Muri i vizave

11/11/2009 at 10:16 3 comments

Një grupim lëvizjesh qytetarë ngritën një mur simbolik përpara rrugës së ambasadave në Tiranë natën e përvjetorit të rënies së murit të Berlinit, për t’u kujtuar diplomatëve se në Shqipëri, muri ndarës akoma nuk ka rënë.

Muri me 14 blloqe që simbolizonin vendet e Europës Lindore që kanë përfituar nga anëtarësimi në Bashkimin Europian apo nga lëvizja e lirë brenda tij, ishte shembulli më i mirë për t’i treguar jo vetëm të huajve, por edhe politikanëve e pseudo-intelektualëve shqiptarë se në rrugën Skënderbej në Tiranë, akoma ka një mur.

Nuk do të ishte e udhës ta lidhnim më përbërjen fetare të Shqipërisë, Kosovës apo Bosnjës, që 20 vjet pas rënies së murit të Berlinit, vazhdojnë të mbeten të izoluara nga pjesa tjetër e Europës. Jo. Më tepër është ngadalësia e vendimmarrjes dhe vullnetit politik në Bruksel, nxitur pa dyshim nga politika e çuditshme e Tiranës në 20 vjet dhe nga kthimet prapa që bën në mënyrë të përsëritur dhe të papërgjegjshme opozita e cilitdo krahu qoftë ajo.

Shqipëria nuk i ka plotësuar standardet që shtetasit e saj të lëvizin lirshëm në BE. E vërtetë. Por mijërat e qytetarëve shqiptarë që enden ambasadave dhe përballen me ndjenjën e përuljes, mëshirës, dëshirës së sportelistëve, humorit të konsullorëve, tekave të telefonave të kuq që kushtojnë më shtrenjtë sesa të telefonosh Australinë, dosjeve të kota e burokratike që kërkohen për viza-kërkuesit, dhe refuzimet e përsëritura, që vazhdojnë të ndodhin edhe në prag të atij që duhet të ishte liberalizim i plotë i lëvizjes brenda BE-së.

Përllogaritjet janë të thjeshta. I gjithë Ballkani ka më pak se 20 milionë banorë, pra sa ¼ e Gjermanisë. Prej tyre, 1/3 jetojnë tashmë jashtë vendit të tyre të origjinës, dhe po 1/3 janë popullsi mionorene apo pensionistësh. I ngelet që vetëm 1/3 të jetë forcë aktive për punë dhe që mund të përbëjë “rrezik” për dyndje në BE.

1/3 e Ballkanit është 6 milionë banorë. Pothuajse sa Danimarka. Edhe këtu ka reduktim. Sipas një studimi që Gallup vit këtë vit, një pjesë e mirë e ballkanasve janë vendosur në punë shtetërore, administrative, publike apo private në vendet e origjinës dhe nuk kanë dëshirë apo mendim të dalin jashtë tij për të bërë punë të dorës së tretë në Europë (se të dorës së dytë janë zënë nga emigrantët e “vjetër”.

Një pjesë janë me studime jashtë vendeve të tyre dhe e kanë provuar tashmë lirinë e lëvizjes. Me liberalizimin e vizave për pjesën më të madhe të Ballkanit, edhe fluksi maqedon, serb apo malazez do jetë i panumërueshëm.

Pra, “turma e rrezikshme” që mund të dyndet në Europë pa viza, mund të katandiset në rreth 1 milionë njerëz që do dalin për herë të parë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja bashkë. Shumë zhurmë për asgjë. Sigurisht, dhe është bërë me daulle kjo zhurmë, se shembja e mureve ekonomikë është akoma i pabërë si fryt; prandaj viza tundet para syve të “të fundit të Moikanëve ballkanas” si karrem i një peshkatari që ka dalë për gjah në një pellg pothuajse të tharë.

Lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave dhe e kapitalit qëndron në themel të ekzistencës së Bashkimit Europian. Dhe po, është e vërtetët që ky grupim lindi për interesa të ngushta dhe vetjake të Francës dhe Gjermanisë për të ndarë terrenin fitues për gizë dhe çelik. Gjithkush tjetër që i është shtuar 6-ëshes fillestare që themeloi BE-në (atëherë Komuniteti Ekonomik Europian KEE) me traktatin e Romës më 1957-ën, vetëm sa e ka rritur euro-skepticizmin. Por kjo asnjëherë nuk i ka penguar vendet gjeografikisht në Europë të shohin përtej arsyes fillestare të krijimit të Unionit.

Madje, ndryshimet e shpeshta në Traktatet që ajo bazohet kanë ndryshuar tërësisht edhe natyrën dhe arsyen e ekzistencës, edhe pse në vija të trasha, gjithçka duket qartë se vërtitet rreth ekonomisë, mirëqenies, sigurisë dhe dominancës në mundësinë për të kontrolluar gjendjen në kontinentin plak.

Shqipëria ka gjasa të jetë e fundit që do të përfitojë nga lëvizja e lirë (kurse anëtarësimi është tjetër temë, që varet nga humori evropian për integrim bllok apo individual i Ballkanit Perëndimor. Në qoftë kjo e dyta, prapë në grup me Kosovën dhe me Bosnjën kemi për të rënë, në pritje të trenit të fundit për në  Bruksel).

Po akoma më përpara asaj date, kemi përballë murin e vizave në rrugën Skënderbej.

Një pjesë e mirë e shqiptarë tashmë kanë lëvizur dhe mund të lëvizin akoma. Por një përqindje e mirë e popullsisë jo. Dhe kjo është dhuratë që vjen nga ata që ndërtuan e shembën murin e Berlinit, dhe sot e kanë zhvendosur atë burokratisht dhe fatkeqësisht në të dyja anët e rrugës së ambasadave”.

Sot shqiptarët nuk bien më lehtë pre e mashtrimeve për një jetë më të mirë përtej kufirit dhe nuk përbëjnë më rrezik për vendet pritëse. Përqendrimi në jetën e rregullt nën ligjet vendase aty ku jetojnë, ulja e numrit të shkeljeve të ligjit që bëhen nga shqiptarët jashtë, ulja e ndjeshme e numrit të shkelësve të vizave, përpjekjet për të ndërtuar jetën duke pasur për bazë stabilitetin financiar dhe sigurinë familjare, janë të gjithë tregues që muri i vizave sot, është po aq artificial, i panevojshëm dhe i dëmshëm sa mbyllja e kufijve dikur.

Një shqiptar i lodhur nga aplikimet dhe refuzimet në një konsullatë perëndimore në Shqipëri, tha i zhgënjyer deri në pikën e heqjes dorë nga kërkesa për t’i miratuar lëvizjen e lirë: “Dera e Shqipërisë për në Europë ka 65 vjet që është e mbyllur. Për 45 vjet na i mbyllën nga brenda; këto 20 vitet e fundit, kyçin ia kanë vënë nga jashtë. Ne prapë, brenda derës së kyçur jemi”.

Muri i Berlinit u rrëzua me kazma; muri i vizave për shqiptarët nuk rrëzohet dot as me standarde, sepse tashmë  nuk janë njerëzit që vihen në dyshim, por përfaqësuesit e tyre që në vend që të ishin në parlament, janë duke gjuajtur laraska në qiellin e shtatë.

Një tullë Brukseli, një tullë Berisha, një tullë e gjysëm Rama (meqë bashkë me veten, po mban peng edhe 64 njerëz të tjerë); dhe ja, muri i vizave në Tiranë do vazhdojë të jetë akoma aty. Deri sa politika shqiptare të kuptojë se për kaprico sedentare, nuk mund të lihet pa shembur një mur që është supozuar të ketë ndryshuar botën që 20 vite më parë.

Edhe nëse socialistët pretendojnë se pa-përgjegjshmëria e tyre nuk ndikoka në procesin e liberalizmit, pallavrat e tyre janë pa vend; sepse bojkoti dhe mungesa e pjesëmarrjes në parlament janë prova të athëta të mungesës së stabilitetit politik. Nga ky soj, Brukseli nuk ka nevojë të marrë në dorëzim. Prandaj, duke pritur ftillimin e mendjeve të majta që kanë dalë me pushime të gjata dhe reflektimin perëndimor për murin berlinez të vizave në Tiranë, qytetarët do vazhdojnë të shohin përmes vrimave të murit provizor të gjitha fytyrat e pa-qeshura që pengojnë lëvizjen e lirë.

Europa akoma është larg….dhe ne, nuk kemi ende asnjë nxitim. Të shkretët shqiptarë të përfaqësuar. Duket sikur vota ka qenë ndëshkim ndaj vetes…dhe deri sa të shembet muri i vizave, do vazhdojë të jetë kështu.

Entry filed under: Koment. Tags: .

Media përmbys Shqiptarët me kuti, ballkanasit pa viza

3 Comments Add your own

  • 1. CO-EDUCATION  |  11/11/2009 at 13:59

    E kush tha qe edhe ata qe kane mundesi te marrin vize nuk kane problemet e tyre. Ja nje shembull i nje mbajtesi pasaporte shqiptare
    • Nje pasaport me 48 faqe – kostoja 50 Euro
    • 19 viza ne total per 3 vjet x 35 Euro me e lira = 665 Euro
    • 19 x 3 dite pune (Dokumentacion + interviste + marrje vize) = Min 518 Euro ose 1381 Euro per rrogen maksimale 80000 ALL.
    • 19 vertetime bankare x 10 euro = 190 Euro
    • 19 Te tjera (certificate personale e familjare, foto, noterizim) x 10 Euro = 190
    Kostoja minimale e nje levizje te lire 3 vjecare eshte 1613 Euro

    Dhe nuk mjafton kjo po ata Zoterinjte e rr. Skenderbeu i thone ketij zoterise ne aplikimin e 20-te, se pasaporta nuk ka me faqe dhe duhet nje pasaporte e re.

    Nje pyetje kam une:” Mire qe ky kombi yne nuk i ka plotesuar keto kushtet e tyre, po ky individi dhe sa here duhet te marre vize e te rinovoje pasaporte qe keta te binden se nuk ka mendje te perfitoje nga kjo “Levizje e Lire”?

  • 2. CO-EDUCATION  |  11/11/2009 at 14:22

    Muret e tyre jane shume-dimensionale.

  • 3. edliragjoni  |  11/11/2009 at 15:56

    Co-Education,
    Faleminderit qe e solle ne vemendje ceshtjen e kostos financiare, por edhe kohore dhe mendore qe duhet per t’u pajisur me te drejten e levizjes.

    Nuk e perjashtoj kund ne shkrimin tim qe te pajisurit me vize kane kalvaret e tyre deri sa i marrin ato; thjesht u perqendrova tek ata qe edhe pasi kalojne ne te njejtat veshtiresi, serish ngelen me gisht ne goje e me shpresen se viti i pare i mandatit te dyte do beje mrekullira…

    Sa per politikat operacionale te seciles ambasade ne vend, qe akoma veprojne ne menyre diskrete pavaresisht marreveshjeve te nenshkruara tjeterkund per liberalizim, nuk kam c’te shtoj, pervecse te them qe ata jane shtyllat ne te cilat mbeshtetet muri i vizave ne rrugen Skenderbej.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2009
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

%d bloggers like this: