Leksion qytetarie për median dhe politikën

30/06/2009 at 16:07 Leave a comment

Ka dy gjëra që nuk shkojnë në Shqipëri; media dhe politika. Jo se nuk shkojnë më njëra-tjetrën. Përkundrazi, shkojnë aq mirë sa i kanë hapur punë mbarëvajtjes së pjesës tjetër të gjërave në një proces zgjedhor në Shqipëri. Të paktën kështu dëgjuam të thuhej në raportin e vëzhguesve për zgjedhjet.

Raporti vlerësues i ndërkombëtarëve për procesin nuk e tha fjalinë që të gjithë presim; A e kaloi Shqipëria testin?

Sigurisht që duhet pritur deri sa KQZ të shpallë zyrtarisht rezultatin përfundimtar, të priten edhe reagimet pas tyre, e pastaj të jepet fjalia përfundimtare.

Por, edhe me aq sa u tha, mesazhi nuk kishte si të ishte më i qartë: Shqiptarët vetë e kalojnë klasën me një vlerësim të lartë për qytetarinë, qetësinë dhe maturinë e treguar. Kure politika jo. Media jo e jo.

Pse? Sepse qytetarët janë stërlodhur nga pritja e gjatë që kjo situatë dështake zgjedhjesh të mbarojë. Janë lodhur duke pritur që politika t’i ndihmojë të mos ndjehen të diskriminuar për të lëvizur, punuar, e jetuar të lirë si gjithë qytetarët e tjerë të këtij kontinenti. Shqiptarët e kanë humbur besimin tek aktivitetet, premtimet boshe dhe manipulimet e politikës. Ata e kuptuan se hapi që duhej marrë ishte i tyre.

Dhe e bënë. Në një ditë ku njerëzit e filluan duke bërë punët e tyre të zakonshme, vizitat, tregtinë e vogël, udhëtimet jashtë qytetit, shkuarjen e zakonshme në kafene, tek liqeni apo në det, edhe pse nuk ishte ditë për plazh; në këtë ditë pra, votimi ishte thjeshtë një pjesë e saj. Nëpër qendrat ku shkova, të rinjtë ishin mbledhur grupe-grupe dhe qeshnin me shaka të përditshme; kishte njerëz që kontrollonin pa asnjë ngutje listën, pyesnin, merrnin përgjigje, mbanin radhët e pakta, flisnin me natyrën e përhershme kurioze që na karakterizon, dorëzonin pasaportën ose kartën e identitetit, lejonin lyerjen e thoit të gishtit të dorës së majtë me bojë, shkonin po aq natyrshëm pas “dhomës së fshehtë” të improvizuar, hidhnin letrën në kuti, dhe largoheshin po aq natyrshëm sa kishin hyrë. Pra për ta gjithçka ishte pjesë e një dite që duhet të mbaronte njolloj si të tjerat.

Por jo për median. Që në 07.00 të mëngjesit, çdo televizion, radio e gazetë në Shqipëri filloi lidhjet telefonike dhe transmetimet direkte nga Tirana e Durrësi, Elbasani e Korça, Shkodra e Vlora, Gjirokastra e Kukësi, Lezha e Fieri. Nga Rrësheni jo. As nga Himara këtë radhë. As nga Dajti që është mbi Tiranë. As nga Boga, Gërdeci apo Delvina. Jo. Gazetarët u përqendruan të gjithë tek qytetet e mëdha. Aty ku shkohet gjithmonë. Aty ku shkojnë të gjithë. Po përveç kësaj, paradoksi më i madh vinte nga mënyra se si përcillej dita e votimit. Për njërën palë të medias, çdo minutë duhet patjetër të ndodhte diçka e keqe. “Na falni, na falni, do të bëjmë tani një lidhje të jashtëzakonshme me qarkun e Lezhës. Aty diçka ka ndodhur. Po gazetar”

“Po, jam këtu në qarkun e Lezhës. Këtu ku jam unë s’ka ndodhur gjë, por sapo më konfirmuan se në qytetin  e Milotit është duke u cenuar rëndë procesi zgjedhor, pasi një militant i Partisë Demokratike ka vendosur një banderolë të PD-së disa metra afër një qendre votimi. Nuk e dimë sa metra afër, po nja 300 besoj, edhe pse s’jam atje”.

Nga ana tjetër televizioni buçiste: “ Sot shqiptarët janë zgjuar të lumtur, të qeshur, të gëzuar. Dita e tyre ka ardhur, dita e së vërtetës është këtu. Shqiptarët po votojnë sepse Shqipëria po ndryshon, dhe ky është ndryshimi që të gjithë kemi merituar”

……

Tani i bie të bëjmë katër radhë pushim të kuptojmë e të kapërdijmë këto situata. Kjo ishte media që nga raporti ndërkombëtar mori shuplakën më të fortë, duke u cilësuar si shërbëtore e politikës, zëdhënëse e saj, tribunë e partive politike dhe e pa-aftë të ruajë vijë të pavarur editoriale.

A ndryshoi media pas këtij raporti? Absolutisht jo. Dhe nuk ka për të ndryshuar, sepse tani është bërë më e politizuar sesa politika vetë.

Nga ana e saj, e mjera politikë u kritikua rëndë për natyrën manipuluese të fushatës, për shpërdorim të fondeve publike në funksion të aktiviteteve partiake (qindra mijëra litra benzinë janë shpenzuar nga arka e shtetit dhe e bashkisë për të lëvizur fushatë-bërësit anembanë Shqipërisë”; për mungesë transparencë në financime, etj.

Edhe një kritikë domethënëse erdhi për sasinë dhe cilësinë e zonjave që janë zgjedhur për të kandiduar, duke thënë ekzaktësisht se “Shqipëria u mohoi shansin femrave të zonja për t’u bërë pjesë e politikës, sepse parlamenti është tempull vendimesh, jo skenimesh”.

Ku ta kenë fjalën?!

Pra, ndërkombëtarët nuk ishin aq pozitivë sa të gjithë ishim mprehur të dëgjonim pas asaj ditë befasisht të qetë që dhanë shqiptarët; por megjithatë ata ishin thjesht të përmbajtur. Dhe vlerësimet maksimale erdhën për grupin që nuk pritej, për ata me të cilët është punuar më pak; qytetarët e këtij vendi në çdo cep, lagje, qytet apo fshat.

Politika e ka humbur besueshmërinë. Media akoma më shumë. Ndarja drastike e mënyrës së transmetimit në shumicën prej tyre i ka bërë shqiptarët të kenë shumë rezerva në mënyrën se si dhe sa e besojnë e një lajm që vjen nga një media e “blerë”. Prandaj ata reaguan krejt ndryshe, duke mos reflektuar as panikun, ankthin dhe tensionin që përcillte njëri krah; as entuziazmin e stisur apo fantazitë triumfuese që përcillte krahu tjetër. Qytetarët e bënë të dielën e 28 Qershorit ditën më të qetë, më normale, më të mbarë dhe më kërkuese që mund të kishte imagjinuar media apo politika. Shqiptarët befasuan me maturinë e tyre. Jo se ndryshuan brenda natës. Por qetësia e ditës së votimeve ishte fshikullimi më i madh dhe shembulli më i qartë se askush nuk ka më nerva të dëgjojë, besojë apo t’i bindet kapricove të fryra e falso të medias dhe të politikës. Shqiptarët duan që jeta e tyre të marrë një tjetër drejtim, e aty të ecë normalisht. Nuk ka më interes për palën që fiton zgjedhjet. Jo. Ka rëndësi vetëm që jeta të rrjedhë normalisht dhe progresi, përmirësimi dhe cilësia e jetës së tyre të jetë në rritje.

Shpresoj që media dhe politika ta ketë marrë mesazhin e shpërndarë nga milionat e shqiptarëve që deri më sot, në mënyrë konstante, i kanë përbuzur, shpërfillur dhe nënvleftësuar.

Për këtë radhë, shembulli erdhi nga nuk pritej. Faleminderit të gjithë shqiptarëve që e kthyen të dielën në një leksion të pakrahasueshëm qytetarie.

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Si shkuan zgjedhjet? Stop hindering our way

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
June 2009
M T W T F S S
« May   Jul »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: