Mirësi mbifetare në Rrëshen

26/12/2009 at 15:50 Leave a comment

Krishtlindjet këtë vit erdhën më pa zhurmë se asnjëherë tjetër. Ato gjithmonë vijnë të buta, të qeta, të mirëpritura. Por këtë vit, dendësia e ngjarjeve politike dhe e ekonomike, prishja e ëndrrës për të festuar jashtë Shqipërisë, me të afërmit e mërguar, mungesa e shpërblimeve, viti i gjatë elektoral, që prodhon vetëm llafe e kriza, e ka zbehur dukshëm atmosferën e Krishtlindjeve. Aq shumë madje, sa edhe zbukurimet e rrugëve mezi zunë vend këtë vit.

Rrugës për në kryeqendrën katolike të Shqipërisë, në Rrëshen, të zinte syri më pak makina se çdo vit tjetër. Edhe edicionet e lajmeve nuk janë më të mbingarkuara me lajmet e përvitshme: ”Radhë e gjatë në Kakavijë, Kapshticë, Durrës, Vlorë apo Rinas”.

Këtë vit, emigrantët  kanë lëvizur më pak. Mbase kanë pritur që t’i shkojnë ë afërmit e tyre nga Shqipëria. Do vazhdojnë të presin edhe ca. Politika është e zënë me të tjera gjëra për momentin.

E që t’i kthehemi rrugëve bosh, zhurma dhe zënia më e madhe e tyre vinte nga një varg makinash të reja ku shkruhej ”policia rrugore”. Shumica dërmuese janë pa targa dhe në timon kanë djem të rinj, jo me uniformë. Sirenat iu bien pa pushim. Duhet të jetë furnizimi i ri i Ministrisë së Brendshme, që po bën prova pas sukseseve në luftën kundër korrupsionit.

Dhuratë e bukur për Krishtlindjet e majta e të djathta.

Por, rruga e tyre nuk hapet, veçanërisht në akset kyçe, hyrëse apo dalëse nga Tirana. Moria e përhershme dhe rrëmuja në qarkullim, ndërpritet goxha shpesh nga aksidentet. Për tek ato, nuk mbërrijnë dot në kohë as ambulancat e lodhura, as makinat e reja pa targa të policisë rrugore.

Në 70 kilometrat nga Tirana në Rrëshen, numërova katër aksidente. Kishin ndodhur, pavarësisht gjendjes së mjeruar të rrugës në rindërtim, që nuk të lejon të tejkalosh shpejtësinë.

Në qytetin e katolicizmit në Shqipëri, natën e Krishtlindjeve kishte  më pak lëvizje se çdo vit tjetër i mëparshëm. Kishte po ashtu më pak zhurmë fishekzjarrësh. Por kishte për fat të mirë të njëjtën atmosferë të pakrahasueshme njerëzore, mikpritje, dashuri, dëshirë për të festuar bashkësinë, qoftë edhe për shkak të fesë.

Lumturimit të njerëzve që shkojnë në kishë për meshën e mesnatës, i shndrit në sy një ndjesi vërtetësie që mungon në lajmet e përhershme që përcjell ekrani, që kurrë s’flet për ta.

Qyteti i vogël është më i gjallë, më i dashur, më mikpritës, më i vërtetë, më i ngrohtë dhe shumë më njerëzor se çdo qytet këtë natë.

Duket sikur humanizmi, i veshur me petkun e festës fetare, ka ditur ta ruajë mirë pozitën e tij dominuese tek njerëzit e këtij qyteti, që të paktën për këtë natë, është më i gjallë dhe më shpresëdhënës se Tirana.

Komuniteti qëndron bashkë jashtë deri në orët e vona të mbrëmjes, për t’u kthyer menjëherë së bashku në përfundim të darkës familjare.

Takimi i të gjithëve është në katedralen e qytetit. Është më tepër se ritual fetar. Mbledhja e të gjithëve për meshën  e mesnatës në këtë natë, ky kishte yje në vend të pikave të shiut, i ngjante më tepër dëshirës për të ruajtur vërtetësinë që po zhduket me ngadalë në vendet ku mirditorët janë zhvendosur të jetojnë pjesën tjetër të vitit.

Krishtlindjet këtu nuk kanë thjesht kuptimin e lindjes së birit tek i cili kanë vendosur besimin të krishterët. Jo. Krishtlindjet këtu kapërcejnë ndjesinë e fesë, duke u bërë festa, nata, mbrëmja, arsyeja për të cilën të gjithë janë të gatshëm të falin, të ndjejnë, të kërkojnë dhe të japin dashuri, shpresë dhe mirëkuptim. Në shkallë shumë më të madhe nga ç’mund të jenë në gjendje të falin në përditshmërinë e tyre në Tiranë, Durrës, Milano, Londër, Athinë, apo kudo ku janë vendosur për të jetuar.

Në çdo ditë tjetër normale të vitit, Rrësheni është njëlloj si të gjitha qytetet e vogla të Shqipërisë; i vetmuar, i qetë, i braktisur. Kurse të paktën këtë natë të vitit, mbrëmjen e 24-ës dhe ditën e 25-ës, Rrësheni shndërrohet në qytezën ku do të ishte mirë të vinin të gjithë, për të provuar pak dashuri dhe mirëpritje njerëzore, nga ajo që kemi harruar se ekziston.

Krishtlindjet e kanë magjinë e dashurisë dhe të mirësisë. Rrësheni, thjesht e vërteton pa asnjë mundim këtë.Prej katedrales dhe bulevardit të tij të vetëm, përhapen pa fund urimet ”Gëzuar për shumë vjet. Ju bekoftë edhe ju”.

Për sot, Shqipëria do ishte më e bukur sikur në çdo cep të saj, të kishte pakëz Rrëshen.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

2009 hijerëndë Reshje politiko-mediatike

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

December 2009
M T W T F S S
« Nov   Jan »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: