Qarkullim i thyer rrugor

16/07/2009 at 15:37 3 comments

“Ma allora qua son’propio tutti pazzi” – Im nip është vetëm 7 vjec dhe në Shqipëri vjen vetëm për pushimet e verës. Duke ndenjur gjithë durim të tepruar për tipin e tij në sediljen e pasme të makinës, nuk rresht asnjë sekondë duke u mahnitur me mënyrën se si ngiten makinat në Shqipëri.

“Shih ca bëri. No, nooo. Ndalo, ndalo. Është e kuqe drita”. E kishte me gjithë mend shqetësimin. Dhe besonte se shoferi prepotent i makinës luksoze do ta dëgjonte thirrjen e tij të dëshpëruar. E akoma më shumë i çakërdisur, i ngeli fytyra pas xhamit e i humbi çdo shpresë se mund të kuptonte si funksionon trafiku në Shqipëri. “Ma guarda, edhe autobusi kaloi per conto suo. Me të kuqeee? Tek e fundit, të gjithë do marrin nga një gjobë të fortë”.

Me gjuhët e tij të përziera e shqipen e shenjave gjysmake, im nip e merrte qarkullimin shumë më seriozisht se të gjithë shoferët e Tiranës e se pronarët e makinave luksoze pa asnjë shenjë përgjegjësie.

Jo vetëm kaq. Ai, që zakonisht bën bujë nëse numëron 10 sekonda pa folur, ngelte me gojën mbyllur nga shastisja edhe kur para makinës sonë, në çdo një metër, kapërcenin rrugën kalimtarë të patrazuar fare nga rregullat e qarkullimit, qoftë edhe për ta si këmbësorë. “Uffa, po pse nuk shkojnë tek vizat e bardha? Është e gabuar. Nuk lejohet të kalojnë këtu”.

Semafori apo vizat e bardha mund të jenë vetëm 10 metra më tutje, megjithatë, askush nuk lodhet deri atje. Jo vetëm kaq, por disa syresh e kapërcejnë rrugën me aq ngadalësi e tangërllëk, sa të vjen t’i bashkohesh inatit të nipit tim 7 vjeçar, e t’ua çosh atë përpara për t’iu dhënë ndonjë leksion qarkullimi.

Në semaforin pulsues me të verdhë, ndaloj instinktivisht, përderisa edhe këmbësorët ulën këmbën në xhade. Boritë nga pas bien në kor. Dy makina dalin djathtas gjithë inat përse iu ndërpreva qarkullimin dhe kalojnë triumfatorë të verdhën e shndërruar në të kuqe. Këmbësorët shajnë nëpër dhëmbë.

Sapo drita jeshile hapet, vargu i borive bie sërish, e madje një sekondë më parë se ngjyra të ndryshojë. Më fort dëgjohen boritë e makinave në fund të rreshtit. Të gjithë duan të kalojnë me urgjencë. Për ku? Sigurisht që për në punë jo.

Im nip kthen pas kokën akoma më i shushatur. “Përse i ranë borisë? Kush u plagos?”

T’i them “mendësitë e të gjithë atyre që janë në qarkullim”?! Është shumë i vogël për ta kuptuar.

Në autostradë e ndërroj korsinë e brendshme vetëm në një pikë ku nga larg duket një grumbull me rërë. Një shofer tipik i makinave të larta luksoze e çon në maksimum shpejtësinë e parakalimit, i çliruar që më në fund i hapa rrugën. Nuk do e kisha bërë, përderisa isha me maksimumin e shpejtësisë së lejuar, por e dija që pas atij grumbulli rëre, unë do kaloja qetësisht në korsinë e jashtme, kurse atë do ta ndalte një tabelë policie. Ashtu ndodhi. Ashtu më kishte ndodhur edhe vetë, ndaj iu ruhem këmbëve të mbikalimeve, pemëve dhe togjeve me rërë apo me dhé, se e di se pas tyre ka policë me kamera që ndalojnë shkelësit e shpejtësisë. Unë praktikisht mendoj se policia e qarkullimit rrugor është aty për të ndihmuar qytetarët e për të rregulluar qarkullimin e sigurinë, jo për të kontrolluar e ushtruar presion selektiv. Megjithatë, teorikisht, pas gabimit të parë ku më ndalën për tejkalim shpejtësie në autostradë (unë me 80 km/h, e sinjalistika thokej 60km/h edhe pse është e supozuar të jetë autostradë), nuk e bëj më gabimin e ecjes në korsinë e brendshme kur shoh sinjale që më tregojnë se në rrugë mund të ketë kontrollorë.

A ndikon kjo në rritjen e sigurisë? Nuk jam shumë e sigurtë. Di vetëm që në më pak se një minutë pas kalimit të postobllokut policor, makina e ndalur prej tyre më parakaloi jo me të njëjtën shpejtësi, por akoma më të lartë se më parë. Nuk besoj që punonjësit të kenë pasur mundësi të shkruajnë asnjë fletë gjobe, jo më të kenë shkuar më tej.

“Oh, guarda. Il signore cia ha sorpassatto di nuovo” –vërejti gjithë shqetësim dhe inat nipi im. Në Durrës trafiku nuk ishte shumë i rënduar, por mënyra e qarkullimit identike. “Edhe këtu eckan kështu? Epo në Shqipëri shoferët nuk qenkan në vete”, përfundon vëzhgimin e tij 7-vjeçar tepër i zhgënjyer im nip.

Më tej rrugës, teksa flet në telefon me përtej detin, thotë sikur të ketë zbuluar një fatkeqësi që është mirë të mos merret vesh nga shumë veta, me shpresën se nuk është e vërtetë: “ Ma lo sai che qua in Albania la gente e’strana al volante?”

Po, po, njerëzit janë të çuditshëm në timon, në rrethrrotullim, në semafor, në parakalim, në ndalimin nga policia, në respektimin e vizave të bardha, në respektimin e orareve të lëvizjes për makinat e tonazhit të rëndë, në gjithçka që ka të bëjë me qarkullimin normal e të sigurtë.

“Kur luaj tek parku, gjithmonë duhet të pres që semafori të bëhet jeshil. As i verdhë jo, por jeshil, para se të kaloj. Përndryshe më marrin biçikletën dhe mund të vras ndonjë nga shokët e mi që kalojnë në këmbë”- rrëfen gjithë seriozitet im nip. E ka fjalën për semaforin edukues që iu kanë vënë brenda parkut gjigand publik në Firenze. Po në Tiranë nuk pata mundësi as ta çoj në ndonjë park, e jo më të atillë që të ketë mes të tjerash edhe semafor edukues brenda.

Në Vlorë, durimi i tij për të parë ndonjë lëvizje të rregullt në qarkullim, është sosur. “In tanto, sto qua per il resto delle vacanzze. Nuk vij më në Tiranë. Atje të gjithë janë të zhurmshëm dhe të pasjellshëm”.

Nuk kam c’t’i them. Bindja e tij për të kërkuar respektimin e rregullave nuk ka të bëjë me moshën. Thjesht më vjen për të qeshur e për të qarë që logjikën dhe të kuptuarin e tij për qarkullimin nuk e kanë as 1% e shoferëve apo këmbësorëve në Shqipëri.

Dhe shprehja italiane “Done al volante, periccolo constante” shkon më mirë se kurrë me “Albanesi al volante, periccolo constante”. Dhe këtë e vuajmë të gjithë.

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Vizat politike Barrierat që ngrihen nga perceptimi

3 Comments Add your own

  • 1. erroful  |  16/07/2009 at 21:54

    Ja edhe nje shembull i ndergjegjjes se paster feminore.

    I kemi mesu vogelushes 3 vjecare se si duhet te jete semafori kur kalojme tek vijat e bardha nga shpija ne kopesht🙂

    Tani ngaqe femija, e meson rregullin, e merr te mireqene, sic duhet ta marre gjithkush. Dhe tani eshte bere bela e madhe ta marresh perdore, sepse ne cdo semafor gerthet : Uaa ajo teta kaloi gabim, ai xhaxhi kaloi gabim, ai cuni kaloi gabim, ato bebat kalun gabim, kjo makina klaoi gabim. Ke pare ti, qe prej asaj ne i respektojme me shume rregullat🙂

  • 2. Robin  |  17/07/2009 at 14:12

    Very nice:)

  • 3. edliragjoni  |  19/07/2009 at 07:58

    Thanks🙂

    Tani kane filluar verejtjet per menyren se si ecin vajzat ne rruge, dhe perse lajmet “ti dano cosi tanta noia”🙂

    Ama ushqimin dhe dashurine e gjysherve, plus atmosferen ne plazh e ne shtepi, Deni 7 vjecar e shijon dukshem me shume sesa perditshmerine e tij ne Firenze.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2009
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: