Abuzimi i kompanive celulare

20/08/2009 at 19:11 1 comment

“Ju keni zero lekë të mbetura në llogarinë tuaj. Ju lutem rimbushni kartën” – më thoshte zëri më pak i bukur që kam dëgjuar ndonjëherë në sekretaritë telefonike. Ky refren përsëritej pas një numri shumë të vogël telefonatash që bëja nga vodafoni im shqiptar. Nuk shtyhej duke blerë karta çdo dy ditë, kështu që iu bashkova grupit të abonentëve më kontratë. 06920-a ime vërtet nuk më irritonte më pas tre telefonatash e të më thoshte se nuk kam më kreditë të mbetura, ama kur vjen fundi i muajit, fatura që më dërgon vodafoni është më e çmendura që më bie në dorë qëkurse kam filluar të përdor celular.

Numri im shqiptar me kontratë është karta e gjashtë vodafone që përdor në 11 vjet. Në portofol kam edhe sim kartën e parë shqiptare me rimbushje, si edhe një kartë vodafoni angleze, një suedeze, një italiane dhe një kanadeze. Në të gjitha rastet që i kam përdorur këto karta në qëndrime afatgjata, asnjëherë në 11 vjet nuk më ka ardhur ndonjë faturë që të barazojë vleftën që më kërkon të paguaj vodafoni shqiptar. Vodafon këto, vodafon në Angli, Suedi, Itali apo Kanada. Ama në një muaj të vetëm, faturë 10 mijë lekëshe në një muaj pushimesh ku telefoni ka qenë pothuajse fikur, vetëm në Shqipëri kam pasur nderin ta provoj. Ka pasur raste edhe kur nuk kam qenë as një ditë të muajit në Shqipëri, e fatura sërish ka ardhur e fryrë, edhe pse nuk kam pritur fare asnjë faturë.

Në njërën nga herët e shumta të nxehjes kur më bie në dorë fatura e çuditshme e kësaj kompanie celulare në Shqipëri, kërkova një fletë ankesë klienti. E derdha talentin tim në llogari-kërkim për arsyet e tarifave kaq abuzuese dhe manipuluese, por aha, faturën sërish e pagova të tërën, dhe kurrë nuk mora asnjë përgjigje nga Vodafoni. Jo se e prisja një të tillë, por mu duk e arsyeshme t’i bindesha inatit tim mbi abuzimin kaq të hapur me klientin.

Jo se kompanitë e tjera janë më mirë. Unë zgjodha vodafone duke qenë se e kam përdorur tjetërkund, dhe e di se është ndër më të mirat kompani telefonike celulare në tregun botëror, por në Shqipëri po më del tjetërqysh.

Normalisht, kompanitë gjejnë vend e bëjnë kuvend. Teksa kontrolli mbi to është i papërfillshëm e i paguximshëm, ato gjejnë madje edhe kurajon të bëjnë show televiziv duke mbyllur çështje gjyqësore kundër tyre. Nuk dihet nëse presioni më i madh është ai i kompanive celulare ndaj licencuesve, apo anasjelltas. Dihet vetëm që në tregun e telefonisë, janë ato që bëjnë ligjin. Askush tjetër.

E me faturat abuzuese në një vend ku prej tyre nis 2 milionë mesazhe fushate brenda javës kryeministri i vendit, vodafone, amc apo eagle as që kanë për ta vënë ujin në zjarr. Ligjin e bëjnë ato. Dy të parat d.m.th.

Sponsorizuese të një sërë emisionesh të çuditshëm televizivë, të aktiviteteve fantazmë, të fushatave jo të drejtpërdrejta elektorale, të mbështetjeve me rregull treshi në funksion të interesave të tyre, këto kompani po i rrjepin pa asnjë mëshirë xhepat e konsumatorëve shqiptarë.

Jo se janë rast i vetëm i abuzimit. Lekë pa hesap kërkojnë edhe njerëzit në rrugë të madhe kur parkon makinën brenda e jashtë Tirane, a thua se janë të gjithë pronarë të një vendi pa zot. Po mbase është vërtet i tillë, përderisa abuzimit i bien të gjithë vendçe. Ama dhimbje më të madhe për abuzimin sesa fatura e telefonit celular, nuk besoj të ketë.

Unë kam besuar se duke dërguar mesazhe, reduktohet ajo e mallkuara faturë. Po s’është e thënë. Përkundrazi. Fatura vjen  e shtohet çdo muaj, pavarësisht përpjekjeve apo besimit se ajo është ulur.

Personalisht e kam zët shërbimin e telefonisë celulare në Shqipëri. Ajo kontrollohet nga një perandori të pangopurish që kanë gjetur shesh e bëjnë përshesh. Kontrolli dhe monitorimi ndaj saj është qesharak; mbrojta e konsumatorit është akoma në nivele OJF-sh që luftojë për mbijetesë, e që në kërkim fondesh, duan ta mbajnë mirë me të gjithë; prandaj fatura ime dhe shpenzimi i të gjithë juve që lexoni këtë shkrim, është gjithmonë shumë më tepër nga ç’prisni.

Sigurisht që do të ankohem sërish tek vodafoni. E sërish edhe ata nuk do e prishin fare terezinë. Shërbimi ndaj klientit është përrallë me mbret për ta. Rrjepja e klientit po. Ajo ju intereson shumë. E pavarësisht donacioneve që bëjnë për gjoja ca aktivitete sociale, shërbimi i tyre është më i padrejti që mund të presë një klient që punon e jeton në Shqipëri.

Tregu i telefonisë celulare lulëzon sepse ashtu e lë shteti të livadhisë. Sigurisht interesat nuk janë bisht kali, por gërshetë e thurur për bukuri. Por edhe zhvatja e pangopur apo lënia në qetësi për tarifat e çmendura të telefonisë, nuk kanë fare vend ku të rrinë.

Ama fatura ime e shëmtuar tre shifrore pret të paguhet. Unë nuk e di ku i çon vodafoni taksat që pretendon se paguan nëpërmjet meje; as nuk e di si i përdor shteti këto taksa të larta. Nuk e di as përse tarifat e kompanive celulare në Shqipëri janë më shtrenjtë dhe me më pak oferta se tjetërkund në botë. Ama shërbimit ia kam nevojën e edhe pres që ndonjë punonjës rastësor i vodafonit që do i bjerë në dorë ky shkrim, do rrudhë turinjtë e do shajë për pa-aftësinë time për të kuptuar se realisht tarifat nuk janë të larta, por më duken mua të tilla. E me kaq, do e mbyllin historinë e pakënaqësive të një klienteje që sipas tyre, po flet përçart. Maksimumi do ndëshkojnë gazetën duke mos iu dhënë reklama. Po këte reklama nuk ka. E me ato reklama të mallkuara, i kanë mbyllur gojën jo vetëm gazetave, po edhe sekserëve që qesëndisin pas tyre.

Thellë-thellë, të dy palët e dimë se këto janë rregullat e lojës; kompanitë abuzojnë, klientët abuzohen. Asnjë problem nuk ka. Institucionet shtetërore nuk duken të kenë asnjë problem me tarifat. As ndonjë ngut për rritjen e konkurrencës. As për frenimin e fitimit. As për vërtetësinë e kontrollit apo monitorimit.

Po kush e drejton realisht këtë vend? Monopolet, politika e jashtme, krimi ekonomik?  Gjithçka mund të duket e kuptueshme, por perandoria e kompanive celulare jo. (të paktën për sa kohë janë vetë zot e vetë shkop i veprimeve të tyre).

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Në emër të shqipes Shpenzim apo përfitim

1 Comment Add your own

  • 1. J.  |  25/08/2009 at 11:59

    Unë kam vënë re diçka interesante me këto kompanitë celulare… reklamat për oferta që bëhen në Greqi, i shikoj të ritransmetuara në shqip, disa muaj më vonë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2009
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: