Liria e pa-dashur e shtypit

22/10/2009 at 21:03 Leave a comment

Mungesa e stabilitetit financiar dhe social të gazetarëve, si edhe mungesa e kornizës ligjore për ushtrimin e profesionit, i lë reporterët të ekspozuar ndaj vendimeve arbitrare të gjykatave dhe përforcon korrupsionin”.  Kështu thuhet për lirinë e shtypit në Shqipëri në raportin e fundit të shumë-debatuar të “Reporterëve pa Kufij”  

Vendet drejtuese dhe manaxhuese të medias përmenden gjithashtu të jenë të emëruara ose të lidhura ngushtë me politikën, duke i dhënë asaj favorizime në linjën editoriale në shkëmbim të interesave që lidhen me drejtuesit apo pronarët mediatikë. Edhe mediat private në raport përmenden të jenë të prekura nga censura, duke sqaruar se ato ndodhen nën forma të ndryshme presioni politik apo financiar.

Po çfarë është liria e shtypit dhe si e harton raportin “Reporters without Borders”?

Liria e shtypit konsiston në garancinë kushtetuese dhe statuore që i jepet medias.

Për disa lloje informacionesh, institucionet qeveritare kanë të drejtën të përcaktojnë se cilat lajme nuk duhen publikuar. Kjo bazohet në klasifikimin e informacionit si shumë i ndjeshëm apo i rrezikshëm për publikun, apo në rastet kur ai klasifikohet si sekret shtetëror. (pra kur publikimi dëmton interesin kombëtar). Por, në rastin e raportit të fundit, raporti flet për periudhën Shtator 2008 – Shtator 2009. A ka pasur raste të tilla Shqipëria? Apo cilat aspekte të cenimit të lirisë së shtypit e kanë ulur pozicionimin e saj?

Reporterët pa Kufij e bazojnë renditjen e tyre bazuar në përgjigjet që japin gazetarët e vendeve që janë anëtarë ose partnerë të organizatës, apo burime të tjera jo të drejtpërdrejta si kërkues, juristë apo aktivitë të të drejtave të njeriut, që merrren me monitorimin e medias në secilin vend.

Dikur, Napaleoni thoshte se i trembej më shumë një gazete sesa një bajonete. Po a e ka këtë fuqi gazeta sot? Apo a e ka këtë fuqi media në Shqipëri, që asaj t’i ushtrojnë presion të atillë sa ta detyrojnë të humbasë vende në renditjen e lirisë së shtypit?

Përveç një televizioni publik që pretendon se ligjërisht e zbaton në rregull ndarjen e kohës televizive (jo vetëm informative); edhe televizionet private janë tashmë lehtë të identifikueshëm për linjën që mbajnë.

Në raportin e fundit të progresit të Bashkimit Europian, televizionet u cilësuan si “të pozicionuara dukshëm politikisht dhe me ndikime të theksuara në linjën editoriale nga politika”.

Për gazetat mendimi  nuk ishte më i ndryshëm. Dhe liria e shtypit nuk ka të bëjë vetëm me përndjekjen e gazetarëve, por më shumë me lirinë që media të botojë lirshëm lajme e artikuj që kanë të bëjnë si me shitjen e pronave shtetërore, ashtu edhe për privatizimet favorizuese, çmimet e telefonive celulare, shërbimet bankare, gjendjen e vërtetë të monedhës vendase, pazaret politike e ekonomike, farsat administrative, presionet në shërbimin civil, skandalet në institucionet shtetërore, abuzimet në ato private, evazionet fiskale, e  kështu me radhë.

Media është kthyer në gazetari zëdhënësash thonë vetë gazetarët shqiptarë, e kjo nuk ka si të mos e cenojë rëndë lirinë jo për të thënë ato që dihen, por për t’u shprehur edhe për ato që fshihen nëpërmjet praktikave që shtyjnë auto-censurën.

Si përcaktohet e drejta për t’u shprehur?

Neni 19 i Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut thotë: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”.

Kjo është edhe filozofia që mbahet parasysh kur hartohen ligjet dhe aktet nënligjore që sigurojnë lirinë e shtypit, që nga e drejta shkencore, deri tek e drejta e botimit, shtypi i shkruar, ai audioviziv, etj, që në disa vende rregullohen edhe me kushtetutë. Në Shqipëri akoma ka punë të bërë edhe në kuadrin ligjor. Po përveç kësaj, problemi më i madh qëndron tek pozicionimi politik dhe përqendrimi i medias në një grusht njerëzish që vërtiten në të njëjtin rreth vicioz si politika.

Duke parë edhe një herë raportin, përveç përcaktimeve ligjore, Reporterët pa Kufij kanë përdorur edhe kritere të tjera për të gjykuar nivelin e lirisë së shtypit.. Në këto kritere përfshihen numri i gazetarëve të përndjekur apo të ndëshkuar pa të drejtë ligjërisht, ekzistenca e censurës, e vetë-censurimit, monopolit mediatik, kontrollit, presionit politik apo financiar, pavarësinë e medias, etj.

Por, Freedom House për shembull përdor kritere të tjera, më të përgjithshme, që vendosen në një kontekst më të gjerë politik e ekonomik. E në raportin e saj Shqipëria mund të ketë tjetër pozicionim. Por kurrë të atillë si ai që interpretoi Televizioni Publik, që kishte nënvizuar vetëm citimin e fjalisë që na coi në NATO (This is a miracle of freedom), duke na bërë të besojmë së realisht, ky qenkej vlerësimi për lirinë e shtypit në vend.

John Stuart Mill, në librin e tij “Mbi Lirinë”, ka një përcaktim interesant: “Nëse gjithë njerëzimi ka një mendim, por një person i vetëm mendon ndryshe, atëherë njerëzimi nuk ka të drejtë t’ia mbyllë gojën këtij njeriu, ashtu si ky njeri, po të ketë pushtet, nuk duhet të ketë të drejtë t’u mbyllë gojën gjithë të tjerëve”

A i është mbyllur goja medias shqiptare? Me zgjedhjen e saj të lirë, po. Sepse një grup mediash kanë zgjedhur ta shohin Shqipërinë të zezë, e një palë tjetër, e shohin të bardhë me nuanca blu. Njëri krah na bën të besojmë se jetojmë në Iran, e tjetra rreket të na bindë se jemi më mirë se Suedia vetë.

Sipas raportit, Maqedonia është e 34-ta, Shqipëria e 88-a mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Senegalit. Sa e besueshme është kjo situatë?

Po të marrësh parasysh deklarimet e raportit sipas të cilit në Shqipëri nuk ka pluralizëm informacioni, mungon gazetaria investigative, shtypi është pronë e politikës apo e biznesit dhe shpesh lajmi ngatërrohet keq me propagandën, atëherë i bie që krahasimi me Senegalin të jetë tërheqës.

Përmenden gjithashtu fatura shumë të shtrenjta për shërbimet publike, tërheqje e reklamave, ndryshime në taksa apo presionet zyrtare janë të gjitha armë “ligjore” që përdoren për t’i shtyrë mediat drejt auto-censurës, (tashmë prezent në shumë media). Atëherë, ligjërisht nuk ka shkelje të raportuara, as gazetarë të përndjekur. Ka vetëm flamurtarë e servilë politikë. Atëherë përse u dashka të çuditen mediat vetë për zbritjen në renditje?

Sot është e vështirë të kuptosh një lajm në Shqipëri. Duhet ta shohësh në të paktën katër kanale, që të zgjedhësh se cilin version do të besosh. Dhe deri aty, ligji nuk hyn dot. Prandaj fajtori na qenka jashtë tij.

Ku?

Tek të gjitha mediat që politikën e kanë kthyer në arsyen e vetme përse jetojnë financiarisht. Për çdo rol tjetër të medias e lirisë së shtypit, gjithçka e thënë s’është veçse “një fjalë në erë”.

Entry filed under: Koment, Media. Tags: .

Kujdes arsimin, atë profesional! Shëndetësia në plan të parë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
October 2009
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: