Shëndetësia në plan të parë

27/10/2009 at 19:56 Leave a comment

“Asnjë tolerim për mjekët sekserë e mungesën e etikës; Vizitat vetëm me rekomandim; korrupsioni do të ndëshkohet ashpër; shëndetësia do të ndërrojë faqe” – janë kryetitituj që po zënë vend në shtyp jo vetëm në temat sociale, por edhe në faqet e para.

Në fakt, shëndetësia është problem parësor; është ngërç që duhet adresuar në Shqipëri dhe është çështje që kërkon më shumë sensibilizim e trajtim të gjerë mediatik.

Është e vështirë që në Shqipëri të besosh tek të gjitha reformat dhe premtimet që bën një ministër i ri. Por, zoti Vasili, duke pasur edhe vetë formim të fushës, mund të bëhet pak më i besueshëm se para-ardhësit që nuk kishin asnjë lidhje me shëndetësinë (përveç politikës).

Po si do të arrijë ministri i ri të ndëshkojë shkeljet e etikës shëndetësore? I bie që kështu të marrë masa për mbi 80% të stafit mjekësor në vend. Po, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të sjelljes së ashpër, aspak etike dhe shpesh fodulle të mjekëve që pretendojnë se janë Zotat e spitalit e të fateve të njerëzve që shohin me përçmim.

Po, sepse që nga pritja në recepsion, deri tek vizita në dhomë, biseda me mjekun, dhënia e diagnozës apo recetës, janë të gjitha hallka me probleme në etikë.

E vërtetë, sepse në të gjitha rastet që jam gjendur si vizitore nëpër spitalet tona përgjithësisht më të pista sesa rruga, jam ndeshur me fudullëkun e stafit, që të shërbejnë vetëm nëse shohin që vë dorën në xhep.

Korrupsioni luftohet edhe duke mos u nxitur, dakord. Por jeta e njerëzve është më e shtrenjtë se korrupsioni, dhe për këtë, mjekët nuk presin derisa të përcaktohet etika.

Kurse në rastet që kam qenë si paciente, ngurrimit tim për të paguar që dikush të shohë c’ndodh me mushkërinë time në raste urgjence, i është përgjigjur një kontroll i vonshëm, sipërfaqësor dhe aspak profesional, në dhoma ku ekografitë bëhen mbi një tog me llac e ku asnjë e dhënë nuk shënohet askund.

Është shumë më e thjeshtë që thjesht të bëj grafitë dhe t’i postoj për tek mjeku im familjar tjetërkund, ku historiku im mjekësor vazhdon të ndiqet me rigorozitet e të ruhet me numrin tim personal të identifikimit në sistemin mjekësor, sesa  në Shqipëri, ku diagnozën, nuk janë bërë ndonjëherë dy mjekë të ma thonë njëlloj.

Sa për vizitat tek mjeku i përgjithshëm dhe vajtja në spital vetëm me rekomandim, është metodë që dikur ka ekzistuar në vend, sot është e aplikueshme gjithandej nëpër botë, dhe është mëse i mirëpritur si hap për të ndihmuar sistemin shëndetësor.

Po kjo ka gjithashtu të bëjë me nevojën për ndërgjegjësim e promovim, që mesa duket, mediatikisht, ministri i ri po mundohet ta shfrytëzojë në maksimum. Dyndja tek spitalet e Tiranës për çdo lloj problemi shton fluksin, ngadalëson ritmin, ul cilësinë e shërbimit, dhe në mënyrë të tërthortë, nxit edhe korrupsioni (sepse duhet të paguash nën dorë që të të marrin për kontroll mjekët).

Pra, kontrollet rutinë dhe problemet e përditshme mjekësore mund të kontrollohen shumë mirë edhe tek mjeku i familjes (apo ambulanca e lagjes).

Në sistemet e përparuara, ka edhe klinika shtetërore që ofrojnë ndërhyrje të vogla mjekësore për të lehtësuar fluksin e pacientëve që nisen për në spitale. Por, në çdo rast, në departamentet e spitaleve nuk mund të paraqitesh kurrë pa rekomandimin e mjekut (që të siguron takimin), apo me barelën që të çon aty pasi je kontrolluar në urgjencë.

Sa për korrupsionin, më duket se ministri e lodh frymën kot. Infermieret nuk të ndërrojnë as pambukun e plagës, e mjekët nuk të vijnë fare në dhomë, nëse familjari nuk paguan nga 10 mijë lekë të reja për një operacion të vogël në gishtin e këmbës, deri në 30 mijë për një lindje, apo edhe një mijë euro për operacione në kokë apo në zemër.

Kush e ka fajin? Rroga e ulët e mjekëve, etika që do të vërë në vend ministri, oreksi i mjekëve, apo sjellja e pahijshme e qytetarëve që vetëm zgjasin, e zgjasin para, edhe pse mund të jenë edhe pa strehë ku të flenë?

Shembullin e kam tipik. Imë ëmë erdhi të më vizitojë teksa isha prej kohësh sëmurë diku jashtë vendit. Mirë që i bëri përshtypje që kryemjeku më kushtonte më shumë humanizëm sesa vizita në kohën që vinte me ekipin e tij të buzëqeshur e të sjellshëm çdo mëngjes, por edhe atë si familjare të largët e respektonin gjithë dinjitet. Por një ditë, teksa nuk po mundesha dot të shtypja butonin e kuq të emergjencës, e shtypi ajo, e infermierja nuk po vinte. Me ecejake të shqetësuara nga shtrati im tek vendqëndrimi i infermiereve, pa njërën që po vinte drejt saj (por nuk ishte e pavionit të frymëmarrjes). Ime më nuk e flet atë gjuhë, por i drejtoi megjithatë një kartëmonedhë: “Merre aman, dhe eja shpejt, se nuk e di çfarë ka vajza”.

Sapo gjendja u qetësua, kryemjeku im më thotë: “Nëna jote është e huaj, dhe do ta konsiderojmë si mungesë të njohjes së ligjit. Por, nëse e përsërit veprimin e sotëm, stafi ka të drejtë ta hedhë në gjyq për tentativë korrupsioni ndaj mjekëve. Të lutem, dua t’ia transmetosh në gjuhën e saj”.

Ja, kështu luftohet. Por nënat tona, prindërit tanë, vëllezërit, motrat, ne të gjithë, sado që e dënojmë, prapë e nxisim korrupsionin, sepse fatkeqësisht, rrethi ku ai lëviz është vicioz.

Më pëlqejnë shumë të gjitha iniciativat që merren për të përmirësuar shërbimin shëndetësor. Shpresoj vetëm që të mos jenë fjalë të rrëmbyera të një fillimi me vrull politik. Shëndetësia meriton më shumë sesa kaq.

 

 

 

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Liria e pa-dashur e shtypit Kapricoja ceke për Lisbonën

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2009
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: