Barrierat që ngrihen nga perceptimi

22/07/2009 at 10:44 1 comment

Dy ngjarje e trazuan rrjedhjen e qetë të ditës sime dje; e para, teksa isha ulur me njerëz të afërt në një bar buzë rruge, një zonjë ndal përballë nesh: “Më falni pak? Vetëm një pyetje kisha. Sa të paguajnë ty në gazetë e në televizion të shash ashtu Edi Ramën, e? Kush kujton ti se je? Je e shitur, e blerë, e përbërë, e shpërbërë…!!!”

S’më erdhi ndër mend ndonjë përgjigje që do t’ia thyente besimin që kishte krijuar me vullnetin e vet. E lashë të ikte aq pa ftuar sa erdhi.

Ngjarja e dytë ishte vlerësimi i një pune që më kishte marrë disa orë përkushtim, shumë seriozitet dhe pa asnjë dyshim, shumë vërtetësi dhe ide personale. Nuk e di në më zhgënjeu më shumë mungesa e kuadrit të plotë mbi të cilin ishte bazuar vlerësimi, apo krahasimi i përhershëm që bëj kur barazpeshoj kryerjen e detyrave të marra përsipër.

Ku qëndron lidhja mes të dyjave? Tek perceptimi mbi të cilin ishin bazuar ato.

Në rastin e parë, do kisha qenë e lumtur të paguhesha për punën time, kur ajo ka një fillim, zhvillim e mbarim. Apo kur ka një objektiv, synim, hapa strategjikë për t’u ndjekur e pritshmëri për t’u realizuar pasi unë kam vendosur objektiva, që mund të kërkojnë edhe kompromis (me veten ose me kohën, jo me tjetër gjë).

Por, në rastin e diskutimeve apo shkrimeve të mia për kryetarin e opozitës, jo vetëm pagesa, por as objektivi për ta bërë atë qëllim në vetvete, nuk ma kanë zënë derën ndonjë ditë. Të paktën jo deri tani.

Plus, “sharja” është koncept me perceptime interesante në Shqipëri.

Për të bindur veten, i kthehem edhe një herë serisë së shkrimeve të mia në periudhën Tetor 2006 – Mars 2007. Shumë prej tyre janë për zgjedhjet lokale. Në pothuajse të gjitha ato, Edi Rama ze peshën kryesore të vlerësimeve pozitive dhe pritshmërive të larta për vazhdimësinë e ndryshimeve në Tiranën e drejtuar prej tij.

Sot dhe gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, kam pasur përshtypjen se Rama nuk arrinte dot më të ngjallte shpresën e 2007-ës, dhe se opozita e tij ka qenë shumë e dobët. Sjellja përgjatë dhe pas zgjedhjeve, ishte po ashtu zhgënjyese për një njeri nga i cili shumë votues kanë pritur vërtet shumë.

Por, zonja që e lëshoi deklaratën e saj kalimthi, as që i sheh fare gjërat me shqetësimin e politikave sociale, alternative, të vërteta, gjithëpërfshirësë, aktive, përjashtuese apo të sakta që mund t’i shohin të tjerë njerëz që i varën shpresat tek Partia Socialiste. Po këto janë detaje që në foton e madhe pro apo kundër Ramës nuk duken.

“Djathtiste e keqe” – mërmëriti duke kur nëpër dhëmbë.

Ndërkaq, para pak javësh, në një bisedë të gjatë në një zyrë vendimesh, një koleg po mundohej të më mbushte mendjen se në një bisedë timen publike mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, isha treguar shumë emotive dhe e nxituar kur kisha thënë se “merita e këtij anëtarësimi nuk është e qeverisë Berisha, por e të gjithë atij ekipi të madh njerëzish që kanë vite të tëra që punojnë në grupet e shumta të punës për këtë anëtarësim”.

Ishte e kotë. “Dëgjo Edlira. Unë e di që ti je e majtë, por nuk është mirë për ty ta shfaqësh kaq hapur në publik këtë bindje tënden. Më e përmbajtur kur kritikon qeverinë”.

Pikë e zezë. Të bëjnë me bindje me zor. Duhet patjetër të jesh pro apo kudër dikujt, përndryshe nuk perceptohesh dot.

Fenomeni i bashkëngjitjes së personalitetit me njerën nga partitë politike, është aq subjektiv sa edhe qesharak në Shqipëri. Bindja ime e vetme është progresi. Mundësisht cilësor dhe brenda mundësive, edhe i shpejtë. Kushdo që e përvetëson vetinë ta sjellë progresin në Shqipëri, për mua meriton votën, mbështetjen dhe nxitjen publike.

Votën time të 28 Qershorit ia kam komunikuar vetëm personit që mendoja se më shumë se të tjerët e zotëronte këtë mundësi. Po si t’i thoja zonjës që ndalon në kafene duke menduar se kritikat në kërkim të përmirësimit nuk janë sharje?

Perceptimi për politikën ngelet vërtet interesant në Shqipëri. Edhe perceptimet e tjera po ashtu. Vlerësimi për punën që e bëra me aq përkushtim, bindje, seriozitet e dashamirësi, ishte poshtë punëve të bëra me vrap, copy-paste, ideve të përsëritura, mungesës së origjinalitetit apo paketës së vlerave që përcilleshin jashtë meritokracisë.

Po që nga politika, deri tek institucionalizmi, akademizmi, administrimi apo edhe vetë funksionimi i shoqërisë, kështu është. Reagimi vjen për atë që përcepton gjithësecili sipas dëshirës së vet, e jo në bazë të asaj që vërtet thuhet apo veprohet.

Bindjet e mia nuk janë fare as të majta, as të djathta, as përtej këtyre. Perceptimi që kam unë në mendje për politikën, nuk gjen fare terren në lëmin e njëllojtë të partive dhe njerëzve që i bëjnë ato në Shqipëri.

Po ashtu, meritokracia vazhdon të jetë e rëndësishme në gjykimin tim, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme po më tregon se e kam gabim që i jap kaq shumë rëndësi.

Përse kjo gjendje?

Epo, mosplotësimi i standardeve dhe lënia jashtë në mënyrë të përsëritur nga ndërkombëtarët, mbase ka kleckën e vet. Vizat nuk duan vetëm pasaportat biometrike.

BE-ja kërkon që njerëzit që do i futen në vatër, të mos jenë shumë aguridhë. As të papjekur hic. Një farë ideje se c’është funksionimi normal i jetës në një shtet me rregulla, principe dhe njerëz të aftë,  ajo e pret nga Shqipëria.

Po të të ngjisin epitete qesharake politike e të anashkalohet meritokracia, nuk duket shumë premtuese për rrugën e gjatë që kemi nisur.

Unë nuk besoj tek politika shqiptare. Por njerëzit janë ndikuar egër prej saj.

Prandaj arroganca po fiton dukshëm ndaj butësisë apo meritokracisë, qoftë edhe në perceptimin e qartë për kritikat, apo në luftën e cuditshme të pranimit të disa zgjedhjeve (jo vetëm elektorale).

Sa rrugë e gjatë për t’u bërë.

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Qarkullim i thyer rrugor Cimentimi i mjedisit jo vetëm natyror

1 Comment Add your own

  • 1. Robin  |  25/07/2009 at 16:02

    Je nje nder analistet me te mira ne Shqiperi, ndaj vazhdo keshtu. Lere se cthone njerezit dhe plakat, kjo tregon se ti je dikushi ne kete vend paradoksal.
    Te kam ndjekur tek TO, ju dhe gazeta jeni nje cift simpatik:)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2009
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: