Na ishin një herë shqiptarët

29/09/2009 at 21:36 1 comment

Pas botimeve të enciklopedisë maqedonase dhe tekstit të historisë së Shqipërisë për klasat e 12-ta, vetëm kjo ngelet të themi: “ Na ishin një herë shqiptarët”.

Nuk është aspak e këndshme të bësh paralelizma mes dy botimeve, por ja që subjektivizmi me të cilën janë shqyrtuar çështjet, është tërësisht i njëjtë. Fryma me të cilën janë përshkruar shqiptarët e Maqedonisë në njërin krah, dhe opozita e sotme shqiptare në krahun tjetër, kanë pothuajse të njëjtën filozofi përçmimi dhe zhvleftësimi.

Në njërin krah shqiptarët përshkruhen si “njerëz malesh që zbritën në tokën maqedonase duke detyruar vendasit të tërhiqen në brendësi të Maqedonisë”; në krahun tjetër, historisë moderne të Shqipërisë i vihet si udhërrëfyes i vetëm kreu i Partisë Demokratike dhe mbështetësit e ngushtë të tij. Jo Azem Hajdari, por Jozefina Topalli.

Në tekstin e ri të historisë së Shqipërisë janë gjetur radhë për Lulëzim Bashën e për Damir Fazllicin, por nuk ka tepruar asnjë radhë të përmendet periudha e vështirë qeverisëse e Pandeli Majkos gjatë krizës së Kosovës. Po ashtu, janë renditur të gjitha anët negative të qeverisjes së majtë për 8 vitet e tyre të pushtetit 1997 – 2005, por asnjë çerek faqeje nuk ka tepruar për të hedhur pak radhë edhe për rrëzimin e skemave piramidale, ngjarjet e çuditshme të Shqipërisë së asaj kohe, apo vazhdimin e pasojave të tyre edhe sot.

Për zhvillimet e viteve të fundit në Shqipëri dhe tendencën e ngjarjeve për vitet në vazhdim, sërish vjen në ndihmë James Petifer, autori dhe njohësi i mirë i gjithë Ballkanit Perëndimor, me botimin e tij të fundit, më shumë sesa historianët shqiptarë.

Edhe në librin e  detajuar “Çështja shqiptare”, akademikut Pettifer dhe bashkë-autores Miranda Vickers nuk u ka dalë një libër i tërë për të shpjeguar ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997 në Shqipëri, kurse hartuesit e tekstit të historisë së Shqipërisë, nuk e kanë parë me vend që të përmendin aty qoftë edhe një paragraf të vetëm.

Ishte shumë interesante dhe për t’u përshëndetur iniciativa mediatike dhe akademike (deri diku) për t’iu kundërvënë hapur apo zyrtarisht enciklopedisë maqedonase. Për shumë arsye dhe presione,  mendohet se enciklopedia do të rishikohet, dhe kjo bëhet në kuadër të shumë detyrimeve e përcaktimeve, jashtë të cilave, shteti i brishtë maqedonas është këshilluar të mos lëvizë.

Por përçmimi i tyre për shqiptarët është deri diku i kuptueshëm. Maqedonasit kanë pakënaqësi nga bashkëjetesa me shqiptarët dhe bëjnë çmos ta bëjnë të ditur këtë fakt. Mospërputhjet etnike, kulturore, gjuhësore, fetare, e deri diku edhe historike (me gjithë ngjashmëritë e tyre), i bëjnë maqedonasit t’i shohin shqiptarët si armikun e domosdoshëm për t’i bërë ballë sfidës së mbijetesës si shtet.

Po mirë, po autorët shqiptarë të teksteve të historisë, ç’arsye t’iu kenë zbritur në kokë kur kanë bërë gabime trashanike edhe me datat e qeverive dhe krerëve të tyre? Ilir Meta sipas këtij libri, figuron kryeministër që në vitin 1997, kurse Pandeli Majko është lënë në harresë. Ngjarjet e zhvilluara në kohët e kryeministrisë së drejtuar nga Nano ngatërrohen në renditje kohore e përputhje ngjarjesh.

Mirë maqedonasit që flasin për qindra vjet përpara histori e pretendojnë të mos i zbulojë kush mashtrimet e tyre, po historianët shqiptarë me çfarë e gënjejnë veten kur pretendojnë se shqiptarët nuk do ta mbajnë mend rrjedhën e zhvillimeve pas vitit 1997?

Një kapitull më vete për rrugën e anëtarësimit në BE do kishte kuptim dhe do ishte i nevojshëm, që të sqarohen të gjitha hapat dhe hallkat e marrëdhënieve Shqipëri – Bashkimi Europian, që prej momentit kur u nënshkrua marrëveshja e parë e tregtisë së lirë me BE-në e deri tek momenti i dorëzimit të kërkesës për të qenë vend kandidat për anëtarësim. Me shpjegimin edhe të detyrime kontraktuale që e presin Shqipërinë pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një kapitull i tërë për këtë pjesë të historisë moderne, do të kishte vend.

Por,të flasësh për kryetaren e parlamentit dhe për ministrin e jashtëm në një tekst të sapo shkruar?!

Jo vetëm që teksti në paragrafët e atillë i ngjan një gazete të shëmtuar partiake, por akoma më keq, leximi dhe mësimi i tij është i detyruar të jetë vetëm i asaj forme.

A është kjo një çudi e arsimit apo e historisë? Mos është thjesht dhe vetëm pakujdesi e dëmshme e politikës?

Në qoftë kështu, politika dhe histori-shkruajtësit shqiptare kanë nevojë për më shumë deklarata dhe tërheqje vëmendje e thirrje për ndryshim teksti sesa autorët maqedonas, që shanë një etni tjetër.

Po kaq armiq të jenë të majtët e të djathtët në Shqipëri, saqë edhe një biznesmen i dyshuar ballkanas gjen vend në historinë moderne, kurse shtjellimi korrekt i ngjarjeve politike, ekonomike e shoqërore për 20 vitet e fundit në Shqipëri jo?

Kush e mban përgjegjësinë për këtë mungesë serioziteti me faktet? Kujt t’i drejtohen akademikët për subjektivizmin e treguar? Kush e përcakton se cilat figura e cilat ngjarje duhen trajtuar më shumë, cilat më pak, e cilat hiç në tekstet e historisë?

Këto ditë po flitet për historinë postkomuniste shqiptare, por para tre vjetësh, në një studim bërë sërish mbi tekstet e historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare, u vu re se edhe periudha e komunizmit trajtohet me shumë mangësi. Madje, më shumë kapituj e informacione ka mbi komunizmin e vendeve të tjera, sesa për periudhën e diktaturës në Shqipëri.

Kalimi i sipërfaqshëm i 45 viteve izolim për ta mbajtur vrapin tek shkëlqimet e Sali Berishës e të Jozefina Topallit, janë një shaka disi e rëndë për nxënësit, publikun dhe akademizmin shqiptar.

Po atëherë ç’kërkojmë që mërzitemi me maqedonasit? Përse iu kërkojmë atyre të rregullojnë fakte, kur këto tonat i bëjmë çorbë si të duam vetë, në mes të ditës me diell, e për ngjarje që akoma po i përjetojmë?

Historia ka disa probleme me ne. Prandaj më mirë po e kthejmë të gjithën në përrallë: Na ishin një herë shqiptarët, që nuk dihet kush janë, nga vijnë, ç’bëjnë apo pse rrinë këtej pari. Ama kanë një kryeministër e një kryetare kuvendi për t’u pirë në kupë e për të mos u vënë në diskutim hiç.

Vërtet…Na ishin një herë shqiptarët……….

Entry filed under: Opinion, Shqiptarizëm. Tags: .

Integrim apo manipulim 200 makina më pak, 30 milionë $ më shumë; e ku do shpenzohen?

1 Comment Add your own

  • 1. J.  |  06/10/2009 at 23:56

    “”””A është kjo një çudi e arsimit apo e historisë? Mos është thjesht dhe vetëm pakujdesi e dëmshme e politikës?””””

    Nuk besoj se eshte as njera as tjetra. Eshte abuzimi me pushtetin i nje njeriu (grupi njerezish), qe nuk duhet te ishin aty ku jane sot.

    Hapi tjeter i vetkuptueshem pas marrjes se pushtetit, eshte ligjerimi i tij. Ne Shqiperi ndodh dicka interesante. Loja eshte pa rregulla, deklarohet fituesi dhe pastaj vendosen rregullat.

    Gjate procesit zgjedhor te fundit mbaj mend, pasojat paszgjedhore nuk u analizuan shume, mbase sepse mjegulla e propagandes nuk e lejoi nje gje te tille. Tani po duken qarte dhe do kete edhe te tjera me tej.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2009
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: