Kapricoja ceke për Lisbonën

29/10/2009 at 17:16 2 comments

Gjykata kushtetuese ceke e shtyu për javën tjetër seancën ku do të shpallë nëse Traktati i Lisbonës është në përputhje me Kushtetutën Ceke.  Dokumenti i rëndësishëm që përcakton  ndryshimet institucionale dhe zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, ka ngelur tashmë vetëm në dorë të çekëve; ose më saktë, të 17 senatorëve euroskeptikë, që pretendojnë se Traktati i Lisbonës do të krijojë një supershtet, dhe kjo do të cenojë sovranitetin e vendit, gjë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Kurse vetë politikanët dhe konstitucionalistët cekë thonë se kjo është një kaprico politike e presidentit.

Vendimi përfundimtar do të jepet të martën në datën 3 Nëntor, dhe Konmisioni Europian ka përjashtuar në mënyrë kategorike ndryshime të tjera në traktat (nëse Çekia e kërkon një gjë të tillë). Përveçse Çekia ka mbetur vendi i fundit pa e ratifikuar Traktatin, ajo po bëhet edhe penguesja më e madhe që dokumenti, për të cilën u deshën 10 vite negociata, u hartua si kushtetutë, u rrëzua në 2005-ën, u riformulua në 2007-ën dhe duhet të hyjë në fuqi tashmë si traktat, jo si kushtetutë, sërish po pengohet, dhe këtë radhë nga një vend relativisht i ri në Bashkësi. 

Po cfarë është Traktati i Lisbonës?

Duke e lexuar dokumentin, vihet re se ai nuk është veçse një paketë ligjore që prezanton një sërë ndryshimesh në mënyrën se si funksionin Bashkimi Europian, me synimin për ta bërë atë më efektiv dhe më rezultativ në shërbimet që i ofron qytetarëve të vet.

Traktati thjesht ndryshon traktatet ekzistuese që rregullojnë ligjërisht funksionimin e BE-së dhe nuk i zëvendëson këto traktate. Ai ka për synim të përmirësojë mënyrën e funksionimit dhe efikasitetin e BE-së, që janë miratuar qëkurse ajo kishte më pak anëtarë. Por, me shtimin e 12 shteteve të reja në 2004-ën, kërkohet edhe rishikimi i dokumentit bazë të të cilit funksionon BE-ja, për më tepër edhe përballë sfidave të reja të globalizmit dhe një roli më të qartë të BE-së në arenën ndërkombëtare. 

Ky traktat i ri fuqizon rolin e parlamenteve të vendeve anëtare, si edhe atë të vetë Parlamentit Europian.

 Përse është i rëndësishëm traktati i Lisbonës?

Traktati  është i rëndësishëm sepse mirë-funksionueshmëria dhe efikasiteti i Bashkimit Europian si organizëm ndikon drejtpërsëdrejti në jetën e të gjithë qytetarëve të shteteve anëtare. Sipas hartuesve dhe mbrojtësve të Traktatit, institucionet e BE-së dhe praktikat e saj të funksionimit kanë nevojë për disa reforma që do të sigurojnë vazhdimin e funksionimit efektiv të Bashkimit Europian. Synimi  i traktatit është që BE-ja të përmirësojë funksionim e saj, e për qytetarët e shteteve anëtare kjo do të thotë më shumë vende pune,  më shumë mundësi, një shoqëri më të hapur dhe më të sigurt, një influencë më të madhe për çështjet e mëdha të politikës dhe ekonomisë në kontinent,etj.

 Çfarë sjell të re traktati i Lisbonës?

Pikësëpari forcon rolin e parlamentit të vendeve anëtare; siguron transparencë më të madhe për gjërat që BE-ja mund të bëjë dhe për të tjera veprime që ajo nuk i bën dot; sjell fokusim më të madh në çështjet globale; institucione më të rafinuara të BE-së; një president të përhershëm të Këshillit Europian; një përfaqësues të nivelit të lartë për punët e jashtme dhe politikën e sigurimit; numër më të madh vendimesh të marra me shumicë të cilësuar, dhe jo me votë unanime, sic bëhet aktualisht.

Duhet theksuar se traktati i Lisbonës nuk ka për qëllim krijimin e një super-shteti evropian; asnjëri nga vendet anëtare nuk ndikohet në pozitën e tij ndërkombëtare me pranimin e këtij traktati; politika e jashtme e vendeve anëtare do të ruajë pavarësinë e saj. Po ashtu, parashikohet që kufijtë e vendeve anëtare do të ruhen njëlloj për vendet e treta edhe pas miratimit të traktatit.

Traktati i Lisbonës mundëson ndryshime mëse të nevojshme të traktateve ekzistuese, në mënyrë që 27 vendet anëtare të punojnë në mënyrë më efektive. Amendimet e Traktatit të Lisbonës do t’i japin mundësi  BE-së që ta zhvendosë debatin për institucionet e ta fokusojë atë tek problemet që prekin drejtpërdrejt qytetarët e saj, siç janë: sigurimi energjetik, krimi i organizuar, terrorizimi, globalizimi, zgjerimi i mëtejshëm i BE-së si edhe njëjtësimi dhe fuqizimi i zërit të Europës në arenën ndërkombëtare.

Traktati i ri synon të krijojë pozicionin e një Presidenti të Përhershëm të Këshillit Europian, që do të emërohet nga qeveritë kombëtare të vendeve anëtare për dy vjet e gjysëm. Ky do të zëvendësojë sistemin aktual, ku presidenca e Këshillit Europian zëvendësohet me rotacion çdo gjashtë muaj. Këshilli është organi nëpërmjet të cilit udhëheqësit e vendeve anëtare përcaktojnë drejtimin e politikës evropiane. Ndryshimi i parashikuar në traktatin e Lisbonës do të sigurojë një vazhdimësi më të mirë të këtij procesi.

Traktati i Lisbonës do të mundësojë edhe emërimin e një “Komisioneri të lartë të BE-së për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë”. I emëruar nga Këshilli Europian me miratimin e Presidentit të Komisionit, ky komisioner i lartë do të udhëheqë politikën e përbashkët të BE-së për sigurinë dhe punët e jashtme. Vendet anëtare do të ngarkojnë këtë Përfaqësues të lartë të zbatojë politikën e përbashkët për sigurinë dhe për punët e jashtme. Ai do të jetë gjithashtu në gjendje të përfaqësojë një zë të vetëm të BE-së dhe të mbrojë pozicionin e  saj në arenën ndërkombëtare për politikat e rëna dakord në union. (në vazhdim të rolit që luan aktualisht vendi kryesues që mban presidencën me rotacion gjashtë mujor) 

Traktati, për herë të parë  u jep mundësinë parlamenteve kombëtare të vendeve anëtare të kenë një zë në hartimin e ligjeve europiane. Parlamentet e secilit prej vendeve anëtare do të marrë propozime direkte për legjislacionin e ri të BE-së. Ata mund të gjykojnë dhe përcaktojnë vetë nëse propozimet janë konform principeve të “subsidiaritetit” (qe do të thotë, BE-ja duhet të veprojë vetëm atëherë kur shton vlera).

Traktati i Lisbonës do të reduktojë përmasat e Komisonit Europian, me synimin që të sigurojë se Komisioni mund të punojë në mënyrë më efektive me zgjerimin e BE-së. Aktualisht ka 27 komisionerë, nga një përfaqësues për secilin vend. Duke filluar që nga viti 2014 numri i komisionerëve do të reduktohet; vetëm dy të tretat e vendeve do të kenë komisioner, por zgjedhja e vendeve do të bëhet po ashtu me rotacion dhe kohë të barabartë në dispozicion të çdo komisioneri.

Traktati do të përmirësojë votimin me shumicë të cilësuar  vija të reja politike. Shumë prej neneve që flasin për këtë sistem të ri votimi, në thelb të tyre kanë praktikën aktuale të legjislacionit të BE-së, por me një mënyrë votimi më të përmirësuar (për shembull për zgjedhjen e përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë). Votimi me shumicë të cilësuar mbështetet plotësisht nga hartuesit e traktatit, sepse përmirëson sistemin e vendimmarrjes në BE, veçanërisht për çështje të tilla si politikat mbi energjinë, ndihmën humanitare, financimet emergjente, masat e menjëhershme të sigurisë, etj. Traktati i Lisbonës do të sjellë edhe një sistem të ri me shumicë të cilësuar për Ministrat që do marrin pjesë në Këshill. Sistemi kryesor aktual i votimit është votimi unanim; kurse nën traktatin e ri, me sistemin me shumicë të cilësuar, një numër shtetesh anëtare që përfaqëson një përqindje të mirë të popullsisë së BE-së do të miratojë paraprakisht legjislacionin. Kjo do të thotë se minimumi 55%  e vendeve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së, duhet patjetër të votojnë pro legjislacionit evropian përpara se ai të aprovohet. Sistemi i ri pritet të hyjë në fuqi në vitin 2014, me një periudhë tranzicioni deri në  2017-ën. Përderisa sistemi i ri bazohet në numrin e popullsisë së vendeve anëtare, përqindja e votave në Këshillin e Ministrave të BE-së do të jetë më i lartë për Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.

Sipas Traktati të Lisbonës, rritet numri i sferave politikë-bërëse ku anëtarët e Parlamentit Europian duhet gjithashtu të japin verdiktin për legjislacionin e BE-së. Pra, përveç Ministrave të Këshillit Europian, tashmë edhe parlamentarët do të jenë pjesë  e grupimit vendimmarrës.

Thjeshtohen gjithashtu rregullat e “bashkëpunimit të përmirësuar”, ku vendet e BE-së duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për disa çështje të veçanta, pa prekur interesat e vendeve që akoma nuk kanë pranuar të marrin pjesë në disa lloj iniciativash brenda BE-së. Ka disa rregulla që përcaktojnë respektimin e vendeve që nuk dëshirojnë të marrin pjesë në disa bashkëpunime. Që një bashkëpunim të funksionojë, duhet që të paktën një e treta e vendeve anëtare të pranojë të jetë pjesë e tij. Gjithashtu,rregullat e reja lejojnë bashkëngjitjen e secilit vend në çdo kohë në një bashkëpunim të refuzuar prej tij më parë.

Traktati gjithashtu integron brenda tij tërësinë e të drejtave themelore brenda legjislacionit të BE-së. Ky traktat përmbledh në një të vetëm të drejtat themelore që qytetarët europianë i gëzojnë tashmë nëpërmjet dokumenteve të tjerë themelorë, siç janë Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut apo legjislacioni ekzistues i BE-së. Qëllimi është që institucionet e BE-së respektojnë këto të drejta themelore. Traktati riafirmon të drejtat ekzistuese dhe do të jetë i detyrueshëm për të gjithë vendet anëtarë pasi të ketë hyrë në fuqi.

 Si përfundim

Traktati i Lisbonës nuk e zgjeron pushtetin e BE-së. Ai thjesht siguron përmirësimin e funksionimit dhe efikasitetit të institucioneve të BE-së, për t’i shërbyer më mirë qytetarëve të saj të dyfishuar në numër me hyrjen në BE të 12 vendeve të reja anëtare.

Zgjerimi i BE-së kërkon përmirësimin e legjislacionit ekzistues për t’iu përgjigjur ndryshimeve brenda tij, dhe traktati i Lisbonës është vetëm reflektim ndaj këtyre ndryshimeve pozitive.

 C’do të thotë e gjitha kjo për Shqipërinë?

Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, një “JO” ndaj traktatit të Lisbonës do të thotë “S’ka zgjerim”, sepse traktati aktual mbi të cilin funksonion BE-ja, ai i Nicës, as pengon, as parashikon zgjerime përtej bllokut aktual. Ndërkaq, edhe brenda vetë vendeve ratifikuese ka skeptikë. Presidenti francez Sarkozy ishte ironik kur u shpreh se edhe me 27 anëtarë BE-ja e ka të vështirë të bjerë dakord, jo më me 31 të tillë.

Traktati i Lisbonës në të vërtetë është vetëm rishikim ‘diplomatik” i kushtetutës së rrëzuar, ose siç e përcakton një ndër hartuesit e tij, ish presidenti francez D’Estaing, “Traktati përmban propozime dhe politika që drejtpërdrejt nuk do t’i shpjegoheshin dot opinionit publik. Ama ato do të jenë të gjitha aty, në tekst, të formuluara dhe fshehura me shumë kujdes. Përndryshe, thjesht reformat institucionale nuk ndodhin dot”.

Ama, me pretendimet e reja ceke për nënshkrim me përjashtime për Të drejtat Themelore (çështjen e pronave të gjermanëve të përzënë gjatë luftës së dytë botërore, por BE thotë se traktati nuk do të ketë efekt prapaveprues); pra me të lindin edhe pretendime të vendeve të tjera që e kanë ratifikuar traktatin dhe po ndryshojnë mendim. Rrezik përbëjnë edhe konservatorët anglezë,që thonë se nëse Traktati nuk ka hyrë ende në fuqi kur të vijnë ata në pushtet vitin e  ardhshëm (nëse), atëherë traktati do të kalojë në referendum.

Të gjitha këto po diskutohen në takimin e krerëve të vendeve të BE-së që po mbahet këto dy ditë në Bruksel. Por, më shumë sesa politikat e reja europiane për ngrohjen globale që ishin parashikuar të diskutoheshin, Brukseli po vlon nga nervat që iu ka ngritur te gjithëve presidenti cek Klaus me pretendimet e tij. Realisht, pritet që të martën e ardhshme, gjykata kushtetuese ceke të shpallë përputhshmëri të plotë të Traktatit të Lisbonës me Kushtetutën Ceke (sipas konfirmimeve të konstitucionalistëve cekë botuar në shtypin e djeshëm botëror); ama procedura po vonohet dhe Traktati i Lisbonës, edhe një herë tjetër gjendet “në buzë të greminës”.

Pa ratifikimin e plotë të tij, krerët e BE-së nuk mund të diskutojnë as për emrat që po qarkullojnë për presidentin e ri të BE-së (që fillon funksionimin si post vetëm nëse ratifikohet Traktati nga Çekia). Tony Blair nuk është më kandidati që mund të gjejë mbështetjen e pritur, sepse filluan skepticizmat për një president që vjen nga një vend që as nuk përdor monedhën e përbashkët euro, e as nuk është pjesë e zonës Schengen.

Ndërkaq, këto dy ditë në Bruksel po flitet edhe për emigracionin, agjencinë evropianë të kufijve, roli i Bashkimit Europian në çështjet e sotme ndërkombëtare, etj. Por, gjetja e një zgjidhje për kapricon  e presidentit cek është në thelb të gjithë takimit. Prej humorit të tij, do të varen edhe datat e tjera të ecurisë së BE-së. E çuditshme, por ja që edhe BE-ja nuk është veçse vullnet politik. Vërtet nuk ka të bëjë me hapje kutish, por ama kaprico ka. Vetëm se, janë goxha mirë të argumentuara.

Sidoqoftë, pritet që Traktati i Lisbonës të ratifikohet edhe nga vëmendje-kërkuesi Klaus. Do të bëhet, sepse ritmi i zhvillimeve është shumë më i shpejtë se ai i tekave, dhe BE nuk mund të presë apo të dështojë kaq vazhdimisht. Thjesht, nuk kanë për ta lejuar. Shfaqja quhet të vazhdojë.

Entry filed under: Analize, BE. Tags: .

Shëndetësia në plan të parë Cmimi i shtrenjtë i emigracionit

2 Comments Add your own

  • 1. Lexues  |  01/11/2009 at 21:39

    Me ben pershtypje iniciativa dhe njohuria e Edlires per disa fusha. Eshte hera e pare qe lexoj ne shqip kaq shume informacion per Traktatin e Lisbones, dhe te permbledhur kaq qarte.
    Respekte.

  • 2. Robin  |  04/11/2009 at 16:44

    Respekte vertet:)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2009
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: