Shpenzim apo përfitim

26/08/2009 at 12:09 1 comment

Shqipëria do të ketë në dispozicion 269.4 milionë euro fonde nga Bashkimi Europian për periudhën 2009 – 2011. Kjo është bërë e ditur tashmë. Çështja është se si dhe ku do të përdoren këto para. Kryeministri thirri komitetin e planifikimit strategjik për të diskutuar rreth mundësive. Disa parakushte janë tashmë të dhëna nga BE-ja dhe dihet se 82.7 milionë euro do të shkojnë për konsolidimin e institucioneve dhe 10.5 milionë për bashkëpunimin ndërkufitar vetëm në 2010-ën.

Panorama nuk duket aspak e keqe për Shqipërinë që përfiton nga ky program para-anëtarësimi në Bashkimin Europian. Çështja është: sa do të shfrytëzohen në mënyrë vërtet efektive këto para?

Shumica e fondeve të Bashkimit Europian për Shqipërinë, nën cilëndo sigël programesh që janë dhënë, janë përqendruar kryesisht tek asistenca teknike apo tek shkëmbimi nëpërmjet binjakëzimeve. Tendenca ka qenë që të aftësojnë administratën dhe institucionet që fillimisht të kuptojnë rëndësinë e rolit të tyre e pastaj ta vënë në shfrytëzim maksimal atë.

Frytet kanë vend me bollëk për të diskutuar. Pikësëpari, është shumë e vështirë të pranohet se në Shqipëri është kuptuar drejt nevoja për asistencë teknike, sepse në përgjithësi ekziston fryma e vetëbesimit që gjithkush di gjithçka e nuk kemi nevojë të na tregojë një ekspert si ta bëjmë punën tonë.

Së dyti, cilësia dhe efektiviteti i ekspertëve që kanë ardhur ka treguar se Shqipëria meriton më shumë sesa një gjuetar lepujsh që t’i tregojë si hidhen rrjetat e peshkut. Kjo nuk ka ndodhur në të gjitha rastet dhe ekspertizat e ofruara në shumë raste e kanë vonuar progresin në fushën ku kanë kontribuuar, në vend që ta përshpejtonin atë.

Ka edhe një sërë problemesh të tjera komplekse. Shpërndarja e fondeve bëhet sipas prioriteteve. Ekziston edhe mundësia që këto fonde të mos vilen fare, nëse institucionet shqiptare nuk do të jenë në gjendje të paraqesin projekte që do t’ia mbushin mendjen komisionit se e meritojnë të financohen.

Por, projektet shqiptare tashmë kanë dëshirën që t’i largohen mënyrës klasike të të kërkuarit mbështetje në shkëmbim të marrjes së eksperiencës për një “know how” të thjeshtë. Kurse politikat e donacioneve nga BE-ja këmbëngulin akoma në atë pikë.

Jo pa të drejtë. Peshkatarët shqiptarë kanë marrë arka të tëra me peshq nga BE-ja. Herë cironka e herë balena. Ama nuk mund të vazhdohet më duke furnizuar e mbajtur me peshq peshkatarët, prandaj BE-ja po këmbëngul se duhet të na mësojë si të peshkojmë vetë. (pra si të përdorim grepat e kallamat në pellgjet tona institucionale). Shumë mirë. Por kjo ekspertizë peshkimi nuk mund të na vijë nga gjuetarë lepujsh, kjo është çështja.

Problemet janë të ndara. Nuk mund të pretendohet kurrë se politikat apo kriteret e financimit të programit IPA nga BE janë pa vend; por në një farë mënyrë ato i detyrojnë projekt-dorëzuesit që të shndërrohen në bindës të kritereve për të fituar projektin, e jo për të sjellë ndonjë impakt të vërtetë.

Nën këndvështrimin e donatorit, ky skenar është mëse i pranueshëm. Plotëson kriteret, fiton fondet. Por për shqiptarët e stërvitur tashmë me projektet, nuk është më e vështirë të notohet brenda pellgut pa rënë pre e karremit të objektivave që sipas thirrjeve për propozim projektesh, duhen plotësuar se s’bën.

Në faza të ndryshme të projekteve gjithfarësoj, më ka rënë rasti ta përçmoj teorinë “know how” (mëso si). Duket sikur ekspertët që vijnë për të na treguar si shkruhen ligjet, si zbatohen ato, si punohet me publikun, me kriminelin, me gjykatësin, me gruan, me njerëzit në nevojë, me emigrantët, me shëndetësinë, me arsimin, me infrastrukturën, me kufirin, me pushtetin e me gjithçka tjetër, shpesh kanë marrë kot kohën e njerëzve që punojnë në këto fusha.

Por, në një kontekst më të gjerë, shihet se sot nevoja për të dëgjuar e mësuar se si bëhen gjërat, është në plan të parë jo vetëm në Shqipëri, e as në Ballkan apo në Europë. Në kohët e sotme ku bota është kaq e vogël sa një shpërthim në New York dëgjohet deri në Kashmir edhe 8 vjet pasi ka ndodhur, është bërë mëse e domosdoshme të dëgjohet e mësohet me kujdes se si mund të përmirësohen gjërat pikërisht nëpërmjet kësaj metode..

Asgjë nuk është e përcaktuar përfundimisht, qartë apo patjetërsueshëm.”Know how” është një nevojë ku ia vlen të investohet, e madje fuqishëm në Shqipëri.

Personalisht, një projekt për “know how” do e kisha miratuar për kryeministrinë, që të konsolidojë kapacitetin  e saj komunikues dhe transparent. E përtej saj, do më pëlqente të shihja që fondet të shpenzohen për njerëz që pasi të mësojnë se si bëhet puna, të ulen e ta bëjnë vërtet atë, e jo të ndërrojnë zanat sa herë ndërrojnë qeveritë.

E shpresa më e madhe sigurisht do ishte që peshkimin të na e mësonin peshkatarët europianë, e që gjuetarët, po qe nevoja, të na mësojnë gjuetinë.

Ndërkaq, sido që të shpenzohen, është e sigurt se të paktën, diçka do ngelë edhe për Shqipërinë.

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Abuzimi i kompanive celulare Emra pa çështje në PS

1 Comment Add your own

  • 1. Bona  |  27/08/2009 at 15:15

    Ti si me punu te SNV-ja, o goc! Sidomos kjo teoria e peshkut eshte shume “en vogue” ketej nga ne. Po hajde thuaj te tjereve!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
August 2009
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: