Nepotizmi gjenetik

04/05/2009 at 15:43 9 comments

Nuk është fjala vetëm për dy apo më shumë persona me lidhje gjaku nën të njëjtin institucion punëdhënës; është fjala për një kuptim më të gjerë të fjalës “nepotizëm”, që duket sikur është pjesë gjenetike e shqiptarëve. Nepotizëm konsiderohet edhe favorizimi në punë e jashtë saj i miqve, familjarëve të njohurve dhe të afërmve, pa marrë parasysh meritat jo-njohëse për të cilat bëhet ky favorizim.

 Për një vend te ri pune nuk janë të mjaftueshme kualifikimet brenda apo jashtë Shqipërisë. Duhet patjetër të njohësh dikë, të jesh i referuar nga dikush, të kesh një pikë ndërlidhëse kontakti, përndryshe asnjë derë nuk do të hapet (përveç rasteve të pseudo-intervistave që bëhen rëndom për dokumentim).

 Nëse të duhet një licencë për të hapur, shtuar, ndryshuar apo tjetërsuar profilin e një Universiteti, s’është fare e nevojshme të kesh krijuar traditë (kur?), të kesh cilësi (kontrolluar nga kush?) apo të kërkosh ndryshimet në varësi të kërkesës në treg. Jo. Mjafton (madje është e detyrueshme) të njohësh dikë diku me rëndësi që licenca të vijë brenda ditës, akreditimi pas saj e kështu me radhë.

 Po edhe në të tjera nivele; për të marrë një dokument në cilëndo zyrë të administratës publike, duhet të presësh deri sa t’i mbushet mendja titullarit; ose mund ta marrësh në dorë nëse e njeh atë, e akoma më mirë, mbaron punë brenda pak minutave nëse pagesa bëhet më e sofistikuar.

 Praktika është e njëjtë që nga nivelet më të larta të vendimmarrjes, deri tek rojet e godinave që kërkojnë favor financiar për të të lejuar të parkosh makinën para institucioneve bosh, ku realisht ata paguhen.

 A është nepotizmi pjesë e kulturës post-komuniste, apo është pjesë gjenetike e shqiptarëve? Sjelljen tonë në punë e kushtëzojnë një sërë faktorësh që pak varen nga aftësitë profesionale. Madje në shumë raste, aftësitë profesionale nuk kanë fare të bëjnë me tipet e shërbimeve që kërkohen në një vend pune. Situata bëhet më shumë alarmante për studentët që kanë mësuar apo studiuar jashtë, e në një farë mënyre, janë përshtatur me tjetër ritëm e mënyra pune.

 Por, Shqipëria është ndryshe. Duhet patjetër të kesh rrjetin e të njohurve, nëse do të çash në tregun e punës; e nëse njeh personin e duhur, nuk të duhet madje asnjë lloj diplome, e jo më të jetë e përjashtme, që të sigurosh një vend të mirë. Por, kjo nuk është e gjitha. Kurset, artikujt e librat e pafund që gjenden në perëndim për të të mësuar se “si ta kthesh një intervistë në një vend pune”, këtu nuk njihen fare. Ose janë pika të thjeshta referimi që bëhen vetëm formalisht, pasi vendi i punës është tashmë i zënë.

 Po sa ndikon nepotizmi në cilësinë profesionale dhe në produktet e punës? Po qe se ndikimi është i papërfillshëm, atëherë kompanitë dhe qeveritë e suksesshme nuk do të shqetësoheshin shumë prej tij; por, përderisa në perëndim ai shihet si një pikë e madhe ngërçi, një hall e kanë që e kanë bërë të jashtëligjshëm. Edhe në Shqipëri është bërë një lëvizje e tillë ligjore. E vërtetë. Ama nepotizmi duket sikur rrjedh në dejet e secilit prej nesh. E pavarësisht statusit shoqëror apo përgatitjes akademike, të gjithë biem pre e këtij nepotizmi frymëmarrës dhjetëra herë në ditë.

 Është e vështirë të gjesh punë, është e vështirë edhe ta mbash një vend pune, është shumë e vështirë të çash në tregun e shërbimeve, është pothuajse e pamundur të depërtosh brenda klaneve, është lodhshëm e papranueshme t’u bindesh tekave që mund të rrjedhin çdo ditë e çdo orë në punë, duke qenë të kërcënuar jo nga pa-aftësia, por nga nepotizmi favorizues që rrethon etikën e punës në Shqipëri.

 Si mund të ecë përpara funksionimi i ekonomisë, politikës, shoqërisë, qytetarisë, ndjenjës së përgjegjësisë që mban në këmbë zhvillimin, nëse nepotizmi (dhe karakteristikat zhvlerësuese të tij, si neglizhimi në punë, pa-aftësia, mungesa e transparencës, mungesa totale e përgjegjësisë, etj, etj), do të vazhdojë të mbretërojë në të përditshmen tonë?

 Unë e shikoj shumë të vështirë dhe të largët ndryshimin pozitiv në këtë shoqëri ku edhe puna, edhe vendi në shoqëri zihet me favorizime, me interesa të ngushta e të atypëratyshme.

 Ishte e dyzuar ndjesia që provova sot kur një e huaj që ka vendosur të punojë përfundimisht në Shqipëri, nuk arrinte dot të kuptonte mënyrën e funksionimit për të punësuar, mbajtur apo pushuar stafin nga puna. Po aq dyzuar u ndjeva për të disatën herë kur m’u desh të telefonoja një listë të gjatë me 45 njerëz e të shfrytëzoja njohjet për t’i bindur që të marrin pjesë në një aktivitet. Ashtu si edhe pjesëmarrja ime, kontributi ishte për një shërbim të përbashkët në të mirën e të gjithëve, por, pak-kush u përgjigj, nëse nuk e dinte nga kush po vinte ftesa dhe cili ishte interesi financiar që nxirrte pjesëmarrja në aktivitet.

 Nepotizimi është favorizim. E nëse në Shqipëri nuk je në një vend pune për hir të tij, rrezikon të jesh pre e presioneve e shantazheve, deri sa besimi tek vetvetja të shkojë në zero, e ti vetë të detyrohesh të gjurmosh brenda rrjetit apo klanit, për të krijuar lidhjet nepotike. Në të kundërt, është e humbur aftësia për të mbijetuar në përditshmërinë shqiptare.

 Nepotizmi është shkatërruesi më i madh i vlerave individuale. Ama ai është mbreti i tregut, shoqërisë, ekonomisë dhe politikës në Shqipëri. Për fatin e keq të të gjithëve.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Në kërkim të cilësisë arsimore Iku dhe Vlora…!

9 Comments Add your own

  • 1. errorful  |  05/05/2009 at 10:37

    ncqqqq
    si fillim, ti e ke mire, por dhe une e kam mire😛
    nepotizmi fle dhe neper kompani te medha ne bote. Une ta siguroj kete me firme dhe vule. Me burra qe marrin grate ke puna e vet, me gra qe marrin kalamajt ke puna e vet, me te pashkolluar qe hane qyl ne vende pune ku mund te kishte njerez me te kualifikuar. Sidomos ne vendet “sociale” te BE ku niveli i injorances i popullsise vendase te plakur e te dhjamur rritet dita dites fale mireqenies dhjetravjecare:) Rrjeti i njohjeve te hap dyert ne te gjithe boten, ndaj mos ta genjejme veten se “merita” eshte harruar vetem nga shqiptaret. Dhe ne duke qene nje vend kaq i vogel, me marredhenie fisnore ende te forta, as qe diskutohet qe do ta kemi nepotizmin bashkeshoqerues edhe per shume kohe akoma. Shansi ne jete, nuk vjen prej merites. Shansin ta krijojne rrethanat, dhe nje nga rrethanat me te mira jane lidhjet dhe njohjet. Diferenca eshte pastaj, cka ben me shansin. Ketu ndahet mileti i keq shqiptar, nga mileti truderr perendimor. Sepse nese ne rastin me te keq mileti perendimor rri aty dhe ha buken kot pa e shfrytezuar shume shansin. Kurse mileti shqiptar, e shfrytezon shansin gabim, duke mos i lene kusur, duke vjedhur, duke prishur, duke i cuar gjerat prapa ne vend qe ti coje perpara. Shkurt, nepotizmi do jete aty, perhere ! Fale tij do ti hapen njerezve dyert. Ama, duhet me u perpjek qe sistemi te kete mekanizma kontrolli, qe pasi dera te hapet, njerezit te funksionojne sipas rregullave te sistemit, te jene hallka te integruara te tij, dhe demi qe ata mund te bejne te minimizohet ne maksimum.
    Si bohet kjo ?
    Ku di gje une …😛 😛
    Une rri ngrofem ne diell dhe ja kepus ndonje budallalleku🙂

  • 2. edliragjoni  |  05/05/2009 at 15:30

    I kape edhe ti radhet per ta quajtur shkrim. Dhe e cove idene nje hap me pertej.

    E drejte. Ketu fatkeqesia e nepotizmit nuk mbaron tek marrja e vendit te punes, por edhe tek abuzimi e shfytezimi maksimal i saj per qellime perfitimi personale.

    Unfair, yes! But true.

  • 3. errorful  |  05/05/2009 at 22:14

    e coj idene pertej sepse gjithe jeten me kane akuzu per nepotizem, ose thene ne gjuhen e popullit qe “kam fut mik”
    Prandaj kam zhvillu manine e fshehjes dhe te te berit te gjerave vete dhe vetem vete🙂

  • 4. valbona  |  12/05/2009 at 14:03

    Ka shume te drejte parafolesi Edlira, qe nepotizmin nuk e kemi shpikur ne. Te ne eshte vetem me i dukshem se jemi vend i vogel. Shiko organizatat nderkombetare, te gjithe miqte e te afermit e vet punesojne; burri-gruan, gruaja-burrin, shoket e miqte.
    Dikur kam propozuar qe e vetmja zgjidhje per te garantuar cilesi ne universitet, eshte dhenia me koncesion te huajve, sepse vetem per ta nuk ka kuptim lidhja “djali i goces se tezes se burrit” qe te vjen ne tavoline psh per ta kaluar ne provim ose per nje note me shume. Edhe ky eshte nepotizem.

  • 5. edliragjoni  |  12/05/2009 at 14:56

    Po Bona, dhe une per kete nepotizem po flisja me shume se per ate gjenetikun e vertete.

    Eshte goxha e veshtire te pranosh menyren e funksionimit te gjerave ne Shqiperi. Complete disorder😦

  • 6. errorful  |  12/05/2009 at 15:25

    “Parafolesi” – Gjinia default ‘mashkull”.

  • 7. edliragjoni  |  12/05/2009 at 16:52

    Ngaterrese e kuptueshme. Errorful mund te ishte edhe gjinia asnjeanese : ), por ne kete rast eshte gjinia e bukur femerore.🙂

  • 8. errorful  |  12/05/2009 at 19:41

    Po po gjinia femerore ose thene ndryshe “seksi i dobet” :p
    Tamam, se, shume dobet kemi qene vertet kohet e fundit😛

  • 9. errorful  |  12/05/2009 at 19:43

    upss
    me fal, harrova fare qe ky eshte blog serioz😦
    kshu eshte kur flet goja para mendjes …
    fshiji please and sorry again

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2009
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: