2009 hijerëndë

22/12/2009 at 23:51 1 comment

A mund të vendoset në të njëjtën peshore rëndësie “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO” me “Skandalin Pango”? Po?! Jo?! Epo janë të dyja ngjarjet pra, në listën për t’u shpallur si “evenimenti i vitit 2009”. Nuk po e bën vetëm një televizion apo gazetë. Jo. Është duke u diskutuar dhe sjellë në vëmendje gjithandej në media.

Edhe vdekja e Michael Jackson rendidet si opsion. Pak e çuditshme, ë? Epo, për ne mund të mos ketë shumë rëndësi, po për botën e muzikës, revolucionit të saj prodhues dhe ngjyrues po, ka shumë rëndësi. Është absurde që vdekja e një këngëtari të muzikës Pop të jetë në të njëjtën listë rëndësie si masakra e Durrësit, ku Dritan Dajti vrau katër punonjës të policisë? Nuk ka pse të çuditemi. Në të njëjtën listë është edhe “koalicioni Berisha-Meta”. Po, edhe kjo hyn tek ngjarjet e pazakonta, sipas medias shqiptare.

Protestat për të flamosurat kuti është po ashtu në listë. Së bashku me gripin e derrave (pa asnjë nga pikëpyetjet e tij), si edhe “Pranimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE” (dhe supozohet që këtu janë përfshirë edhe nën-ngjarjet e saj, dorëzimi i kërkesës, marrja e pyetësorit, e edhe vetë ratifikimi dhe hyrja në fuqi e MSA-së).

Jashtë listës për ngjarjen e vitit kanë ngelur sigurisht 56 viktimat që humbën jetën nëpër aksidentet automobilistike në vend vetëm në muajt Korrik-Gusht. Shpejtësia po se po, por edhe mungesa e sinjalistikës ishte ajo që shkaktoi mungesën e shumicës së aksidenteve.

Edhe tuneli i rrugës së kombit është lënë jashtë listës së ngjarjes së vitit. Katër përurimet e pesë mbylljet e saj nuk paskan mjaftuar me sa duket që milionat e shpenzuara aty, të jenë të denja për t’u quajtur “ngjarje për vitin 2009”.

Zgjedhjet e 28 Qershorit. As ato nuk janë në listë. As për leksionin e qytetarisë që dhanë shqiptarët, duke treguar se ata vetë, si popull, janë gati të quhen “të pranueshëm” nga Evropi; Po as kalvari i gjatë i numërimit të votave, hiç nuk bën pjesë në ngjarjen e vitit.

As parlamenti gjysëm-bosh, që në formën e tij,është tregues i hapur i mungesës së demokracisë funksionale, e si i tillë, cenon themelin e kriterit politik të Kopenhagenit. Po pra, atë kriterin të cilin opozita pretendon se nuk e cek, që thjesht, shumë thjesht dhe hapur, është shkelje e këtij kriteri bazë.

Po as festa e madhe blu në mes të Tiranës për ditën e rinisë, demokracisë, lirisë, turmësisë, pacipësisë manipuluese. As ajo nuk ishte. Festa  tek sheshi Skënderbej pra, që turma të atilla kishte parë së fundmi vetëm kur erdhi James Baker me një cek të bardhë, madje transparent fare, nga ata që nga tejdukshmëria e madhe, njëlloj si rrobat e mbretit, për ca sy janë, e për të tjerë, nuk janë aty. Mungon në listë pra festa që la Shqipërinë pa punë të martën e 8 Dhjetorit, sepse duhet të festonim bluizimin dhe ciljetizimin në Tiranë.

Po edhe tërmeti që ra në fshatrat e Dibrës nuk është në listën e ngjarjeve të vitit. Ata njerëz akoma vazhdojnë të flenë nën çadra. Jo në ato që s’iu dha kush, por në të improvizuarat që presin me padurim, e sërish me transparencë, vizitorët e qeverisë e të opozitës bashkë. Po ç’e do, nga ai fshat, as rruga e kombit, as ndonjë kuti e mbyllur nuk bie. Vetëm tërmeti. Me atë, nuk ka si të merret as qeveria, as opozita.

As lënia jashtë listës së vendeve, qytetarët e të cilëve lëvizin prej disa ditësh lirshëm në BE, nuk ishte përmendur në listë.

Miratimi i traktatit të Lisbonës, nëse e fusim në ngjarjet ndërkombëtare, nuk ka si të pretendohet se mund të ketë të njëjtën rëndësi si vdekja e Michael Jackson, edhe pse Traktati është dokumenti më i rëndësishëm ligjor që ka miratuar Bashkimi Europian që nga themelimi i tij.

Zgjedhjet për në Parlamentin Europian, ku e djathta fitoi si e djathtë, jo si e majtë e çakërdisur, gjithashtu janë jashtë listës së ngjarjeve të rëndësishme për vitin 2009.

Po nëse u kthehemi ngjarjeve brenda konakut tonë, mirë që zgjedhjet nuk hyjnë në “top listë”, po as shpenzimet me disa miliarda euro për atë fushatë muzikore, ngjyrosëse, shiritosëse, debatosëse, media-groposëse, as kjo nuk është konsideruar si e rëndësishme.

Po makinat e deputetëve? Deputetë në këmbë akoma nuk duken rrugëve të Shqipërisë. As në autobusin e Kombinatit jo. Deputetët nuk duken as në parlament madje, po kjo është çështje shumë e komplikuar kutish, që me të drejtën e Zotit, bën pjesë se s’bën në çuditë e mëdha.

Këtë vit patëm edhe një ngjarje nga Vlora, me një ekip lab drejtuesish universitarë, që kërkonin të vendosnin kusht mesataren për të hyrë në Universitet. Ministria përkatëse pretendoi se ata kërkonin qiqra në hell. Me sa duken bathët sot, shteti provoi edhe një herë se përveç tij, askush nuk ka të drejtë. Deri në atë pikë madje, sa përveç arsimit, edhe drejtësinë e vë për fundi po iu mbush mendja. Për pak e bëri me konferencën e gjyqësorit. Po ca gjyqtarë, juristë e ndërkombëtaristë thanë se kjo do ishte shkelje flagrante e Kushtetutës. E meqë jemi në fund të vitit, politika fustan-madhe vendosi që ta lërë rehat Kushtetutën me kaq për 2009-ën. Boll ushqim patën zbatuesit e saj këtë radhë.

Këtë vit patëm edhe histori rozë të treguara nxishëm nga tribuna e parlamentit me një gjuhë që një grup të dërguarish diplomatë e përcaktuan “jo të denjë për standardet evropiane”. E pastaj?! Transparenca e përdorur në parlament në fakt i kapte dhe i tejkalonte standardet. Ç’nuk mësuam për liderin e opozitës për ca ditë rresht nga foltorja ku s’ka debat politik.

Pastaj erdhi pyetësori, 8 Dhjetori, periudha e festave dhe për momentin, telenovela që transmetohet drejtpërdrejt nga Kuvendi, ka ngelur përgjysëm.

Interesante shumë 2009-a. E me gjithë skandalin e Pangos, të mos-njohjes së zgjedhjeve, të lojës së kutive, të portokallisë së vërtetë të zëdhënëseve qesharake, të dështimit për të siguruar lëvizjen e lirë, të vdekjeve masive në rrugë apo në krye të detyrës, të sharjeve e puthjeve publike, të injorimit e manipulimit mediatik e politik, pas gjithë skandaleve që do marrin çmimin “ngjarja e vitit”, shqiptarët vazhdojnë të presin me sytë nga qielli ndonjë dhuratë që s’u ka shkuar ndër mend. Jo telefonatat që do bëkemi falas nga operatorët celularë, jo.

Ngjarja e vitit do të ishte sikur shqiptarët të kishin mundësi sot të festonin pranë familjarëve të tyre në Europë, të shkëmbeheshin me kosovarët në tunelin e Kalimashit, të merrnin pa luftë rrogën e 13-të, të jetonin në një shoqëri ku pangot nuk bërtasin “kapeni pangon”, të kishin 140 deputetë që këtë javë të merrnin pushimet si gjithë pseudo-të mençurit e tjerë të botës politike, dhe të kishin një alternativë për kryeministër, e një tjetër për kryetar opozite.

Po kjo do ishte kërkesë shumë e gjatë që asnjë plak vitiriu nuk do e merrte përsipër.

Prandaj 2009-a ikën pa e vrarë mendjen hiç. Tek e fundit, një vit më shumë, një vit më pak, shqiptari duron. Kur kaluam me sukses edhe vdekjen e Michael Jacksonit, me krizat që kemi, do ia dalim patjetër.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Moral, politikë dhe heronj mediatikë Mirësi mbifetare në Rrëshen

1 Comment Add your own

  • 1. VIZIV  |  23/12/2009 at 14:01


    Ja edhe ca dhurata te tjera nga 2009-a:
    •shqiptaret u paisen me karte identiteti, te gjalle e te vdekur.
    •rruget e Bashkise Kamez moren emra e numra nga “bushi” tek “brezaret”,”prrenjas” tek “Britney Spears”
    •u vu tren special Tirane- Durres per sezonin e veres.
    •qytetaret e Peqinit festuan naten e Veres
    •shqiptaret u doli gjumi e u kujtuan se kishin harruar te vendosnin kufirin detar me Greket.
    •fondacioni Grek i Kultures hap aktivetin e tij ne Shqiperi
    •ish-vila e udheheqjes ne vlore u rikonstruktua e gjeti edhe “pronar”
    •shqiptaret bene sondazhe me “Zogj” e me “Boba” para turmezimit te tyre
    •ca nga Shqiptaret u bene “99”-sha me idene e nje politike te re
    • “Topalli” gjasme takoi Hilary Clinton
    •filluan enderrat per nje central berthamor
    •Shqiperia dhe Afrika nuk u preken nga kriza ekonomike

    Mund te te kete edhe te tjera, se 2009-a ka qene shume e larmishme.

    Kam besimin e madh qe shqiptaret do vazhdojne keshtu te shkelqejne edhe ne 2010 -en

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

December 2009
M T W T F S S
« Nov   Jan »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: