Shqiptarët me kuti, ballkanasit pa viza

12/11/2009 at 22:26 3 comments

Në 20 Nëntor opozita (e supozuar) do bëjë namin në Tiranë me protestën e saj për ca kuti; kurse në 19 Dhjetor, maqedonasit, serbët dhe malazezët do udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së. Po, ishte parashikuar për në 1 Janar 2010 heqja e vizave, por Parlamenti Europian vendosi dje t’i kërkojë Këshillit që të miratojë heqjen e vizave që nga 19 Dhjetori. “Kështu iu bëjmë një dhuratë për festat e fund-vitit qytetarëve të këtyre vendeve” –  thuhet në deklaratën zyrtare të Parlamentit Europian.

Kurse qytetarët shqiptarë do marrin si dhuratë protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë historia. Po, po, edhe ajo e Sali Berishës me mitingjet e sheshit.

Protestë dhe kuti, edhe pse brenda tyre nuk pritet të ketë ndonjë mandat tepër për dashuruesit e rinj të demokracisë bojkotiste.

Shqiptarët nuk do të kenë dhurata lëvizjesh të lira për fund-vitin, sepse, edhe pse votuan mirë e bukur sipas çdo standardi të kërkuar në 28 Qershor, përfaqësuesit e zgjedhur, por jo fitues, nuk kanë fort qejf të pranojnë humbjen. Nuk kanë as ndonjë ngut për ta pranuar atë. Viza kanë, parà po e po, edhe pse nuk marrin rrogë, nxitim nuk kanë për punën që i pret në parlament, kështu që, janë që janë, po merren me bojkotin e kutive.

Përtej të drejtës për t’i hapur ato, bojkoti arkaik dhe i patolerueshëm i së majtës thjesht po mitizon Berishën. Duke ndjekur gjurmët e tij, nga një, na u bënë dy mitingje-dashës në krye të politikës, që në mënyrë rigoroze dhe pa asnjë fije përgjegjësie, pengojnë ecurinë e shqiptarëve përpara (se Shqipërinë po e qajnë me lot).

Bojkoti do ishte shumë më i besueshëm dhe i pranueshëm po të ishte vërtet në interes të shqiptarëve. Po si mund të jetë i tillë, kur nga jashtë e nga brenda të majtës po i kërkohet të futet në Parlament? E majta do e kishte bërë, po guximi i 64 njerëzve me mandat varet nga kapricoja e dikujt që as nuk ka qenë, as nuk ka gjasa të hyjë ndonjëherë në parlament. E për shkak të pakënaqësive personale të njerëzve të dështuar në politikë, shqiptarët duhet të durojnë protestat, vonesat dhe efektet e shëmtuara të mungesës së stabilitetit politik në Shqipëri.

Më keq akoma, sjellja arrogante, e papërgjegjshme dhe jo-reflektuese e së majtës, po mitizon një të djathtë manipulative, të zhytur në oligarki, privatizuese të gjithçkaje që i del përpara, prishëse efektive të sistemit arsimor, hermetike në shanset për punësim, dirigjuese të një sërë sipërmarrjesh që prekin drejtpërdrejt jetën dhe kuletën e qytetarëve. Dhe jo, opozita nuk shqetësohet për këto, por për kutitë. Po, sepse aty fshihet pushteti. Dhe lufta është për dominancën, jo për qytetarin, as për vizat, as për demokracinë, as për shtetin e së drejtës, as për pavarësinë e gjyqësorit. Jo. Se po të ishte lufta e madhe apo protesta për këto, me numrin më të madh që ka pasur ndonjëherë opozita, ajo do kishte hyrë me kohë në Parlament t’ia vështirësonte qeverisë ngadalësimin e progresit. Por në vend që ta ngadalësojë, opozita po e mban peng fare këtë zhvillim.

Politika, njëlloj si media, (sa shumë shkojnë të shkretat me njëra-tjetrën), po prodhojnë mite dhe raste fatkeqe. Në emër të fjalës së lirë, apo në emër të votës së lirë, personazhe të gabuara e çojnë veten në vendin e duhur për të krijuar martirizma dhe gjoja për të ngritur zërin në emër të lirisë.

Po ç’liri zeza? Liria për të penguar lirinë e të tjerëve? Të atyre që kanë votuar për të lëvizur, e që përkundrazi mbahen lidhur nga brenda prej kapricove personale?

Përveç absurditetit dhe papërgjegjshmërisë në zgjedhjen për të vazhduar bojkotin

(mënyra më e mirë për të përcaktuar shkallën e frikës së përballjes), e majta po bëhet edhe qesharake me mundimet e saj për t’u justifikuar alla-Berisha se shqetësohet jashtëzakonisht shumë për fatin e votës së shqiptarëve, prandaj nuk hyka në parlament.

Ja edhe po të kishte fituar e majta, do ishte më ndryshe? Jo. Jo dhe JO. Do kishim masterin e protestave, zotin Sali Berisha, në krye të kalvarit dhe thirrjeve për të mos njohur institucionet “e votës së vjedhur”.

Pra, në secilin kah, politika do luftonte ashpër për karriget e saj, dhe lufta bëhet mbi kurrizin popull. S’ka gjë, se durojnë shqiptarët. Edhe po s’ka heqje vizash këtë radhë, e rëndësishme është të ketë protesta.

Kaq shumë është përkëdhelur politika nga nënshtrimi dhe adaptimi i dhimbshëm i shqiptarëve me cilëndo situatë që ju serviret, saqë tani seriozisht mendon se ka të drejtë të padiskutueshme që të bëjë ç’të dojë, kur të dojë e për sa kohë të dojë me këta njerëz, votën dhe të drejtat e tyre.

Ç’të qajnë më parë shqiptarët? Se tuneli që hëngri miliona është aq i rrezikshëm sa mund të hajë edhe jetë njerëzish? Se punësimi është ëndërr e thurur keq? Se arsimi është në udhëkryq e i përçudnuar në barcaletën e universiteteve private? Se shëndetësia është gjeneruese e korrupsionit, po aq sa edhe e pasigurisë? Se tarifat, çmimet dhe shpenzimet janë jashtë çdo mundësie përballje nga konsumatorët?

Apo të vajtojnë për një opozitë që bredh qyteteve duke bërtitur për hapje kutish?

Kutitë japin pushtet, jo mirëqenie. Plotësojnë kaprico personale, jo progres të përbashkët. Çojnë ujë në mullirin e partive, por kurrsesi në atë të qytetarëve.

Kjo në njërin krah. Dhe në krahun tjetër, sa të mallkuara paska qenë ato kuti, që po mbajnë peng politikën, median, Tiranën e Brukselin bashkë?

Serbët, malazezët dhe maqedonasit do mund të kalojnë pushimet e fund-vitit me të afërmit e tyre në Europë këtë vit. Po shqiptarët, ç’mund të fitojnë, edhe nëse hapen ato të flamosura kuti? Mbase diçka politike dhe të pavlerë po, por lëvizje dhe përfitim direkt për qytetarët JO.

E pse të shohim sërish fytyra të ngrysura e arrogante kryetarësh që bërtasin duke tundur gishtin, si për të na treguan vendin sipas mendësisë së tyre? Që nga Hoxha, akoma vazhdon ky gjestikulacion autoritar e i gjithëpushtetshëm në udhëheqësit rastësorë shqiptarë.

Qytetarët kanë nevojë për debat konstruktiv, për progres dhe për ecuri pak më të shpejtë përpara, se gishtat tregues duke u tundur lart e poshtë, boll i kemi parë si komb.

Politika. Vrasësja e të drejtave të shqiptarëve. Bartësja e të papërgjegjshmëve që abuzojnë me pushtetin e saj.

Politika sjell protesta në Shqipëri, jo lëvizje pa viza. Dhe protestat sjellin veç politikë. Prandaj do na duhen akoma vizat.

Ç’fatkeqësi që as vaksina e votës nuk e izolon virusin “politikë” në Shqipëri. Prandaj, të rrimë urtë, se mirë jemi të izoluar si komb. Apo të protestojmë kundër protestave dhe personalizimeve të politikës?

Mungon nervi i reagimit qytetar, prandaj livadhisin gënjeshtrat e maxhorancës dhe pallavrat e opozitës. Ama shqiptarët, pak e nga pak, po mësojnë mirë se si të ndëshkojnë me votë. Sa do mësojë politika, do ta shohim shpejt.

Entry filed under: BE, Politikë, Shqiptarizëm. Tags: .

Muri i vizave Ngërçi i patolerueshëm politik

3 Comments Add your own

  • 1. Lexues  |  14/11/2009 at 13:54

    Edlira,
    Shkrim me shume nerv, i sakte dhe me nje veshje ironie te holle nga kreu ne fund. Pa disktutim ze qe duhet degjuar dhe lexuar rregullisht.
    Bravo qe ruan pavaresine tende te mendimit.
    Ne me kuti, fqinjet pa viza! Therese je ne tituj, se ashtu jane edhe temat dhe menyra se si i trajton.
    Mos hiq dore nga kjo menyre te shkruari.

  • 2. CO-EDUCATION  |  16/11/2009 at 13:25

    Pas 19 dhjetorit: Shqiptaret NE KUTI e ballkanasit pa viza!

  • 3. andrew  |  14/12/2009 at 15:36

    E miratoj pothuaj plotesisht verdiktin e shkrimit tuaj, por dote deshiroja shume te dija ;A s’ dote ishte me mire qe te fillohet te behet ne Shqiperi politike me “dyer te hapura,kuti te hapura,rruge te hapura,tunele te hapura e kufij te hapur qe deri tani vazhdijne te qendrojne hermetikisht te mbyllyra?!”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2009
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

%d bloggers like this: