Miti i NATO-s

02/04/2009 at 16:22 9 comments

Duke filluar që sot, Shqipëria është anëtare me të drejta të plotë në NATO. Ç’do të thotë kjo për lexuesin, qytetarin, shqiptarin e thjeshtë? Asgjë të tipit “mirëqenie dhe pasuri brenda natës”. Kurrsesi. NATO është një aleancë ushtarake botërore që synon ruajtjen e paqes dhe të sigurisë për vendet anëtare. Nëse Shqipëria sulmohet nesër nga cilido shtet i botës, NATO dërgon këtu trupat e saj për të asgjësuar rrezikun. Kaq!

 

Anëtarësimi në NATO nuk sjell rritje ekonomike, as rritje pagash, as shtrim rrugësh, ndërtim spitalesh, shkollash, kopshtesh. As nuk sjell hapjen e vendeve të reja ta punës. As nuk do ta gdhijë Shqipërinë të pasur apo shqiptarët të lirë të lëvizin lirshëm dhe pa viza në Europë apo në SHBA. Jo.

 

Anëtarësimi në NATO do të thotë me shumë siguri dhe më shumë garanci për jetën në Shqipëri. Ama NATO nuk parandalon dhunën ndaj grave, as dhunën në familje, as varfërinë e tejskajshme; nuk e lufton ajo krimin e organizuar e të sofistikuar ekonomik apo politik, as nuk ndërhyn dot të rregullojë ligjet antitrust e të ulë tarifat e çmendura të telefonive celulare në Shqipëri. Jo!

 

NATO është këtu për të thënë që kjo pjesë e Ballkanit i përket Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe kërcënimet e jashtme këtu as nuk kalojnë, as nuk ndalojnë dot si destinacion. Pra, anëtarësimi nuk është karamele e ëmbël siç po shitet në këtë fushatë elektorale, por është një marrëveshje që kërkon përgjegjësi, detyrime dhe përkushtim nga qeveria shqiptare.

 

Po pse gjithë ky trumbetim për anëtarësimin në NATO?

Dëshira shqiptare për të qenë pjesë e organizatës ushtarake të Atlantikut të Veriut daton që në 1992-in, kur Shqipëria ishte i pari vend post-komunist që shprehu publikisht synimin e saj të anëtarësimit dhe tendencën e fortë pro-perëndimore. E nëse Shqipëria do të ishte vend anëtar i NATOs, mbase amullia e 97-ës nuk do të kishte gjetur terren në vend. Anëtarësimi në NATO gjithmonë është konsideruar si një garanci për sigurinë, për një demokraci të stabilizuar, rritje ekonomike dhe investime të huaja. Por, këto të fundit do të ndodhin vetëm kur siguria e brendshme të jetë po aq e garantuar sa ajo e jashtmja. Jo vetëm siguria e jetës, por edhe siguria e ligjit, e konkurrencës së ndershme, e zhdukjes së të gjitha formave të korrupsionit, zhdukjes së monopoleve dhe e përqendrimit të pasurisë e të fuqisë në pak duar, e kështu me radhë.

 

Nato nuk është vetëm një organizatë ushtarake. Ajo është edhe një organizëm politike që pritet të përmirësojë ndjeshëm imazhin e Shqipërisë, sigurinë brenda saj dhe natyrshmërinë për të ecur drejt bashkimit me vendet e Perëndimit. Sot Shqipëria nuk konsumon me siguri, por është kthyer në një gjeneruese të vërtetë për të. Prandaj ratifikimi dhe anëtarësimi ndodh sot, dhe jo disa vite më parë, kur krismat lëviznin lirisht nëpër vend. Anëtarësimi në NATO do t’i japë mundësinë Shqipërisë të shfaqë një fytyrë tjetër të saj, një siguri më shumë, e një frikë më pak për euro-skeptikët që kanë frikë nga futja e Shqipërisë në BE.

 

Megjithatë, Shqipëria ka sot shumë arsye të besojë në meritën e saj për të qenë pjesë e traktatit të Atlantikut të Veriut. Edhe pse me një ekonomi dhe ushtri modeste, vendi ka luajtur një rol kyç stabilizimi për rajonin, me prova konkrete dhënë gjatë luftës në Kosovë dhe trazirave në Maqedoni. Vërtet ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve, ama pa ndikimin pozitiv të Shqipërisë, rajoni nuk do të ishte aq i qetë dhe i stabilizuar sa është tani. Pra, roli stabilizues në rajon, për hir të së vërtetës, nuk duhet nënvleftësuar.

 

Shqipëria gëzon me të drejtë mbështetjen e hapur të SHBA-së për në NATO, sepse i është përgjigjur pozitivisht ftesës për bashkëpunim në operacionet ushtarake në Kosovë, Irak, Bosnjë apo Afganistan. Nga ana tjetër, SHBA mund të shohë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO një rrezik më pak në Ballkanin e synuar për influencë ruse, kurse nga ana tjetër, as Bashkimi Evropian nuk do të kishte asnjë interes ta linte të trazuar gadishullin që duket sikur nuk i përket me trazirat e përhershme të tij.

 

Sa për mbushjen ose jo të reformave, do të ishte e tepërt të pretendohej se janë vërtet ato që e bënë të mundur ratifikimin dhe anëtarësimin në NATO. Me gjithë problemet institucionale dhe ligjore, ushtria shqiptare vërtet ka bërë disa hapa përpara drejt modernizimit të saj; buxheti për ushtrinë po ashtu është rritur në 2% sipas standardeve të kërkuara nga Traktati, ama karta e vërtetë që siguron anëtarësimin është ajo gjeopolitike.

Vërtet kemi akoma shumë për të bërë në problemet me minoritetet, me korrupsionin, luftën e brendshme politike, sistemin e shkretë gjyqësor, sistemin elektoral dhe ekonominë problematike, ama përpjekjet, e mbi të gjitha, vullneti politik asnjëherë nuk ka munguar që të gjitha këto të kapërcehen në të mirë të vendit. Me gjithë problemet e funksionimit të saj, Shqipërisë asnjëherë nuk i është vënë në dyshim ekzistenca e demokracisë. Për shtetin ligjor po, ka rezerva të mëdha, por demokracia, me gjithë keq-funksionimin e saj, është padyshim forma e vetme e qeverisjes në këtë vend.

 

Por, sigurisht që një frymë pozitive që vjen me anëtarësimin në NATO është afrimi në Bashkimin Europian. Standardet e Shqipërisë janë akoma larg atyre që kërkohen në BE, por me anëtarësimin në NATO, edhe lupa ndaj problemeve tona do të hiqet. Do të ngelet akoma shqetësimi i madh evropian për nivelin tonë të varfërisë ekonomike, por për BE-në ajo vjen e fundit në radhë, krahasuar me korrupsionin famëkeq, funksionimin e dobët të shtetit ligjor dhe mungesën e pavarësisë së sistemit gjyqësor, për të cilin u bënë copa duke na kritikuar në çdo raport. Ama çështjet e sigurisë do të jenë tashmë më të vogla për t’u adresuar dhe BE do të duhet të hedhë sytë edhe nga reformat që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

 

Shqipëria shihet po ashtu si një vend me situatë makroekonomike të stabilizuar, me një rritje ekonomike të qëndrueshme (për t’u parë pas krizës globale), dhe me potenciale të mëdha investimesh të huaja në energji, infrastrukturë dhe në turizëm. Të gjithë këta janë tregues pozitivë për gjendjen aktuale të Shqipërisë, e me renditjen përkrag vendeve të NATO-s, e legjitimojnë ambicien e saj për lehtësira të përshpejtuara dhe anëtarësim jo fort të largët në BE. (pasi Brukseli të ketë kapërcyer problemet e brendshme, që gjithashtu kërkojnë kohë për t’u zgjidhur).

 

Sidoqoftë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është treguesi më i fortë se rruga për në BE është tashmë shumë më e avancuar.

 

Hapat e suksesshëm që çuan në këtë  afrim pozitiv

Marrëdhëniet e deritanishme të Shqipërisë me NATO-n kanë qenë të përqendruara kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe reformat për sigurinë. Bashkëpunime ka pasur po ashtu në reformat institucionale dhe demokratizimin e sferave ku përqendrohet Traktati i Atlantikut Verior. Shqipëria u bë pjesë e Partneritetit për Paqen në vitin 1994; pjesë e Planit të Anëtarësimit në vitin 1999; mori ftesën zyrtare në samitin e Bukureshtit në Prill 2008; mori pëlqimin e anëtarëve me nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit në  9 Korrik 2008 dhe përfundoi procesi i ratifikimit nga parlamentet e të gjitha vendeve në datën 18 Shkurt 2009.

 

Sipas deklaratave të ardhura nga zyrtarët e NATOs dhe nga Ministria jonë e brendshme, gjatë kësaj periudhe një vjeçare para-anëtarësimi, Shqipëria është përfshirë maksimalisht në një sërë aktivitetesh të Organizatës, që ka vazhduar po ashtu t’i japë mbështetje dhe ndihmë shumë-anëshe edhe nëpërmjet Planit të Anëtarësimit. Përveç reformave në ushtri dhe në mbrojtje, bashkëpunimi ka vazhduar me të njëjtin intensitet edhe në operacionet e udhëhequra nga NATO, në të cilat Shqipëria ka filluar të kontribuojë që në vitin 2003, me dërgimin e trupave shqiptare në Afganistan, apo edhe më herët, në 1996-ën në Bosnjë-Hercegovinë.

 

Në kuadër të Planit të Anëtarësimit, Shqipëria ka hartuar edhe planin reformues dhe afate kohore për t’i bërë ato në çështje kyçe si politika, ushtria, mbrojtja apo siguria. Prioritetet sigurisht që edhe pas anëtarësimit do të vazhdojnë të jenë arritja e standardeve, mbështetja për të luftuar të përhershmin problem të korrupsionit dhe atë në reduktim të krimit të organizuar, reformat në drejtësi, përmirësimi i mëtejshëm i administratës publike dhe promovimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. NATO vazhdon të jetë e pranishme në hartimin reformave, njëjtësisht sa edhe  në ndjekjen e zbatimit të tyre.

 

E me një mbikëqyrje dhe ecuri të tillë, rruga e Shqipërisë nën ombrellën e NATO-s bëhet më e afërt dhe më e sigurt për në Bashkimin Evropian. Gjenerimi i sigurisë do të çojë patjetër më shpejt nga c’mendojnë skeptikët në një strehëz të gatshme për t’iu bashkuar edhe politikisht e për t’u inkurajuar ekonomikisht nga organizmat drejt të cilave Shqipëria aspiron në unanimitet të plotë.

 

 

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në të vërtetë të mirën më të madhe e sjell më pas. Nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera para nesh (Bullgaria dhe Rumania), anëtarësimi në NATO është sinjali më i fortë që tregon derën e hapur të BE-së. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, teksa edhe marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE-në do t’i referohet patjetër ndryshimeve dhe arsyeve që e çuan NATO-n në pranimin e Shqipërisë brenda organizmit të vet. E me një Marrëveshje Stabilizim-Asocimi që ka hynë në fuqi, por mbi të gjitha, me anëtarësimi në NATO, Shqipëria e ka patjetër të sigurtë rrugën për në BE.

 

Entry filed under: Analize. Tags: .

Arsim i keqpërdorur Falsiteti i fushatës

9 Comments Add your own

  • 1. Cyprinodon diabolis  |  04/04/2009 at 00:56

    e ke
    Ç’do të thotë kjo për lexuesin, qytetarin, shqiptarin e thjeshtë?
    ta kishe
    Ç’do të sjelle kjo për qytetarin?

    lexohet
    Nëse Shqipëria sulmohet nesër nga cilido shtet i botës, NATO dërgon këtu trupat e saj për të asgjësuar rrezikun.
    kuptohet
    Nëse Shqipëria sulmohet nesër nga SHBA, NATO dërgon këtu trupat e saj për të asgjësuar rrezikun.

    dhe me gjuhen shqiptare te NATO-s nuk asgjesohet rreziku.

    ti thua
    Anëtarësimi në NATO nuk sjell rritje ekonomike, as rritje pagash, as shtrim rrugësh, ndërtim spitalesh, shkollash, kopshtesh.

    une them
    Anëtarësimi në NATO sjell rritje ekonomike, rritje pagash, shtrim rrugësh, ndërtim spitalesh, shkollash, kopshtesh.

    Ti e ke veshtire te provosh sa ke shkruar, mua do te me duhet te pres sa ato qe kam shkruar te ndodhin.

    deri atehere,
    pune te mbare e shkrime te mira

  • 2. edliragjoni  |  06/04/2009 at 09:43

    Ok, ja t’i shtjellojme nje nga nje ato qe thua:
    e ke
    Ç’do të “thotë” kjo për shqiptarin e thjeshtë?

    ta kishe

    Ç’do të “sjelle” kjo për shqiptarin e thjeshtë?
    PO, do ta zevendesoj domethenien e anetaresimit dhe pritshmerite se c’sjell ajo. Por, vetem pasi shqiptaret te jene informuar se c’fare do te thote ekzaktesisht kjo “ngjarje historike”!

    Me tej me thua:
    “lexohet:
    Nëse Shqipëria sulmohet nesër nga cilido shtet i botës, NATO dërgon këtu trupat e saj për të asgjësuar rrezikun.
    kuptohet
    Nëse Shqipëria sulmohet nesër nga SHBA, NATO dërgon këtu trupat e saj për të asgjësuar rrezikun”

    Nese ti e kupton keshtu, do te thote qe e kam ne rregull radhen e shpjegimit te domethenies, e pastaj hap te dyte ate te pritshmerive une. Me nje njohje fare te vockel te Traktatit dhe ndjekje te logjikes se shkrimit, nuk mund te mos vesh re se hipotezat e sulmit jane per shtetet qe nuk jane anetare te NATO-s.

    Me tej thua:
    “dhe me gjuhen shqiptare te NATO-s nuk asgjesohet rreziku”.
    Cila eshte gjuha shqiptare e NATO-s?! Po shqipja e metaforizuar ben pjese aty?!

    Ne pasazhin e fundit, une them se: Anëtarësimi në NATO nuk sjell rritje ekonomike, as rritje pagash, as shtrim rrugësh, ndërtim spitalesh, shkollash, kopshtesh.

    kurse ti thua se : “Anëtarësimi në NATO sjell rritje ekonomike, rritje pagash, shtrim rrugësh, ndërtim spitalesh, shkollash, kopshtesh”.

    Ok, te lutem me dergo nje e-mail kur trupat apo fondet e para te NATO-s te hidhen ne ndertimin e ndonje rruge. Se per avantazhet jo te drejperdrejta te anetaresimit kam folur vete ne shkrim une. Por per keto te drejperdrejtat, ja, po ulem te pres edhe une.

    Faleminderit per urimin per pune te mbare e shkrime te mira. Shpresoj te jene brenda standarteve te NATO-s.

    Dhe dicka e fundit; kishe harruar te komentoje per thelbin e shkrimit. Gjendet ne titull dhe midis cdo rreshti. Faleminderit per kohen tende per te lexuar kete shkrim te gjate : )

  • 3. Cyprinodon diabolis  |  07/04/2009 at 01:32

    Thelbi I NATO-s eshte berthamor. Thelbi I ngjarjes eshte antaresimi I Shqiperise ne NATO. Thelbi I shkrimit tuaj ashtu si dhe I kolegeve te tjere mbi NATO-n eshte konvencional.

    Pervecse tu tregoja se duhet (ku dhe si) ta konsolidoni shkrimin tuaj nuk kisha ndermend as tu kapja ne fjale e as te debatoja. E nuk po e bej as per komentin e komentit. Me intereson qe ato qe I thoni publikut t’ja thoni sa me mire qe te mundni; respektoj te drejten tuaj per tu shprehur si deshironi.

    A mund te asgjesohet rreziku? Ushtarakisht, asgjesohet armiku, objektivi. Rreziku themi se shmanget. Rreziku eshte gjithmone aty. Pa rrezik s’ka NATO. Ka rrezik – ka NATO.

    Tashme ti po prêt te kete “rritje ekonomike, rritje pagash, shtrim rrugesh,…” kjo lloj pritje a fjali me “mos do te kete rritje …” do te ishte e duhura. Edhe sikur fjaline ta kishe shkruar me kete ton, perseri do te anoja nga optimizmi. Rritja ekonomike shprehet me shifra, eshte e krahasueshme Shqiperia jashte NATO-s me Shqiperine ne NATO. Te presim e ta shohim. Keshtu dhe per rritjen e pagave. Po. Do te kete rritje pagash, por per ata qe puna ju lidhet me NATO-n ne xhep, per te tjeret tek shifra rritje pagash.
    Shtrim rrugesh. Po mjaftohem me nje fakt: Ushtaret franceze te NATO-s ne krizat shqiptare te fundshekullit qe shkoi shtruan nje prej rrugeve ku une kaloja.

  • 4. Hyllin  |  10/04/2009 at 17:23

    ”’Vërtet kemi akoma shumë për të bërë në problemet me minoritetet,””’

    Kete se kuptova, se jo per gje po sillemi me minoritetet tona me mire sesa Franca me minoritetet e saj.

    Ne pergjithesi, nga c’lexova nuk arrita ta kuptoja se pse titulli flet per mit.
    Politika e jashtme shqiptare ka vite qe behet apo miratohet ne Uashigton e vjen nepermjet ambasades amerikane ne Shqiperi, pse shkrimi flet sikur behet ne Tirane ?

    Keto ishin 3 pikat ku skuptova gje, pjesa tjeter ishte mese e qarte.

  • 5. olti  |  12/04/2009 at 23:41

    Faleminderit per shkrimet Edlira🙂
    Do ishte mire qe t’i pubikosh dhe te http://laj.me/ ne menyre qe te lexohen nga sa me shume persona.

  • 6. edliragjoni  |  16/04/2009 at 18:14

    Te sillesh mire me minoritetet, apo “me mire” sesa nje shtet tjeter, eshte pergjithesim qe lejon shume interpretime. Dhe ndaj Shqiperise me teper eshte kerkese me nuanca politike nga ato qe nuk hartohen ne Tirane.
    Ama pervec sigurimit te shkollimit ne gjuhen ame ne zonat ku jane perqendruar minoritetet apo perfaqesimit ne parlament e ne qeveri, Shqiperia ka akoma probleme per shembull me regjistrimin e popullsise rome apo me sigurine baze te tyre.

    Sidoqofte, raporti i progresit te Shqiperise nga BE ne Nentor 2009 ka me shume detaje dhe specifikime.

    Faleminderit per durimin per te me lexuar.
    Edhe ty, Olti : )

  • 7. Hyllin  |  17/04/2009 at 13:50

    ”””Shqiperia ka akoma probleme per shembull me regjistrimin e popullsise rome apo me sigurine baze te tyre.”””

    Shqiperia ka probleme me regjistrimin e gjithe banoreve te Shqiperise, keshtu qe nuk kemi ndonje problem qe lidhet me romet.
    Romet jane me te sigurte ne Shqiperi se ta zeme ne Itali, ku here pas here i zene me shkelma, keshtu qe nuk e shoh se ku qendron problemi.
    Do thoja se ky eshte problem krejt fals qe shquhet si i tille nga retorikeberesit europiane apo filoeuropianet shqiptare.

    ”’Sidoqofte, raporti i progresit te Shqiperise nga BE ne Nentor 2009 ka me shume detaje dhe specifikime.””’

    Nuk e di se c’thote raporti, por di shume mire se Shqiperia sillet me minorancat ku e ku me mire se Franca qe as nuk i njeh fare si ‘minoritete’ e qe ka ne fuqi njefare ‘Tubon law’ te vitit 1994.
    Shqiperia mund te akuzohet vetem pse nuk ushtron me vendosmeri ‘shqiptarizimin e pakicave’ nepemjet shkollave shqipe ashtu sic behet ne vendet europiane.

    Persa i perket perfaqesimit ne parlament dhe qeveri, greke e vllehe ne parlament e qeveri ka pasur perhere, minoritetet e tjera jane te vogla numerikisht ose nuk kane njerez te pergatitur,perndryshe do kishin perfaqesues. Te kujtoj se Mejdani eshte rom Mojsiu cifut,ndersa Majko bullgar me origjine,
    prandaj jane alarme falso. Alarm mund te jete pse ka kaq shume perfaqesues te pakicave ne qeveri e parlament.

    Europa ben mire te na terheqe veshin, por aty ku duhet, si psh pse nuk mbrojme prodhimin vendas nga agresioni ekonomik italo-grek….

  • 8. edliragjoni  |  17/04/2009 at 16:38

    Mire, mire, po kur te kesh kohe, hidhu ndonje sy dokumentave e raporteve.

  • 9. Hyllin  |  17/04/2009 at 18:13

    Eh eshte shume e thjeshte e thene keshtu, hidhu nje sy dokumentave e raporteve. Realiteti i perjetuar ka me shume vlere sesa dokumentat e raportet mbi realitetin, sidoqofte ti meqe ke afersi me keto burime te se vertetes, mund te sjellesh ndonje paragraf per te mbeshtetur pohimin tend.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2009
M T W T F S S
« Mar   May »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  

%d bloggers like this: