Shqipëria në tre hotele

11/12/2009 at 14:08 1 comment

Do të takosh kryeministrin, presidentin, ministrin tënd të preferuar (për lidhjen e ndonjë halli)? Do të testosh anglishten duke folur me kreun e Delegacionit të Komisionit Europian, të OSBE-së, me ambasadorin amerikan, më atë gjerman, austriak, grek, italian? Apo ke interes t’i thuash ndonjë fjalë përfaqësuesve super-aktivë të shoqërisë civile, mbrojtësve të mjedisit, të të drejtave të njeriut, të grave, fëmijëve, romëve edhe nëse nuk je rom? Do që të dalësh një herë në televizor?

Po hajde tek Sheratoni pra. Ose tek Rogneri. Edhe tek hotel Tirana. Aty i ke të gjithë.

Mund të kërkosh muaj të tërë një takim me personazhe të përkohshëm që luajnë rolin e drejtorit apo të kryetareshës. Përpjekje e kotë. Gjithmonë super të zënë i ke.

Edhe për këtë nivel, le më ministrat, ambasadorët e speciet e ngjashme. Atyre edhe sekretaret mezi iu përgjigjen. Po zgjidhja është e thjeshtë shumë.

Një aktivitet në institucionet e rëndësisë së veçantë në Shqipëri, Sheraton, Rogner, Tirana, dhe problemi i madh i takimit, zgjidhet si me magji.

Dy minuta në këmbë, ke mundësi ta thuash atë që ke për të thënë, edhe pse, sigurisht, nuk ka asnjë shans të merret në konsideratë.

Të gjitha institucionet shtetërore kanë salla mbledhjeje dhe konferencash. Por ama, si treshja e institucioneve hoteliere, nuk ka. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ato janë përditë, dy herë në ditë, katër herë në ditë, të prenotuara e plot.

Për të marrë me qera një sallë konferencash në secilën prej të tre hoteleve, duhet të telefonosh, dërgosh kërkesë e të konfirmosh që një muaj përpara. Paradite dhe pasdite, sallat janë plot. Gjithmonë të zëna. Me qera që variojnë nga 300 euro për sallat e vockla, në 800 euro për ato më të mëdhatë.

Pothuajse të gjitha aktivitetet shoqërohen me kafe dhe koktejl. Të dyja këto, variojnë nga 15 në 35 euro për person. Aktivitet pa 30 persona nuk ka.

Pse s’bëhen të gjithë shqiptarët hotelierë bulevardesh? S’ka më vend. Edhe ca metra që kanë ngelur te parku Rinia, janë me dy pronarë, shtetin dhe bashkinë.

Prandaj, edhe për ca vite të tjera, Tirana, Rogner dhe Sheraton, do jenë zgjidhëset e vetme të halleve tona.

Aty diskutohet për integrimin evropian, për MSA-në, për BE-në, për NATO-n, për CEFTA-n, për liberalizimin e vizave, për shtrëngimin e darave, për dialogun politik, për pavarësinë mediatike, për pavarësinë e gjyqësorit, për kthimin e opozitës në parlament, për ratifikimin e konventave, edhe të marrëveshjeve të pa-rëna dakord. Për hapjen e sezonit turistik, atij teatror. Për shfaqjet e radhës në politikë, për numrin e radhës në trupat që do dërgohen në Afganistan.

Aty flitet edhe për të drejtat e njeriut, për arsimin, për bujqësinë. Edhe për gripin e derrave, aty flitet. Edhe për reduktimin e varfërisë, flitet aty.

Të gjitha shtrohen në Tirana, Rogner, Sheraton. Makinat, kamerat dhe mikrofonët e medias janë të instaluara aty, në Sheraton, Rogner, Tirana.

Tani gazetarët nuk kanë përse të marrin në telefon burimet e tyre për ngjarjet e ditës. Një telefonatë në recepsionet e hoteleve tona të bulevardit, dhe ja, u zbardh axhenda e politikës.

“Sot tek ne, në sallën Jeshile ka aktivitet Partia Blu,  në sallën Venus po flasin gratë, në sallën Dialogue kemi grupimin e donatorëve për rimëkëmbjen e konsensusit politik, dhe në sallën Kuala Lampur, po flasin për Energjinë e Rinovueshme”.

Ja katër lajme, u bënë. Dy politika, një socialja, një ekonomia.

Hoteli tjetër: “Në sallën tonë “New York, ka një konferencë për reduktimin e varfërisë. Tek Artemisa kemi “Diskutime dhe reflektime mbi dhunën ndaj fëmijëve”. Ca pleq shoh aty vërdallë. Tek salla Hylli i Dritës është mbledhur një grupim shoqatash të huaja që flasin për transmetimin e metodës “Know how”, dhe tek salla Valsi, po mbahet një konferencë për bujqësinë”.

Kështu edhe i treti, me emrat e mrekullueshëm të sallave, dhe aktivitetet akoma më të mrekullueshme, të organizuara me shumë kujdes nga ata që nuk i zë gjumi për të nesërmen nga hallet e kombit.

Konferencë, workshop, trajnim i shkurtër, seminar, aktivitet përmbyllës, ceremoni hapëse. Ik, shko, shko e eja, gjithë Tiranën elitiste, aty e ke.

Tirana, Rogner, Sheraton dhe anasjelltas. Ndonjëherë iu bie rruga edhe tek Pallati i Kongreseve apo Teatri i Operas. Por këto janë për mitingje më dyer të mbyllura, e me transparencën e qerasë po të këtillë.

Po hallet e kombit zgjidhen vetëm aty: Sheraton, Rogner, Hotel Tirana. Ç’do bënte Shqipëria pa ju?!

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Morti i demokracisë Moral, politikë dhe heronj mediatikë

1 Comment Add your own

  • 1. errorful  |  11/12/2009 at 17:55

    lol
    aj luv ju😀

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

December 2009
M T W T F S S
« Nov   Jan »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: