Përrallat e integrimit

31/07/2009 at 07:54 Leave a comment

“Gjermanisë t’i vijë turp që pengon shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe Brukselit t’i vijë po aq turp që pranon kaq shpejt Islandën, teksa ajo ka aplikuar shumë më vonë se Shqipëria për në familjen europiane” – kështu shkruante këtë javë një gazetë  që mbron fuqishëm të djathtën në faqet e saj.

Toni i përdorur ishte i ashpër. Naiviteti ndaj çështjes po ashtu. Nuk ishte aq shumë për të qeshur në fakt, por mënyra se si kjo gazetë (dhe të tjerat si puna e saj) i drejtohen Gjermanisë apo Brukselit ishte vërtet disi komike. Kjo vjen nga mos-njohja e çështjeve dhe hapave që duhen bërë për t’u integruar, së bashku me plotësimin e disa standardeve për secilin vend kandidat. A janë këto standarde të dyfishta apo të trefishta për vendet gjeografikisht europiane, kjo është një tjetër çështje. Ama standarde ka. Dhe do të ishte shumë e tepërt ta merrje edhe sikur gjysëm seriozisht krahasimin gjithë nerv që gazeta në fjalë i bënte kohës së shqyrtimit të kërkesave të Shqipërisë dhe të Islandës.

Nuk ia vlen këtu të sjellim në vëmendje vitet e ekzistencës së plotë të demokracisë e shtetit ligjor në Islandë, por mund të merremi me faktin e thjeshtë se ajo ka pasur kryeministre e presidente femra, kurse Shqipërua mezi numëron gjashtë apo shtatë femra në një parlament me 140 burra. Përveç kësaj, në Shqipëri po bëhet zhurmë e madhe mediatike përse kryeministri konservator u detyrua të lëshojë pe në ligjin e martesave brenda të njëjtës gjini, kurse në Islande, ka drejtues të politikës që janë pjesë e këtyre martesave. Ligjërisht, se faktikisht mund të kemi edhe vetë ndonjë konkurrencë.

Por edhe sikur këtë aspekt ta lëmë mënjanë, stabiliteti politik në Islandë as që mbahet mend që kur është trazuar për herë të fundit. Kurse në Shqipëri akoma nuk është arritur pranimi i zgjedhjeve pa zhurmë nga humbësit. Pra, të gjithë duan të jenë në pushtet përgjithmonë. Dhe kjo nuk ka si të gjenerojë stabilitet politik.

Po krimi i organizuar? Në Shqipëri kryeministri e përmendi edhe publikisht, aq shumë i kanë ardhur në majë të hundës përpjekjet për  ta mbajtur nën kontroll atë. Po a mund të flasim për krim të organizuar në Islandë? Raporti që qeveria e saj i ka dorëzuar Komisionit Europian ka vetë dy rreshta e gjysëm për krimin. E ai nuk rezulton hiç të jetë as i organizuar, as i ç’organizuar. I izoluar dhe nën kontroll po.

Po për ndarjen e qartë të pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit, eficencën e administratës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mbarëvajtjen e politikave fiskale, funksionimin e plotë të parlamentit, të shoqërisë civile, të rrjedhës arsimore, të lidhjes së qartë midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës? C’mund të thuhet për të gjitha këto nëse krahasojmë Islandën me Shqipërinë? Ta ketë pasur me gjithë mend gazeta e djathtë që citonte Fratinin? Ta ketë seriozisht ministri ynë i jashtëm apo edhe kryeministri kur tregojnë përralla nga këto të integrimit?

Po mungesa e madhe e përgjegjësisë kur shprehen se Gjermania po pengoka shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim?

Ka vetëm një vend që po e pengon këtë proces; Shqipëria. Është vetëm ajo dhe ngadalësia e madhe në veprimtarinë politike, në drejtësi, në institucione dhe në vërtetësinë e marrjes së të gjitha hapave me seriozitetin e duhur.

As që ia vlen fare madje të marrësh mundimin për të krahasuar Shqipërinë me Islandën apo t’i hedhësh fajin Gjermanisë përse parapëlqen vendet që ecin me ritme më të shpejta se Shqipëria në përmbushjen e standardeve. Është vetëm faji i politikanëve që zgjidhen, vetë-zgjidhen apo zgjedhin njëri-tjetrin në krye të këtij vendi në tranzicion të përhershëm, që na lë në fund të preferencave e shqyrtimeve.

Mund të jetë e vërtetë që skepticizmi ndaj Shqipërisë është shumë më i madh sesa ndaj vendeve të tjera në rajon, dhe kjo u vërtetua edhe në vendimin e fundit për të na lënë jashtë grupit të vendeve që mund të udhëtojnë pa atë të flamosur vizë në BE. Ama vendimi nuk ishte tërësisht i pabazuar.

Shqiptarët meritojnë vërtet trajtim më të njerëzishëm nga Bashkimi Europian, por politika shqiptare nuk bën shumë përpjekje për t’ua dhënë njerëzve të vet atë shans.

Kërkesa për anëtarësim nuk shqyrtohet sepse kështu ia ka qejfi politikës apo mbështetësve të saj të përkohshëm, por bëhet vetëm pasi Shqipëria pikësëpari të fillojë të mendojë si Islanda, të veprojë e të bëhet palë si vendet e rajonit, dhe të pranojë se politika nuk është vendi i perandorive apo mbretërive të një grushti të vetëm njerëzish në secilin kah.

Shqipëria nuk i përmbush standardet për të kërkuar më shumë nga ç’i jepet. Kjo është e dhimbshme, por edhe e vërtetë.

Burokracia e Brukselit është më therëse se ajo e ambasadave në Tiranë, ama edhe Shqipëria nuk ka bërë ndonjë përpjekje të vogël që të marrë premtimin e madh. Premtim i madh në këndvështrimin se si e sheh dhe shet politika, se në fakt, integrimi dhe anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen e lirë apo me parajsën e shumëpritur. Jo. Integrimi është një proces që zgjat me vite të tëra dhe anëtarësimi në këtë proces është thjesht një kontratë ndaj së cilës Shqipëria do të ketë detyrime që për momentin, nuk është e gatshme t’i përmbushë.

Po kjo kontratë nuk është pjesë e përrallës. Prandaj gazetat e djathta shkruajnë paçavure me përralla vonesash të padrejta në integrim.

Shqipëria nuk është gati. Dhe përse-në, më mirë se të gjithë, e di vetë e djathta në pushtet.

Entry filed under: BE, Opinion. Tags: .

Lëkundjet socialiste Rizgjimi i Orikut

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
July 2009
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: