Reshje politiko-mediatike

30/12/2009 at 10:37 Leave a comment

“Është vjedhur me forcë selia e Partisë Socialiste në Durrës. Berisha përgjegjës”.

Në një vend tjetër, lajmi do të merrej seriozisht. Edhe po ta kishin dhënë mediat që anojnë pak nga Berisha, po. Por, ashtu si u dha lajmi dje në disa nga edicionet e lajmeve, ngjarja kthehej në qesharake. Jo se është e tillë; përkundrazi. Ngjarja kërkon seriozitetin që i takon. Por, dramaciteti me të cilin u përcoll në mediat antiberishiane (se ato quhen të majta), lajmi ishte fatkeq dhe qesharak njëkohësisht.

Po le t’i bëjmë pak kthim pas dëgjimit të lajmit: “Shpërthehet selia e PS-së. Vidhen dokumente të rëndësishëm dhe hardwear-et e kompjuterave”

Partia Socialiste paska dokumente të rëndësishme? Ajo e Durrësit? Po qe kështu, selia e Tiranës qenka plot me dokumente të tilla. Po ç’të jenë këto dokumente kaq të rëndësishme që paskan vënë në lëvizje kryeministrin aq shumë sa të dërgojë njerëz t’i vjedhin me forcë në Durrës?

Me siguri do jetë ndonjë plan i detajuar që ka hartuar partia socialiste për parandalimin e përmbytjeve në vend. Apo të jetë plani i veprimit për ndërtimin e rezervuarve shtesë, të zgjerimit të shtratit të lumenjve që po fryhen e të ndërtimit të hidrovoreve përkatës? Po pse në Durrës? Mos janë dokumentet që kanë të bëjnë me planin e urbanizimit të qytetit turistik? PS ka ndër mend t’i kthejë pishat Golemit?

Jo, jo, se bën shaka partia socialiste. Nuk janë dhe aq të rëndësishme dokumentet që janë vjedhur. Janë?! Po, po, janë. Kështu thotë ekrani numër dy: “Dokumentet e vjedhura, sekrete të Partisë Socialiste. Berisha të japë dorëheqjen”. Ose të hapë kutitë.

Mos kanë pasur ndonjë të dhënë për kutitë ato kompjuterët dhe dokumentet e vjedhur? Po pse, as një copë çelës profesionist nuk paskan këta të dërguarit e kryeministrit, që e kanë shqyer derën më aq forcë sa edhe vetë mediat e majta u tronditën?

Lezha notonte në ujë dje. Edhe disa fshatra të Shkodrës. Në Durrës, përveç vjedhjeve “spektakolare” dhe “shumë të rëndësishme” në selinë e PS-së, asnjë lajm nuk kishte.

Po vetë Berisha, c’mendon për këtë? Pikësëpari është i sigurt se asnjë dokument i PS-së nuk do të mund ta çojë Shqipërinë në Europën pa viza, sepse kjo është e tëra sipërmarrje private e tij. Edhe e Bashës.

Pikë së dyti, vetëm nëse kompjuterët e vjedhur kanë transkriptime bisedash të kryetarit të PS-së me femra e me meshkuj që mund të publikohen pa ia bërë syri tërr kryeministrit, vetëm atëherë po, mund t’i ngjallnin interes dokumentet. Po pse në Durrës?

Ç’të ketë kaq të rëndësishme në ato materiale te vjedhura.

Duhet ta ritheksoj; vjedhja si akt është shumë i dënueshëm, dhe uroj që autorët ta provojnë forcën e ligjit. Edhe dhunimi i selisë së një partie politike është po ashtu ngjarje që kërkon vëmendje mediatike, e meqenëse bëhet fjalë për partinë e opozitës, duhet të ketë edhe rëndësi politike (një deklaratë ku dënohet akti i vjedhjes edhe mund të kishte dalë nga zyrat e shtypit, që s’lanë certifikata e budallallëqe pa nxjerrë në publik).

Por, dimensioni që iu dha lajmit në edicione, ku fill pas notave të larta tragjike për situatën në vend, doli edhe vjedhja e selisë së PS-së në Durrës, ia zbehte të gjithë rëndësinë e vërtetë ngjarjes.

Aq më tepër, politizimi i menjëhershëm i çështjes, si nga ngjarje-pësuesit, ashtu edhe nga lajm-transmetuesit, e bëri përcjelljen e tij akoma më qesharak.

Nuk është rasti për të përmendur njëanshmërinë e ekspozuar pa asnjë teklif të mediave tona “profesioniste”, por edhe një ndjenjë revoltimi nuk fshihet dot teksa shikon të renditur aq lart në edicion ngjarjen.

I transmetuar ashtu, më shumë sesa solidarizonte stafin e PS-së në Durrës, lajmi sulmonte gjoja hapur Berishën. Ngjyrat e forta në përshkrimin e situatës si ‘të rëndë politikisht”, e bënin akoma më qesharake median vetë.

Berisha nuk mund të zihet ngushtë me lajme emocionale.

Një edicion që flet i tëri për situatën pas reshjeve në vend, edhe mund ta ulte pak minuta përpara ekranit kryeministrin, e ta bënte të mendonte pak për lajmet e dhëna. Po edhe ato nuk duhet të jenë emocionale. Ka gjasa që edhe të mos ngjallin asnjë reagim; ama në ditë si kjo e sotmja, moti i keq është kundër neglizhimit të Berishës dhe pro gjithë përtacëve e politikanëve mediatikë, që mund të trajtojnë me detaje situatën e përmbytjeve, fryrjen e lumenjve, hapjen e digave, mundësitë e përmbytjeve më të mëdha në rast shpërthimi, vetë mundësitë e shpërthimit (nëse ekzistojnë dhe si mund të parandalohen). Ka plot specialistë e punëtorë të majtë që do të flisnin lirshëm për të dhënë të sakta shifrat, mundësitë dhe shanset e çdo situate.

Po jo, media ka hallin e vjedhjes së partisë socialiste në Durrës. Pa se qindra familje flenë sonte në të ftohtë, jashtë, në tarraca apo tek të afërmit, duke mbipopulluar shtëpi, këto nuk kanë shumë rëndësi.

Jo se Berisha do t’i merrte në shtëpinë e tij këta qindra mijëra njerëz, dhe çështja do zgjidhej. Po të paktën, edhe media, edhe politika, do të merrnin ca doza humanizmi, nëse ngjarjeve të tilla do t’iu kushtohej e njëjta vëmendje si vjedhja e dokumenteve dhe kompjuterëve në selinë e PS-së në Durrës.

Po me sa duket, për momentin jetojmë vetëm politikisht. Pa të, media nuk di, nuk di hiç të jetojë.

Parashikimet për sot lajmërojnë për të tjera reshje. Dokumente, kompjutera dhe kuti, jo!

Entry filed under: Koment. Tags: .

Mirësi mbifetare në Rrëshen Gezuar 2010-en

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

December 2009
M T W T F S S
« Nov   Jan »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: