Fushatë muzikore

18/06/2009 at 15:41 1 comment

 TopalliShqipëria po ndryshon. Herë për mirë, e herë për keq. Ama po ndryshon. Këtu nuk mund të pretendojmë lehtë se zoti kryeministër apo kryetarja e kuvendit mashtrojne në kërkim votash.

Nga ata tjetër, “jemi ne, e ardhmja jemi ne” këndojnë ca kalamaj sa herë që ka takime elektorale Edi Rama. As kjo nuk mund të hidhet lehtë poshtë. Ata janë e ardhmja, pavarësisht se po keqpërdoren fushatash që në këtë të tashme të ndezur.

Gara e këngëve dhe mitingjeve është sa interesante, aq edhe bezdisëse. Nga ana muzikore, më duket se Elita 5 ka bërë një punë më të paqme se West Side Family. Kurse nga ana a ndotjes akustike, veçanërisht nëpër Tiranë, të djathtët e kanë lëshuar pa fre abuzimin.

Perceptimi i fushatës lidhur me këngët është vërtet interesant. Qëkurse ato kanë dalë në qarkullim, edhe tendencat e sondazheve që kanë filluar para muzikës, kanë nisur të ndryshojnë. Duket sikur fansat e Elita 5 janë më të shumtë në numër sesa ata të West Side Family. Kjo u reflektua të paktën në rezultat e dy sondazheve të fundit nga Gani Bobi dhe IPR Marketing, që i japin PD-së akoma më shumë vota sesa në muajt pa muzikë.

Përtej shakasë, mendësia e votës është zhvillimi më interesant i kësaj fushate. Me muzikën e vënë në maksimum e duke dëgjuar se si Shqipëria po ndryshon, shitësja e një butiku më dha gjithë solemnitet se lagjja e saj do votojë e gjitha për PD-në. “Mirë të vjetrit, se kanë qejf ngaqë në kohë të Salës erdhëm në Tiranë, po edhe ne të rinjve na pëlqen. Shih ç’muzikë të bukur ka bërë. (Berisha edhe këtë). Pastaj, Ramën e ka inat gjithë lagjja ime, se na ka prishur oborret e i ka bërë rrugë”.

E shoh gjithë zhbirim. Në do kishte arsye që unë do votoja për Edi Ramën, pikërisht ajo do ishte e para; prishja e zaptimeve për të hapur rrugë e vende publike. Ç’e do se e ka prishur punën me betonizimin e pallatet në çdo centimetër, se që ka prishur oborre të paligjshme, hallall i qoftë.

“Na solli edhe 200 mijë lekë faturën e gjelbërimit moj. Kush e do atë”.

Unë. Sërish. Ja, edhe një arsye tjetër. Shkëlqyer fare që është marrë taksa e gjelbërimit. Gjithçka që bëhet pro komunitetit dhe përmirësimit të kushteve të përbashkëta të jetesës, e përkrah se s’bën. Dhe Edi Rama ka dhënë prova se kujdeset për këtë aspekt. Të djathtët akoma jo. Madje kanë provuar të kundërtën, duke lejuar keqpërdorimin abuzim e fatkeq të pronave private apo të përbashkëta.

Ama hilja qëndron tjetërkund, sigurisht. Ku shkojnë këto taksa të mbledhura? A përdoren ato vërtet për gjelbërim? Po edhe “jo” nuk thua dot, se pemët kanë shkuar deri në Sauk, Kombinat, Kinostudio e Laprakë.  Në çdo rrugë ka pemë. Po ka edhe tmerr për ndonjë parking. Ka edhe lloje, forma, ngjyra, ngjitje e shqitje pallatesh që të marrin frymën. Ama punë ka.

Ka edhe gjoba që merren për parking të gabuar në vende të rezervuar për persona me aftësi të kufizuar. Kjo po, që më duket farsë e stisur. Numri dhe vendi  ku vihen tabelat për këto parkime, nuk korrespondojnë fare me të dhënat që vijnë nga shoqatat e kësaj kategorie. Duket sikur tabelat e bashkisë vendosen enkas për të mbledhur gjobat. E kur shkon t’i paguash, fatura e vockël me ngjyrë të verdhë është më pak e besueshme tatimisht sesa ajo që japin kamerierët e lokaleve tatim-mashtrues.

Sidoqoftë, për shërbimet pozitive ndaj komunitetit nuk rashë aspak dakord me shitësen e butikut. As me dy të rinjtë që më ndalën në rrugë të më shpjegonin arritjet e Partisë Demokratike në 4 vitet e kaluara.

Në situatën aktuale, po mendoj nëse është më shumë legjitime kënaqësia ime sa herë që publiku përfiton diçka, qoftë edhe rrugë apo hapësirë të përbashkët; apo frika se mos konfirmimi i të djathtës në pushtet do ta kthejë sërish kisoksëzimin, mashtrimin abuziv për arritjet, talljen e hapur me pronën dhe investimet pa kriter, pa konsultim e pa konsiderim të pronarëve të vërtetë.

As njëra palë, as tjetra nuk shqetësohen për pronën. As për çamët. As për papunësinë. As për investimet në arsim. As për vonesat e pajustifikueshme drejt lëvizjes së lirë apo drejt politikave bashkëpunuese.

Shitësja e butikut ka mbaruar shtetërorin për ekonomik, por nuk ka gjetur dot punë në profil. Zoti kryeministër i ka premtuar asaj dhe 170 mijë të tjerëve, se do të hapë vende pune. Ku?! Këtë as Berisha, as Rama, as Meta nuk dinë ta thonë dot. Se përveç bujqve e fermerëve, ka edhe rreth 40 mijë studentë që diplomohen çdo vit nga Universitetet Publike apo private, me kohë të pjesshme, të plotë apo pa kohë fare, e nuk janë në gjendje të gjejnë punë. Ku do shkojnë këta fakirë që janë viktimë e inflacionit të të diplomuarve që sjell liberalizimi pa duar i universiteteve?

Shqipëria po ndryshon. Ka njeri që s’e kupton këtë? Do jenë të njëjtët që nuk arrijnë as të pranojnë se e ardhmja iu takon të rinjve. Të majtë, të djathtë, të qendrës, pa kah fare, Shqipëria po ndryshon sepse përtej votës, mendësia duhet të jetë se oborri pa leje bën mirë që prishet për ta shndërruar në rrugë; se taksat duhet mbledhur të gjitha, por po ashtu duhen përdorur mirë e me transparencë. Shqipëria bën mirë të ndryshojë e të ecë pozitivisht, dhe kjo ka kosto njerëzore ( pasqyruar në votë) dhe financiare (në taksa apo inflacion të pa-shpallur).

E fundit që më ra ndër mend tek ndiqja vendimet e KQZ-zë pas shpalljeve të monitorimit për kohët televizive të fushatës, ishte të ndaja se nga më vinte muzika e fortë e Elita 5 (jo Çiljetës, se u bastardua fushata). Nuk vinte nga lajmet muzika. As radio nuk kisha ndezur. Por një makinë me altoparlantë shurdhues sikur më ndiqte në çdo cep të Tiranës “ Shqipëria po ndryshon. Vetëm ti  nuk e kupton?”

Po këto kohë jo-televizive, por reale, i monitoron kush? Mbase KQZ-ja duhet të japë një verdikt edhe për makinat me këngë e me flamuj blu që s’lanë cep pa u futur me kohë e pa kohë.

Më tërheq shumë dinamika e fushatës. Shyqyr që kanë ngelur vetëm edhe 9 ditë.

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Shqipëria larg saj Berisha parakalon Ramën

1 Comment Add your own

  • 1. Vertical  |  18/06/2009 at 16:42

    Shqiptarët, gjithmonë kanë treguar një nënvlerësim për të ardhmen e tyre në votime, por këte herë, shoqëruar edhe me muzikë situata duket vertet më qesharake.

    Kanë gjë një frymëzim nga BBF-ja në këto zgjedhje?!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2009
M T W T F S S
« May   Jul »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: