Pushimet e majta

29/05/2009 at 12:24 Leave a comment

Unë jam e bindur që në 28 Qershor fiton e djathta. Në asnjë moment nuk kam pasur fatin ta vë në dyshim këtë bindje. Përkundrazi. Çdo ditë fushate, çdo metër drejt Kalimashit e çdo betejë e fituar televizive, më jep të drejtë në konstatimin tim. 

Kurse dje, nje kolegu im gjakftohtë dhe racional, që vjen nga një qëndrim shumë i gjatë jashtë, tregoi të njëjtën forcë bindëse si unë; veçse fituesja e tij është e majta. Ai këmbëngul në 51 % me gjithë LSI-në. 

Mbase ka të drejtë. Dhe mund ta besoja po të nisesha nga dëshira e shumë shqiptarëve për të mos e parë edhe katër vjet të tjera në pushtet Sali Berishën; apo nga elektorati më i prirur për të shkuar në kutitë e votimit që ka e majta në tërësi. 

Por, në krahun tjetër, unë nuk shoh shumë shqiptarë të tjerë nga ata që njoh që të kenë dëshirë të votojnë për karakterin thellësisht kontrollues të Edi Ramës; apo që në rastin më të  keq, të injorojnë faktin se jeta e tyre vërtet është përmirësuar që nga viti 2005.

“Ka një problem, me thote i njohur im. – Rrogat vërtet mund të jenë rritur, por janë rritur rrogat e sektorit shtetëror. Kaq ka meritë qeveria. Dhe sektori shtetëror ka një përqindje të vogël të punësuarish në administratë, në krahasim me numrin e të punësuarve gjithsej në Shqipëri.”

Mirë, por  PD-ja ka meritën se prej saj Shqipëria tashmë është në NATO. Ah, ka nisur me kohë procesi dhe nuk është meritë e Berishës, se në mos një ditë, një tjetër anëtarësimi do të ndodhte? Atëherë as për liberalizimin e vizave nuk ka rëndësi kush vjen në pushtet, sepse cilido kah që të jetë, rruga e lirë për në BE është tashmë e planifikuar dhe do të ndodhë patjetër një ditë.

Çështja është, kush e meriton të jetë në krye kur ajo të ndodhë?

Kalvari i vështirësive për të gjetur fituesin merituar tek palët vazhdon e thellohet përditë. Atëherë analiza kalon në kahun e kundërt: Cili prej të dyve do t’i bënte më pak dëm Shqipërisë?

Po të vijë edhe një herë në pushtet Sali Berisha, do ta marrë të mirëqenë faktin se e meriton t’i vazhdojë gjërat nga këtu ku i ka, duke ecur i sigurt e me kokën përpjetë në injorimin e ngjarjes në Gërdec, në shkeljen e hapur të parimeve të moralit të drejtësisë, teksa shpall hapur si mbështetësin e tij kryesor një ministër të dorëhequr pikërisht për atë moment të dështimit të shtetit; për të vazhduar zgjerimin e pushtetit të tij në të gjitha institucionet; për të thelluar hendekun me presidentin; për të shpërfillur nevojat imediate të shtetasve të vet duke u përqendruar në investimet që tejkalojnë çdo imagjinatë; për të personalizuar gjithçka, përfshirë median dhe mendimin e lirë.

Po Edi Rama? Do të bënte të gjitha të mësipërmet; plus edhe ndonjë xhiro më shumë deri në Bruksel.

Nëse në pushtet ngelet e djathta, e majta do të shpërbëhet si zogjtë e korbit. Edhe tani ajo është e shpërndarë dhe i mungon boshti i bashkimit. Ky bosht nuk është e thënë të jetë një njeri, por edhe një bashkim njerëzish, që do ta bënin të majtën fituese më bindshëm dhe më me meritë.

Por, në këto kushte, kur e majta shfaqet vetëm me emra preferencash nga kryetari, e ai vetë zgjedh të mos përballet, situata brenda të majtës nuk mund të duket veçse surreale (sic bënte dikur një udhëheqës famëkeq shqiptar, që s’mori kurrë pjesë në asnjë votim, por gjithmonë u zgjodh në krye).

E majta e sotme është e përqendruar tek gabimet e Berishës, tek Gërdeci dhe tek mbishpenzimet e rrugës Durrës – Kukës. Por, debatet televizive të përfaqësuesve të saj janë vazhdimisht në humbje, sepse qëndrimi i tyre është shumë i përgjithshëm dhe larg opinionit zyrtar. Berisha nuk mund të quhet i dështuar sepse ashtu i teket të majtës të bërtasë. Jo. Ai i ka të vërteta shumicën dërrmuese të shifrave dhe fakteve që thotë. C’ka duhet të bëjë e majta, është të gërmojë tek ato që NUK thotë Berisha, e aty ta kërkojnë dështimin.

Rasti i Gërdecit nuk mund të fitojë kurrë asnjë pikë nëse përmendet thjesht si kazus e si emër. Shpërthimi i tij duhet argumentuar nga specialistët e sigurisë, mbrojtjes dhe funksionimit të shtetit ligjor të Partisë Socialiste. E nëse ajo ka specialistë të tillë, mirë është të nxjerrë ata në ekran, e jo të përfaqësohet me “energjinë” e pa kategorizuar të njerëzve ndaj të cilëve mund të ketë afeksion politik kryetari.

Gërdeci është shenjë e gjallë e shtetit të dobët. Fushata elektorale e ministrit të dorëhequr për të vetëm dy vjet pas ngjarjes është shumë i rëndë si rast, e nuk duhet kaluar lehtë, si shembull që i jepet shkeljes me të dyja këmbët të moralit dhe respektit ndaj ligjit dhe drejtësisë. Gërdeci nuk shpërtheu duke punuar arat. E nuk mund të sulmohet si i tillë.

Sa për rrugën Durrës – Kukës, në vend që të sulmohen mbi-shpenzimet, do ishte mirë të dëgjonim nga PS alternativën e saj të kostos dhe planin kohor e financiar që ka ajo për ta çuar deri në fund rrugën nëse do vijë në pushtet.

Për iniciativat e tjera pozitive që ka marrë e djathta, partia socialiste është po aq gabim dhe me pushime të gjata idesh. Pajisja me karta identiteti duhet nxitur çdo sekondë prej saj, sepse nuk janë benefit i asnjërës parti, por i shqiptarëve vetë.

Dhe ngeljet e herëpashershme në klasë për reformat kërkojnë një reagim teknik dhe profesionist që të tregojë bindshëm ku e ka fajin qeveria që Shqipëria ka ngelur akoma mbrapa.

Përsa i përket investimeve dhe reformave, partia socialiste e ka betejën të humbur. Çështja është kur do mbarojnë pushimet e PS-së, se në humbshin edhe Tiranën në lokalet e 2011-ës, atëherë Berisha kot lodhet me fushatat. Dhe shumë mirë e me të drejtë do të pretendojë edhe fronin e perandorit (edhe pse jo ligjërisht).

Do ishte fat për Shqipërinë që të kishte alternativë reale. Por paskeshim qenë të destinuar të qeverisemi vetëm nga teknokratë.

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Merituesi i votës Poshtërimi politik i medias

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2009
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: