Falsiteti i fushatës

16/04/2009 at 18:20 2 comments

Berisha në Baldushk, Rama në “republikën” e Lazaratit. Kryeministri flet për rrugët e reja, kryeopozitari për “taksat” e padrejta të votës nëpërmjet pagesës për kartat e identitetit.

M’u duk improvizim i paarrirë i gjithë inskenimi politik dhe përtacia zbardhëse mediatike që ndesha në të parin edicion lajmesh sapo shkela në Shqipëri. Gjithçka rrotullohet rreth vizitave fushatore që bëjnë politikanët, që nga kryetari i qeverisë e deri tek nëndrejtorët e drejtorive nëpër ministri, që janë mobilizuar kaq rëndë në fushatë.

Rrugës nga Rinasi syrit i doli kaq shumë punë, sa mendja nuk po e përballonte dot skanimin e shpejtë e të gjithfarëllojshëm të asaj çka shihte syri. Oficeri i kontrollit të pasaportave fliste në celular e as vetë nuk e dinte c’shtypte në kompjuterin para tij. Turmat e njerëzve ngjishej pas kordonit ndarës me të. Tre avionë u ulën në harkun e 7 minutave. Bumi i lëvizjes së njerëzve është për t’u çuditur. Të gjithë flasin për politikë.

Jashtë, temperaturës së menjëhershme iu shtua vargu i gjatë i makinave që shoqëronin të sapo-ardhurit. Me siguri kriza ekonomike për të cilën flitet kaq shumë, nuk jep simptoma në këtë pikë.

Rrugës janë hequr zbukurimet e anëtarësimit në NATO, por kanë ngelur flamujt tek “Zogu i Zi”. Rreth tyre, ngjyrat e ndezura të pallateve dhe lartësitë me ulje-ngritje të pallateve, japin përfundimisht goditjen e të menduarit kthjellët. Një makinë e merr kthesën sipër bordurës, edhe pse semafori është vetëm 10 metra më tej. Makinat janë në radhë për gjashtë, edhe pse korsitë janë vetëm dy (një prej të cilave është e zënë me mjete që rrinë me sinjale ndezur dhe pa shofer brenda).

Unazës shiten rroba, karrige, materiale ndërtimi, krevate, karroca. Lokalet kanë nxjerrë jashtë tavolinat që janë plot (pavarësisht sa është ora). Bicikletat kalojnë në trotuar. Aty kalon edhe një çift romësh që shtyjnë një karrocë të madhe me kanace. Aty nxiton edhe një motorr që i bie dhe borisë me të madhe.

Askush nuk kalon tek vizat e bardha. Në çdo metër skanohet një veprim i çuditshëm (për momentin e parë). Meshkujt ecin sërish me peshën nën këmbë e sytë kuturu; femrat rishfaqen me “madhështinë” e trukut të lirë, takat e larta, ecjen gjithë vetëbesim e kotësinë e rëndë sa një gjyle, jo një plumb.

Telefoni fillon sërish të bjerë në mënyrën urdhërore. Fraza vrastare, manipuluese, të pavërteta e të pa-pendueshme përse nuk janë të tilla. Gjithçka funksionon sot për sot. Maksimumi sot për nesër. Edhe njerëzillëku. Edhe politika. Edhe puna. Edhe profesionalizmi.

Gjeta të njëjtët njerëz pa punë, me të njëjtat pamundësi punësimi. Nga lart fushat dukeshin të mbjella vetëm me shtëpi. Asnjë bimë e asnjë e mbjellë asgjëkund. Veç flamujve të NATO-s, asgjë nuk ka mbirë.

Në ekran, përfaqësuesit e opozitës po iu thonë njerëzve të mi në jug e në veri se demokracia është në rrezik nga taksa e votës. Kurse im atë turfullon se është e katërta ditë që lë punën në mes për t’u endur zyrave të Bashkisë e të Tatimeve edhe për të bërë pagesat, jo më për të kërkuar lehtësira për punën e tij.

Në kahun e vet, kryeministri përplaste me sa kishte fuqi gishtin e tij tregues në ajër, lart e poshtë, për të siguruar se në mandatin e ardhshëm, edhe vetë do marrë pjesë në ujitjen e tokave dhe zhvillimin e bujqësisë. Kurse mua më vjen ndër mend lufta publike që u bë në Francë për ndalimin e produkteve të lira bujqësore që importoheshin nga Spanja. Rregullat e BE-së nuk e lejonin Francën të merrte asnjë sanksion ndaj produkteve spanjole. Prandaj veprimi i vetëm që mund të bënte ishte subvencionimi i mëtejshëm i bujqësisë franceze. Ka dekada të tëra që e bën. Dhe vazhdon në të njëjtën rrugë.

Kurse kryeministri im premton ujë për të tërë, edhe pse nafta për bujkun shitet sikur është ar, tregu i brendshëm nuk ka vend për prodhimet e tij (shoqëri konsumeriste me tipare të çuditshme imitimi), eksporti është ëndërr (me gjithë shifrat që deklaron Jemin Gjana, të cilin fshatarët me prodhim të kalbur serave e fushave e shohin gjithë habi).

Po çfarë nënkuptojnë politikanët tanë me politikë? Dhe çfarë presin zgjedhësit shqiptarë nga politika? Këtë nuk e merr vesh dot kollaj duke ndjekur edicionet e lajmeve në televizionet tona kombëtare e ndërkombëtare, që bredhin fshatrave me miqtë e tyre politikanë, e shkojnë pas e ikin para tyre nga “zona e lajmit”. Jo. Këtë nuk mund ta marrësh vesh as nga bisedat e stërgjata në çdo studio e pseudo-studio në Tiranë. Nuk e merr dot vesh, sepse askush nuk e thotë kurrë.

E tek lexoja përkufizimin e Fukuyamës në “Dimensionet e munguara të shtetit”, kërkoja ngjashmërinë që mund të kishte politika në Shqipëri me përcaktimin ndaj rolit të politikës në përgjithësi. Ky rol është “të zbusë fuqinë e shtetit, ta drejtojë aktivitetin e tij drejt objektivave të gjykuara të ligjshme nga qytetarët të cilëve u shërben, dhe të rregullojë ushtrimin e fuqisë nën sundimin e ligjit”.

Të zbusë fuqinë e shtetit. Pra, në terma ekonomikë, të forcojë pozitën e sektorit privat, kurse në terma ligjorë, të perfeksionojë zbatueshmërinë e ligjit, jo të dhunës apo të forcës.

E ç’kuptojnë njerëzit në Baldushk apo në Lazarat me këto terma? E ç’iu duhet atyre ç’mendim kanë për njëri-tjetrin Rama e Berisha? Vetëm ata të dy dhe politikë-bërësit tanë të mençëm e dinë.

Akoma vazhdon të flitet pa program, pa pika, pa plan veprimi, pa asnjë strategji të vërtetë. Zgjedhjet e lira janë vërtet gur themeli për një demokraci; por të njëjtën rëndësi ka edhe politikë-bërja në njërën anë dhe burimet e afta njerëzore për të hartuar, zbatuar, respektuar e jetuar në një demokraci në anën tjetër.

Me sa vazhdon të duket nga ekrani, shëtitjet demagogjike nëpër Shqipëri nuk reflektojnë përkufizimin e së parës; dhe njerëzit që vrasin kohën rrugëve, administrata me taka e më vështrime të humbura, nuk mishërojnë aspak përkufizimin e së dytës.

Pra? Pra në Baldushk duhet thënë sa dhe si do të nxitet bujqësia, arsimi, punësia dhe infrastruktura rrugore; e në Lazarat duhet thënë si do të zëvendësohet imazhi i hashashit me atë të një fshati që mbjell bimë bujqësore apo foragjere, i tëri i ndihmuar dhe nxitur nga shteti. A bëhen dot këto? Nëse jo, të paktën të vihet në funksionim ligji i transmetimeve televizive e të kemi vetëm dy apo tre stacione në qarkullim, se është e pamundur ta vrasësh syrin kaq shpesh me zëra, fytyra e njerëz të dështuar.

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Miti i NATO-s Në kërkim të cilësisë arsimore

2 Comments Add your own

  • 1. errorful  |  17/04/2009 at 13:28

    😛
    Hajt se te gjitheve ashtu na duket kur vijme nga jashte shtetit😛
    Ai perkufizimi i influences se politikes mbi shtetin ishte shume interesant🙂
    nice to read u back !

  • 2. edliragjoni  |  17/04/2009 at 16:37

    Nice to see you reading me too🙂 There were no errors round there….so I kinda missed my dear mistakes😀

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2009
M T W T F S S
« Mar   May »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  

%d bloggers like this: