Merituesi i votës

26/05/2009 at 19:15 2 comments

 Vota ime vazhdon të mbetet pezull. Këtë radhë nuk e kam më për partitë dilemën time. Ajo do të vazhdojë të  jetë e tillë edhe për disa zgjedhje të tjera. E pavarësisht se me sistemin e ri zgjedhor unë do të votoj kundër dëshirës sime për subjektin elektoral dhe jo për individin,  sërish vazhdoj të anoj drejt idesë se duhet të votoj, pavarësisht se sa e vështirë do të jetë të përcaktoj se për kë. Pra, më mirë në votim, sesa  pasivë në këto zgjedhje.

Javën e kaluar u rreka të shpjegoj se vota ime ka mbetur pezull për shkak të ngjashmërive jo fort të mira që kanë dy partitë kryesore me njëra tjetrën. Ato gjenden fare lehtë në mënyrën se si prezantohen duke sharë kundërshtarët, se si thurin lavde me demagogji dhe se si të dy palët janë mbretërit absurdë të manipulimit e abuzimit me aftësitë e elektoratit për të dëgjuar, kuptuar apo parë se çfarë ndodh.

Këtë radhë shqetësimi im shkon pak më tutje; tek emrat dhe individët që partitë kanë nxjerrë në shesh të mejdanit, fillimisht për të më kërkuar votën, e më pas për të miratuar në parlament ligje që do të prekin të përditshmen time.

Sigurisht që emri që do të më “detyrojë” të hedh votën në favor të subjektit të tij elektoral nuk është e thënë të jetë patjetër në gjirin e dy partive të mëdha. Po e keqja është se edhe këto të voglat iu ngjajnë si pika uji në miniaturë forcave mëma. Vetëm fytyrat ndryshojnë. Me raste.

A e meriton votën time një njeri që ka gati 20 vjet që vendos për mua? Po të marrësh parasysh kilometrat e vërtetë të rrugëve që janë shtruar (jo ato që pretendon mesazhi shpërndarë në 2 milionë abonentë); po të konsiderosh edhe hapat e dokumentuar dhe të dukshëm të progresit të Shqipërisë, investimet, anëtarësimet dhe ambiciet e afërta, po të shohësh edhe frymën e shkëmbimeve të shpeshta diplomatike, me gjak të  ftohtë do thoja “Po”.

Por, po të marr parasysh manipulimet e hapura me rezultatet, kundërshtitë kokëforta  për të pranuar realitetin e rritjes ekonomike, vështirësitë e pashoqe në gjetjen e një pune për të sapo-diplomuarit edhe në Universitetin shtetëror; zhdukjen e meritokracisë;  shpërfilljen e opinionit publik e fyerjen që i bëhet atij duke i nxjerrë në fushatë si aleatin kryesor një ish-ministër të dorëhequr, nën hetim e me çështje të hapur për hedhjen në erë të 26 njerëzve; po të kem parasysh dëshirën e fortë të treguar publikisht për të vënë nën kontroll institucionet e drejtësisë; e po të shoh se raportet e ndërkombëtarëve interpretohen sipas qejfit edhe kur ato janë qartësisht paralajmëruese; atëherë sigurisht që tërhiqem nga  vendimi për ta hedhur votën pro oligopoleve të politikës.

Nga krahu tjetër, duke parë shpurën e njerëzve që respektoj për sfondin e tyre akademik të rreshtuar nën të majtën, më vjen mirë t’i shoh ata njerëz të vendosin për ligjet e shtetit ku jetoj. Por, tek mendoj se në listën e partisë që ata aderojnë ka edhe aktorë kinemaje që nuk i shoh dot përtej aftësisë së tyre të ekranit; tek shoh katapultime rastësore, preferenca personale, turmë ndërtuesish e biznesmenësh në radhë për të hyrë në parlament, e për me tepër, po të marr në konsideratë shenjat e qarta të dëshirës për të mbajtur gjithçka nën kontroll brenda të majtës, trembem më shumë nga ç’e mendoj, e as që më shkon ndër mend ta shpërdoroj me duart e mia votën time.

Të rinjtë po përdoren. Të vjetrit e ndarë kanë interesa thellësisht rë ngushta. Të majtët të përçarë, të djathtët surrealistë. Atëherë ku është fshehur ai imazh që është çelësi i votës sime? Sigurisht po e kërkoj tek ndonjë imazh, edhe pse vota do t’i shkojë fatkeqësisht partisë apo subjektit që ai përfaqëson.

Unë do t’ia jepja një te riu. Por të rinjtë kanë treguar papjekuri. Do t’ia jepja një femre. Por ato janë mjeshtre në përçmim, arrogancë dhe pa-aftësi. Do t’ia jepja një politikani me përvojë; por ata janë thellësisht dhelparakë dhe nuk mundem t’i lejoj të më drejtojnë më. Do t’ia jepja një politikani të matur; ata janë zhdukur, transformuar, këputur, bashkuar e ribashkuar me partinë mëmë apo risitë e pjella prej saj në kohë zhgënjimesh.

Do t’ia jepja një teknicieni të mirë; e të tillë ka shumë pak në listat emërore. Edhe ata që janë, shumë poshtë janë renditur në qarqet ku u ka rënë llotaria.

Po, do më pëlqente të shihja sa më shumë teknicienë në parlamentin e ardhshëm. Njerëz që njohin fushën e tyre mirë. Jo demagogë, por juristë. Jo mashtrues, por ekonomistë; jo manipulues, por inxhinierë, fizikantë, matematicienë apo njohës të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare e shkencave politike. Po, në fakt do më pëlqente që vota ime të shkonte për njohës të mirë të politikës. Aktualisht edhe nga ata ka shumë pak në qarkullim. Po aty le të shkojë; tek teknicieni që do kërkojë investim për zhvillim, dhe tek politikani i sprovuar dhe njohës i mirë i funksionimi të politikës, në mënyrë që të orientojë rrugën nga do të kalojnë ligjet e hartuara mire teknikisht.

Por, me gjithë respektin e madh, ligjet nuk i lë dot për miratim në dorën e aktorëve; as të spikereve të lajmeve, as të njerëzve që nuk artikulojnë dot mendimin e tyre, e jo më të mendojnë në mënyrë vizionare për të ardhmen e vendit tim.

Do të votoj për dikë që e meriton votën time. Dhe pretendoj të më shpërblehet në vlerë. Deri tani nuk ka ndodhur, por Shqipëria përpara po bën. Prandaj shpresoj që në 29 Qershor, të mos jem penduar për fletën time të votimit, që do jetë e tëra për një Shqipëri të çliruar nga Un-et, përçartjet individuale, ndjesitë e të qenit Zot prej kandidateve për deputetet, apo nga mania e drejtimit prej artistëve me ambicie pushteti më të madhe se talenti.

Vota duhet merituar. Si shumëkush në moshën apo rrethin tim shoqëror, unë pres që dikush të më tregojë se e meriton atë.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Shpërfillja zyrtare e ligjit Pushimet e majta

2 Comments Add your own

  • 1. errorful  |  26/05/2009 at 19:41

    Voto per mua pra🙂

    Po sikur s’me mbushet mendja, qe ty do te te mbushet mendja gjer ne 28 qershor, Se ca do ndodhi per 1 muaj ??? Asgje!

    Ti e ke ndare mendjen dhe po perpiqesh te na e sjellesh rrotull kot🙂

  • 2. edliragjoni  |  27/05/2009 at 08:17

    Ku e ke vene emrin ti? Se s’do rri te lexoj listat e 54 partive une : P

    Mendjen e kam ndare vertet, por nuk dallohet akoma. Thjesht sepse do te shkoje per nje grupim qe akoma eshte ne minorance; si deshira ime per t’i pare gjerat vertet ndryshe dhe te strukturuara🙂

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2009
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: