Ngjyrat e fushatës

09/06/2009 at 17:56 1 comment

Ngjyrat e fushatës

Si Berisha, ashtu edhe Rama kanë në fokus të tyre fjalën “ndryshim”. Meta është treguar më pragmatist dhe ka vënë “veprimin” në thelb të fushatës së tij për të marrë votat. Pra, e bardhë, e kuqe apo rozë, karamemelja vërtitet rreth “ndryshimit”. Domosdo, është fjalë në modë, qëkurse solli përmbysje edhe në Amerikë.

Në fakt, të djathtët edhe në fushatën e mëparshme kishin ndryshimin në slogan. Dhe mirë bëjnë që ndjekin tendencën masive. Po përse asnjëra palë nuk përdor “përmirësimin” si fjalën kyçe të fushatës? Ndryshimi është më i manipulueshëm si term, prandaj.

Kurse përmirësimi kërkon fakte, shifra e evidenca krahasuese nga pas. Më i vështirë për t’u premtuar dhe akoma më i vështirë për t’u arritur.

 Nga të tria palët, më afër realitetit duken ata që janë në pushtet, dhe kjo nënkupton se gjendjen e di më mirë ai që e qeveris, në rang qendror të djathtët, e në të tjera raste, të majtët që kanë pushtetin lokal. Kurse ata që dalin për shfaqje në ekran, janë më larg realiteteve nga ç’mund të ishin po t’i kushtonin pak kohë edhe verifikimit të ngjarjeve dhe analizës krahasuese mes asaj që thuhet, bëhet dhe ekziston në terren.

Sa shanse kanë Berisha, Rama apo Meta që të fitojë zgjedhjet dhe cili mund të jetë kryeministri i ri vendit pas 28 qershorit?

 Sali Berisha ka më shumë shanse se dy të parët për shumë arsye. Anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për në BE po i shet shtrenjtë si arritje të vetat; të gjitha raportet e ndërkombëtarëve për Shqipërinë i interpreton si t’ia dojë zemra, dhe nuk ka socialist apo opozitar që ta kundërshtojë, edhe pse keq-interpretimet sipas midesë së tij shpesh janë abuzive në kurriz të aftësisë së publikut për të kuptuar; po luan fort me “rrugën e kombit”; ka vënë nën presion të gjitha firmat që ndërtojnë rrugë anembanë Shqipërisë për të mbaruar gjithçka brenda 28 Qershorit; ka aftësinë të thotë ç’do ai, edhe kur nuk do ti; ka një densitet imponues publiciteti vrastar, që edhe pse është manipulues, është sërish shumë i thithshëm dhe bindës për votuesit.

 Edi Rama mund të besojë se ka shanse ngaqë është zgjedhur tre herë në krye të Bashkisë së Tiranës, por kjo është e mira dhe e keqja e tij. Tirana që ai pretendon të ketë shndërruar nuk krahasohet dot kurrë as me Shkupin e me Podgoricën për nga sistemimi, plani rregullues, gjerësia e rrugëve, hapësirat e gjelbra dhe mirë-funksionimi bashkiak; jo më të krahasohet me të tjera kryeqytete, e aq më pak, ta kthejë edhe gjithë Shqipërinë në një shesh me beton ngjyra-ngjyra.

 Demokratët janë më zi në administrimin lokal, pa asnjë dyshim, por edhe qëndrimi i gjatë i Ramës në krye të Bashkisë, e mbi të gjitha, dialogu i stërgjatë dy vjeçar nëpër Shqipëri, ia ka ezauruar reputacionin. Plus, Rama duket vetmitar dhe i parrahur me probleme të tjera jashtë Bashkisë së Tiranës. Rrjedhimisht, ai ka më pak gjasa të imagjinohet si kryeministër.

 Ilir Meta drejton një forcë të tretë. Me gjithë suksesin e imagjinueshëm ose jo që ai mund të arrijë, nuk mund të bëhet dot kryeministër (edhe pse kjo është dëshira e tij më madhore që ditën që e ka kë lënë atë post).

 Për mua kryeministër nuk duhet të jetë asnjëri prej të treve, por meqë po flasim për botën reale, po e vëmë festen sipas kokës.

 Po programet?

 Programet e të tre partive janë qiqra në hell. Fjalë të përgjithshme, të përsëritura, të vakta, me terma evazivë, me mungesë të theksuar qartësie dhe pa asnjë afat kohor të mirë-përcaktuar apo matur.

 Personalisht do shikoja me shumë prioritet arsimin, por jo më një fjalë të vetme. As me libra përmbledhës të fjalimeve të një konference. Jo. Programi duhet të paraqesë qartë edhe nëpër tabela logjike cili është prioriteti brenda arsimit, objektivi, burimet njerëzore në dispozicion, rezultatet e pritshme, treguesit, matësit, rreziqet e identifikuara, mundësitë e shfaqura, dhe sigurisht, afati kohor se kur do të bëhet secila nga ndërhyrjet. Kjo duke filluar që nga përshtatja e mëtejshme e legjislacionit, deri tek decentralizimi, delegimi i kompetencave, investimet publike, rifutja në shina e sistemit universitar, profesionalizmi në tekste, programe, provime, matura, profesione, e me radhë.

 Të gjitha këto duhet të kenë objektivat dhe afate të përcaktuara kohore se kur do të arrihen nga secila forcë. Asnjëra nuk i ka. Njëlloj është edhe me fushat e tjera. Prandaj ajo vazhdon të jetë e njëjtë si përherë, me sharje ndaj kundërshtarëve dhe thirrje për votë pro NATO-s, BE-së apo ndryshimit; sepse ndonjë ofertë më konkrete se këto, për momentin nuk ka.

 Po hartoi ndonjëra program të qartë, të saktë e të vërtetë deri më 28 Qershor, atëherë mbase po, do shohim ç’nënkuptojnë të tria palët me “ndryshim” (që për mua aktualisht  nuk do të thotë asgjë”)

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Poshtërimi politik i medias Sinjali izolues i zgjedhjeve në BE

1 Comment Add your own

  • 1. mondi  |  24/06/2009 at 13:34

    Po ke te bejme kryeminister..?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
June 2009
M T W T F S S
« May   Jul »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: