Imazhi i “suksesshëm” i PD-së

25/06/2009 at 17:40 1 comment

Rrëshen-Kalimash u përurua, edhe pse akoma nuk është përfunduar. Po fushata kështu e kërkon; që Berisha të presë të gjithë shirtitat e mundshëm deri në 28 Qershor. E shiriti i rrugës së kombit sigurisht që është përurimi që ka me më shumë dëshirë e merak kryeministri.

Rruga e bërë me kaq shumë debate e akuza kërkon një tjetër situatë për t’u parë tërësisht e balancuar, por ajo që bënte më shumë përshtypje në transmetimin e përurimit nga shumica e medias në vend, ishte vetë ceremonia. Edhe kryeministri turk Erdogan fliste me të njëjtin ton e entuziazëm si Berisha. Po jo vetëm. Edhe përkthyesi ruante të njëjtin ritëm, sikur të ngazëllyerit e vërtetë të ishin ata.

Entuziazëm u përcoll edhe në mediat që mbështesin hapur apo mbyllur zotin Berisha. Kurse kundërshtarët e tij, ashtu si edhe shikuesit amatorë apo ata më të stërvitur në përtypjen e lajmit, nuk e kuptonin nëse rruga po përurohej si vepër e qeverisë shqiptare apo e partisë demokratike. Punë e vështirë edhe për bordin e monitorimit të medias këtë fushatë. Do zihen sërish se kujt t’ia faturojnë kohën e fryrë të këtij lajmi; Berishës kryeministër, apo Berishës kryetar partie që rikërkon votat?

Sido që të interpretohet, ai ngelet i njëjti. Dhe ngelet ashtu sic kërkon të jetë: protagonist dhe entuziast. Shumë herë i tepruar, por imazhin e shet shkëlqyer. Berisha flet për plane të ardhme e përuron, ripëruron apo aktivizon vepra që shihen me sy.

Fushata e tij është një përzierje e shkëlqyer e dhunimit të së drejtës për të menduar qetë, me imponimin  e detyruar që nga koha televizive, deri tek mesazhet private në celular, fletëpalosjet nën derën e cdo zyre (t’i ketë shpërndarë edhe në Bashki?),  reklamat lëvizëze, bluzat, kapelet dhe posterat pa fund në cdo cep të lartëm, të mesëm e të poshtëm (po, po edhe përtoke) ku është shkruar “Shqipëria po ndryshon”.

Po më tërheqëset ishin reklamat e disa prej kandidatëve të tij të përzgjedhur duke “marshuar” me elektoratin dhe mbi të gjitha, ajo e vetë kryeministrit në zyrën e tij, duke punuar, duke firmosur e duke parë nga dritarja “plot vizion”.

Eshtë hera e parë që kryeministri shfaqet në tryezën e tij të punës. E kemi parë gjithmonë ose nëpër mitingje, ose në sallën e mbledhjeve në kryeministri, ose në takime të ndryshme jashtë e brenda mureve, por asnjëherë në zyrën e tij të punës.

Imazhi e arrin lehtë atë që do; kryeministri po punon. Kjo është ideja. Dhe të gjitha imazhet e përdorura nga ai në këto ditë të fundit të fushatës janë ndjeshmërisht ndryshe nga ato që janë përdorur ndonjëherë më parë në të gjitha fushatat. Mesa duket, kryeministri ka goditur në shënjë këtë radhë me kontratën për imazhin dhe publicitetin e kësaj fushate.

Shqipëria në punë, me spitale moderne, me edukim modern, me bujqësi e tekonologji të kohës, me turizëm e infrastrukuturë; me integritet e duke u integruar. Shqipëria që sjell në ekran Berisha i ngjan shumë asaj që do të donim të gjithë. Po a është e vërtetë ajo që shfaqet në këtë fushatë të tijën bombarduese me shifra dhe pamje aq të bukura?

Deri në një farë mase, ka se s’bën ndryshime të dukshme, por Partia Demokratike nuk ka si të vërë në fushatën e saj pamje nga ambinetet e pista dhe cilësia e ulët e shërbimit në shumicën e spitaleve publike; nga betonizimi që po i bëhet brigjeve, me naftën që derdhet deteve, me tymin e gomave dhe të cimentos që mbulon Fushë-Krujën, me numrin e frikshëm të studentëve që e gjejnë veten me diplomë në xhep falë liberalizimit të Universitetve, por nuk kanë asnjë shpresë vetme të gjejnë punë as jashtë profesionit, jo më brenda tij; pamje  me mjeranët që vajtojnë në Jalë, apo aq më keq, me heshtjen hermetike rreth Gërdecit. Partia Demokratike jo e jo, po as ndonjë parti e majtë nuk i sjell këto pamje e fakte.

Ama ajo c’ka kuptohet fare lehtë është se Berisha është i qartë në idenë që ka për të fituar dhe po tregon edhe një herë se di si ta arrijë atë që synon. Këtë herë nuk është as me forcë, as më dhunë. Po e bën fushatën me hiperbolizim dhe zbukurime të pacipa, ama gjithcka e nis nga një bazë e vërtetë. Dhe mbi të gjitha, ka se c’të tregojë e për c’farë të flasë konkretisht.

Këtë radhë po jep nje shembull se si rrëmbehen votat, përderisa për t’i vjedhur është bërë shumë e vështirë. E pavarësisht se reklamat, posterat, broshurat, koncertet, altoparlantet lëvizëse dhe bllokimi i shpeshtë i rrugëve të kryeqytetit për kalim eskortash ka qenë dhunues në mënyrën e vet këtë vit, itenstiteti dhe energjia e përcjellë janë të pashmangshme.

Në kundërshtim me fytyrat e pa-bukura e tejet të papërshtatshme, të mbi-trukuara e të shtirura që kanë përdorur krerët e partive të tjera, Berisha e ka përdorur pak imazhin e tij. Ai ka pranuar propozimin që i kanë bërë për të vendosur në përmasa gjigande një rrugë të përpunuar grafikisht, që edhe pse e kalon përditë, e ke të vështirë të mos qeshësh me ironi me mënyrat e ndryshme  se si e sheh gjithësecili nga ne një copë rruge me një nën e mbi kalim.

C’farëdo që të ndodhë në 28 Qershor, Partia Demokratike ka të gjitha mundësitë të pranojë e qetë rezultatin, sepse e ka dhënë maksimumin në përhapjen e imazhit, fakteve dhe alternativave të saj. Ka theksuar arritjet dhe ka anashkaluar dështimet. E përderisa askush nuk shkon dot deri tek evidentimi i tyre, bën mirë që i beson vetë zbukurimet që transmeton…e kërkon që gjithkush t’i besojë me të.

Për të mos u neglizhuar!

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Berisha parakalon Ramën Si shkuan zgjedhjet?

1 Comment Add your own

  • 1. Errorful  |  26/06/2009 at 00:12

    po mire, sna the : ti a e ndave mendjen se per ke do votosh ?😀

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2009
M T W T F S S
« May   Jul »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: