Qeveria, Shqipëria dhe Europa

19/09/2009 at 18:28 Leave a comment

“Kushtet më kryesore për t’i garantuar qytetarëve shqiptarë në katër vitet e ardhshme të kësaj qeverie kanë të bëjnë me mirëqenien, punësimin dhe shërbimet që gëzojnë qytetarët e vendeve anëtare të BE” – kjo m’u duk fjalia më e rëndësishme e 23 faqeve fjalim që kryeministri Sali Berisha mbajti me rastin e fillimit të mandatit të tij të ri.

Mirëqenie, punësim, shërbime cilësore.

Mirëqenia vjen si pjesë e paktës së ndërlikuar të zhvillimit ekonomik. Rritja e tij për qeverinë varet nga treguesit që përdor politika, kurse për popullatën votuese varet nga listat, shtrëngimi i kuletës apo hezitimi për të përballuar çmimet, kreditë dhe rrëmujën financiare në një vend ku disa njerëz kanë tre shtëpi, shumica kanë 60 metra katrorë vend e të tjerë nuk kanë as dy metra për një krevat.

Punësimi, nuk ka si të vijë kurrsesi kur oferta e tregut të ekonomistëve e juristëve të shkollave private nuk i përgjigjet dot kërkesa për këto shërbime fiktive në një popullsi që kërkon me doemos të punësohet në administratë ose në pozicionet abuzuese në sektorin privat.

Përveç kësaj, qeveria e integrimit evropian ka sfidë të dyfishtë përpara, sepse vetë kryeministri ka premtuar hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune. LSi-ja nga ana e saj ka premtuar 100 mijë të tjera. Rrjedhimisht, i bie që në katër vitet e ardhshme të kemi një bum të vërtetë me plot 260 mijë vende të reja pune. Jo në bujqësi, jo. Se juristët e universiteteve private nuk do ngasin traktorët arave. Por punë të vërtete zyrash.

Kjo bie pak ndesh me synimin tjetër berishian për qeverinë e dietave, dëshirë të cilën e kishte ambicioze që në vitin 2005. Po ja ashtu erdhën punët dhe nuk u dietos dot aq sa pritej qeveria. As administrata jo. Por këtë radhë kërkesat do të vërshojnë nga të dy krahët.

Realisht, situata e punësimit në Shqipëri është më shumë se dëshpëruese. Është therëse. Në administratën publike vazhdojnë të emërohen njerëz me përkatësi partiake. Në sektorin publik mbizotërojnë klanet dhe aftësia për t’i rezistuar (ose për t’u bërë palë) me abuzimet.

Të diplomuarit në universitetet që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, në shumicën dërrmuese të rasteve e gjejnë veten në mes të katër rrugëve pa asnjë tabelë orientuese në tregun e punës.

Punësimi është i lidhur ngushtë me arsimin, dhe të dyja çështjet janë plagë që rrjedhin, por që vazhdojnë të lihen të hapura.

Kaq i madh është ngërçi i punësimit, sa është tepër e vështirë të kalosh në garancinë numër tre që kryeministri u premton shqiptarëve; shërbime cilësore e me standarde evropiane.

Këto zhargone të rëndomta janë fjalëkalimi i vetëm për t’u dukur mbresëlënës, por e vërteta është se pas tyre nuk mund të ketë asnjë garanci, sepse shërbimet nuk mund të evropianizohen brenda katër vjetësh. Është e pamundur që administrata të bëhet eficente, që ambasadat t’i binden dëshirës së kryeministrit tonë, që shkollat të heqin dorë nga përfitimet e ditës, që profesionalizmi të ndryshojë aq thellë, sa cilësia e shërbimeve të lulëzojë.

Më tej, kryeministri e thelloi shakanë e tij të hidhur me njerëzit që do të qeverisë, kur filloi të flasë për qeverinë elektronike. “Mbledhja e parë fillon me E-kabinet, çka do të thotë shpejtësi dixhitalike për këtë kabinet. E-government do të thotë gjithçka në rrezen e diellit, gjithçka transparente në të gjitha zyrat, agjencitë dhe kabinetet tona. E-government do të thotë reforma të thella e të mëdha, të cilat në katër vjet do të formësojnë një Shqipëri tjetër, Shqipëria, anëtare e NATO-s; Shqipëria, vendi me infrastrukturë moderne; Shqipëria, vendi në moshën dixhitale; Shqipëria, vendi që ka konsoliduar shpirtin dhe frymën sociale; arsimin dhe shëndetësinë të standardeve më të mirë; pavarësinë e institucioneve”

 Jo o zotëri jo. E-government nuk do të thotë as qeveri në rreze të diellit, e as transparencë. E-government do të thotë që ti dhe qeveria jote të ndiqni shpejtësinë me të cilën ecën bota sot, edhe të kapni ritmin e ndryshimit në një Europë që nuk është më ajo që synoni ju. Europën duhet ta bëjmë në Shqipëri, jo ta çojmë Shqipërinë në Europë.

Edhe e-government fillon që nga mundësimi i përdorimit efektiv të faqes elektronike të qeverisë jo për të mësuar kë dhe kur takon kryeministri, por një më një, të gjitha detajet, informacionet, ligjet, ndryshimet, punën dhe planet konkrete për të mundësuar rritjen e mirëqenies apo punësimin e ëndrrave.

Të gjitha përrallat për luftën e suksesshme ndaj krimit dhe korrupsionit, reformave të thella ekonomike, privatizimeve të mëdha, rritjes së shpejtë ekonomike, revolucionit të thellë fiskal dhe pothuaj dyfishimit të të ardhurave, rritjes me 68% të rrogës mesatare, dyfishimit të rrogave dhe pensioneve të ulëta, e me radhë, mirë është të mbahen nëpër sirtarët dhe arkivat e qeverisë.

Puna e vërtetë duhet t’i kapërcejë teoritë e stërpërsëritura për vendin e lirive dhe të drejtave të garantuara, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike dhe të pavarura, apo vendin e demokracisë funksionale.

Qeveria jote qeveris në ajër, zotëri. Premtimet duhet të marrin formë, si për minoritetet, ashtu edhe për respektimin e plotë të lirisë së mendimit, mediave, reformën institucionale, respektimin dhe konsolidimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, pavarësinë e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, ekzekutimin me vendosmëri të vendimeve të gjykatave, konsolidimin e sistemit të përmbarimit shtetëror dhe privat, reformës në Policinë e Shtetit, Entet Rregullatore, agjencitë e ndryshme kombëtare, arsim, shëndetësi, diplomaci etj.

Por deri më sot kemi shumë pak prova nga e kaluara për të vërtetuar se këto objektiva do të arrihen.

Unë shoh që në 2013-ën, shifra e papunësisë do të jetë akoma e lartë dhe akoma e fshehur. Sistemi arsimor do jetë ende në reformim e akoma pa asnjë rezultat premtues për 10 vitet që do pasojnë. Nuk pres të shkoj me tren të shpejtë në Durrës, as të kem shërbim të përshtatshëm publik në Tiranë, as në transport, as në shëndetësi, as në arsim.

Pse-të gjenden kollaj tek njerëzit e suksesit që u rikonfirmuan ministra, dhe tek të tjerët që do kërkojnë ta përsërisin mandatin edhe pas katër vjetësh të tjera.

Shqipëria nuk ka për të shkuar në Europë, zotëri. Europën ndërtoje këtu ku jemi.

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Ndryshuar prej globalizimit Universitet apo han pa porta?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2009
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: