200 makina më pak, 30 milionë $ më shumë; e ku do shpenzohen?

03/10/2009 at 11:29 1 comment

Kufizimi i cunguar i luksit zyrtar

 Deputetët pa makina. Edhe shumica e zyrtarëve e drejtorëve që deri më sot gëzonin privilegjin e makinës, do t’i ndryshojnë tashmë shijet e komoditetit. Ministria e Financave ka përgatitur një projekt-ligj që me heqjen e makinave dhe të shoferëve, synon të kursejë së paku 30 milionë dollarë në vit.

Shumë mirë. E si mund të jetë i dënueshëm ky synim? 30 milionë dollarë në vit që shpenzohen për të dërguar gratë e deputetëve tek parukieri apo për të çuar fëmijët në shkollë? 30 milionë që paguhen për karburantin dhe shoferët e zyrtarëve që gjatë gjithë javës rrinë në Tiranë, por në fundjave nuk lenë cep pa shëtitur me makinat zyrtare?

Abuzimi nuk është fenomen i izoluar. As nuk ka lindur në Shqipëri. Qeveria laburiste në Angli akoma është nën shigjetim të egër nga konservatorët për abuzimet me mbi-shpenzimet prej deputetëve e qeveritarëve anglezë. Mbi-shpenzimet janë çështja mbi të cilën po luftojnë më fort konservatorët ndaj kryeministrit Broën.

Po opozita jonë përse nuk e ka ngritur ndonjëherë zërin për mbishpenzimet? Madje jo vetëm që nuk ka reaguar ndonjëherë për abuzimet me fondet publike për rehatinë zyrtare, por çudi, çudi, së bashku me mediat mbështetëse, po ngrenë zërin KUNDER kufizimit të këtyre shpenzimeve pa kriter. Pra, komplet e kundërta e asaj që ndodh në Angli. Këtu opozita është mërzitur në maksimum përse kryeministri po iu heq privilegjet.

Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, abuzimi me praktikat e deritanishme ka bërë që në institucione të ndryshme të shpenzohen nga 12 mijë dollarë në vit në 67 mijë dollarë për shoferët. Të gjitha këto paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Në planifikimin e buxhetit ka plot 30 milionë dollarë më pak në dispozicion për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, subvencionet, pagat apo pensionet, pikërisht sepse shkojnë për të mundësuar rehatinë e zyrtarëve tanë sedentarë.

Por, të jesh mbështetës dhe mirëpritës i iniciativës së qeverisë për të ulur shpenzimet e luksit, nuk do të thotë ta besosh tërësisht vërtetësinë e filozofisë apo zbatimit të saj. Përkundrazi. Jetojmë në një vend në zhvillim, që nuk mund të bëjë përjashtim nga simotrat, ku luksi i pjesës zyrtare është legjitim dhe i padiskutueshëm (sipas atyre që e përjetojnë), qoftë edhe sikur të ngrihet mbi kufijtë ekstremë të paradokseve sociale apo të varfërisë.

Shkurt, unë nuk kam besim të madh tek eficenca e këtij ligji të ri, sepse deri më sot, nuk ka prova që të vërtetojnë ndërgjegjen qytetare të drejtuesve e t’i detyrojë ata të kufizojnë luksin. Ata madje prandaj edhe janë në ato detyra; që të shijojnë luksin dhe komoditetin e trajtimit me paratë e shtetit (d.m.th. me ato duhet të jenë të destinuara për shpenzim publik).

Po përtej skepticizmit se ligji do të gjejë zbatim e se abuzimi do të ndalë sa hap e mbyll sytë brenda këtij mandati nga njerëz që janë mësuar të jetojnë qyl, ka edhe një paradoks tjetër në këtë iniciativë; kufizimet në shpenzimet për transport vijnë vetëm kur kushtet janë pjekur dhe servirur të atilla që mundësojnë një transport publik të përshtatshëm, të shpejtë, profesional, me shumë alternativa dhe të denjë.

Cila nga këto pika është mundësuar në Shqipëri? Që t’i heqësh privilegjet një shtetari, do të thotë se ia ke plotësuar kushtet alternative atij. Po në rastin e transportit, cili tram modern, i pastër, i përpiktë dhe i përshtatshëm kalon nga parlamenti, që në të të hipin edhe zyrtarët? Cila është ajo linjë autobusi e përpiktë, që kalon në korsinë e bërë posaçërisht për të, me frekuencë të lartë shërbimi, me autobuzë të pastër dritë e ku njerëzit nuk ngjishen si sardele?

Ah, deputetët dhe zyrtarët tanë nuk do të hipnin kurrë në metro apo në autobus, edhe sikur ato të ishin si më sipër? Kjo është tjetër çështje, dhe do marrë formë vetëm kur pretendimet e klasës aktuale politike e pseudo-elitare të kenë marrë rrugën për tek Shën Pjetri.

Po nuk e besoj se një zyrtar shqiptar është më lart në detyrë apo në status se një europarlamentar. Dhe në njërin nga sesionet e vitit të kaluar në Strasburg, përgjatë gjithë qëndrimit atje, pashë se nw linjën 6 nga “Rue de la Tanche” ku kishte një sërë hotelesh deri tek “Avenue de l’Europe”  ku gjendet selia e Asamblesë së Këshillit dhe të Parlamentit Europian, në autobus bashkë mua mua dhe pasagjerët e tjerë, ishin edhe një sërë europarlamentarësh, pra ata që nuk kishin marrë tramin e linjës D, ose që nuk ndjenin nevojën të paguanin taksinë me paratë e tyre.

Jo vetëm kaq. Studentët që vijnë nga vendet në zhvillim gjithmonë pyesin të habitur për mungesën e komoditeteve të këtyre njerëzve hijerëndë. Por ja që përpos mijëra burokracive, këtë punën e abuzimit me transportin Europa e ka zgjidhur ndryshe; transport publik cilësor dhe i gjindshëm.

Edhe BBC pati para tre vjetësh të njëjtin problem me faturat e fryra të shpenzimeve të transportit. Arriti një moment kur kompania u përball me një shpenzim marramendës prej 32 mijë poundësh në ditë nga faturat e udhëtimit me taksi apo makina në dispozicion në të gjithë Britaninë. Kjo shënoi pikën e kthesës në politikën e rimbursimit dhe të udhëtimit. Sigurisht që nuk u prit me duartrokitje, por reduktoi goxha shpenzimet e dala jashtë kontrollit, pa cenuar aspak cilësinë e performancës prej të pakënaqurve.

Nuk është rasti të bëhen paralelizma. Por mund të ngrihet shumë lehtë pyetja: Nëse makinat dhe lukset e tjera të transportit iu lihen në dispozicion zyrtarëve, deputetëve e opozitarëve, a do të ndikojë kjo në rritjen e performancës së tyre në shërbim të publikut?

Po c’të ndikojë? Pse, paska edhe publik në këtë mes?

Si në çdo iniciativë tjetër shqiptare, edhe këtu mungon transparenca. Mirë që u hoqën makinat dhe do reduktohen shpenzimet, po ku do përdoren ato?

Është sigurisht një hap pozitiv të kërkosh të vësh fre mbi shpenzimet që abuzohen pa kriter prej përfituesve që iu ka rënë llotaria të jenë zyrtarë shteti, por është mungesë totale përgjegjësie dhe profesionalizmi ta bësh këtë pa menduar edhe për alternativat.

Iniciativa është për t’u përshëndetur, sepse paratë publike shpenzoheshin pa kriter dhe shoferët rrinin edhe natën pa gjumë për të shpënë e sjellë nga aeroporti edhe fëmijët, prindërit, krushqit e miqtë e zyrtarëve. Ama, e vërteta është se prej kësaj iniciative do të digjen edhe ata pak njerëz që keqpërdorimit të privilegjeve i kanë qëndruar larg.

Duhet parë se ç’do sjellë ky ligj i ri, përveç reagimeve të para të shprivilegjuarve dhe guruve të tyre, që kanë mbetur të skandalizuar nga heqja e të drejtës për abuzim.

Por shqetësimi më i madh ngelet për mungesën e transparencës dhe të planit të qartë se ku do të shpenzohen këto 30 milionë dollarë që po u kursyekan nga kufizimet e propozuara. Shpresojmë vetëm të mos jenë “prish shtëpi e ndreq kasolle”, e nga abuzimet masive, të kalojmë në luksëzimet selektive.

Kjo ngelet për t’u par

Entry filed under: Opinion, Politikë. Tags: .

Na ishin një herë shqiptarët Punë vetëm për PD-istët e LSI-stët

1 Comment Add your own

  • 1. errorful  |  04/10/2009 at 23:49

    E mi mire mos u merzit,
    Se ato 30 milion qe demek do kurseheshin, keta kingat qe do ngelen pa makine do ti vjedhin mbi planin e zakonshem vjetor te vjedhjes😉
    Edhe do ti paguajne me keto leke, po ato makina, dhe po ato shofere, qe te shetisin dhe ti cojne ne orar per tu depiluar po ato gra, ose dhe gra te tjera😉
    Ja u zgjidh dhe ekuacioni, te dyja anet u barazuan.
    Sa shume qe pyet dhe ti😀

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2009
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: