Arsimi i së nesërmes

01/09/2009 at 17:35 6 comments

A është bashkëpunimi Berisha – Meta turp i madh, sic pretendon dhe deklaron së fundmi zoti Rama? Jo, nuk është.

As shmangia e përgjegjësisë së tij personale për humbjen e zgjedhjeve të 28 Qershorit nga e majta nuk është ndonjë turp i madh, se të gjitha ngjarjet politike janë të pritshme në Shqipëri.

Por, përqëndrimi në cështjet që sjellin thellësisht dhe vetëm përfitime dhe interesa personale, është turp i madh që c’ke me të. Në c’kuptim?

Në gjithë elozhet apo kritikat dhe sharjet që politikanët i bëjnë njëri-tjetrit, rrallë mund të të kapë veshi apo syri ndonjë fjalë konkrete për ndonjë fushë konkrete. Gjithcka është e përqëndruar tek përgjithësimet që fajësojnë tjetrin, duke lënë mënjanë diskutimet për cështje që këta njerëz zgjidhen të zgjidhin në krye të institucioneve që drejtojnë.

Sigurisht dy fushat prioritare afatshkurtër në Shqipëri janë punësimi dhe integrimi, që nga ana e tyre, nuk arrihen dot pa u bërë një sërë reformash në fushën e sigurisë, bujqësisë, transportit, shëndetësisë e mbi të gjitha, arsimit.

Pse arsimit?  Sepse njerëzit që arsimohen sot, do drejtojnë vendin nesër, kur Shqipëria të jetë pothuasje e integruar. Dhe mbi të gjitha, sepse mënyrat se si këta njerëz arsimohen sot, do të ndikojë në formimin dhe metodën e tyre të funskionimit shoqëror nesër.

E në këtë prag konfuz të fillimit të vitit të ri shkollor (ku si zakonisht akoma nuk janë gati as datat, as tekstet, as ndërtesat, as programet, as nxënësit, as mësuesit), për njerëzit e interesuar përtej lajmeve të ditës, shqetësimi i Ramës për turpin e Berishës e të Metës duket më shumë fatkeq sesa qesharak.

Po ashtu, nderi i lënduar i të majtëve që u iku vota djathtas është pa asnjë kuptim, sikundër janë analogjitë ironike të së djathtës mbi kongresin e PS-së. Këto perceptime personale të palëve nuk kanë asnjë ndikim në jetën e atyre që shkuan në kutitë e votimit në 28 Qershor. Aq më pak, këto zënka dhe harxhime energje në politikën e sotme, nuk kanë as edhe një grimë të vetme impakti në jetën e nesërme të atyre që sot dëgjojnë e shohin në lajme xhaxhi Edin, xhaxhi Ilirin e gjysh Saliun.

Cilat janë politikat afatgjata që kanë në mendje këta zotërinj kur i harxhojnë deklaratat dhe daljet e tyre televizive për t’iu kundërvënë thënieve personale të njëri-tjetrit? Në fushat e tjera s’ia vlen të mendosh se mund t’iu shkojë gjë në mend, sepse mungon zinxhiri i vazhdimësisë. Por për arsimin është mëkat të lihen gjërat në harresë.

Teksa për vitin e ri shkollor akoma nuk ka përqëndrim energjish, sepse shumëkush që punon e është përgjegjës për arsimin akoma nuk e ka mbledhur veten nga fushata e nga enigmat se c’do t’i ndodhë me vendin e punës, tjetërkund nëpër botë shkolla tashmë filloi që dje. Në mos mësimi, pashë në shumë faqe zyrtare të fillonte publikimi i plotë i programeve dhe shpallja e orareve dhe e regjistrimeve. Kurse në Shqipëri akoma nuk kemi një datë të saktë, sepse mezi po presim të na damkosë ai gripi i derrave, që po shpëton dynjanë nga anashkalimi i fokusit prej zhvillimeve të vërteta.

Arsimi vazhdon të më duket dhimbja më e madhe e tranzicionit shqiptar, sepse pajisi me diploma, por la pa mend e handikapë në formim mijëra shqiptarë, devijoi rëndësinë e edukimit, zhvlerësoi përkushtimin ndaj dijes, e shndërroi arsimin në biznes, diplomën në karton e leximin në demode. Më dhimbset sepse shkatërroi vlerën e të mësuarit, zhvleftësoi misionin e mësuesit, ngatërroi qëllimin e vërtetë të ndjekjes së studimeve universitare, shkatërroi tregun e punës me inflacionin e diplomave të marra brenda pak muajsh, prishi ekuilibrin e kërkesës dhe ofertës në tregun akademik dhe atë profesionale, e c’është më e keqja, ka minuar tërësisht imazhin e vërtetë të nevojës dhe meritës për arsimimin e duhur.

Arsimi është njëlloj si festet; cdo koke i duhet gjetur ajo e sakta, ajo që i bën. Por, me liberalizimin e Universiteteve dhe me fluksin e dendur të shkollave të mesme të përgjithshme, arsimi i shndërrua gabimisht në modelin që të jep prestigj në shoqëri. Në një vend ku politika dhe sistemet funksionojnë sic duhet, të gjitha këto do të jepnin efektin e kundërt; Dhe një nxënës që është i prirur për të qenë hidraulik studion mardhënie ndërkombëtare, sepse kështu është moda, kthehet jo vetëm në qesharak, por edhe në një të pashpresë për të gjetur punë në profesionin e ri. Gjithmonë nëse rekrutimet bëhen në bazë të meritave.

Por, në Shqipëri gjërat funskiojnë ndryshe. Në njërin krah qeveria liberalizon universitet dhe nxit akademizmat me para, në kahun tjetër, këmbëngul në rritjen e numrit të nxënësve që ndjekin studimet në shkollat profesionale. Pse nuk mund të funskionojnë të dyja? Sepse imazhi i shkollave profesionale në Shqipëri është tashmë i rrënuar; e politikat e qeverisë e fundosin edhe më keq atë, duke nxitur në mënyrë indirekte ndjekjen e kaq shumë universiteteve, e madje edhe studimeve master në cdo cep të Tiranës.

Shqipëria është akoma në tranzicion (e tmerrshme edhe pas 19 vjetësh) e është edhe në zhvillim. Por sot, vendi ka më shumë nevojë për teknikë kondicionerësh sesa për kandidatë ministrash; për suvatues të zotët, më shumë sesa për garues për kreun e PS-së; për profesionistë në punë më shumë sesa specialistë në mashtrime publike. E këta njerëz nuk mund të dalin nga auditorët e Universiteteve private apo nga shkollat e panumërta të formimit të përgjithshëm.

Arsimi ka nevojë për nxitje në drejtimin e duhur, që është ai profesional. Por, fatkeqësisht kjo është një fushë që nuk sjell shumë para po ta shohësh nga pikëvështrimi i biznesit shqiptar të viteve të fundit në arsim.

Ama të gjithë të papunët që janë në listën e 13.8% që publikohet zyrtarisht apo ata të 40%-it që mendohet  se janë realisht të papunë në Shqipëri, nuk do kanë për të gjetur punë në administratë jo vetëm sikur në pushtet të jenë Berisha e Meta, po bashkë me ta, të shkojë edhe Rama. Nuk gjejnë sepse rregullimi tregut të punës fillon nga transformimi prej një tregu të orientuar nga oferta në një treg që ndërlidhet me arsimin e udhëhequr nga kërkesa. Kjo kërkon decentralizim të arsimit profesional, partneritet mes aktorëve të fushës, përfshirje sociale, cilësi, risi në sistem, fleksibilitet dhe shumëllojshmëri ofrimi të arsimit dhe të formimit profesional, e kështu më radhë.

Të gjitha këto cojnë në fuqizimin e sistemit sot ligjërisht e institucionalisht, kurse nesër në fuqizimin e tregut të punës, sistemimit të tij e rritjes së mundësive të punësimit për ata të shkretë njerëz që edhe nëse kanë një diplomë, në Shqipërinë e reformuar të së nesërmes, nuk do të kenë vend se ku ta përdorin atë.

Po të gjitha këto nuk ndodhin duke u marrë me turpet politike të bashkëpunimit të të tjerëve. Duhet punë, përqëndrim, vullnet, dhe sërish, dëshirë e mirë për të punuar për politikat, jo për politikën. E për punët e vërteta, politikanët tanë zor se kanë dëshirë të jenë gati. As sot, as mot.

E kur të dalë në pension xhaxhi Iliri me xhaxhi Edin, skemën e tyre të  funksionimit si pensionitë do ta përcaktojë, miratojë e ligjërojë ndonjë politikan që sot mund të jetë 14 vjec e nuk ka prirje më shumë sesa të bëhet bojaxhi, por që sistemi dhe moda i lejon që të bëhet jurist, politikan e kandidat për kryeministër apo president.

S’ka pikë dyshimi se me ritmet e zhvillimit, vetë zoti Rama do të jetojë aq gjatë sa të shohë frytet e politikave të sotme e të kuptojë me të vërtetë se cilat janë turpet e vërteta brenda saj.

Entry filed under: Analize, Arsim. Tags: .

Emra pa çështje në PS Gripi i derrave në koalicion

6 Comments Add your own

  • 1. edliragjoni  |  02/09/2009 at 10:15

    Me teper per arsimin ne ditet dhe muajt ne vijim🙂

  • 2. CO-EDUCATION  |  02/09/2009 at 10:51

    Rreth Arsimit të përbashkuar,
    Me një dëshirë dhe një qëllim,
    Të gjithë shqiptarët grumbulluar,
    Tek mësojnë lexim e këndim

    Prej shqipes veç ai turpërohet,
    Që është lindur tradhëtor,
    Kush është i mencur e i lexuar,
    t’ëmblën shqipe n’gjuhë përdor

    Gjuhën e t’parëve do t’a mbrojmë,
    Prej shekujsh folur ne këtë vend,
    E n’krah me dijen do ta bashkojmë,
    Këtu injoranca s’duhet t’ketë vend

    Se Zoti vet e tha me gojë,
    Që kombet shuhen përmbi dhè,
    Po Shqipja duhet e do të rrojë,
    Toka e Qielli vec ket’ gjuhë na njeh ne

  • 3. Bona  |  02/09/2009 at 11:51

    Cool!

  • 4. edliragjoni  |  02/09/2009 at 13:54

    🙂
    Faleminderit te dyve. Ty Bona per leximin dhe per padurimin per tema te lexuar tema te tjera rreth arsimit.

    Dhe ty co-ed faleminderit per kohen e shpenzuar qe ta sjellesh kaq te pershtatshem himnin edhe per arsimin🙂

    Education, education, education – eshte motivi qe shoqeron sot politikat e se nesermes kudo (pervecse ne Shqiperi).

  • 5. Xha Xhai  |  03/09/2009 at 15:46

    Edlira, urime! Shkrim i shkëlqyer. Sa më bëhet qejfi kur shoh dikë si ty, me gjilpërë në dorë, në mes të turmës së tullumbaceve…

  • 6. arti  |  22/09/2009 at 01:07

    Edlira, shkrim shume i mire por sic e thua edhe ti ka shume per te shtuar. Bashkohem me ty qe arsimimi profesional ka rendesi teper te madhe si ne rang shkollash te mesme ashtu edhe ne rang universiteti.
    Fatkeqesiht jemi teper mbrapa ne kete drejtim pasi, ndersa ne mesimin teorik shkollat tona ne periudha te ndryshme kane qene mire ose shume mire, ne mesimin praktik nuk kemi asnje lloj tradite.
    Ndaj edhe sot shumica e atyre qe mbarojne shkollat profesionale nuk ja thone fare zanatit. Ata qe mbarojne shkollen e mesme elektrike nuk dine te nderrojne nje sigurese, ata qe mbarojne universitetin per informatike nuk dine te shkruajne nje program te thjeshte, “inxhinieret” nuk dine te bejne nje projekt elementar nga fillimi deri ne fund.
    Se si do rregullohet kjo pune une se kam idene. Shanset jane shume te pakta sepse: studentet s’kane shume interes, profesoret s’dine, qeveria nuk e konsideron paresore e publiku as qe e can koken fare. Eshte keshtu tani e keshtu ishte edhe para 25 vitesh ne kohe te komunizmit.
    Ca organizata joqeveritare paten organizuar ca kurse por edhe ato kot fare ishin. Para ca vitesh njoha nje te ri 18 vjecar qe po bente nje kurs 6 mujor per hidraulik. Ai me tregoi shenimet qe kishte mbajtur te cilat me mhaniten. Komplet teori te nderlikuara fizike lengjesh. Ekuacione Bernuli e me the te thashe. Ne nje kurs 6 mujor per hidraulik! E kote te them qe ai djali nuk dinte te riparonte as nje cezem e s’kishte fare interes per kursin ku shkonte vetem sepse e paguanin.
    Po pres me padurim shkrimet e ardhshme qe ke premtuar per kete fushe. Shpresoj te arrish te vjelesh mendimet e atyre pak specialisteve qe kemi ne kete fushe dhe te sjellesh propozime konkrete se si mund te rregullohet kjo situate.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
September 2009
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: