Integrim apo manipulim

26/09/2009 at 09:20 Leave a comment

Qeveria e re e ka filluar punën me shumë vrulle e vizita. Aq shumë madje, sa mirë vetë qeveria që është e bindur se e ka nisur mbarë, por edhe publiku po imponohet ta besojë këtë. Shpejtësia me të cilën i rreshtoi qeveria e re prioritetet dhe ritmi po aq i shpejtë me të cilën iu përgjigj media publikimit të këtyre prioriteteve e plane pune, e ka bërë të pamundur përtypjen e gjithckaje që ka dalë zyrtarisht nga goja e ministrave në më pak se dy javë punë.

Që nga e-government e deri tek absurditetet e shumë prioriteteve të listuara me fjalë të mëdha për ekonominë, lekun, stabilitetin financiar, vazhdimin e rritjes ekonomike, e deri tek reformat në arsim (me cilësi të ekspozuar hapur ndaj rrezikut të zhdukjes, se minimal është tashmë), e deri tek planifikimet për shndërrim të Shqipërisë në hirushen ballkanike brenda 4 vjetësh, qeveria shqiptare ia ka dalë më së mirë për mbarë që ta detyrojë median të ndjekë ritmin e saj të furnizimit me shashka, pa i kushtuar rëndësi përmbajtjes së tyre.

Përpos gjithë të tjerave, me çuditi pa masë mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin dhe Këshillit të Ministrave këtë javë, ku u prezantua udhërrëfyesi për përgatitjen e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian.

Përse? Ka një kontradiktë mes qëllimit të mbledhjes dhe qëllimit të pyetësorit. Politikisht, mbledhja duhet bërë, sepse qeverisë së integrimit i duhet të flasë hapur, shpesh e që në fillim për integrimin. Pra, politikisht, korrekt. Praktikisht, qëllimi i pyetësorit për të cilin duhet të diskutojnë zotërinjtë ministra,  është vlerësimi i gatishmërisë së vendit për të ecur drejt fazave të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me BE-në.

Në këtë pikë, Shqipëria akoma nuk ka arritur. Pra, ne NUK kemi pyetësor. Akoma nuk na e ka dorëzuar kush, e ende nuk jemi as nw listw shqyrtimi pwr ta marrw. Pra, në mbledhjen e qeverisw është prezantuar një “udhërrëfyes” për pyetësorin. Kaq.

Por për median dhe për publikun kjo nuk është llokume me arra kokosi. Është e palyer fare edhe shkon poshtë ashtu, pa u përtypur hiç.

Mbledhja ishte realisht një shans mediatik që kryeministri të fliste edhe një herë për integrimin. Procesi i përgatitjes së pyetësorit të Komisionit Evropian kërkon vërtet rëndësi madhore dhe angazhim maksimal nga ministritë dhe të gjitha hallkat që do të merren me këtë proces. Por ne akoma NUK jemi as në fazën që presim pyetësor.

Pse? Po sepse aplikimi i Shqipërisë për t’u pranuar si vend kandidat, akoma nuk është shqyrtuar, le më të merret vendimi për të.

Ka shumë hapa përpara se të vijmë tek pyetësori, por sigurisht, qeverisë së re nuk i intereson të numërojë sfidat.

Procedurat për të pranuar aplikimin e një vendi për t’u bërë anëtar i BE-së janë të shkruara fare qartë në nenin 49 të dokumentit themeltar të Bashkimit Europian. Dhe ministria e integrimit, ajo e jashtmja, kryeministria dhe gjithë të tjerët me radhë,  e dinë se pasi Këshilli Evropian të ketë marrë në dorëzim aplikimin (nga Shqipëria dorëzuar në 28 Prill presidencës ceke të BE-së), këshilli fton Komisionin Europian të përgatisë një raport dhe të japë opinionin e tij në lidhje me gadishmërinë reale të vendit aplikant. Në përgatitjen e këtij raporti, Komisioni vlerëson përputhjen e vendit me kriteret e Kopenhagenit,(politike, ekonomike dhe përshtatjen me legjislacionin e BE-së);  më thelbësoret prej të cilave, kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë institucionale, respektimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e minoriteteve, funksionimin real të tregut të lirë, aftësinë për të përballuar konkurrueshmërinë, si edhe një sërë kriteresh të tjera, që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve, votën e lirë, stabilitetin politik, e të tjera.

Ky vlerësim kërkon muaj e edhe vite. E vetëm pasi vlerësimi të jetë pozitiv dhe komisioni mendon se vendi është gati të fillojë negociatat, e vetëm pasi ky mendim të marrë edhe bekimin e parlamentit evropian, vetëm atëherë vendi aplikant mund ta marrë statusin e kandidatit.

E vetëm në këtë pikë Komiteti Ndërministror mund të bëjë shfaqje publike duke treguar sa fort do të punojë për të plotësuar pyetësorin (që në Shqipëri do akoma shumë muaj që të mbërrijë).

Por, më një opozitë që mungon në parlament për kaprico ta papërligjura në emër të shumicës; me një media që është më tepër transmetuese e lajmit të gatshëm sesa prodhuese dhe gërmuese  e tij; me një publik që manipulohet lehtë nga fjalët e mëdha, të cilat nuk i kuptojnë as vetë ata që i thonë, e as ata që i transmetojnë, vështirë se Shqipëria e ka kuptuar punën e vërtetë që e pret deri sa bëhet pranimi i kërkesës (se integrimi vetë është proces i përjetshëm).

Është gjithashtu domethënëse në ndjekjen e procesit të vësh re se komisionari evropian i zgjerimit, Oli Ren, ka pasur së fundmi një shkëmbim të detajuar korrespodence me parlamentin boshnjak, duke iu përgjigjur shqetësimit të tyre institucional për lënien jashtë nga liberalizmi i vizave. Shqipëria nuk ka marrë ndonjë sqarim të tillë, thjesht sepse nuk e ka kërkuar.

Madje-madje, në këtë vit të egër zgjedhjesh, zyrtarët tanë akoma nuk e kanë pohuar me gojën e tyre se Shqipërisë iu mohua liberalizimi. Akoma flitet me “do të” në gjuhën e qeverisë, pa marrë kurrë guximin të shohin në sy apo të sqarojnë të vërtetën aktuale. Kjo është mungesë e thekuar përgjegjësie politike dhe institucionale, e rrjedhimisht ngjall dyshime nëse kur të vijë vërtet momenti jo vetëm për liberalizmin e vizave, por edhe për pyetësorin e kandidimit, këta zyrtarë do të jenë në gjendje ta zbërthejnë apo plotësojnë me rigorozitet atë.

Procesi i mëtejshëm pas marrjes së statusit të vendit kandidat (që ka gjasa të ndodhë akoma më vonë se liberalizimi i vizave), do t’i kërkojë legjislacionit shqiptar t’i nënshtrohet një kontrolli akoma më rigoroz se sa ai që iu bë nën MSA-në. Ligjet tashmë duhet jo vetëm të harmonizohen me të 35 kapitujt e Acqui Commununitaire, por edhe duhet siguruar zbatimi i tyre sipas normave dhe standardeve që kërkon bashkimi ku synojmë të bëjmë pjesë.

Por, të gjitha këto hapa nuk bëhen duke manipuluar median dhe publiku, sepse pikësëpari, humbja e fillit për vërtetësinë e fazave ndikon tek vetë qeveria.

Nuk është fitore e madhe të mbash publikun me lajme boshe rresh integrimit. Një gjysëm fitoreje do jetë nëse në Tetor, shqyrtimi i raportit të ndërkombëtarëve për zgjedhjet në Shqipëri interpretohet me sens pozitiv. Përndryshe, komisioni ndërministror, edhe mund t’i marrë ca muaj të mirë pushim (pavarësisht se nuk i përshtatet ideologjisë për të cilën duhet të ekzistojë).

Por që të funksionojë, duhet punë. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me iniciativat për t’i mbushur mendjen publikut se po punohet për integrimin, por të punohet realisht për të, që t’i mbushet mendja vëzhguesve se hapat e bërë janë vërtet pozitive.

Për momentin, nuk duket akoma ashtu.

Entry filed under: BE, Politikë. Tags: .

Universitet apo han pa porta? Na ishin një herë shqiptarët

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2009
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: