Politikë konkretizimesh

09/07/2009 at 15:32 1 comment

Dy momente ishin në qendër të vëmendjes në lajmet e djeshme; raporti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe fjala e kryeministrit në mbledhjen e qeverisë. Zoti Fullani, përveç përsëritjes në terma të thjeshtë për sigurinë e sistemit bankar dhe rikthimin e besimit të klientëve në bankat e tyre, e vuri në fakt theksin tek rritja ekonomike, që në vazhdim do të jetë e ulët.

Gjithashtu përmendi disa herë se duhet bërë kujdes me huamarrje dhe se kriza do të ketë ndikim të pashmangshëm në sistemin tonë financiar, pavarësisht se sistemi bankar paraqitet i qëndrueshëm. Rënia e investimeve dhe e shitjeve, së bashku me tendencën në rënie të remitancave, ishin po ashtu çështje që u trajtuan me kujdes nga guvernatori.

Raporti i tij u transmetua drejtpërdrejt nga shumë televizione. Ashtu siç u dha edhe raporti i FMN-së dhe parashikimi i tij se për këtë vit, Shqipëria do të ketë një rritje vetëm prej 0.4%. Shumë e ulët dhe gati stanjacion ekonomik, po ta krahasosh me rritjen e fryrë të vitit të kaluar financiar (shifra të kundërshtueshme midis 6 dhe 10% rritje ekonomike).

Megjithatë, edhe ky raport, si shumë të tjerë, u interpretua ndryshe nga media të ndryshme. Njëra thoshte “Shqipëria ngec në vend dhe do ta kapë keq kriza”, tjetra thoshte “Shqipëria do të vazhdojë të jetë vendi i vetëm në Ballkan e në Europën Juglindore që do të ketë rritje të vazhdueshme ekonomike. Këtë e parashikon vetëm Fondi Monetar Ndërkombëtar, që nxit Shqipërinë të vazhdojë me të njëjta reforma për të mbajtur progresin ekonomik në rritje”.

Shifra e FMN-së është 0.4%. Vetëm kjo është e pandryshueshme. Edhe Z. Fullani, me zbukurimet dhe shmangiet e nevojshme, tha pikërisht këtë: “Rritja ekonomike ka për të qenë frenuese”. Por jo. Media e interpretoi sipas dëshirës politike, kurse vetë politika nuk ka shumë kohë, vullnet apo aftësi të merret me gjëra kaq të vockla si rritja ekonomike. Në proces janë ankimimet për zgjedhjet, përballë të cilave, çështje si rritja ekonomike apo bankat as që duhet fare të ekzistonin.

Prandaj, i vetmi njeri që bie në sy të shqetësohet apo përmendë tema të tilla, ngelet kryeministri i vendit. Akoma mjek kardiolog ngelet me profesion, por në oratorinë e tij, pavarësisht çfarë thotë, s’i lë vend as Fullanit, as Bodes, askujt tjetër të flasë për ekonominë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë foli më shumë se ata e më shumë se Fullani vetë për ç’subjekt t’i dilte përpara. Por media u mor (sërish sipas oreksit politik) vetëm me çështjet që i shkojnë për shtat politikës redaksionale të secilës prej tyre; d.m.th. ose me kthimin e premtimeve elektorale në ligje, ose më dështimin për të pranuar ngecjen në vend të zhvillimit ekonomik apo të procesit zgjedhor.

Mua më pëlqen shumë gjendja aktuale e kryeministrit tim. Ai do vazhdojë të jetë në detyrë, pavarësisht se nuk e ka marrë shumicën e votave të shqiptarëve, por u tregua shumë i zgjuar në përllogaritjet për të qëndruar në pushtet pavarësisht numrit të votave. Kjo do të thotë se është më i aftë se miqtë apo rivalët e tij politikë. Dhe nuk harron ta vërë në dukje këtë. Me gjithë euforinë e ulur për popullaritetin që shpresonte se e gëzonte me shumicë, kryeministri tani ka veshur mantelin e racionalit, dhe nëpër ekrane shfaqet pikërisht kështu; i qeshur, i sigurt për të çuar Shqipërinë përpara, i gatshëm të bëjë koalicione, i matur në deklarata armiqësore, i predispozuar të vërë gjithçka në funksionim për të mirën e shqiptarëve.

Kryeministri është vërtet triumfator. S’ka rëndësi nëse ato që bën janë të vërteta. Ai i pari beson se janë të tilla, rrjedhimisht, gjithë të tjerët perceptojnë pikërisht këtë vetë-besim që del prej tij. Kështu edhe në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

“Reklamat në rrugë janë bërë të padurueshme. Aspak nuk janë të pranueshme. Prandaj do të rrisim taksat ndaj tyre. Po, po. Për legalizimin, taksa do të jetë 15% e vlerës. Do të bëjmë rimbursimin e tvsh-së. Edhe do ta taksojmë më shumë mëkatin e pranuar. Po, po. Ju po më shikoni të habitur se ç’është ky mëkati i pranuar? Bixhozi, bixhozi është. Kazinotë. Më shumë duhet t’i taksojmë ato. Tani, e mira do të ishte që ato të mos ekzistonin fare, po për momentin, do t’i taksojmë më shumë…”

Ku ka më mirë? Vetë kryeministri premton tërthorazi se do të hiqen nga qarkullimi reklamat e shumta, agresive, të shëmtuara dhe gjigande që zënë rrugët, dyqanet, pallatet, shtëpitë, gjithçka, e do ta kthejë pamjen e rrugëve apo të qyteteve në normalitetin natyral. Thotë po ashtu se do të disiplinojë familjarët duke mbyllur apo sakatuar më taksa kazinotë. Mrekulli. Edhe pijet energjike t’i ndalojë, si në Francë. Edhe evazionin fiskal deri në fund ta kryqëzojë. Tani, mirë do ishte që darën e shtetit ligjor ta shtrëngonte edhe në meritokracinë e administratës, në lirinë e vërtetë të medias, në pavarësinë reale të institucioneve, në dënimin konkret të shkelësve zyrtarë të ligjit, në mbajtjen e përgjegjësisë për dështimin e funksionimit të shtetit në disa raste, e kështu me radhë.

Po këto presin. Se buzëqeshja e tij nuk mund të shesë gjithçka. As heshtja e gjithë kabinetit apo qeshja me zor me çdo fjalë që del prej tij, edhe kur është për të qarë. Kryeministri është qenie njerëzore dhe si gjithë të tjerët, është shumë i gabueshëm. Po nëse gjithkush tund vetëm kokën me çdo gjë që thotë ai, atëherë gabimi nuk mund të jetë kurrsesi vetëm i tij.

“Zoti ministër i transporteve. Unë kam informacion se një pjesë e firmave që punojnë për ndërtimin e rrugëve, nuk e bëjnë turnin e tretë. Kërkoj urgjentisht një task forcë, të udhëhequr nga ti vetë, që të kontrollojë këto firma dhe të vërë në zbatim ligjin. Kur këto firma fitojnë tenderin, ato pranojnë të punojnë edhe turnin e tretë, siç e parashikon ligji. Ne kushte të pamundura klimaterike nuk po them ta kërkoni këtë, por nëse këto firma, në periudhën e tanishme e deri në Tetor nuk punojnë edhe në turnin e tretë, atëherë janë shkelëse të ligjit. Dhe ndaj tyre duhen marrë masa”

Kjo deklaratë më pëlqen. Ashtu siç do të më pëlqente të ishte e vërtetë, apo që reagimi të ishte i menjëhershëm dhe konkret. Apo ashtu siç do të më pëlqente që kjo vëmendje e qeverisë ndaj transportit të zhvendosej paksa edhe në Vlorë, qyteti i vetëm në Shqipëri ku kryeministri nuk ka nxitur të shtrohet asnjë metër nga qindra mijëra kilometrat që thoshte në fushatën e tij parazgjedhore. Do ishte mirë që turni i tretë që kërkon ai të jepte ndonjë rezultat në segmentin lodhës Durrës-Golem, apo në atë të ngecurin në baltë, Fier-Vlorë e Vlorë – Orikum.

Megjithatë, Fullani është i kujdeshëm, e kryeministri i ashpër (megjithëse shumë i zbutur në eufori). Edhe një herë tjetër, siç po ndodh shpesh në ditët pas zgjedhjeve, ndjeva se politikat dhe koalicionet nuk kanë asnjë pikë të vetme rëndësie, teksa rezultatet që njerëzit presin nuk janë konspiracitë dhe servilizmit e medias, as ankimimet në KQZ, as bashkimet qeverisëse, as kundërshitë ndaj tyre.

Sinjalet që kërkojnë shqiptarët të shohin e të dëgjojnë po dalin gjithmonë e më shumë në plan të parë si domosdoshmëritë për t’u realizuar. Pra arritje konkrete. Më shumë rrugë të shtruara, më shumë investime, më shumë besim tek bankat, tek sistemi financiar, tek rritja e mirëqenies. Më shumë besim tek shteti ligjor (edhe pse taksativ, por duhet se s’bën të jetë transparent).

Më tepër pavarësi konkrete të institucioneve e të medias. Më shumë investime e përmirësime në shërbimet publike. Më shumë sipërmarrje politike që përmirësojnë në mënyrë të matshme e të ndjeshme jetën dhe përditshmërinë e njerëzve.

Po u arritën këto, të gjithë skenarët e tjerë nuk do të kenë më asnjë rëndësi.

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Bashkëjetesa surprizë Meta – Berisha Vizat politike

1 Comment Add your own

  • 1. errorful  |  09/07/2009 at 16:18

    “Me gjithë euforinë e ulur për popullaritetin që shpresonte se e gëzonte me shumicë”
    Me tere mend e ke ti kete ???
    Une besoj, se ai beri sparkaten per te mos humbur, se e dinte qe poplli jone se voton. Ate qe ta ben femija sta ben as perendia thone te mocmit. Per te shpetuar karafilin e vet, Sala i shtyu malet (dhe jo vetem ato te Kalimashit), me zor, me force dhe me shpirt neper dhembe do ta mbaje pushtetin.
    Dhe sa per firmat e rrugeve, eshte njish aman. Turni trete o qe cke me te hahaha. Mos me thuj qe ka pas burre nene qe jua ka mbledh rripat firmave te rrugeve si sala. Asi lek, po asi kokerr leku sju ka dhene pa e mbaru rrugen ne daten qe i leverdiste atij. O e du ne date 29 te marume rrugen, o sju jap asi lek😀
    Ah, mi EDA, qeveria eshte be si fmija, kjo na ra per hise, e hajt te shpresojme te jete e hajrit dhe te gjithe te bejme punen tone qe te beje sa me pak Kabime😀

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
July 2009
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: