Cilësia e ndëshkuar arsimore

20/11/2009 at 17:19 Leave a comment

“Arsimi po përballet me sfida. Na hiqni taksat. Duam barazi me publikun. Të nxisim universitetet. Të shtojmë numrin e studentëve. Të rrisim cilësinë. Të bëjmë masterat. I duam të gjithë të nivelit të dytë. Duam doktoraturën”

Të gjithë këto deklarata kundërshtuese dëgjohen përherë e më shpesh në shtypin shqiptar së fundmi. Arsimi është bërë çështje e ditës, dhe shyqyr që erdhi kjo ditë. Por renditja e gjymtyrëve është katranosur dhe kryefjala është bërë kundrinor e përcaktori kallëzues në këtë imoralitet pretendues.

Sfidat e arsimit nuk qëndrojnë në vështirësitë për t’i mbushur mendjen qeverisë që të heqë taksat për arsimin privat (që është biznes e si i tillë, duhet trajtuar njëlloj si të tjerët). As nuk qëndron në vendimet e marra me vrap e pa transparencë për të hapur, mbyllur, shpallur apo mos-deklaruar degët, vendet dhe arsyet e hapje-mbylljes së Masterave në universitetin publik. Cilësia nuk zbret nga qielli e as nuk arrihet brenda natës. Dhe hani pa porta ku janë grupuar universitetet, është sfida më e madhe me të cilin po ndeshet arsimi  në Shqipëri.

Në morinë e njerëzve që panairin e librit e panë si pazar të gjësë së gjallë dhe që informacionin e vetëm e marrin nëpërmjet edicionit të lajmeve apo gazetave që mbajnë kafenetë, është e pamundur të mos ndeshësh aspirantë për Mastera apo së fundmi, edhe doktoratura. Të gjithë janë të bindur se e meritojnë titullin, dhe është thjesht çështje kohe pajisja me një të tillë.

Interesant është fakti se teksa në fakultetet e universitetit publik mezi hapen Masterat  dhe procesi i pranimit është pothuajse i padukshëm publikisht, në universitetet private Mastero-mania po gatuan një treg të frikshëm pseudo-studentësh, që po e kartonizojnë pretendimin e tyre për të ndenjur majë plehut.

Akoma më shumë ta ngjall kërshërinë natyra e masterizimeve, që janë të gjitha të profilit shoqëror; shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, studime bashkëkohore evropiane, psikologji, punë sociale, komunikim, e të tjera pallavra të ngjashme.

Profil shkencor?! Kërkime shkencore?! Po jo, se këto janë me zarar. Pikësëpari kërkojnë investime nëpër fakultete, se nuk mjafton një sallë, ca karrige, një video-projektor, një pedagog, 10 studentë e 30 mijë euro grupi për një Master në Biologji për shembull. Duhen laboratorë dhe investime që kërkojnë shumë para. Dhe privatët janë aty për të thithur para, jo për të shpenzuar e investuar të tilla.

Plus, duhen edhe studentë të zotë. Dhe padyshim, 1001% e studentëve që hyjnë në Masterat e nivelit të parë, të dytë e të 100-të në të gjitha UT-të private, janë shumë më të zgjuar se pedagogët dhe kritikët bashkë; po thjesht zgjedhin të studiojnë marrëdhëniet ndërkombëtare edhe nëse janë diplomuar për inxhinieri mjedisi në Kamëz, sepse e kanë kuptuar me vonesë prirjen e pafrenueshme për aktualizimin dhe kompleksitetin që ka sjellë në politikën e sotme globalizimi.

Dhe me këta studentë me koeficient të rrallë intelekti, me bindje të pathyeshme për të bërë përpara në botën akademike, me këmbënguljen e universiteteve për të kaluar në sitën e tyre çdo euro të tepërt që mund të jetë i gatshëm gjithkush të paguajë për të lustrosur paaftësinë e tij, tregu do të mbushet me njerëz që nesër do kërkojnë të ndryshojnë ligjet që nuk do iu përshtaten më.

Inflacioni i diplomave dhe manipulimi masiv për masterat dhe doktoraturat nuk është aspak i ndryshëm nga sistemi i piramidave që i la xhepa-bosh gjithë shqiptarët 12 vjet më parë.

Veçse këtë radhë, kur të rrëzohet piramida (që edhe tani është e përmbysur, e prapë njerëzit rrinë poshtë saj), dalja do te jetë vetëm në tregun e vështirë të konkurrencës së bashkësisë në të cilën synojmë të shkojmë.

Diplomat e sotme në Shqipëri kanë vetëm një vlerë; po shkatërrojnë suksesshëm besimin tek cilësia.

Arsimi i sotëm ka vetëm një problem madhor; po minon hapur cilësinë.

Në përballjen e nesërme me tregun e të diplomuarve të vërtetë, do jetë një vlerë që do na lërë në baltë përpara gjithë të tjerave; CILESIA.

Në emër të saj, të gjitha pseudo-pretendimet e sotme për vlefshmërinë, nesër do të ndëshkohen po aq rëndë sa edhe premtimet për pastërtinë e fantazmave financiare në 1997-ën.

Dikur paratë, sot vlerat. Tranzicioni shqiptar paska qenë vërtet i vështirë.

Entry filed under: Arsim, Vezhgim. Tags: .

Ngërçi i patolerueshëm politik Kutitë, të mallkuarat ato!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2009
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

%d bloggers like this: