Vizat politike

14/07/2009 at 10:07 Leave a comment

Vizat. Sërish ato. Nuk kanë për t’u liberalizuar, edhe pse ky ishte premtimi më i përsëritur elektoral. Nuk kanë për t’i bërë shqiptarët të shkojnë lirshëm të shohin të afërmit e tyre, edhe pse kjo është një e drejtë sa e vetë-shpikur, aq edhe e mohuar e atyre që kanë sjellë në qarkullim vizat.

Kreu i diplomacisë Europiane, Havier Solana është në Ballkan këtë javë, për t’u thënë maqedonasve se ata, malazezët dhe serbët mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Europian. Shqiptarët dhe Boshnjakët jo. Kosovarët jo e jo, se akoma duhet të përfundojë njohja si shtet.

Pra, në vija të trasha, vendet me “shumicë myslimane” ngelën jashtë. Arsyet zyrtare sigurisht nuk lidhen me fenë. Ato as për t’u rafinuar nuk kanë më nevojë, përderisa e kemi mësuar përmendësh se kanë të bëjnë më standarde zgjedhjesh, konsolidim demokracie, përforcim dhe pavarësi institucionesh, mirë-funksionim të shtetit ligjor, besueshmëri në dokumentacionin zyrtar, e më shkoqur, me pasaportat biometrike.

Bosnje-Hercegovina vuan edhe nga sindromat e funksionimit bazë të institucioneve shtetërore, kurse Shqipëria nuk e këtë hall, se e kemi kaluar nëpër të para 100 vjetësh. Por kemi të tjera halle, që e mbajnë peng lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

Sigurisht standardet e shumë përfolura të zgjedhjeve ishin kusht i shprehur hapur nga BE-ja për politikën e saj pa-viza për Shqipërinë. Në një farë mënyre populli tregoi se është shumë i gatshëm t’i plotësojë “tekat” e Europës, vetëm të jetë në gjendje të eci edhe një hap më tej. Por, politika ngeci në vend. Dhe Europa i çoi një shkallë më lart standardet. Tashmë na kërkohet edhe stabilitet politik dhe arritja e ndërrimit të pushtetit të paktën dy herë radhazi pa dhunë e kontestime të hapura.

Në këtë pikë, as me dylbi nuk duket BE-ja pa viza nga Tirana. Dhe ata që e vuajnë janë vetëm qytetarët e thjeshtë.

Çdo ditë vonesë në KQZ, çdo kontestim pa bazë, çdo shkelje ligji për shkak të numrave politikë, çdo koalicion i fshehtë, çdo thirrje e përpjekje për të përzier edhe popullin në luftën për të mos dorëzuar asnjë grimë pushtet, i kushton rëndë vetëm njerëzve të thjeshtë. Dështimet e politikës i mban në shpinë vetëm populli.

Të gjithë politikanët që bëjnë sikur iu digjet zemra për mandatin e nëntë, për shifrën 71, për koalicionet integruese, për cenimin e votës apo të tjera pallavra si këto, mbajnë në xhep nga një pasaportë shërbimi apo diplomatike dhe marrin viza sa herë të kenë dëshirë. E madje udhëtojnë edhe me lekët e buxhetit të shtetit.

Kurse mijërat e njerëzve që u thirrën nëpër mitingjet zhurmuese elektorale, ata që u sollën me autobus, me fugon, me karroca e me ç’të mundnin në Tiranë, ata nuk marrin dot as vizë, as pasaportë. Të dytën sepse nuk ia dinë fort mirë rëndësinë. Të parën sepse nuk ka shans të marrin një vizë ata që mund të kenë vërtet nevojë për një të tillë. Nevoja mund të jetë edhe dëshirë apo kuriozitet pak ditor për të parë të afërmit. Kaq kanë në përgjithësi dëshirë njerëzit të shohin.

Nga një milionë e pesëqind mijë votues mbi 18 vjeç që ishin të regjistruar për të votuar në 28 Qershor, më shumë së gjysma janë tashmë jashtë prej shumë vitesh. Një e treta është e mirë-sistemuar në Shqipëri (administratë ose sektor privat), kështu që ngelen rreth 200 mijë shqiptarë që do t’iu vika dëshira të përfitojnë nga regjimi pa viza që iu premtuan të gjitha partitë.

Politikanët i kanë vizat e tyre. Edhe paratë po. Edhe jetën luksoze po. Kontakti dhe arsyeja e vetme që i lidh me qytetarët është vota. Në momentin që ia ka marrë këtë pasuri të pa-vizë qytetarit, me të politika nuk ka më asnjë lidhje për katër vjet. Madje edhe ta largojë mund të përpiqet gjithë përçmim, duke pretenduar se po merret me punë të mëdha integrimi (sigurisht që jo me atë social, ekonomik apo transportues).

Sido që të jetë, brenda gjashtë muajsh maqedonasit do të lëvizin pa viza, edhe pse fshatrat dhe komunat e tyre nuk kanë asnjë ndryshim nga qendrat e banuara në hov zhvillimi  në të gjithë Shqipërinë.

Malazezët do të lëvizin pa viza; edhe pse shteti i tyre akoma është vetëm tre vjeç, dhe në mënyrë konstante kritikohet për nivelin e lartë të korrupsionit. Serbët do të lëvizin pa viza; edhe pse në 20 vitet e fundit, e kanë detyruar Europën e NATO-n bashkë ta venë durimin e tyre ushtarak në prove të madhe me spastrimet etike dhe shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, për të cilat Bashkimi Europian i regjimit pa viza flet e flet aq shumë.

Por, ka një ndryshim të vogël; serbët, malazezët dhe maqedonasit, përveç fesë, kanë edhe pasaporta biometrike. Që do të thotë, popullsia është e regjistruar. Që do të thotë, të gjithë kanë karta identiteti; sistemi i adresave funksionon, stabiliteti politik nuk është arritur, por politika mëson më shpejt se ajo në Shqipëri.

E për shkak të lodrave të tilla, shqiptarët do të vazhdojnë t’u bien numrave të turpshëm e të rrjepshëm me 0900; do të vazhdojnë të dëgjojnë refuzime qesharake për një takim nëpër ambasada e konsullata; do të vazhdojnë të marrin refuzime po aq qesharake nga stafe të dyshimtë që sillen si zotër në Shqipëri; dhe politika do të vazhdojë në mënyrë të përkryer të dështojë në hapat e saj për të lehtësuar procesin që më vonë çon tek liberalizimi i vizave.

Shqiptarëve do iu mohohet këtë javë shpresa për të lëvizur shpejt pa viza në BE. Fajin e ka një përgjegjëse e vetme mbi të gjitha: politika. Nëse ajo siguron stabilitet dhe shtet ligjor, nuk ka shtetas që të mos regjistrohet e të mos pajiset me pasaportë biometrike; e po ashtu, nuk ka shanse që të na thuhet sërish ‘e humbet mundësinë’.

Politika. Askush nuk është e dështuar dhe keqpërdorur sa ajo. Ah po, janë  politikanët, shtypësit më të egër të së drejtës së vonuar për të lëvizur të lirë.

E ç’votë e ç’besim mund t’u kërkohet qytetarëve, kur për ta nuk bëni dot as minimumin; t’i lini të lëvizin të lirë, për të pushuar qoftë edhe për pak ditë nga llumi i politikë-bërësve të këtushëm? E largët duket ajo ditë.

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Politikë konkretizimesh Qarkullim i thyer rrugor

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2009
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: