Sinjali izolues i zgjedhjeve në BE

12/06/2009 at 13:53 2 comments

Europianët votuan për të djathtën. Jo për qendrën apo të djathtën e moderuar, por edhe për të djathtën ekstremiste. Në zgjedhjet e fundjavës së kaluar, shumica e votuesve europianë ndëshkuan me votën e tyre të majtën në  Britani, Spanjë, Hungari, Gjermani, Francë dhe Itali, që nuk po dinë të menaxhojë krizën ekonomike. Të lodhur nga burokracia e tyre, europianët votuan për herë të parë të djathtën ekstreme, frikshëm, pikërisht për politikat e tyre  kundër emigrantëve, kundër zgjerimit të mëtejshëm europian dhe në favor të ngritjes së zërit të shtetit të secilit prej tyre në Bashkimin Europian.

Vota e fundjavës ishte një shuplakë e fortë për frymën e bashkimit që synon të përhapë unioni. Të djathtët ekstremë do të dërgojnë për herë të parë deputetë nga Anglia, Holanda, Austria, Hungaria, Finlanda, Greqia dhe Rumania.

Më keq se kudo, zgjedhjet shkuan në Angli. Me një epërsi të dukshme të konservatorëve dhe popullaritet gjithnjë në rënie të laburistëve, Partia Nacionaliste Britanike për herë të parë në historinë e ekzistencës së saj do të çojë dy deputetë në Parlamentin Europian. Të dëshpëruar për këtë sjellje të elektoratit, laburistët shprehën publikisht keqardhjen dhe çudinë se e njëjta Britani që 65 vjet më parë kishte nisur ushtrinë e saj drejt Francës për të mos lejuar Hitlerin të marshonte në Londër, po i nis sot dhuratë Brukselit dy nazistë, nga Anglia, në zemër të vendim-marrjes europiane.

Fitorja e të djathtës në zgjedhjet parlamentare europiane u diskutua dhe analizua shumë nga mediat e gjithë Bashkësisë. Vota nuk tregoi thjesht preferenca, por ishte më shumë interpretim i lodhjes së qytetarëve europianë nga burokracitë e vendeve të tyre, që po tregohen të pa-afta të gjejnë zgjidhje të shpejta dhe efektive për krizën ekpnomike, valën e papunësisë që ka kapur Europën, apo edhe politikat zvarritëse të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Sfidat e 736 deputetëve të rinj të parlamentit europian do të jenë mbi të gjitha siguria, politika e jashtme e përbashkët për të, energjia, institucionalizmi i mëtejshëm i BE-së ( nëpërmjet miratimit të Traktatit të Lisbonës, të cilin e pret një tjetër referendum në Irlandë këtë vjeshtë), si edhe pa dyshim, çështjet e emigracionit dhe politikat e zgjerimit.

Mua më trokasin në vesh thëniet e dy zyrtarëve europianë. E para një përfaqësuese e një vendi të BE-së në Shqipëri, tek diskutohej për një platformë asistence dhe u diskutua slogani “Bringing Western Balknas closer to Europe”, ndërhyri me shpejtësi dhe shqetësim. “Jo kështu, sepse nënkuptohet sikur po e afrojmë me Bashkimin Europian. Çfarë duam të arrijmë në fakt është sjellja e Ballkanit Perëndimor më afër STANDARDEVE europiane, jo Europës si bashkim politik….!

Dhe shashka e dytë u hodh nga një politikan grek. I entuziazmuar pas mbështetjes që mori e djathta ekstreme në vendin e tij, ai deklaroi: “ Tani do ta shohë Europa se kush është zëri i Greqisë. Ne do të shkojmë në parlamentin europian që të bëjmë të dëgjohet mbi të gjitha zëri ynë”.

Këtë pretendim kanë edhe ekstremistët e djathtë anglezë, holandezë apo spanjollë. Asnjëri prej tyre nuk e do Evropën e përbashkët, nuk i do emigrantët, zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, apo miratimin e Traktatit të Lisbonës. Kjo sepse do t’i sillte telashe pavarësisë dhe individualitetit të papërlyer që këta përfaqësues mbrojnë për politikat e jashtme të vendeve të tyre.

Në këtë pikë, të djathtët europianë nuk janë gati të lëshojnë aspak pe.

Pra, popullsia europiane ndjehet e lodhur nga krizat, zgjerimet dhe aderimet e reja. Vota pro të djathtëve përkthehet si sinjal dëshpërues për të mbyllur dyert e BE-së, që ata i konsiderojnë të hapura më shumë sesa duhet.

Parlamenti i ri Europian do të ketë në axhendën e tij edhe negociatat për një marrëveshje të re për ngrohjen globale. Dhe ç’është akoma më e rëndësishme, do të miratojë rregullime të reja financiare për të parandaluar ndonjë krizë tjetër të mundshme.

Presidenti aktual i Komisiont Europian, Manule Barroso, që sapo ka shfaqur interesin për një mandate të dytë, e kapërdiu me vështirësi të vërtetën e hidhur të pjesëmarrjes së ulët në votimet e fundjavës për në Parlamentin Europian, por e rafinoi në mënyrë diplomatike votën për të djathtën si një “kërkesë të europianëve për të parë rezultate konkrete dhe të prekshme nga parlamenti apo Bashkimi Europian.

Si përfundim, votuesit në 27 vendet e BE-së nuk patën parasysh punën e euro-deputetëve të ardhshëm në ekonomi, çështjet monetare, ndryshimet e klimës, mjedisin, energjinë, transportin, mbrojtjen e konsumatorit, shëndetësinë, punësimin dhe çështjet sociale, industrinë, emigrimin dhe azilin, të drejtat civile, peshkimin dhe bujqësinë, vendimet për financime në vendet e treta, marrëdhëniet me jashtë apo zgjerimin, punët institucionale apo traktatet. Jo! Ata patën parasysh çështjet imediate të krizës, papunësisë, emigrimit të pandalshëm dhe kontrollit të politikës së brendshme (siç mund të përkthehet vota e djathtë).

Vota e europianëve është sinjal i saktë mbingopje nga politikat e mësipërme. Por, si mund të lidhet ajo me Shqipërinë, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në politikat e zgjerimit?

Po e shihja edhe nga ana e ngjashmërisë së fushatës dhe të arsyes së votës apo shtjellimit të platformës. Me çfarë do të merren në katër vjetët e ardhshëm 140 deputetët e parlamentit shqiptar? Asnjëra palë nuk ka pasur kohë të sqarojë se ç’përfaqëson e tanishmja e votës këtu apo gjetkë, me të ardhmen që pritet të jetë e përbashkët.

Duket sikur politika shqiptare jeton në planet tjetër, sepse pak-kush u kujtua të merrej me rezultatet e zgjedhjeve për në Parlamentin Europian. E djathta ka fituar, kurse e djathta ekstreme ka triumfuar me vendet që ka marrë.

Trendi është i frikshëm. Por Shqipëria akoma nuk është në gjendje ta përkthejë.

Entry filed under: BE, Koment, Politikë. Tags: .

Ngjyrat e fushatës Shqipëria larg saj

2 Comments Add your own

  • 1. errorful  |  12/06/2009 at 16:08

    “Por, si mund të lidhet ajo me Shqipërinë, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në politikat e zgjerimit???”

    Po c’te lidhet? Ku lidhemi tjeter ne me evropin, qe do lidhemi me reaksionet e popullit nepermjet votes?

    Pastaj une sdo ta merrja popllin e sotem europian si model. Nuk ia vlen.
    Bahhhh, ata jane ne nje tjeter stad ekonomik e social, nga c’kane qene ne kohen kur e ndertuan begatine e vet. Tani me duken shume me te plakur, truthare, mendjengushte, laaazzzzyyy.

    Une do merrsha shembull nga Kinezt🙂

    Qeshim, se nuk qajme dot😦

    Anyway, me pelqeu shkrimi.

  • 2. Uncle Walt  |  12/06/2009 at 18:18

    “Me çfarë do të merren në katër vjetët e ardhshëm 140 deputetët e parlamentit shqiptar?”-Eh dicka do gjejne te merren edhe kete 4vjecar,qe te mund te harrojne ndergjegjshem ate c’ka duhet te bejne ne te vertete!!!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2009
M T W T F S S
« May   Jul »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: