Iku dhe Vlora…!

12/05/2009 at 15:07 2 comments

Vlora m’u dhimbs kaq shumë herën e fundit që shkova, sa nuk po e marr dot më guximin të shkoj prapë. Jo vetëm pse palmat janë prerë që në hyrje të saj; as pse bulevardi kryesor vazhdon të jetë i shqyer njëlloj si çdo pëllëmbë tjetër e saj. Jo.

 Ç’më theri më shumë në zemër është fatkeqësia që ka mbirë mbi Vlorë mu në kalanë e saj. Masa të frikshme dhe të shëmtuara betoni kanë nxjerrë kokën sipër njëra tjetrës mbi kalanë masive shkëmbore sapo kalon Ujin e Ftohtë. Pallatet po mbijnë mu buzë xhades kryesore (e vetmja që të çon më përtej në jug nga ky kah). Ish vila qeveritare është rrethuar më një mur betoni më të lartë e më të frikshëm sesa teli me gjemba që ishin mësuar të më shihnin sytë deri në klasë të pestë. Në këtë segment, rruga është hapur, copëtuar, gërmuar, ciktosur e shkatërruar pa fe. Makina të stwrmëdha kalojnë mbi të, duke mbartur mbi vete shufra hekuri pa fund.

 Betonieret janë renditur me padurim. Trafiku është i padurueshëm. Rruga është ngushtuar aq shumë, sa po t’i shtosh edhe mosfunksionimin e gjoja semaforit që kanë vënë në dy kahet e katrahurës, rruga e vetme e daljes është ajo që bie thikë në det.

 Që nga pika e “Distriktit detar” deri tek hotel “Nimfa”, xhadia e shtruar vetëm pak vjet më parë, është shqepur e tëra. Mezi është fituar ajo copë rrugë, duke mbushur detin, sepse shkëmbi nuk gërmohej dot. E nëse aty gjithmonë më është dukur sikur ai masiv shkëmbi do binte mbi kokën time sa herë kaloja poshtë tij, këtë radhë frika m’u duk edhe më e madhe.

 Mu sipër shkëmbit, njëri pas tjetrit kanë hapur kamaren gropa të tmerrshme ndërtimore. Ngjitur njëri më tjetrin kanë filluar të mbijnë në sipërfaqe pallate e ndërtime që duken sikur i kanë shpallur garë njëri-tjetrit se kush do jetë më i shëmtuar. Ca me forma kullash, ca me cepa, ca me katrorë, ca të rrumbullakët, të tjerë pa asnjë formë, me katër kate, gjashtë, nëntë, dy, të kuq, blu, rozë, lejla, të verdhë, portokalli e fortë…të gjithë mbi shkëmb…mbi kokën time.

 Më frikësojnë pa masë. Më acarojnë deri në dhimbje. Kjo pjesë e kalasë krenare është shqyer e tëra nga betonieret. Në një cep shkëmbi kanë ngjitur një tabelë të shëmtuar po aq sa gërryerjet: “ Kompleks banimi elitare”. Elitare? Pse s’bie një tërmet në kala! Të sistemojë kuptimin e fjalës ‘elitë”!

 Rruga për në Radhimë vazhdon e njëjtë. Edhe aty ka pallate e gropa që thithin natyrën.

Vlora po shndërrohet në Golem. Qyteti ashtu është, por edhe vija bregdetare e gjirit po pëson të njëjtin fat. Por Golemi e ka sipërfaqen të sheshtë, dhe shëmtitë fshehin njëra-tjetrën. Kurse bregdeti i gjirit të Vlorës është i tëri kodrinë. Të gjitha shëmtitë do duken aq agresive dhe të pashpirta sa do të ndërtohen.

 Kodrina që dikur kanë qenë të mbjella me ullinj dhe agrume. Sot po mbillen me beton të shëmtuar tërë cepa e ngjyra.

 Kaq të fiksuar të jenë bërë njerëzit pas lekut, sa duan të pasurohen se s’bën brenda natës pa pyetur se ç’do lënë pas? Pa asnjë dyshim që po.

 Pushuesit po ikin nga batërdia e Golemit, sepse duan hapësirë dhe pastërti. Terreni i vështirë ndërtimor e kishte shpëtuar gjirin e Vlorës nga batërdia. Por jo më.

 Gjithë ato pallate mbi shkëmb (pse jo vila të vogla xhanëm?); asnjë rrugë, asnjë parkim.

Vetëm beton e hyrje për të shitur. Hyrje elitare. Që do t’iu derdhen mbeturinat në detin jeshil. E aty do lahen vetë. Tubacionet e qytetit nuk shkojnë deri në atë zonë. Ku do derdhen ujërat e zeza?

 Investimet mbi shkëmb janë private. Ato në rrugë, shtetërore, e rruga gjysmë metri midis pallateve nuk hyn.

 Po përse po ndërtohen këto pallate? Çfarë përfitimi ka qyteti im nga kjo batërdi? Pse nuk ka një plan për këtë zonë? Përse dreqin po e shtyni poshtë e më poshtë sëmundjen shkatërruese të betonit? Do bëhet i gjithë bregdeti beton sepse kështu duan një grusht njerëzish? Po janë edhe një masë tjetër e tërë që NUK do që kjo zonë të batërdohet. Po Bashkia e Orikumit nuk do të jetë Shën Mëria e ndërtimeve që të durojë gjatë pa imituar simotrat. Po pse? Pse? Pse?

Doja të vija në zyrën e kryetarit të Bashkisë së qytetit tim t’i kërkoja llogari. Por unë jam vetëm një qytetare. E madje as e Vlorës jo më. Kam ardhur me gjithë dokumentacion në kryeqytetin e betonit. Ama shpëtimin e gjeja në fundjavat e mia në Vlorë. Jo më. E nuk ka asnjë shans, sepse betoni qenka më keq se grami.

 Pra, individualisht kryetarit të Bashkisë së Vlorës nuk i kërkoj dot llogari. Kërkova ta bëj në grup me miqtë e mi të medias, të politikës e të shoqërisë civile. Hiç. Asnjëri nuk ka besim se mund të bëhet gjë. Lejet e ndërtimit tashmë kanë marrë udhën nëpër kala.

E s’ka për të ndalur kurrë rrugëtimi i betonit deri sa e gjithë natyra e gjirit të japë shpirt.

 Po pse dreqin e keni marrë me kaq zell shkatërrimin e Vlorës? Kur do të zemërohet edhe ajo dreq kala që e keni shqyer aq pa shpirt?

 Kur fëmijë shkulnim ndonjë kokërr kumbull apo pjeshkë të pabërë, gjyshi na “godiste” me gishtin tregues mbi tëmth: “Mos, se edhe pema ka jetë”.

 Kurse po të shihte ndonjë ngarkesë drush që zbriste nga Llogoraja, thoshte më zë të mekur: “Do të zërë topi i Qores nënvete”. Qorja është maja më e lartë e Cikës. Prej saj nisen ortekët e dëborës, që gjyshi iu thoshte “top”. E po të mos kenë pemë përpara që t’iu presin rrugën, ortekët e gjenin vetë fundin, xhades ku kalonin makinat me dru.

 Kalaja nuk është më ndryshe. Relievi i saj i thepisur është rregulluar prej shekujsh ashtu. Por me gërryerjen e tij, edhe kalaja do e gjejë momentin e hakmarrjes së saj.

 Natyra është vërtet më e fortë se njeriu. Dhe mua nuk do më vijë keq ta shoh të vërtetuar këtë në ndërtimet e shëmtuara e pa shpirt përgjatë gjirit të Vlorës.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Nepotizmi gjenetik Vota pezull

2 Comments Add your own

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2009
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: