopur me ofertë. Cilësia nuk pi më ujë. Të gjithë duan dhe kanë një diplomë universitare. Kurse tregu i shërbimeve vuan më shumë se kurrë për kontingjent të mirë-kualifikuar që të vijë nga arsimi dhe formimi profesional.

 

Vetëm kur veterineri të mos pretendojë të bëhet mjek e kur aftësitë të futen në kallëpin që meritojnë, tregu do të rregullohet disi. Kjo kërkon ndërhyrje urgjente në nxitjen për Arsimin Profesional. E për fat të keq, në platformat e partive politike kjo pikë as që ka ndonjë rëndësi.

 

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Të rinjtë e vjetëruar politikisht Miti i NATO-s

1 Comment Add your own

  • 1. errorful  |  29/03/2009 at 04:35

    hmmm
    Me mire do ishte pa prologun e koleges se zvicres😛
    Leje te rrije ke mikroskopi se mire eshte😛
    Tjeter, po te citoj :
    “Sepse në të gjithë botën arsimi akademik universitar bëhet pasi aftësitë dhe prirjet e gjithsecilit janë përcaktuar që në shkollën e mesme.”
    Me duket se ketu e ke gabim, se fillon akoma me heret problemi; por nejse, se nuk eshte ky te thelbi i shkrimit.
    Te jap une nje ilustrim me ngjyra per shkrimin tend ?
    Nje praktikante qe zhvillonte praktiken ne nje shkolle te nje qyteti te madh shqiptar ne vitin 2009. Me konkretisht ne klasen e pare fillore.
    Shkruan ne tabelen e zeze : 4+5 = 7 !!!!
    Me placin syte, keshtu kish shkruar.
    Keto mesuese do mesojne kalamajte tone.
    Ja, merr ose ler , cte te them😦

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2009
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: