Protesta sipas kërkesave

12/10/2009 at 17:02 1 comment

“Protestat politike janë formë e demonstrimeve, grevave apo përdorimit të dhunës, që zakonisht ndërmerren nga grupe njerëzish që nuk kanë akses në burimet që gëzon elita” – ky është shpjegimi për termin “protestë politike” që gjenden në disa nga enciklopeditë e huaja. Protestë për mosplotësim tekash për të pirë ujë tek burimi. Grumbullim njerëzish për t’iu qarë hallin e mungesës së pushtetit.

A mund të jetë tjetërqysh protesta e nisur nga partia socialiste të shtunën e datës 10 Tetor? Vështirë se mund të shihet ashtu.

Kryeopozitari doli, e shau Berishën në mënyrë besnike siç ka bërë deri më sot. E shau edhe Metën me po të njëjtën besnikëri ndaj inatit që ai është në pushtet e Rama jo. Shau edhe KQZ-në, edhe këdo që i vinte ndër mend e për të cilin është i bindur se i ka hequr të drejtën të ishte ai kryeministër.

Po ne një kryeministër mitigjnesh e protestash e kemi, e pavarësisht ofertës bujare të Ramës për ta na u ofruar si modeli i dytë i tij, duhet thjesht t’i themi “Jo, faleminderit. Na del e na tepron Berisha për mitingje”.

Partia Socialiste pritej që të tregonte pak civilizim pas shpalljes së rezultateve. Sado të kontestueshme të jenë ato; e sado vota të ketë humbur në numërim e sipër partia socialiste, sërish nuk janë të mjaftueshme për të zëvendësuar kryeministrat e vendit (por jo zakonet e karakteret nga të cilat qeverisemi).

Protesta e partisë socialiste dhe shpurës së saj të shushatur, nuk është gjë tjetër veçse shfryrje personale e organizatorëve humbës, që më shumë se gjithçka, ju dhimbset karrigia që nuk morën dot. Madje, ajo karrige është arsyeja e vetme përse Edi Rama kërkon me ngulm 20 mijë firma. Numri i shqiptarëve që nuk e duan Berishën kryeministër është shumë më i madh se 20 mijë veta. Por, shqiptarët që nuk kanë ndërmend të votojnë për një tjetër Berishë mitingjesh ardhur nga një parti që pak i njeh ato, (veçanërisht mitingjet e protestat qesharake janë risi në PS) mund të jenë akoma më të shumtë. Pra, nga një Berishë tek tjetri për punë mitingjesh, shqiptarët nuk duan të shkojnë.

Rama po bën dëmin më të madh për PS-në, për deputetët e listës së tij që nuk janë ulur kurrë në një sallë me peshë aq të madhe; për njerëzit e thjeshtë që presin të shohin përmirësim jetese, e jo mitingje.

A mund të mbahet peng Shqipëria e mbi 3.5 milionë frymorëve për 20 mijë firmëtarë? Kutitë duhen hapur sepse duhet të shkojë Rama në fron? Apo duhen hapur se vendi është në ndonjë krizë, emergjencë e rrezik nga i cili vetëm Rama mund ta shpëtojë?

Në ka rreziqe e kriza, partia socialiste as para zgjedhjeve, as pas tyre, as tani në protestë nuk na ka thënë gjë se si mendon t’i zgjidhë.

Synimi i Edi Ramës për momentin është t’i tregojë dhëmbët Berishës dhe Metës. I socialistëve është të rrinë urtë se mërzitet kryetari. Kurse bllokimi i ecurisë për pjesën tjetër të dynjasë brenda kufijve tanë nuk zihet me gojë askund. Po si mund të sfidohet Berisha, përveçse në kuvend? Jashtë, për punë protestash, babai nuk ka nevojë t’i tregohen arat.

Po sa fruta më shumë do ketë tavolina shqiptare në mbrëmje nëse ëndrra e Ramës do realizohej? Po trafik, sa do ketë më pak në segmentin Durrës – Golem? Po rregulli i tregut të punës dhe inflacionit të diplomave, kur do bëhet?  Sa e lirë do jem unë të shkruaj se as protestat, as çmimet e kompanisë celulare, as shërbimet në bankë, as pagimet apo përdorimet e taksave nuk janë fort në përputhje me ligjet? Dhe sa arsye do kem ta bëjë këtë?

Cili është thelbi i vërtetë i protestës; të rrëzohet Berisha, të nxirret nga qarkullimi politik Meta, të përfitojë Shqipëria (si), apo thjesht të hipi në fron Edi Rama?

Asgjë nuk është shpikur në Shqipëri. As dëshira për të qenë më çdo kusht e përjetësisht në pushtet, jo. Thjesht format për ta ligjëruar këtë dëshirë kanë qenë vazhdimisht në harmoni me kohën kur është kërkuar të vihen në zbatim. E në vitin 2009, në Shqipërinë që ka aplikuar për në BE e për shqiptarët që synojnë të lëvizin pa viza, protestat me nota personale janë pengesa më solide e bërë me duart tona.

Kur Berisha të ikë nga pushteti, duhet të iki për një alternative më të mirë. Dhe kur partia socialiste imiton partinë e Berishës me mitingjet e para 2005-ës, ngjarjet nuk kanë si të shihen ndryshe përveçse kthim prapa. Kthim fatkeq për socialistët, që po bëjnë rotacionin e shëmtuar të protestave në sheshin Skënderbej në emër të gjithçkaje që nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me ta.

Në dimrin 2006 – 2007, kur mungonte energjia për gati 18 orë në ditë, asnjë protestë as u bë, as u thirr, as u organizua, as u transmetua kundër territ që prekte gjithkënd që nuk kishte gjenerator. Nuk është e drejta e dritës më e rëndësishme se ajo e votës? Të drejtë të drejtpërdrejtë për dritën nuk ka fare, se të drejtat janë formuluar për politikën, jo për njerëzinë. Sidoqoftë, për një mungesë aq bazë të përditshmërisë që prekte cilindo, Rama, Gjinushi e Veliaj nuk e shihnin dot qartë nevojën për të protestuar. Kurse për votën po. Se ajo të çon në pushtet, jo furnizimi me energji.

“Protestat politike shkaktohen nga mungesa për të gëzuar privilegjet e elitës”. Shumë interesant ky formulim i enciklopedisë kanadeze. Po ne në Shqipëri kemi tjetër interes për kuptimin e fjalës protestë. E deri sa të arrijmë atë që synojmë, s’ka enciklopedi që na hyn në punë të na shpjegojë se cilat qenkan arsyet e vërteta për të cilat u shkoka në protestë.

Shqipëria ka ngecur në vend nga protestat dhe bojkoti. Politikisht, jemi në vitin 2001. Dhe rolet, siç NUK pritej, janë ndërruar si me magji.

Fatkeqësi e vërtetë për Shqipërinë.

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Punë vetëm për PD-istët e LSI-stët Politika, kush tjetër ta ketë fajin?

1 Comment Add your own

  • 1. errorful  |  13/10/2009 at 10:36

    Ne gjithe kete mesele ka dicka te frikshme dhe absurde.

    Ne parim, protesta e Rames eshte e drejte. Nqs eshte cenuar vota dhe kutite kane djallin brenda, Rama dhe gjithe shpura e tij sic e quan ti, jane me te drejten e zotit, pavaresisht se ishin bashkehartues te kodit dhe infrastruktures zgjedhore. Vjedhja eshte vjedhje dhe asnje defekt i opozites qe mund te sillet ne mendje nuk e lehteson kurresesi mazhorancen.

    Drejtesia eshte shume e rendeshishme. Drejtesia dhe vota e lire. Kujto qe ne 96 kishim buke biles dhe whiskey, por ishte e gjitha nje mashtrim i madh qe e mori era. Me mire me buke e djathe dhe te vertete sesa nje shtet palaco dhe drejtesi fiktive.

    Absurdi eshte se personi qe orkestron protesten, nga sjelljet personale s’jep asnje garanci qe do vendose te drejten ne vend. Ndoshta ai eshte dhe me i frikshem, se po te shikosh zgjedhjet ne partine e tij, smund ti kontestosh si proces, por jane skandaloze ne lidhje me parimin dhe drejtesine e perceptuar.

    Dmth a mos po rrezikojme te kemi me vone zgjedhje te ndershme ligjerisht, me kuti te rregullta, sic ishin ato te PS-se, por fiktive, teatrale dhe te trishtueshme?!

    Nqs mikrosituata ne PS reflektohet me vone ne makrosituate ne shqiperi kjo do ishte humbje e madhe. Te pakten Salen e dine te gjithe qe eshte gogol, qe e perze kundershtarin me shkelma dhe e shkel ligjin me dy kembet. Rreziku eshte i njohur.

    Rama, te cilit, pa dashje i ka rene thesi i pushtetit mbi koke, akoma eshte nje puzzle, nje puzzle e frikshme. Shume e frikshme.

    Si perfundim, keq me protestu , keq mos me protestu.🙂

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2009
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: