Universitet apo han pa porta?

22/09/2009 at 08:57 15 comments

A duhet të liberalizohen tërësisht universitetet publike? Përgjigja ime nuk ka dilemë; JO.

Jo sepse duke hapur dyert për gjithkënd, minohet cilësia arsimore. Jo, sepse kjo nuk ka të bëjë fare me kompetencat ministrore apo me tejkalimin e dëshirës për autonomi. Jo, sepse nxënësit që mezi kanë marrë pesën apo gjashtën në gjimnaz, nuk do të jenë në gjendje t’i përgjigjen kërkesave akademike që ka Universiteti. Jo, sepse duke e bërë Universitetin publik han pa porta, destabilizohet vlera e të studiuarit dhe zhvleftësohet tërësisht meritokracia në studime.

Mua m’u duk shumë i guximshëm dhe i drejtë mendimi i universitetit të Vlorës për të mos regjistruar në degët e tij studentë me mesatare poshtë gjashtës. M’u duk madje i vonuar ky reagim në emër të cilësisë. Por atij vendimi që iu kundërvunë pa asnjë argumentim kandidatët për studentë, i erdhi menjëherë kundër edhe vetë Ministria e Arsimit. Për fat të keq.

Prioritetet e ministrit të ri për rritjen e buxhetit për arsimin, shtimi i investimeve, thellimi i reformave në kurrikula, mbështetja e mëtejshme për arsimin profesional, nxitja e iniciativave private në arsim, janë të gjitha aspekte të admirueshme dhe frytsjellëse. Për më tepër, arsimi në katër vitet e ardhshme do të ketë shansin të drejtohet nga një akademik që e njeh me imtësi fushën dhe që tregon përkushtim e kujdes të veçantë ndaj çdo detaji në arsim.

Atëherë përse kjo mbështetje dhe nxitje për të regjistruar në universitetet publike edhe studentët e mirë, edhe ata që mezi kanë marrë gjimnazin?

Në përfundim të studimeve, një student që kërkon sot me mesatare 4.7 të regjistrohet në Universitetin e Vlorës për matematikë, do të kërkojë me të njëjtin legjitimitet të emërohet mësues i kësaj lënde të vështirë, po aq sa një student që për t’u regjistruar për matematikë në Tiranë, i janë dashur trefishi i pikëve të kolegut, dhe shumë mund e djersë për të dalë mirë në maturë.

Kur një nxënës është i pa-aftë të shkojë me mendtë e veta deri tek pesa në gjimnaz, si ka mundësi të pretendojë që të pranohet në universitet për t’u diplomuar si mjek, infermier, avokat, ekonomist, gazetar, psikolog, fizikan apo inxhinier?

E në vend që të frenohet çoroditja e tregut të vlerave të të nxënit, ajo po nxitet akoma më shumë, kur në mënyrë zyrtare kandidatët për studentë inkurajohen se do të regjistrohen se s’bën nëpër fakultetet ku janë shpallur fitues.

Ndarja e nxënëse sipas aftësive të të nxënit më është dukur gjithmonë e drejtë për të mirën e të gjithëve; prandaj detyrimin për të plotësuar kritere hyrëse që për në vitin e parë gjimnaz e pres me padurim që të ndodhë. Ata që shkëlqejnë, le të ndjekin studimet e përgjithshme. Për të tjerët ka vend me shumicë në shkollat profesionale. Kështu i shërbejnë më mirë edhe vendit.

Por jo. Që në përfundimin e ciklit të detyruar shkollor (aktualisht 9 vjeçar), nxënësit vrapojnë e nxiten drejt gjimnazeve, që në rastet publike janë me nga 50 nxënës në klasë, e në rastet private, kanë mbirë si kërpudhat pas shiut.

Në përfundim të gjimnazit, përpos pasigurisë së vërtetësisë së notës, kontingjenti i nxënësve del edhe gjithë pretendime për të vazhduar se s’bën studimet e larta, e mundësisht, të gjithë duan Tiranën.

Shumë mirë. Por hyrja në Universitet duhet të ketë disa kritere. Të forta madje.

 

Çfarë ka ndryshuar?

Kur para 12 vjetësh fillova studimet e mia për gazetari, më kujtohen mbi dy mijë studentë që morën pjesë në konkursin e pranimit, për 17 vende që ofronte fakulteti. Sot, i njëjti fakultet ofron pothuajse 150 vende, dhe përveç kësaj, ka degë të gazetarisë edhe në dy universitete të tjera publike në Elbasan dhe Shkodër, e për më tepër, studime të medias ka edhe në të gjitha universitetet private që mund t’iu vijnë në mendje.

Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtin numër popullsie si 12 vjet më parë, dhe me ndryshime të vogla e pa lidhje me meritokracinë, ka edhe të njëjtin treg pune.

Atëherë, nëse në 1997-ën mendohej se tregu kishte nevojë për 17 gazetarë në vit, çfarë studimi ka arritur në përfundimin se sot duhen 450 gazetarë të diplomuar nga universitetet publike e 500 të tjerë nga ato privatet në vit?

E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha degët e tjera.

Arsimi është padyshim vlerë e paçmueshme për shoqërinë tonë në zhvillim, po ky shfrenim i shifrave, degëve dhe kritereve të pranimit, si supozohet se po e ndihmon mbajtjen gjallë të këtyre vlerave.

Në njërin nga kanalet lokale televizive të Vlorës pashë pamje nga protestat e kandidatëve për studentë që kishin bllokuar mjediset e Universitetit. Kërshërisë së gazetarit përse këmbëngulnin të regjistroheshin në UT, megjithëse me mesatare nën gjashtë, një vajzë e trukuar si për shfaqje cirku, iu përgjigj shumë e indinjuar: “Sepse unë jam një vajzë moderne, që kam shumë ëndrra në sirtar, dhe ju nuk mund të më pengoni t’i realizoj ëndrrat e mia, sepse unë jam vajzë me botë, dhe me shumë miq e shokë, edhe kam të drejtën time, sepse studentët bëjnë jetë të bukur, dhe unë dua jetë të bukur, pse ç’a kam unë të mos bëj jetë të bukur?”

Sigurisht, nuk mund të presësh më shumë nga një student me mesatare gjimnazi 5.1.

Po përse t’a fitojë të drejtën e studimit për gjuhë –letërsi kjo bartëse e handikapëve të formimit logjik e leksik? Apo që nesër ta shohim në parlament duke marrë vendime për arsimin?

Sipas urdhrit të ministrisë, ajo dhe gjithë të tjerët si puna e asaj do regjistrohen se s’bën në fakultet. E edhe sikur të mos jetë në gjendje të emërohet si mësuese letërsie pas studimeve të saj, me siguri do të shkatërrojë tregun e të tjerëve, dosjet e të cilëve kanë vite që rrinë stok nëpër drejtoritë arsimore.

 

Po në vendet e tjera, ç’ndodh?

Për t’i dhënë një shpjegim tjetër këmbënguljes së ministrisë për të bërë gjithkënd me UT e me studime pasuniversitare (dhuratë e manisë më të fundit të UT-ve private, por që kërkon një tjetër palë mendsh për t’u marrë me to), kërkova të lexoj dhe të krahasoj kriteret e pranimit për nivelin  e parë të studimeve universitare nëpër botë.

T’i lëmë mënjanë tipet e Oksfordit apo Kembrixhit, që kërkojnë jo vetëm rezultate maksimale gjatë gjithë shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, por që i marrin kandidatët në konkurse hyrje, ku secili mund të harxhojë dy ditë duke u pyetur, shpesh edhe nga ekipe të ndryshme për të njëjtat pyetje.

Le t’i lemë mënjanë edhe kërkesat e universiteteve të tjera perëndimore, që përveç notave dhe provimeve hyrëse, bëjnë edhe testim për të matur interesin e kandidatëve për lëndën për të cilën aplikojnë, aftësitë e tyre për të përshkruar apo diskutuar mbi çështje që kanë lidhje me lëndën, aftësitë analizuese apo ato arsyetuese e problem-zgjidhëse.

Përpos këtyre, në ëebsite të universiteteve nga vende të tilla si Kenya, Singapori apo Zambia, vihet re se nuk pranohen nëpër fakultete studentë që kanë dalë keq me provimet e maturës, që kanë mesatare të ulët dhe tendencë për të qenë studentë të dobët në universitet. Mesatarja shfaqet në shumicën e shkollave si kriter pranimi, pastaj renditen edhe notat e provimeve të maturës, konkursi i pranimit dhe intervista individuale e kandidatëve të përzgjedhur. Në rastin e vendeve më të afëtra me ne gjeografikisht, Sllovenia kërkon patjetër notë të mirë në provimet e maturës dhe listën e plotë të notave të dy viteve të fundit të shkollës së mesme (qoftë edhe shkollë profesionale). Pra, gjithkund synohet cilësia, jo sasia. Eshtë e thjeshtë të pretëndohet se Shqipëria do të ketë 150 mijë studentë në virt, por është fatkeqësi e vërtetët të mendosh se mbi 100 mijë prej tyre zor se e meritojnë të jenë në Universitet. Dyndja e tillë shkatërron përfundimisht vlerën e diplomës dhe corodit masivisht tregun e punës.

 

Ku po shkon arsimi?

Arsimi në Shqipëri ndodhet tashmë në udhëkryq  edhe për shkak të manisë më të fundit për t’u pasuruar nëpërmjet universiteteve private. Kjo ka ulur ndjeshëm vlerën e diplomave dhe cilësinë e studentëve që dalin në treg. Kjo ka minuar gjithashtu të gjitha shanset e arsimit profesional, që vuan sot më shumë se kurrë nga mungesa e regjistrimeve, sepse të gjithë preferojnë gjimnazin dhe universitetin. Në mos publikun, edhe privatin.

Por tashmë, me uljen e kërkesave dhe pretendimeve edhe për studentët e universiteteve publike, mund të pranohet hapur se udhëkryqi ku ndodhet arsimi, po shkelet njëherësh nga të gjithë.

E që kjo të frenohet në kohë, pa e rrënuar tërësisht cilësinë dhe vlerën e arsimit, kriteret jo vetëm që duhen mbajtur, por madje duhen forcuar për universitetet publike. Dhe duhet përdorur metoda e renditjes në bazë të cilësisë së studentëve edhe për ato privatet.

Minimi i cilësisë arsimore nuk ka të bëjë vetëm me arsimin. Jo. Efektet e tij shtrihen shumë më përtej godinës që ndodhet në rrugën e Durrësit. E nesër, dyert e tij mund t’i synojnë të gjithë ata nxënës me rezultatet të dobëta, të cilëve fatkeqësisht dhe padrejtësisht, iu premtohet arsimi i lartë publik.

Është fatkeqësi për të gjithë. Dhe duhet riparë menjëherë.

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Qeveria, Shqipëria dhe Europa Integrim apo manipulim

15 Comments Add your own

  • 1. arti  |  22/09/2009 at 22:02

    Mendoj se per kete shkrim mund te ishte punuar edhe me.
    Ndoshta jam edhe i njeanshem, pasi une ne pergjithesi mendoj se universiteti duhet te jete i hapur per te gjithe (me disa kufizime dhe rregulla ndryshe nga te sotmet) e shpresoj qe te mundem te te pergjigjem nje dite ne nje koment tjeter. Por per momentin kam disa verejtje:
    – Artikulli nuk sqaron drejtperdrejt se c’kupton me liberalizim. Me sa duket ti e ke fjalen per liberalizim te pranimit te studenteve. Por liberalizim eshte edhe lenia dore te lire universiteteve per te percaktuar kriteret e pranimit te studenteve. Nga artikulli duket sikur ti je dakord me kete lloj liberalizimi por je kunder pranimit te gjithe atyre qe deshirojne te studiojne ne universitet.
    – Artikulli nuk e sqaron se kush po e ngre kete kerkese per liberalizimin e universiteteve ne kete moment apo pse po e diskuton ti ne kete moment. Deri tani universitetet publike shqiptare jane me numer te mbyllur ne cdo dege, pavaresisht se ne shume dege jo shume te preferuara nuk plotesohet numri i studenteve.
    – Perdorimi i universiteteve te Oksfordit apo Kembrixhit si shembuj eshte pa vend sepse keto jane universitete elitare ku do donin te studionin gjithe studentet e botes. Meqe ra fjala cfare mendon ti sikur ne Shqiperi te krijoheshin nje apo dy universitete elitare me numer te mbyllur pranimesh dhe pastaj gjithe universitetet e tjera te ishin me numer te hapur pranimesh?
    – Duhet te kishe permendur raste vendesh ku universitetet jane me numer te hapur pranimesh, si p.sh. komshiu yne Italia. Une personalisht me komshinjte tone Greqine e Italine do isha marre ne kete shkrim pasi Greqia eshte me numer te mbyllur dhe Italia me numer te hapur e si rezultat ndodhin dinamika interesante. Ne vitin 1994 une studioja ne universitetin e Barit dhe mora vesh se mbi 20 mije studente te atyshem ishin greke qe nuk ishin pranuar ne universitetet greke.
    – Ti permend fjalet e nje kandidate per studente ne Universitetin e Vlores gjate nje interviste si shembull qe kesaj vajze i mungon logjika per te qene ne universitet por nuk e argumenton se pse ti mendon keshtu. Nga fjalet e saj mua me duket sikur ajo vajze e ka logjiken e mjaftueshme per te qene ne universitet. Eshte detyra jote te ma mbushesh mendjen qe e kam gabim.

    Uroj qe te mos ma marresh per keq per keto verejtje. Vete arsyeja qe u ula te te shkruaj eshte sepse kam konsiderate shume te larte per ty dhe e ke treguar me shume shembuj qe je ne gjendje te shprehesh shume here me qarte se kaq.

    Sic e thashe edhe me lart shpresoj qe ne nje nga ditet e ardhshme te te jap idete e mia se pse universitetet publike duhet te jene me numer te hapur, por tani sidomos pas ketyre verejtjeve qe te bera, e kupton edhe vete se do me duhet shume pune per ti shprehur keto ide me shkrim.

  • 2. Bona  |  23/09/2009 at 08:47

    Superdakord me shkrimin, Eda, vetem se argumenti vlen edhe per universitetet private. U lumte atyre te Vlores qe e moren nje vendim te tille dhe e thane me ze te larte se nuk mund te punohet ne universitet me studente qe kane mesatare nen 6. Rezultati eshte ta ulesh nivelin e mesimdhenies ne ate shkalle sa te mos quhet me universitetet po shkolle fillore. Pedagoget duhet te behen bashke ne te tilla raste, sepse eshte ne kurriz te tyre futja pa kriter e cdo njeriu qe i eshte mbushur mendja qe do te marre diplome universitare. Une flas nga pervoja personale dhe me ze stresi kur mendoj korrigjimin e provimeve, se shumica nuk dine te shkruajne shqip. I kam mbi tavoline detyrat e vjeshtes dhe njeri ka pertuar te ktheje dhe w ne e me dy pika, mos te flas per gabimet gramatikore dhe stilin skandaloz. Vlora duhet pergezuar dhe mbeshtetur per vendimin. Tek e fundit, UT jane autonome apo jo? Le t’i vendosi cdo UT kriteret per pranim dhe shyqyr Zotit (dhe qeverise) sot kemi plot UT per te zgjedhur. Nese Vlora nuk i pranon, te shkojne ne Elbasan, a Gjirokaster a Berat a Kukes a ne Durres dhe te behen studente me “jete te bukur”. Ah, sikur te vinte ajo dite qe edhe UT private te vendosnin te tilla kritere! Jeta do ishte me e bukur per te gjithe:)

  • 3. edliragjoni  |  23/09/2009 at 14:39

    Përshëndetje Art,
    Shkrimin e ke bere, se është një faqe A4 e plote🙂

    Po iu përgjigjem pikave që ke renditur.

    1.”Ndoshta jam edhe i njeanshem”

    – Mbase. Dhe mesa lexova deri ne fund, me rezultoi se e njeh mire veten🙂

    2.”Une ne pergjithesi mendoj se universiteti duhet te jete i hapur per te gjithe (me disa kufizime dhe rregulla ndryshe nga te sotmet)”

    – Edhe unë mendoj tamam kështu. I hapur për të gjithë, POR me të gjithë, kuptoj ata që I plotësojnë kriteret, kufizimet dhe rregullat që ke vënë ti në kllapa

    3. “Artikulli nuk sqaron drejtperdrejt se c’kupton me liberalizim. Me sa duket ti e ke fjalen per liberalizim te pranimit te studenteve. Por liberalizim eshte edhe lenia dore te lire universiteteve per te percaktuar kriteret e pranimit te studenteve. Nga artikulli duket sikur ti je dakord me kete lloj liberalizimi por je kunder pranimit te gjithe atyre qe deshirojne te studiojne ne universitet.”

    – E ke kuptuar shumë drejt. Unë jam pro lirisë që universitetet të përcaktojnë kriteret e tyre të pranimit; dhe nuk jam shumë entuziaste për lirinë e pranimit të gjithkujt që mbaron të mesmen, por vetëm atyre që binë në kategorinë e përmendur në pikën 2 më sipër.

    4.”Artikulli nuk e sqaron se kush po e ngre kete kerkese per liberalizimin e universiteteve ne kete moment apo pse po e diskuton ti ne kete moment “

    – Sepse mora shkas nga ngjarjet në Universitetin e Vlorës. Edhe sepse është faza kur po pranohen studentët në universitete.

    5.”Perdorimi i universiteteve te Oksfordit apo Kembrixhit si shembuj eshte pa vend sepse keto jane universitete elitare ku do donin te studionin gjithe studentet e botes”.

    – Pjesës kryesore të fjalisë tënde, i përgjigjet pjesa e dytë e nënrenditur e saj (përcaktorja) dhe e plotëson pjesa e fundit nënrenditëse(vendorja).

    6.”Duhet te kishe permendur raste vendesh ku universitetet jane me numer te hapur pranimesh, si p.sh. komshiu yne Italia”

    – Po këtë mund ta bësh shumë mirë ti, se mua do të ma thyente idealin një sipërmarrje e atillë🙂 Kur dua që primare të jetë cilësia, rastet që më sugjeron nuk më ndihmojnë në përforcimin e argumentit tim.

    7.”Ti permend fjalet e nje kandidate per studente ne Universitetin e Vlores gjate nje interviste si shembull qe kesaj vajze i mungon logjika per te qene ne universitet por nuk e argumenton se pse ti mendon keshtu. Nga fjalet e saj mua me duket sikur ajo vajze e ka logjiken e mjaftueshme per te qene ne universitet. Eshte detyra jote te ma mbushesh mendjen qe e kam gabim.”

    – Thua? Mbase një rishikim i edicionit të lajmeve qendrore të datës 18 Shtator në televizionin lokal Vlora 6+1 do të të bindte më shumë se unë.

    <8.”Uroj qe te mos ma marresh per keq per keto verejtje. Vete arsyeja qe u ula te te shkruaj eshte sepse kam konsiderate shume te larte per ty dhe e ke treguar me shume shembuj qe je ne gjendje te shprehesh shume here me qarte se kaq”

    – Uroj të njëjtën gjë për përgjigjet. Sa për qartësinë, më duket se ky është thjesht një subjekt për të cilin nuk ndajmë të njëjtin mendim.

    9.”Sic e thashe edhe me lart shpresoj qe ne nje nga ditet e ardhshme te te jap idete e mia se pse universitetet publike duhet te jene me numer te hapur, por tani sidomos pas ketyre verejtjeve qe te bera, e kupton edhe vete se do me duhet shume pune per ti shprehur keto ide me shkrim “

    – Dhe jam e sigurtë që në përfundim të punës tënde, do të përsërisësh këto që ke thënë këtu: “numër të hapur për universitetet publike, por me liri të universiteteve për të përzgjedhur kriteret e pranimit. Plus, rregulla dhe kufizime të përcaktuara qartë”. A do të ndikojnë këto në rritjen e cilësisë arsimore? Nëse po, vërejtjet e tua dhe shqetësimet e mia do të gjenin rehat🙂

    10.Të përshëndes 🙂

  • 4. CO-EDUCATION  |  24/09/2009 at 08:48

    Universiteti, nese do shprehesha ne menyre figurative, eshte autobus qe e merr nje person me dije nga Z-ja dhe e con tek Zh-ja.
    Por po te mbledhesh gjithe njerezit me dije qe jane akoma tek A-ja, B-ja e C-ja e ti cosh direkt tek Zh-ja do krijosh nje brez me dije te cunguar. E per me shume duhet qe ky shoferi i ketij autobusi (Ministria e Arsimit) te dije se cdo aoutbus ka nje numer te limitizuar vendesh thjeshte bazuar mbi rregullat e qarkullimit. Tani nese keta vazhdojne keshtu normalisht ky autobus do behet si autobusi i Kombinatit Hip/Zbrit kush te mundet dhe per me shume shkruan – MOS I FOL SHOFERIT.

  • 5. arti  |  25/09/2009 at 09:44

    Co-ed, krahasimet i ke gjetur shume te bukura. Por ne fakt universiteti ne shumicen e degeve te merr nga A-ja dhe te con tek K-ja, L-ja, O-ja apo P-ja. P.sh. te marrim degen gazetari. Askush nuk ka studiuar ne gjimnaz per gazetari. Dikush shkon ne universitet, studion 4 vjet dhe merr diplomen per gazetar.
    Problemi kryesor qe shoh une ne argumentat e perkrahesve te universiteteve me numer te mbyllur eshte supozimi qe dikush mbaron universitetin ne nje fushe dhe eshte specialist ne ate fushe. Kjo sigurisht s’eshte e vertete. Edhe studenti me i mire i gazetarise nuk eshte gazetar kur merr diplomen. Do i duhen te pakten disa vjet praktike per t’u pare nese eshte vertete per ate pune apo duhet te kaloje ne ndonje zanat tjeter.
    Diskutimet qe behen keto dite ne lidhje me pranimet ne Universitetin e Vlores nuk jane drejtperdrejt te lidhura me diskutimin numer i hapur/numer i mbyllur. Universiteti i Vlores eshte me numer te mbyllur. Problemi eshte se ky numer i mbyllur eshte aq i larte sa i del te pranohen edhe nxenes me pesa. Sipas rektorit kjo nuk mund te pranohet, sepse sipas tij vetem nxenesit me gjashta bejne per ne Universitet!
    Nga e nxori kete numer rektori? Per neve qe kemi studiuar ne universitet ne vitet 80 e me pare, mesatarja 6 konsiderohet teper e ulet. Me nje mesatare te tille asnjeri nuk pranohej gjekundi. Edhe me mesatare 7 zor se gjeje vend, vecse nese vije nga ndonje gjimnaz shume i mire si Ali Demi ne Vlore. Kur u regjistrova une ne Universitetin e Tiranes, dega ime kishte 60 studente ku te gjithe kishin mbaruar gjimnazin me mesatare mbi 8.5. Me shume se gjysma ngelen ne te pakten nje provim gjate vitit. Imagjino te kishin ardhur studente me gjashta! Asnje provim s’do kishin marre.
    Pse nuk kerkon rektori i Vlores qe vetem studente me mesatare 8.5 e lart te regjistrohen ne universitetin e tij? Natyrisht ai se ve dot kete kriter se i ngelet universiteti pa studente. Sipas llogarive te tij nese ve limit mesataren 6, universitetit te tij i behen nje numer i mjaftueshem studentesh. Nese numri i te regjistruarve do binte nen nje nivel te caktuar ai do ishte i pari qe do i regjistronte edhe studentet me pesa.
    Nga njera ane duket sikur duke vene kriterin e notes limit, universiteti i Vlores i jep vetes nje pamje elitare (se c’elite mund te jesh me 6-ta ngelet per t’ud diskutuar).
    Nga ana tjeter duke vene kete kriterin e notes limit, rektori ka pranuar dobesine e pedagogeve dhe te vete universitetit te Vlores. Nese personi qe ka mbaruar me pesa nuk ben per universitet, t’i e ke kollaj, ngele ne te gjitha lendet. Kjo gje eshte e lehte se studenti s’di asgje. Eshte e qarte se rektori nuk ka besim se pedagoget e tij do e bejne punen sic duhet.
    A eshte e mundur qe nje student me mesatare 5 ne gjimnaz te behet gazetar. E pse jo? Probabiliteti eshte shume me i vogel per te se sa per nje student qe ka mbaruar me mesatare 9, por probabiliteti nuk eshte 0. Nese studenti ka tru dhe e ka pasion gazetarine dhe ulet e studion dhe pas universitetit i vihet punes seriozisht, nje dite ai mund te perfundoje gazetar.
    Pse t’ja heqim a-priori kete mundesi ketij studenti?

    —- Per t’u vazhduar —-

  • 6. CO-EDUCATION  |  25/09/2009 at 10:16

    I nderuar Arti
    Mendoj se duhen vene ca pika ne ate per cfare flasim:
    1) Vendosja e nje kriteri hyres ne universitet nuk i pret rrugen e jetes askujt, thjesht edhe sakte shihet si element ne ruajtjen e standarteve. Edhe Buffet nuk eshte pranuar ne Universitetin e Harvardit por kjo nuk e pengoi as Buffet te behej njeri nga njerezit me te pasur ne bote e as Universitetin e Harvardit te vazhdonte me ruajtejn e emrit dhe te standarteve. Ne nje institucion te dijes – dija duhet te jete kriter.
    2) Matjen e nivelit te dijes dhe zhvillimin e saj e ve institucioni ku personi studion (ne kete rast univesiteti) ndersa matjen e nivelit profesional te ushtrimit te dijes e ve tregu i punes (ne kete rast gazeta/televizioni- tregu kombetar/rajonal e me gjere).
    3) Ti shkruan “Kur u regjistrova une ne Universitetin e Tiranes, dega ime kishte 60 studente ku te gjithe kishin mbaruar gjimnazin me mesatare mbi 8.5. Me shume se gjysma ngelen ne te pakten nje provim gjate vitit. Imagjino te kishin ardhur studente me gjashta! Asnje provim s’do kishin marre” —– Tani une te them Imagjino sikur te gjithe ata studentet me Gjashta te ishin pranuar, marrin edhe provimin qe i referohesh ti, marrin edhe diplomen e Gazetarise. – – –

  • 7. Bona  |  25/09/2009 at 10:42

    Eda, te kishin cituar sot te “Tema”. Madje diku m’u duk se t’i kishin hequr dhe thonjezat (ajo pjesa me vajzen ne TV)

  • 8. Bona  |  25/09/2009 at 10:50

    Arti, ai studenti me mesatare 5 nuk mund te behet gazetar, se 5 dmth se nuk di te shkruaje, jo me te perdore koncepte, logjike, analize. Dhe pa keto, nuk behesh dot gazetar, jo me pasion ta kesh, por te hidhesh perpjete. Nese do kishte tru, nuk mund ta kishte mesataren 5, keshtu qe argumenti s’qendron. Ti thua, mbase i vijne mendte dhe ulet e studion, po atehere nuk i bie te jete ne Universitet, po duhet te kthehet serish ne shkolle te mesme dhe te mesoje te shkruaje e te lexoje. Cfare e kujton ti gazetarine? Ndonje gje qe bie nga qielli si rrufe dhe te ndricon? Gazetaria eshte profesioni i te mbledhurit dhe i te dhenit informacion. Nese per ta mbledhur duhet talent, per ta shkruar duhen aftesi qe mesohen vetem ne shkolle. S’kam pare deri tani ndonje gazetar gagac ose analfabet. As me mesatare 5 nuk kam pare.

  • 9. CO-EDUCATION  |  25/09/2009 at 12:58

    Nuk besoj se vetem Gazetaria duhet marre si baze diskutimi ne kete mes.
    Po flasim per gjithe fushat e studimeve tek te cilat nese gabojme tani, mund te shkaterrojne ne te ardhmen gjithe sistemin. Ketu i referohem, juristeve, ekonomisteve, etj.
    Po tu referohemi zhvillimeve kaq te vrullshme te botes se sotme nuk mund te ngjitim neper muret e universiteteve tone pankarten “Hajde t’i japim mundesine gjithsesicilit te paijset me nje diplome te shkolles se larte se mbase do krijojme nje komb te zgjuar e te ditur per t’u perballur me sfidat e se ardhmes”

  • 10. arti  |  25/09/2009 at 17:43

    co-ed shkruan:
    “Tani une te them Imagjino sikur te gjithe ata studentet me Gjashta te ishin pranuar, marrin edhe provimin qe i referohesh ti, marrin edhe diplomen e juridikut.”

    Problemi ketu eshte sepse vazhdojme akoma me konceptin “kam mbaruar per juridik, ndaj jam jurist”. Diploma duhet te konsiderohet per ate qe eshte: Nje prove qe personi ka pasur durimin dhe aftesine te qendroje nje numer te caktuar vitesh ne shkolle dhe ka kaluar nje numer te caktuar provimesh. E shumta diploma eshte nje prove e potencialit te personit, por asnjehere nuk duhet te merret si prove e aftesive te tij per te bere nje pune te caktuar.

  • 11. arti  |  25/09/2009 at 18:03

    Problemet me mesataren
    Ekzistojne disa probleme me mesataren qe per mendimin tim e bejne te pamundur vendosjen e cdo kriteri limit per pranimin ne universitet bazuar mbi mesataren.
    – Mesatarja nuk eshte tregues direkt i dijeve te studentit. I njejtii student ne shkolla te ndryshme do dale me mesatare te ndryshme. Kete e kishim te qarte edhe neve ne vitet 80 kur benim krahasimin e cilesise se studenteve qe vinin nga gjimnaze te ndryshme. Rezultatet e matures shteterore e vertetojne kete fakt cdo vit. Pse mendon rektori i Vlores qe nje student me mesatare 6 nga Kuci eshte i pranueshem ne universitet kurse nje student me mesatare 5.8 nga Ali Demi nuk eshte i pranueshem?
    – Vendosja e kritereve me baze mesataren do rrise fiktivitetin. Ne fund te viteve 80 numri i nxenesve me mesatare mbi 8 filloi te rritej ndjeshem. Presioni ndaj mesuesve te shkollave te mesme per te marre nota te mira arriti nivele pothuaj te paperballueshme. Mendoni ju qe nje student gjimnazi qe e ka ne plan per te shkuar ne universitet dhe e di qe nuk pranohet me mesatare nen 6, do dale me mesatare 5? Probabiliteti eshte shume i larte qe ai do dale me mesatare mbi 6. Sa nga kjo rritje niveli do jete si pasoje e faktit qe ai mesoi me shume dhe sa do jete si pasoje e presionit mbi mesuesin? Studentet e Vlores jane te revoltuar spese rregullat e lojes u ndryshuan jo ne fillim te lojes sic duhet, jo gjate lojes sic behet rendom ne Shqiperi, por pasi kishte mbaruar loja.

  • 12. arti  |  25/09/2009 at 18:31

    Paradoksi i pranimeve te shternguara
    Mendja ta thote qe nese nje universitet ka kritere shume te shternguara pranimi ne nje dege, cilesia e njerezve qe punojne ne ate fushe pas diplomimit do jete e larte. Mesatarisht kjo mund te jete e vertete por eshte e mundshme te ndodhin edhe raste te tilla si me poshte (rasti eshte krejt real):
    Ne vitet 80 juridiku pranonte jo me shume se 100 studente, numer i mjaftueshem per sistemin komunist por krejt i pamjaftueshem per sistemin qe erdhi me vone.
    Ne vitet 80 kisha ne klase nje goce e cila s’kishte fare logjike, nuk ulej nje dite per te mesuar dhe ne pergjithesi nuk dinte asnje gje. Hic fare, as dinte filma, as mode, te flisje me te ishte si te flisje me nje cope druri.
    Nena e saj ishte ne nje pozicion shume kyc ne qytet, te themi dicka si shitese bulmeti. Nuk po e permend pozicionin e vertete sepse nuk dua ti dale emri. Ne ate pozicion nena arriti ti nxirrte goces mesatare mbi 8 (megjithese kishte edhe pesa ne diplome).
    Me kete mesatare dhe me aftesite e nenes se saj kjo goca perfundoi ne juridik. Sot e ke gjykatese, te con 20 vjet ne burg me nje te rene te stilografit.
    Nese kjo goce do kishte mbaruar sot, nuk kam dyshim se do arrinte te mbaronte juridikun. Por gjykatese nuk do behej kurre pasi per kete duhet te nxirrte nje mesatare shume te larte ne universitet, te fitonte konkursin e shkolles se magjistratures e te dilte me mesatare te larte e me rekomandime shume te mira nga shkolla e magjistratures.

    Perfundimi qe une nxjerr nga kjo eshte se cilesia e larte e te punesuarve ne nje fushe te caktuar nuk arrihet duke shternguar kriteret e pranimit ne ate dege ne universitet, por duke vene notat e merituara ne universitet (detyre e pedagogeve) e duke shternguar kriteret e pranimit ne pune (detyre e punedhensve).

  • 13. arti  |  25/09/2009 at 18:48

    Paradoksi i numrave te hapur
    Deri tani kemi folur vetem per kriteret e pranimit ne universitet me numer te mbyllur, sic eshte edhe situata e sotme ne Shqiperi.
    Tani le te themi qe universitetet jane me numer te hapur, pra gjithsekush regjistrohet ne ate dege qe do. Perjashtim mund te bejne vetem dege te tilla si mjekesia apo stomatologjia ku numri i kufizuar i vendeve ne laboratore detyrimisht do coje ne kufizimin e numrit te studenteve te pranuar. Por ne dege te tilla si juridiku do pranoheshin te gjithe ata qe deshirojne.
    Mendja ta thote qe cilesia e universitetit do ulet pasi do rritet numri i studenteve te dobet. Eshte e mundshme te ndodhe krejt e kunderta.
    Sot ne universitete ke dege te padeshiruara ku shkojne studente qe nuk arrijne te pranohen ne asnje dege tjeter. Ne keto dege cilesia eshte katastrofike. Pedagoget i kalojne studentet vetem te mos mbyllet dega. Nese keta studente do shkonin te studionin juridik, keto dege plehra do mbylleshin duke rritur keshtu cilesine e universitetit. Nga ana tjeter cilesia e degeve si juridiku nuk do ulej ndjeshem ose hic fare sepse juridiku do kete plot studente shume te mire.

  • 14. arti  |  25/09/2009 at 19:04

    Paradoksi i universiteteve me shumice
    Dihet qe India ka arritur suksese te ndjeshme ne fushen e teknologjise se informacionit. Disa ja atribuojne kete fakt prezences se te ashtuquajturve IIT. Insitutet Indiane te Teknologjise jane shkolla teper elitare ku pranohen vetem me te miret e me te mireve.
    Por personat qe mbarojne keto shkolla jane shume te paket ne numer e shumica e tyre shkojne te punojne ne SHBA pasi mbarojne shkollen. Nuk eshte e mundur qe perparimi teknologjik i Indise te shpjegohet vetem me prezencen e IIT-ve.
    Nje shpjegim tjeter eshte prania e kolegjeve private te inxhinierise qe filluan te hapen me shumice ne fillim te viteve 90 ne Indi si rezultat i liberalizimit te licensave te arsimit te larte. Cilesia e ketyre kolegjeve, sidomos ne fillimet e tyre ishte teper e ulet. Por rezultatet sot i sheh me sy gjithe bota.
    Shpjegimi i ketij paradoksi mund te jete se studentet qe studiuan 3 vjet dhe moren titullin inxhier, nuk e dinin sa pak dinin ndaj edhe filluan te punojne sikur te ishin inxhiniera te vertete. Shume prej tyre deshtuan por shume prej tyre, duke ndihmuar edhe njeri-tjetrin ne kete proces, kane arritur nivele shume te larta njohurish dhe aftesish.

    —- Per t’u vazhduar (mbase) —-

  • 15. mira  |  29/04/2012 at 17:20

    jam nje prind mendoj se ne universitete duhet te hyjne te gjithe me nje note te konsiderushme por ne provimet qe zhvillohen me pas ne universitet mos te futen lek sic ndodh rendome.me pas universitetin e mbarojne me te miret.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
September 2009
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: